Zbatimi i ligjit për përdorimin e gjuhëve ec “me këmbë breshke”

    Zbatimi i ligjit për përdorimin e gjuhëve ec “me këmbë breshke”. Institucionet duket se nuk e llogarisin prioritet duke qenë se për disa vite, në disa prej tyre është bërë shumë pak për zbatimin e dygjuhësisë dhe në disa s’janë bërë aspak përpjekje.

    Ka edhe të tilla që shqipen nuk e kanë as opsion për ta klikuar, e lëre më mjet për qytetarët që kanë nevojë të informohen në gjuhën e tyre amtare. Shembull janë Gjykata Kushtetuese si dhe Ministria e Kulturës. Të dy institucionet nuk e ofrojnë mundësinë e transformimit të faqes në gjuhën shqipe. Madje, dikasteri i Kulturës ka pasur edhe ministra shqiptarë.

    Në tetor të vitit 2020, Alsat informoi se Ministria e Arsimit dhe Shkencës ishte ndër institucionet që nuk e zbatonte shqipen në faqen elektronike. E njëjta situatë është edhe një vit e gjysmë më vonë. Institucioni i cili për disa mandate por edhe aktualisht drejtohet nga ministër shqiptar, ka mungesë të theksuar të materialeve në shqip.

    Këto fakte rrëzojnë pritshmëritë për zbatimin e plotë të ligjit të gjuhëve në institucionet që drejtohen nga kuadro shqiptar, por nuk janë të vetmet. Edhe faqja elektronike e Ministrisë së Shëndetësisë e cila aktualisht drejtohet nga ministër shqiptar, nuk i ka në shqip të gjitha materialet, të cilat i ka edhe në gjuhën maqedonase. Edhe nëse në disa kategori zgjedh opsionin për të marrë informacione në shqip, nuk e fiton dot ketë të drejtë.

    Ka raste kur versionet në shqip të faqeve elektronike në shumë raste janë vetëm formale dhe nuk i merr dot të gjitha informacionet si në maqedonisht. I tillë është rasti me Ministrinë e Bujqësisë, Ministrinë e Drejtësisë por edhe me Ministrinë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive. Kjo e fundit ka një faqe shumë të varfër, me shumë pak informacione, pjesa më e madhe e të cilave janë vetëm në maqedonisht.

    Vetë institucioni ligjvënës në të cilin është miratuar ligji për përdorimin e gjuhëve, ka shumë mangësi në zbatimin e tij. Kuvendi publikon në shqip komunikatat por nuk e përditëson rendin e ditës në shqip dhe nuk publikon materialet e kuvendit në versionin shqip të faqes elektronike. Përkthimi i nismave parlamentare është shpesh arsye për t’u shtyrë seancat por qytetarët nuk kanë qasje në formë elektronike te këto materiale të përkthyera.

    Pothuajse të gjitha institucionet e lartpërmendura nuk ua ofrojnë qytetarëve të përkthyera shpalljet publike, formularët e ndryshme dhe aplikimet për shërbimet e përditshme administrative.

    Ligji për përdorimin e gjuhëve u miratua në janar të vitit 2018 kurse një vit më vonë, në janar të vitit 2019, duhet të ishte arritur zbatimi i plotë i tij. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Nedellkov: Pagat e mësimdhënësve të varen nga pikët e vlerësimit të mësimdhënësve

    Lajmi i rradhës

    Taravari paralajmëron protesta për rrëzimin e qeverisë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë