Zaev: Maqedonia duhet të investojë në stabilitetin energjetik

    Zoran Zaev / Fotografia: Nistori

    Ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, ka ndarë përvojën e tij në lidhje me krizën aktuale energjetike dhe ekonomike. Ai ka marrë pjesë në një debat të organizuar nga UEJL, ndërsa para debatit theksoi se stabiliteti i një vendi varet edhe nga stabiliteti energjetik, shkruan Nistori.

    Zaev theksoi se Maqedonia e Veriut duhet të ketë strategji kombëtare për të prodhuar energji elektrike dhe për të ulur varshmërinë nga importi i saj nga vendet tjera.

    “Të gjithë e dijmë se investitorët ngurojnë të invesojnë nëse nuk ka stabilitet energjetik. Maqedonia e Veriut duhet të ketë strategji kombëtare për prodhimin e energjisë elektrike. Sipas meje stabilizimi i çmimit të rrymës ditëve të fundit ka të bëjë me vendimet e BE-së për të kufizuar çmimin maksimal të energjisë elektrike. Në tre mujorin e fundit çmimi i rrymës ka arritur në 200 euro për megavat orë. Ekonomistët e dijnë se çmimi rritet kur kërkesa është më e madhe se oferta”, theksoi Zaev.

    Ai gjithashtu tha se ende pyetet nga kryeministri dhe ministrat tjerë aktualë për të dhënë mendimin e tij në lidhje me krizën aktuale.

    Ndërsa i pyetur nëse do të kthehet në politikë, Zaev tha se nuk e ka ndërmend.

    “Jo nuk e kam ndërmend. Nuk dua t’i shqetësoj disa njerëz, si dhe për shkak të fondacionit ‘Zaev’. Nuk do të garoj as për president të shtetit, të jenë të qetë të gjithë të tjerët”, theksoi Zaev.

    Ndryshe, panelistë në diskutimin e sotëm ishin: rektori i UEJL-së, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, ish-kryeministri, në cilësinë e biznesmenit, Zoran Zaev dhe dekania e Fakultetit të Biznesit dhe Ekonomisë, Prof. Dr. Hyrije Abazi.

    Në prezantimin e tij, Rektori Bexheti e falënderoi ish-kryeministrin Zaev, për mbajtjen e premtimit për sigurimin e mbështetjes së Universitetit nga Qeveria.

    “Kryeministri i mëparshëm Zaev, me rastin e inaugurimit tim si rektor para 4 viteve e dha një premtim publik, ku tha “ju siguroni cilësi, unë do të siguroj mbështetjen tuaj”. Sot, dua të falënderojë publikisht për mbajtjen e premtimit, sepse politikanët rrallë herë i mbajnë premtimet. E falënderoj jo vetëm për mbajtjen e premtimit, por edhe se kjo mbështetje, të cilën Universiteti e ka rishpërndarë në formën e bursave ka ndikuar edhe në rritjen e numrit të studentëve të regjistruar, në kushte kur të gjitha trendët në vend janë rrenëse”, potencoi Rektori Bexheti.

    Në cilësinë e panelistit dhe ekspertit të fushës, Akademik Bexheti, u përqendrua në disa komponentë të rëndësishëm të krizës aktuale energjetike dhe inflatorike. Ai e theksoi rëndësinë e përgjegjësisë shoqërore të kompanive të mëdha, të cilat duhet të sillen mjaft racionalisht në rritjen e çmimeve dhe mos përfitojnë nga situata. Po ashtu, lidhur me krizën e ndodhur, Rektori Bexheti, theksoi se ajo nuk na gjeti të befasuar, pasi ne i dimë kapacitetet prodhuese energjetike dhe se 30-40 vitet e kaluara shumë pak kemi investuar në sektorin energjetik. Lidhur me masat energjetike ai e theksoi kërkesën dhe insistimin e tij para një viti të vendoset sistemi shkallëzor , ose ndarjes në fasha të konsumit të energjisë elektrike, ku fasha më e lartë të jetë me çmim të trefishuar. Ai e cilësoi si të qëlluar masën e Qeverisë që të subvencionohen kategoritë sociale për pagesën e energjisë elektrike dhe ndihmën e dhënë në përballimin e krizës.

    Ndërsa, kryeministri i mëparshëm dhe tani biznesmeni, Zoran Zaev, foli për përvojën e tij si kryeministër në përballimin e krizave dhe tani përvojën aktuale si biznesmen se si duhet të reagojnë institucionet në njërën anë dhe bizneset në anën tjetër. Para se të flet për përvojën e tij, ai e shpreh se ka një ndjesi të veçantë kur e viziton Universitetin e Evropës Juglindore.

    “Këtë Universitet e dua, sepse paraqet Maqedoninë në miniaturë. Paraqet një mjedis shumkulturor, shumetnik dhe ndërkombëtar. Këtu i kemi fëmijët tanë dhe në fillim të mandatit tim kam patur nderin t’ju adresohem dhe besoj se paratë që ju rikthehen në formë të bursave janë investim me të cilin krenohem”, theksoi Zaev

    Zoran Zaev, në cilësinë e afaristë përshkroi mjedisin aktual ekonomik në vend, duke e krahasuar me përvojën e tij si politikan. Ai tha se në shumë aspekte, vendi është duke shkuar në drejtimin e duhur dhe për këtë flasin rezultatet. Ai përmendi disa investime që janë paralajmëruar dhe që janë bërë në sferën energjetike dhe që dukshëm do të ndikojnë në përballimin e krizës energjetike.

    “Fati jonë është se pritjet ishin mjaftë pesimiste për krizën, por ato tashmë kanë ndryshuar dhe nga informacionet që posedoj kemi një stabilizim të tregut energjetik dhe kjo falë përgjegjësisë sociale të Komisionit Evropian, i cili ka marr vendim për aplikimin e ngrirjes së çmimit të energjisë elektrike”, tha afaristi Zaev.

    Dekania e Fakultetit të Biznesit dhe Ekonomisë, Prof. Dr. Hyrije Abazi, u përqendrua në aspektin inflatorik të krizës. Të gjitha ekonomitë kanë një sasi të caktuar të parave letër dhe nëse vjen deri te një emetim i tepruar i tyre mund të vjen deri te humbja e vlerës së parasë. Në këtë situatë ne kemi më shumë para, vlera e tyre është më e ulët dhe rrjedhimisht e dhe fuqia e tyre blerëse humbet në drejtim të konsumatorëve dhe amvisërive.

    Në emër të Parlamentit dhe Asociacionit Studentor, fjalim mbajti, kryetari Agron Demiri, i cili i falënderoi panelistët për pjesëmarrjen, në veçanti ish-kryeministrin Zaev, i cili gjithmonë ka përkrahur nisma që kanë ardhur nga asociacionet studentore. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Në Bullgari ndalohet hapja e klubit maqedonas

    Lajmi i rradhës

    “Nën pragun e varfërisë” – 450 mijë qytetarë në RMV në vështirësi ekonomike

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë