Zelensky: Ukraina ka dyfishuar kontrollin mbi territore

    Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky / Fotografia: AFP/ Getty Imagess

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se forcat e tij kanë rimarrë 2.000 kilometra katrorë në kuadër të kundërofensivës së nisur në lindje të Ukrainës.

    Një ditë më parë, Zelensky ka pretenduar se forcat e tij kanë rikthyer kontrollin mbi 1.000 kilometra katrorë.

    Përparimet e shpejta të Ukrainës përfshijnë edhe hyrjen e trupave të saj në qytezat Izjum dhe Kupiansk të shtunën.

    Mirëpo zyrtarë britanikë të Mbrojtjes kanë paralajmëruar se luftimet e ashpra kanë vazhduar jashtë këtyre qytezave.

    Ministria ruse e Mbrojtjes ka konfirmuar tërheqjen e forcave të saj, duke thënë se ky vendim është marrë për t’ua mundësuar ushtarëve “rigrupimin” në territorin e kontrolluar nga separatistët e mbështetur prej Moskës.

    Ministria ruse ka konfirmuar edhe tërheqjen e trupave të saj në qytezën e tretë, Balakja, me qëllim të “rritjes së përforcimeve” në frontin e Donjeckut.

    Ushtria ukrainase kanë thënë se ka hyrë në këtë qytezë të premten.

    Ndërkohë, administrata e instaluar nga Rusia në rajonin e Harkivit, u ka bërë thirrje banorëve që të evakuohen në Rusi “për të ruajtur jetët e tyre”.

    Në disa pamje të paverifikuara në rrjetet sociale janë parë radhë të gjatë të njerëzve që ia kanë mësyrë kufirit.

    Guvernatori i Belgorodit, rajon kufitar në Rusi, ka thënë se personave që evakuohen do t’iu sigurohet ushqimi, ngrohja dhe ndihma shëndetësore.

    Shpejtësia e kundërsulmit ukrainas – të nisur këtë javë – nuk ka zënë në befasi vetëm rusët, por ka befasuar edhe shumë ukrainas.

    Megjithatë, rusët ende besohet se zotërojnë një të pestën e Ukrainës.

    Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

    Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Prokuroria kërkon paraburgim për një person nga Shkupi, dyshohet se dhunoi tre fëmijë

    Lajmi i rradhës

    Rusët votojnë në zgjedhjet lokale dhe ato rajonale

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë