Opsioni për zgjedhje të parakohshme parlamentare po merr gjithnjë e më shumë hapësirë në skenën politike, edhe pse nga VMRO-DPMNE-ja mohojnë se kanë zhvilluar bisedime me BDI-në për një skenar të tillë. Mohimi i tyre vjen pasi nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, deklaroi se çështja e zgjedhjeve të parakohshme u është komunikuar edhe strukturave të VMRO-DPMNE-së dhe se partia e tij po përgatitet për një proces të mundshëm zgjedhor në pranverën e vitit të ardhshëm. Nga VMRO-DPMNE-ja e hedhin poshtë këtë pretendim dhe, përveçse mohojnë çdo komunikim me BDI-në, sulmojnë drejtpërdrejt Osmanin.
“Nuk ka pasur komunikim me BDI-në për zgjedhje të parakohshme. E aq më pak na shkon ndërmend të komunikojmë me Bujar Osmanin për tema kaq serioze. Bujari, duket se mes dy temave nacionaliste dhe të trilluara, po shpik sërish një mënyrë për të qenë aktual”, deklarojnë nga VMRO-DPMNE.
Reagimi i partisë në pushtet erdhi pas deklaratave të Bujar Osmanit në emisionin “Click Plus” në TV21, ku ai tha se BDI-ja është e gatshme të përballet me zgjedhje dhe se për këtë çështje ka pasur komunikim edhe me VMRO-DPMNE-në. “Normalisht, në forma të ndryshme është komunikuar edhe te ata. Nuk shoh ndonjë rezistencë të madhe në këtë drejtim dhe ne jemi në pritje që diku në pranverë të vitit të ardhshëm të ketë zgjedhje të parakohshme dhe po i bëjmë përgatitjet në këtë drejtim”, tha Osmani.
Kështu, ajo që nga BDI-ja paraqitet si një skenar i mundshëm për pranverën e ardhshme, nga VMRO-DPMNE-ja mohohet kategorikisht. Ndërkohë, LSDM-ja e opozitës e lidh debatin për zgjedhje të parakohshme me financat publike, borxhin dhe mënyrën se si, sipas tyre, qeveria po përgatitet për një proces të mundshëm zgjedhor.
Nga LSDM-ja akuzojnë kryeministrin Hristijan Mickoski se, përveç 2.5 miliardë eurove me të cilat, sipas tyre, është rritur borxhi i shtetit gjatë dy viteve të fundit, po planifikon edhe huamarrje të reja.
“Përveç 2.5 miliardë eurove me të cilat e ka borxhëzuar Maqedoninë për dy vite – si asnjë qeveri deri më tani – Mickoski planifikon edhe borxhe të reja. Për 35 vite, të gjitha qeveritë së bashku e kanë borxhëzuar Maqedoninë me rreth 8 miliardë euro. Tani, për dy vite e ca, Mickoski do t’i borxhëzojë fëmijët dhe nipërit tanë me 4 miliardë dhe do ta çojë borxhin total në 12 miliardë euro”, thonë nga LSDM-ja.
Sipas opozitës, huamarrjet e reja do të shërbenin për financimin e projekteve që qeveria do t’i paraqiste si suksese, por edhe për sigurimin e mjeteve për zgjedhjet.
“E gjithë kjo për shkak të pasurimit personal dhe qëndrimit në pushtet. Mickoski ka dhënë urdhër për borxhe të reja. Duhet të sigurojë para për të paraqitur ‘suksese’ të Qeverisë përmes projekteve të filluara dhe të sigurojë mjete për zgjedhjet – përmes tenderëve kriminalë”, akuzojnë nga LSDM.
Nga partia opozitare pretendojnë gjithashtu se pushteti po përgatit ndryshime në Kodin Zgjedhor dhe mjete financiare për një proces të mundshëm zgjedhor. “Përveç ligjit zgjedhor që dëshiron ta shtyjë përpara për të siguruar një model për vjedhje zgjedhore, po përgatit edhe para për blerjen e zgjedhjeve. Tashmë jemi dëshmitarë, tashmë publikisht, të marrëveshjeve për zgjedhje të parakohshme. Përmendet pranvera – si një afat tashmë i dakorduar me BDI-në”.
LSDM vazhdon akuzat duke thënë se Mickoski, sipas tyre, përballet me mungesë të rezultateve dhe po përgatit terrenin për një tjetër fushatë.
“Mickoski, pa para në arkë dhe pa asnjë rezultat, duhet të shpikë mashtrime të reja. Gënjeshtrat nga fushata e kaluar nuk kalojnë më. Është koha për të reja”, thonë nga atje. LSDM e sulmon qeverinë edhe për mënyrën e paraqitjes së rezultateve ekonomike, duke pretenduar se qytetarët nuk bindën nga statistikat dhe deklaratat për sukseset ekonomike.
“Statistikat nuk po i kalojnë më. Tregimet për ‘ekonominë e tretë’, ‘të parët në turizëm’, ‘karburantin më të lirë’ dhe të gjitha marrëzitë e tjera nuk mund t’i bindin frigoriferët bosh dhe kuletat bosh”, thonë nga LSDM.
Sipas tyre, qeveria tani do të duhet të gjejë mënyra të reja për të bindur qytetarët. “Tani duhet të shpikë ‘para nga helikopteri’. Paratë do të bien nga qielli – së shpejti”, shprehen nga partia opozitare.
Në deklaratën e saj, LSDM-ja përmend edhe një sërë zhvillimesh politike dhe mediatike, duke akuzuar pushtetin për përgatitje të një fushate kundër Bashkimit Evropian.
“Fillimisht ndarja sipas modelit të Vanço Mihajllovit në ‘elitë’ dhe ‘llum’. Pastaj fushatë anti-BE përmes mediave ekzistuese VMRO-Orbaniste dhe atyre të reja që i importon nga Vuçiqi, për t’ia shpjeguar popullit se BE-ja ‘nuk vlen’. Këtu shefi Latas dhe Ivona e tij do të kenë shumë punë”, potencojnë nga LSDM.
Opozita e lidh situatën politike në Maqedoninë e Veriut edhe me zhvillimet në Hungari dhe Serbi, duke përmendur kryeministrin hungarez Viktor Orbán dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq.
“E vetmja gjë që nuk do ta ketë është Vuçiqi. Në Serbi fillojnë zgjedhjet dhe pritet fundi i asaj qeverisjeje kriminale. Pas rënies së mentorit kryesor, Orbánit, dhe hetimit për kredinë kineze, Mickoski nuk do të mund ta përballojë rënien e mentorit të dytë – Vuçiqit”.
Nga LSDM thonë se Mickoski është tashmë i “lexuar” nga qytetarët dhe se, sipas tyre, as fushata e re nuk do të mund ta ndryshojë perceptimin për gjendjen ekonomike.
“Mickoski është i lexuar. Populli nuk është naiv. As me muzikën e David Guettes, as me ‘zero denarë’ për paraqitjen, nuk do të mund t’i bindë se jetojnë mirë”. Në fund, LSDM-ja paralajmëron se pranvera mund të sjellë një kthesë politike.
“Po vjen pranvera. Dhe atëherë gjithçka ndryshon. Qytetarët tashmë e dinë këtë. Pushteti duhet të merret nga duart e organizatës kriminale në pushtet. Maqedonia duhet të jetë sërish e lirë. Maqedonia duhet të jetë evropiane”, thuhet në reagimin e LSDM-së. /Koha/






