Vuçiqi në Shkup: Serbia nuk kërkon nga RMV ndryshimin e Kushtetutës

    Aleksandar Vuçiq në Shkup / Fotografia: Profili në Facebook

    Pas prezencës së mbrëmshme dhe fjalimit të presidentit serb Aleksandër Vuçiq në Akademinë e Shën Sava-s në Shkup, me rastin e 27 janarit – Ditës kombëtare të komunitetit serb në vend, Agjencia bullgare e lajmeve BGNES paraqiti një raport dhe koment mbi ngjarjen me fokus të veçantë te fjalimi i Vuçiqit.

    Mysafirët e lartë në Akademinë e sivjetshme të 15 me radhë të Shën Sava-s me rastin e Ditës Kombëtare të Serbeve në Maqedoni/ Foto: Qeveria e RMV-së

    Sipas Agjencisë bullgare, presidenti serb dje në qendër të Shkupit hapur i është bashkangjitur retorikës dhe propagandës antievropiane, e cila, siç shënohet, çon drejt bllokimit të perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut.

    Në njoftimin për ngjarjen, agjencia e lajmeve, menjëherë në fillim, pas paragrafit të parë hyrës, e citon deklaratën e fjalimit të Vuçiqit në të cilën ai thotë:

    “Serbia nuk kërkon nga Maqedonia e Veriut ndryshim të Kushtetutës, ajo është çështje e brendshme e juaja”.

    Shënohet dhe se Vuçiqi këtë festë e festoi së bashku me presidentin maqedonas Stevo Pendarovski, kryeministrin në ikje Dimitar Kovaçevski dhe se në eveniment kanë marrë pjesë edhe përfaqësues nga Republika Srpska (entiteti serb në Bosnje dhe Hercegovinë).

    “Unë jam presidenti i Serbisë, por nuk kam frikë të them se maqedonasit janë populli ynë më i afërt. Nuk kemi njerëz më të afërt se maqedonasit. Hapur dhe qartë e them para të gjithë publikut serb dhe maqedonas. Nuk dëshirojmë asgjë nga Maqedonia e Veriut. Nuk kemi kushte për asgjë. Nuk presim asgjë. E vetmja gjë që duam të ndërtojmë janë marrëdhënie më të mira dhe më të afërta”, e citon BGNES pjesën e fjalimit të presidentit serb në Akademinë e Shën Sava-s në Shkup.

    Në sqarim të kontekstit, agjencia rikujton se pa kushtin e detyrueshëm për ndryshime kushtetuese, Republika e Maqedonisë së Veriut nuk do të mund t’i vazhdojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ato, siç shënon BGNES-i, janë të futura në Kornizën negociuese, e cila ishte e miratuar nga të gjitha vendet anëtare të bllokut.

    Agjencia në artikull i referohet edhe pjesës së fjalimit të Vuçiqit ku ai flet për Shën Sava-n duke theksuar se ai është pishtari më i madh i arsimit serb, truri më i rëndësishëm, poet i madh dhe personaliteti më i madh shpirtëror.

    “Ai është përmendore e madhështisë së Serbisë dhe kulturës së saj dhe prandaj vendi ynë e mban personalitetin e tij lartë nëpër flamuj, duke treguar se çfarë vertikalesh morale synon”, shtoi presidenti serb.

    Më pas te raporti mbi evenimentin transmetohet edhe një pjesë e fjalimeve të presidentit maqedonas Stevo Pendarovski dhe kryeministrit në ikje Dimitar Kovaçevski.

    “Kjo ditë e rëndësishme i dedikohet priftit, mësuesit dhe ndërtuesit të madh mesjetar serb Shën Sava. Ai ka qenë inspirim për gjenerata të tëra Serbesh që ta kultivojnë identitetin, gjuhën, shkrimin dhe kulturën e tyre dhe të krijojnë vlera të përhershme. Prioriteti kryesor i shtetit të Maqedonisë është mirëmbajtja e bashkëjetesës në shoqërinë tonë multietnike, multigjuhësore dhe multireligjioze… Midis nesh sonte janë disa nga anëtarët e shumtë të spikatur të komunitetit serb që e pasurojnë komunitetin tonë shoqëror, shkencor, kulturor, sportiv dhe politik. Ju inkurajoj që të vazhdoni të jepni çdo gjë prej vetes për të mirën e shtetit tonë të përbashkët. Marrëdhëniet shumë cilësore ndëretnike i plotësojnë marrëdhëniet e mira midis dy shteteve tona mike”, e citoi BGNES këtë pjesë të fjalimit të Pendarovskit

    Agjencia bullgare e lajmeve transmetoi dhe citoi edhe një pjesë të fjalimit të presidentit të Kuvendit Popullor të Republikës Serpska, Nenad Stevandiq, i cili dëshiroi që komuniteti serb në Maqedoninë e Veriut të jetë më i fortë dhe më i bashkuar, e pastaj e krahasoi presidentin Vuçiq me shenjtorin.

    “Ne i përkasim një shpirti, një tradite, një kulture për të cilën nuk ka kufij, zakone dhe vende ku mund të ndalohet, ndërsa këtë e ka krijuar një veprim i madh i Shën Sava-s. Në këtë ditë kujtojmë se Shën Sava së pari i pajtoi vëllezërit i e tij, i mbrojti nga njëri tjetri, e pastaj na pajtoi edhe me popujt e tjerë fqinjë”, tha Stevanoviq

    Ai, siç transmeton BGNES, deklaroi se presidenti Aleksandër Vuçiq e kupton mirë këtë sepse edhe ai bën një punë të ngjashme. Stevandiq, shtohet, “e falënderoi popullin vëllazëror maqedonas” dhe deklaroi se Serbet ndjehen të lirë në të gjitha festat që i festojnë së bashku me maqedonasit, si në Zebarnjak, Kumanovë dhe Kajmakçallan, ashtu edhe në Topollë dhe Banja Llukë.

    Agjencia rikujton se Stevandiq është në “listën e zezë” të SHBA-ve, të cilët e sanksionuan në korrik të vitit 2023 për pengimin e Marrëveshjes Paqësore të Dejtonit, veprime separatiste, korrupsion për përfitim personal etj.

    Përndryshe, presidenti serb këtë vit për herë të parë mori pjesë në akademinë solemne me rastin e festës kushtuar Shën Sava-s, e cila u mbajt për herën e 15-të dhe u prit me duartrokitje në Teatrin Kombëtar të Maqedonisë ku u mbajt evenimenti. Përveç presidentit maqedonas Stevo Pendarovski dhe kryeministrit në ikje Dimitar Kovaçevski, midis të pranishmëve në radhët e para ishin edhe lideri i VMRO-DPMNE-së opozitare, Hristijan Mickoski, me nënkryetarin e partisë Aleksandar Nikolloski.

    Lajmi Paraprak

    Përdorim masiv i duhanit në objektet e mbyllura të Dibrës!

    Lajmi i rradhës

    Putin zyrtarisht regjistrohet si kandidat për zgjedhjet presidenciale

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë