Inflacioni këtë vit pritet të ulet në 2.5 për qind nga 4.1 për qind në vitin 2025, kryesisht për shkak të çmimeve më të larta të ushqimit dhe energjisë. Autoritetet kanë treguar tashmë se nuk do të marrin masa afatshkurtra për të frenuar inflacionin, duke argumentuar se masat ad-hoc nuk japin rezultate në planin afatgjatë. Stabilizimi gradual, siç thuhet nga Banka Popullore, do të jetë rezultat i presioneve të ulëta të çmimeve dhe pritjeve të qëndrueshme për inflacionin.
Në të njëjtën kohë, sindikatat nuk po heqin dorë nga qëllimi i tyre për të ndërhyrë dhe për të rritur pagën minimale në 600 euro, si dhe të gjitha pagat e tjera për 100 euro, me qëllim për një standard më të lartë jetese për qytetarët dhe fonde të mjaftueshme për një jetë dinjitoze. Jeta në Maqedoninë e Veriut po bëhet çdo muaj e më e shtrenjtë. Sipas të dhënave më të fundit të Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë (LSM), një familje me katër anëtarë ka pasur nevojë për 65.492 denarë, apo rreth 1060 euro, për të mbuluar shpenzimet minimale të jetesës në dhjetor. Nëse familja jeton me qira, shporta arrin në 80.867 denarë. Vetëm ushqimi dhe pijet kanë kushtuar 23.648 denarë, shumë pothuajse e barabartë me pagën minimale aktuale në vend.
Nerimani, një nënpunëse nga Shkupi, thotë se kur del nga dyqani, ndalet para derës dhe e llogaritë përsëri faturën. “Shuma është gjithmonë më e lartë se sa kisha planifikuar… Vetëm disa produkte, nga të cilat mezi mund të bësh një drekë, kushtojnë të paktën 1.000 denarë”, thotë ajo, duke shtuar se një kilogram mish më cilësor arrin edhe 800 denarë.
Pensionistët janë shtresa që më rëndë i përjeton shtrenjtimet. “Nuk e di se çfarë janë shifrat, por e di se çmimet po e shkundin xhepin. Gjithçka është shtrenjtuar. Ka disa zbritje për festat, por nuk e di sa ato janë reale. Është e vështirë të mbijetosh, dhe të jetosh me pensionet tona, edhe pse të paktën kishte rritje pensionesh, por prapë edhe me atë që e morëm është vështirë të kapërcesh muajin dhe shikojmë nga dyqani në dyqan ku çmimet janë pak më lirë”, thotë M.P., pensionist nga Shkupi.
Punonjësi Ziberi thotë se nga janari, do të rritet edhe çmimi i energjisë elektrike, ndërsa si rëndom janari është muaji më i vështirë i vitit. Ai pret që të rriten pagat në pranverë që të zbusin sadopak koston e shtrenjtë të jetesës.
Banka Popullore vlerëson se edhe përskaj pritshmërive pozitive megjithatë, rreziqet mbeten dhe kryesisht janë të lidhura me botën gjeopolitike dhe ekonomike. Paqartësia në lidhje me konfliktin në Ukrainë, sanksionet, rritja e buxheteve ushtarake në vendet evropiane, si dhe marrëdhëniet tregtare në mes të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por dhe marrëdhënieve të Evropës dhe Kinës janë faktorët që mund të ndikojnë në rrjedhat ekonomike.
Ekonomistët vlerësojnë se politikat duhet të zhvendosen ndaj ndihmës për familjet me të ardhura të ulëta, të sigurohet që rritja e pagave të jetë në përputhje me sigurimin e të ardhurave të denja për jetesë si dhe të harmonizohen politikat fiskale dhe monetare në mënyrë që inflacioni të kthehet në objektiv pa e gërryer më tej fuqinë blerëse të qytetarëve. Ekspertët vlerësojnë se inflacioni në vend ka karakteristika strukturore, duke qenë më i lartë se ai evropian për shkak të konkurrencës së kufizuar, përqendrimit të tregut, kostove të larta logjistike dhe varësisë nga importet.
Ekzekutivi ka njoftuar ndryshime në ligjin për praktikat e padrejta tregtare që do të parashikojnë gjoba drastikisht më të larta dhe rregullimin e tregtisë me shumicë dhe pakicë. Ish-ministri i Financave, Kiril Minoski, postoi ditë më parë një deklaratë në Facebook në të cilën i referohet shkollës ekonomike të laureatit të Çmimit Nobel, Milton Friedman, duke kujtuar se shkaqet e inflacionit nuk duhen kërkuar te konsumatorët ose prodhuesit, por te politikat e shtetit. “Konsumatorët nuk krijojnë inflacion. As prodhuesit. Inflacioni rrjedh vetëm nga shpenzimet e tepërta qeveritare dhe krijimi i tepërt i parave dhe asgjë tjetër”, pohon Minoski, duke cituar Friedmanin, një nga ekonomistët më me ndikim të shekullit të 20-të.
Banka Popullore pret që stabilizimi gradual i ekonomive të partnerëve të jashtëm dhe kushtet më të favorshme të tregtisë do të çonin në një rimëkëmbje të eksportit të mallrave dhe shërbimeve, gjë që do të forcojë trendet pozitive ekonomike. “Inflacioni do të lëvizë në një rrugë rregullimi në rënie dhe pritet të bjerë në 2.5 për qind këtë vit, pas së cilës gradualisht do të kthehet në mesataren e tij historike prej rreth 2 për qind. Faktorët kryesorë për pritje të tilla janë lëvizjet e favorshme të çmimeve botërore, pritjet e ankoruara të inflacionit dhe presionet e kufizuara nga kërkesa e brendshme”, thotë guvernatori Trajko Sllavevski.
Sipas tij, Banka Popullore do të monitorojë nga afër zhvillimet ekonomike me qëllim ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe atë financiar, dhe në të njëjtën kohë të ofrojë mbështetje për rritje të qëndrueshme ekonomike në periudhën e ardhshme. Pritet që investimet private, veçanërisht në sektorët e prodhimit dhe energjisë, do të japin gjithashtu kontribut të rëndësishëm në aktivitetin ekonomik, të nxitura nga fluksi i fortë i investimeve të huaja të drejtpërdrejta. Rritja e moderuar e të ardhurave të disponueshme të amvisërive, së bashku me aktivitetin e qëndrueshëm të kreditit të bankave, do të sigurojë konsum të fortë personal. Përveç kësaj, stabilizimi gradual i ekonomive të partnerëve të jashtëm dhe kushtet më të favorshme të tregtisë do të çonin në rimëkëmbje të eksportit të mallrave dhe shërbimeve, gjë që do të forcojë trendet pozitive ekonomike.
Nga ana tjetër, çmimet e ushqimeve në tregjet botërore vazhduan të binin në dhjetor, duke shënuar muajin e katërt radhazi të rënies, tha Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e Kombeve të Bashkuara (FAO). Rënia ishte rezultat i rënies së ndjeshme të çmimeve të qumështit, produkteve të qumështit dhe mishit, të cilat i tejkaluan rritjet e drithërave dhe sheqerit.
Edhe pse rënia e dhjetorit ishte disi më e butë se ajo e nëntorit, tendenca e stabilizimit të çmimeve është e qartë. Megjithatë, në bazë vjetore, pamja është e ndryshme – gjatë gjithë vitit 2025, produktet bazë ushqimore ishin mesatarisht 4.3 për qind më të shtrenjta krahasuar me vitin e kaluar.
Rënia më e madhe e çmimeve në dhjetor u regjistrua për qumështin dhe produktet e qumështit, indeksi i të cilave ra me 4.4 përqind. Mishi gjithashtu shënoi një rënie – çmimet ranë me 1.3 përqind, me mishin e viçit dhe të shpendëve në veçanti që ranë në çmim.
Vajrat bimorë, megjithëse minimalisht, ranë gjithashtu në çmim në dhjetor – me 0.2 për qind. Nga ana tjetër, çmimet e drithërave u rritën ndjeshëm në dhjetor – me 1.7 për qind, për shkak të shqetësimeve në lidhje me furnizimet me grurë nga rajoni i Detit të Zi, rritjes së kërkesës për misër dhe rritjes së prodhimit të etanolit në Brazil dhe Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, gjatë gjithë vitit 2025, çmimet e drithërave ishin mesatarisht 4.9 për qind më të lira se në vitin 2024, duke arritur çmimet më të ulëta që nga viti 2020.
Sheqeri, nga ana tjetër, u rrit përsëri në dhjetor – me 2.4 për qind në bazë mujore, kryesisht për shkak të një rënieje të prodhimit në rajonet kryesore jugore të Brazilit, pas një rënieje të ndjeshme të regjistruar në nëntor. Të dhënat e FAO-s tregojnë se, megjithëse çmimet e ushqimeve po qetësohen në afat të shkurtër, tregu mbetet i ndjeshëm ndaj furnizimit global, kushteve të motit dhe zhvillimeve gjeopolitike. /Koha/






