Zelensky: Ukraina vazhdon të mos e njohë Kosovën

    Nga Beogradi, aty ku zhvilloi të parën vizitë zyrtare, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se politika e Ukrainës për njohjen e Kosovës si shtet i pavarur, nuk ka ndryshuar.

    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në Serbi u takua në Beograd me presidentin serb Aleksandar Vuçiç.Ky i fundit përjashtoi për momentin një bashkëpunim ushtarak me Ukrainën, por riafirmoi mbështetjen e Serbisë për integritetin territorial të saj. Në këtë kontekst edhe Zelensky u prononcua lidhur me Kosovën, duke theksuar, se: “Ne respektojmë integritetin territorial të partnerëve tanë. Ne respektojmë të drejtën ndërkombëtare, prandaj qëndrimi ynë lidhur me deklarimin unilateral të pavarësisë së Kosovës mbetet i pandryshuar. Ne e kemi theksuar gjithmonë këtë dhe politika e Ukrainës nuk ka ndryshuar. Po ashtu, i jemi mirënjohës partnerëve për respektimin e integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës, duke përfshirë, natyrisht, edhe përkatësinë e Krimesë me Ukrainën. Ky qëndrim i Serbisë është gjithashtu i pandryshuar, veçanërisht në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.”

    Zelensky paralajmëron pasojat nga intensifikimi sulmeve ruse

    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky paralajmëroi për pasojat e sulmeve të intensifikuara ruse gjatë dimrit të ardhshëm. Ukraina pothuajse “nuk ka më termocentrale funksionale”, tha Zelensky të shtunën pas bisedimeve me presidentin serb Aleksandar Vuçiç në Beograd.

    Gjatë natës së mëparshme (07.08.2026), sipas Zelenskyt, të paktën katër persona u vranë nga sulmet ruse në Kiev dhe zonat përreth, mes tyre edhe një djalë trevjeçar. Sipas presidentit ukrainas gjithsej 13 persona u vranë brenda 24 orëve nga sulmet ruse dhe bombardimet e vendbanimeve në zonat e frontit. Dhjetëra të tjerë u plagosën: “Raketat ruse synojnë qartësisht ta bëjnë jetën e ukrainasve të padurueshme”, tha Zelensky. Termocentralet prodhojnë energji elektrike duke djegur lëndë djegëse si qymyri ose gazi dhe plotësojnë në Ukrainë prodhimin e energjisë nga centralet bërthamore. Ai tha se me Vuçiçin kishte diskutuar për “sfidat me të cilat do të përballet Ukraina këtë dimër”.

    Njëkohësisht, Zelensky kërkoi sanksione më të ashpra për të ndaluar furnizimin me komponentë për raketat ruse. Këta komponentë po mbërrijnë në Rusi nga “pothuajse të gjitha kontinentet, përfshirë edhe partnerët tanë të ngushtë”, tha ai. “Këta komponentë mbërrijnë dhe më pas raketat godasin njerëzit, duke vrarë fëmijë, civilë dhe ushtarë.” Ukraina, shtoi ai, ka nevojë gjithashtu për më shumë raketa mbrojtëse për interceptim.

    Në fund të korrikut, Zelensky udhëtoi në Uashington dhe i kërkoi presidentit amerikan Donald Trump sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore Patriot. Këto sisteme janë në gjendje të interceptojnë edhe raketa balistike të fuqishme ruse. Sipas gazetës Financial Times, Trump e refuzoi kërkesën për shkak të rezervave të kufizuara amerikane si pasojë e luftës në Lindjen e Mesme.

    Megjithatë, Senati amerikan të premten votoi me shumicë të madhe në favor të sanksioneve të reja kundër Rusisë. Paketa synon veçanërisht industrinë ruse të naftës dhe gazit dhe parashikon gjithashtu tarifa doganore kundër blerësve kryesorë të energjisë ruse, si Kina dhe India.

    Vuçiç: nuk folëm për asnjë lloj bashkëpunimi ushtarak

    Sipas Vuçiçit, gjatë bisedimeve në Beograd nuk u diskutua për bashkëpunim ushtarak. “Sot dhe aktualisht nuk kemi folur për asnjë formë bashkëpunimi ushtarak”, deklaroi presidenti serb. Ajo që do të ndodhë pas përfundimit të luftës është një çështje tjetër. Në të njëjtën kohë, ai riafirmoi se mbështetja e Serbisë për integritetin territorial të Ukrainës mbetet e pandryshuar.

    Këto deklarata janë të rëndësishme për shkak të marrëdhënieve tradicionalisht të ngushta të Serbisë me Rusinë. Beogradi është gjithashtu shumë i varur nga furnizimet me gaz rus dhe është një nga vendet e pakta evropiane që nuk i janë bashkuar sanksioneve kundër Moskës.

    Shërbimi i Jashtëm i Inteligjencës i Rusisë (SVR) kishte akuzuar në maj 2025 kompanitë serbe të industrisë ushtarake se po shisnin municione për Ukrainën përmes vendeve të treta. Pas kësaj, Vuçiç njoftoi se do të pezullonte kontratat e dyshimta të furnizimit dhe më vonë deklaroi se Serbia kishte ndaluar të gjitha eksportet e armëve, municioneve dhe pajisjeve ushtarake.

    Në të njëjtën kohë, Serbia e mbështet Ukrainën me ndihmë civile. Të shtunën, Zelensky falënderoi Vuçiçin për një “dialog konstruktiv” dhe për një program të ri ndihme humanitare, veçanërisht në fushat e mjekësisë dhe energjisë. Para vizitës, një zyrtar i lartë i qeverisë ukrainase i kishte thënë AFP-së se Kievi dëshironte “t’i largonte serbët nga ana e Rusisë”. Sipas tij, vizita e Zelenskyt përbën “një shuplakë në fytyrë” për Rusinë.

    Lajmi Paraprak

    Vonesat e komunës për njëkahëzimin e rrugëve rëndojnë kaosin në trafikun e Tetovës

    Lajmi i rradhës

    Zjarr i madh në Krujë, urdhërohet evakuimi i banorëve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë