Rezultatet e PISA 2025 konfirmojnë se Maqedonia e Veriut vazhdon të përballet me rezultate të dobëta në lexim, matematikë dhe shkencë, vlerëson Forumi për Ndryshime në Arsim (FNA), duke ngritur alarmin për gjendjen e sistemit arsimor në vend, përcjell Nistori.
Sipas FNA-së, të dhënat tregojnë se një pjesë e madhe e nxënësve 15-vjeçarë nuk arrijnë nivelin bazë të njohurive, ndërsa numri i nxënësve me performancë të lartë mbetet i vogël.
Në materialet e publikuara pas rezultateve të PISA 2025, organizata ka përmbledhur disa prej treguesve kryesorë, duke përfshirë përqindjen e nxënësve që nuk e arrijnë nivelin bazë, numrin e performuesve të lartë, krahasimin e Maqedonisë së Veriut me mesataren e vendeve të OECD-së dhe vendet e rajonit, si dhe ndryshimet në raport me rezultatet e PISA 2022.
“74% e nxënësve në Maqedoni s’e kuptojnë atë që e lexojnë. Krejt kemi nga pak faj. Prindërit; pasi, e para, asnjihere s’janë organizu t’i shporrin nga zyra e kreut në ministrinë e arsimit personat në foto; dhe e dyta, pasi nuk merren mjaftueshëm me fëmijët e tyre. Pero, Nikola, Pançe, Spiro, Abdylaqim, Rushiti, Pishtar, Renata, Arbër, Gale, Jeton, Mila dhe Vesna. Po. Sot krejt duhet të turpërohemi. Veç jo sa ju”, thuhet në reagimin e FNA-së.
Organizata veçon si veçanërisht shqetësuese rezultatet në lexim, duke theksuar se 74 për qind e nxënësve në Maqedoninë e Veriut nuk arrijnë nivelin bazë të të kuptuarit të tekstit që lexojnë.
Përgjegjësinë për këtë gjendje FNA-ja nuk e adreson vetëm te institucionet, por edhe te prindërit. Megjithatë, kritikat më të ashpra i drejtohen drejtuesve aktualë dhe të mëparshëm të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, të cilët organizata i konsideron përgjegjës për gjendjen në të cilën ndodhet sistemi arsimor.
Rezultatet e PISA 2025 kanë rikthyer debatin për cilësinë e arsimit në Maqedoninë e Veriut dhe efektivitetin e reformave të ndërmarra ndër vite, ndërsa rezultatet e nxënësve vazhdojnë të tregojnë probleme serioze në përvetësimin e kompetencave bazë në lexim, matematikë dhe shkencë.







