Pas vendosjes së pluralizmit politik, me ndryshimet kushtetuese të vitit 1989, me të cilat u mundësua formimi i partive politike, votuesit e Maqedonisë për herë të parë patën mundësinë të votojnë në zgjedhjet shumëpartiake të vitit 1990 në Republikën e atëhershme Socialiste të Maqedonisë. Ato ishin gjithashtu zgjedhjet e para të lira shumëpartiake të mbajtura në të njëjtin vit në të gjashtë republikat e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFRJ).
Në Maqedoni zgjedhjet u zhvilluan sipas sistemit zgjedhor mazhoritar me shumicë absolute (në rrethin e parë) dhe shumicë relative (në rrethin e dytë). Në këto zgjedhje deputetët u zgjodhën sipas parimit: një mandat parlamentar – një njësi zgjedhore, me ç’rast territori i Republikës ndahej në 120 njësi zgjedhore.
Në zgjedhjet e para morën pjesë 18 parti politike dhe 43 kandidatë të pavarur, ndërsa në disa njësi zgjedhore u krijuan koalicione të përbashkëta. Në raundin e parë, i cili u mbajt më 11 nëntor, SKM – Partia për Transformim Demokratik (SKM-PDP) fitoi më shumë vota. Por në raundin e dytë, më 25 nëntor, VMRO-DPMNE, e themeluar po atë vit, fitoi më shumë vota.
Në njësitë zgjedhore, në të cilat partitë morën pjesë të pavarura, në raundin e dytë të zgjedhjeve, VMRO-DPMNE fitoi gjithsej 38 mandate, SKM-PDP 31 mandate, Partia për Prosperitet Demokratik (PDP) 17 mandate.
Në raundin e parë, nga gjithsej 1.339.021 votues të regjistruar, dolën 84.8%, ndërsa në të dytin 76.8%.
Për shkak të numrit pothuajse të barabartë të deputetëve, u krijuan vështirësi për formimin e Qeverisë dhe në fund u formua edhe Qeveria teknike. Mandatues ishte Nikolla Klusev (anëtar i ASHAM), i cili propozoi për ministra ekspertë nga fusha të ndryshme. Qeveria teknike u krijua më 20 mars 1991. Gjatë mandatit të saj, kjo qeveri miratoi Kushtetutën, organizoi referendumin për pavarësi dhe formoi Ushtrinë e Republikës së Maqedonisë (ARM).
Për shkak të mosmarrëveshjeve mes palëve, në gusht të vitit 1992 Kuvendi votoi mocionin ndaj qeverisë. Presidenti i atëhershëm Kiro Gligorov mandatin për formimin e Qeverisë së re fillimisht ia besoi Ljubço Georgievskit, liderit të VMRO-DPMNE-së, i cili kishte numrin më të madh të deputetëve në Kuvend, por ai nuk e pranoi. Më pas presidenti i shtetit ia ofroi mandatin Petar Goshevit nga radhët e SKM-PDP, por edhe ai e refuzoi. Më pas kryetari i shtetit ia besoi mundësinë e formimit të qeverisë Branko Cërvenkosvki, liderit të SKM-PDP-së i cili pranoi dhe formoi një qeveri, e cila ishte një qeveri politike. Pjesë e qeverisë së re ishte edhe partia shqiptare PPD.
Zgjedhjet parlamentare të vitit 1994
Zgjedhjet e para parlamentare pas pavarësisë së Maqedonisë u mbajtën në tetor të vitit 1994 së bashku me zgjedhjet e para presidenciale. Në zgjedhje morën pjesë 38 parti politike dhe 283 kandidatë të pavarur. Fitues i këtyre zgjedhjeve ishte koalicioni “Lidhja për Maqedoninë”, i udhëhequr nga Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë.
Edhe këto zgjedhje u zhvilluan sipas sistemit zgjedhor mazhoritar me shumicë absolute (në raundin e parë) dhe shumicë relative (në raundin e dytë), ku deputetët zgjidheshin sipas parimit: një deputet – një njësi zgjedhore dhe i gjithë territori i vendit u nda në 120 njësi zgjedhore.
Në këto zgjedhje të drejtë vote kanë pasur 1.360.729 zgjedhës. Në raundin e parë, i cili u mbajt më 16 tetor, pjesëmarrja ishte 77,8 për qind, ndërsa në raundin e dytë që u mbajt më 30 tetor, dolën 57,7 për qind e votuesve. Arsyeja e rënies drastike të pjesëmarrjes në raundin e dytë ishte për shkak se partitë opozitare VMRO-DPMNE dhe Partia Demokratike vendosën të bojkotojnë zgjedhjet.
Sipas rezultateve të raundit të parë, koalicioni “Lidhja për Maqedoninë”, i përbërë nga LSDM, ka fituar 32,6 për qind të votave, VMRO-DPMNE 14,3 për qind, ndërsa PD 11 për qind. Ndërsa në raundin e dytë, për shkak të bojkotit të opozitës, koalicioni Lidhja për Maqedoninë fitoi gjithsej 60 mandate parlamentare, LP 29, PPD 11, SPM 9, Partia për Prosperitet Demokratik të Shqiptarëve (PPDSH) 4, kjo parti mori pjesë në zgjedhjet e vitit 1994 me kandidatë të pavarur, pasi nuk ishte ende e regjistruar si parti politike.
Zgjedhjet parlamentare të vitit 1998
Në këto zgjedhje u ndryshua sistemi zgjedhor. Në vend të sistemit mazhoritar, zgjedhjet u zhvilluan me sistem zgjedhor të përzier. Nga 120 mandate, 85 deputetë u zgjodhën sipas modelit mazhoritar që u shpërndanë në 85 njësi, të cilat u votuan më 18 tetor, ndërsa 35 mandatet e tjera u zgjodhën sipas sistemit proporcional, ku i gjithë shteti ishte një zonë zgjedhore. Zgjedhjet u mbajtën më 1 nëntor dhe pragu zgjedhor prej 5% u inkorporua për listat proporcionale.
Nga gjithsej 1.572.976 zgjedhës të regjistruar në këto zgjedhje, 1.146.505 ose 72.9% kanë votuar për listat mazhoritare, ndërsa 34.183 ishte numri i fletëvotimeve të pavlefshme. Nga gjithsej 1.124.878 për listën proporcionale në raundin e dytë, votuan 786.246 ose 69.9%. Me kandidatët e tyre për listat mazhoritare dolën 22 parti politike, 4 koalicione dhe 7 kandidatë të pavarur. Në listat proporcionale konkurruan 12 parti, 4 koalicione dhe një grup zgjedhësish.
Këto zgjedhje rezultuan me ndryshimin e qeverisë, me ç’rast fitues ishte VMRO-DPMNE me 49 mandate parlamentare të fituara, LSDM me 27 mandate parlamentare, PPD fitoi 14 mandate parlamentare, Alternativa Demokratike e Vasil Tupurkovskit (AD) 13, Partia Demokratike e Shqiptarëve (PDSH) 11, Partia Liberal Demokratike (PLD) 4 mandate. Ljupço Georgievski formoi qeveri koalicioni me AD dhe PDSH. Këto ishin zgjedhjet e para në Maqedoni të vëzhguara nga misioni i OSBE/ODIHR.
Zgjedhjet parlamentare 2002
Më 15 shtator 2002, në një atmosferë të tensionuar pas konfliktit të vitit 2001, u mbajtën zgjedhjet e radhës. Karakteristikë e këtij cikli zgjedhor është se në skenën politike të bllokut politik shqiptar doli një subjekt i ri, Bashkimi Demokratik për Integrim, i formuar nga krerët e UÇK-së.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2002 është aplikuar modeli proporcional për shpërndarjen e të gjitha 120 mandateve parlamentare, ku territori i Republikës së Maqedonisë është i ndarë në gjashtë njësi zgjedhore dhe nga secila njësi zgjedhore janë zgjedhur 20 deputetë. Gjithsej 38 parti, koalicione partiake dhe kandidatë të pavarur janë regjistruar në listat e kandidatëve në një ose më shumë nga gjashtë njësitë zgjedhore. Nga gjithsej 1.664.296 votues të regjistruar, kanë dalë 73,4%.
Dhe në këto zgjedhje pati një ndryshim të qeverisë. Shumicën e ka fituar Koalicioni “Bashkë për Maqedoninë” i udhëhequr nga LSDM. Koalicioni fitoi 60 mandate. Në mesin e partive shqiptare, partia e sapoformuar BDI fitoi më së shumti vende parlamentare në Kuvend, 16 mandate, ndërsa PDSH-ja e Arben Xhaferit 7 deputetë. Mandatin e Qeverisë së re pas një “pauze” 4-vjeçare e mori edhe një herë lideri i LSDM-së, Branko Cervenkovki dhe në të u përfshinë edhe PLD-ja dhe BDI-ja.
Zgjedhjet e vitit 2006
Në këto zgjedhje, të cilat u mbajtën më 5 qershor 2006, u shënua pjesëmarrja më e ulët, nga gjithsej 1.741.449 votues të regjistruar, vetëm 56% dolën në votim, ndërsa partitë ndryshuan sërish rolet. LSDM doli në opozitë dhe VMRO DPMNE fitoi shumicën në Kuvend. Në këto zgjedhje ka pasur edhe rivotim të 29 vendvotimeve në njësitë 1, 5 dhe 6, i cili u zhvillua më 19 korrik 2019.
Për pjesëmarrje në zgjedhjet e vitit 2006 janë paraqitur 33 lista kandidatësh, nga të cilët 31 ishin të partive politike dhe koalicioneve dhe 2 nga një grup zgjedhësish. Në garë zgjedhore kanë marrë pjesë 11 parti dhe koalicione në gjashtë njësi zgjedhore, shtatë parti dhe koalicione kanë dorëzuar listat e kandidatëve për deputetë në pesë njësi zgjedhore. Katër parti dhe dy grupe zgjedhore paraqitën listat e tyre të kandidatëve vetëm në një njësi zgjedhore.
Fitues i këtyre zgjedhjeve ishte Koalicioni “Për Maqedoni më të mirë” i udhëhequr nga VMRO DPMNE me 45 mandate parlamentare. Koalicioni “Së bashku për Maqedoninë” i udhëhequr nga LSDM ishte i dyti me 32 mandate.
Në këto zgjedhje fituese në kampin politik shqiptar doli koalicioni BDI-PPD, i cili fitoi 17 mandate parlamentare, ku BDI fitoi 14 dhe PPD tre. PDSH në këto zgjedhje fitoi 11 deputetë. Pas këtyre zgjedhjeve mandatin për formimin e qeverisë e mori lideri i VMRO DPMNE-së. Në përbërjen e tij ishin përfaqësues të Koalicionit të udhëhequr nga VMRO DPMNE, PDSH dhe NSDP.
Zgjedhjet e vitit 2008
Dy vjet pas ardhjes në pushtet, VMRO DPMNE pranoi iniciativën e BDI-së në Kuvend për shpërndarjen e Kuvendit dhe organizimin e zgjedhjeve të parakohshme. Në përputhje me Kushtetutën, Kuvendi votoi për vetëshpërbërje më 12 prill 2008 dhe bëri thirrje për zgjedhje të parakohshme të planifikuara për 1 qershor 2008. Propozimi për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme u mbështet nga partitë më të mëdha qeveritare VMRO-DPMNE dhe PDSH. Partitë opozitare maqedonase LSDM dhe PLD e kundërshtuan vendimin. Votimi u kundërshtua gjithashtu nga disa partnerë më të vegjël të koalicionit qeveritar NSDP dhe LP.
Në këto zgjedhje në votim dolën 75.06% nga gjithsej 1.779.116 shtetas të regjistruar me të drejtë vote. Ndërsa lista në KSHZ dorëzuan 2 koalicione, 16 parti politike dhe 2 kandidatë të pavarur.
Koalicioni “Për një Maqedoni më të mirë” i udhëhequr nga partia në pushtet VMRO-DPMNE përbëhej nga 19 parti, ndërsa koalicioni i udhëhequr nga LSDM përbëhej nga tetë parti.
Koalicioni “Për një Maqedoni më të mirë” i udhëhequr nga VMRO DPMNE fitoi 63 nga gjithsej 120 deputetë të mundshëm. Në vend të dytë ishte koalicioni i LSDM-së me gjithsej 27 deputetë.
Në kampin politik shqiptar BDI doli fituese me 18 deputetë. Në këto zgjedhje PDSH fitoi 11 deputetë. Qeveria u rithemelua nga Nikolla Gruevski, ku BDI ishte pjesë e kësaj qeverie. Në përgjithësi, zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2008 nuk arritën të përmbushin angazhimet kryesore të OSBE-së.
Zgjedhjet parlamentare 2011
Në vitin 2011 u mbajtën zgjedhjet e dyta të parakohshme për Kuvendin që nga pavarësia e Maqedonisë. Koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE fitoi me 56 mandate. Në vend të dytë, sipas numrit të mandateve të fituara, ishte Koalicioni i udhëhequr nga LSDM, me gjithsej 42 mandate. Në vendin e tretë, sipas numrit të mandateve të deputetëve në Kuvend, janë: BDI – me 14 mandate, PDSH – 8 mandate; PD-ja e Rufi Osmanit fitoi 2 mandate parlamentare në këto zgjedhje.
Pas zgjedhjeve, lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, për të tretën herë formoi Qeverinë në të cilën edhe BDI-ja u përfshi si partner koalicioni, si përfaqësues i shqiptarëve.
Zgjedhjet parlamentare 2014
Zgjedhjet parlamentare të vitit 2014 ishin zgjedhjet e teta parlamentare me radhë që nga pavarësia e Republikës së Maqedonisë, ndërsa zgjedhjet e treta të parakohshme parlamentare me radhë. Në këto zgjedhje përsëri fitoi koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe Nikolla Gruevski. Ky koalicion fitoi 61 mandate. Në vend të dytë, sipas numrit të mandateve të fituara, ishte Koalicioni i udhëhequr nga LSDM, me gjithsej 34 mandate. BDI fitoi – 19 mandate, PDSH – 7 mandate, RND (Rilindja Nacional Demokratike) – 1 mandat dhe Opsioni Qytetar për Maqedoninë – 1 mandat. Pas zgjedhjeve, lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, për të katërtën herë formoi Qeverinë në të cilën BDI-ja sërish hyri si partner i koalicionit që përfaqëson shqiptarët.
Zgjedhjet parlamentare 2016
Zgjedhjet parlamentare të vitit 2016 ishin zgjedhjet e nënta parlamentare që nga pavarësia e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në të cilat u mbajtën zgjedhjet e katërta të parakohshme parlamentare. Në këto zgjedhje VMRO DPMNE fitoi 51 mandate, LSDM – 49 mandate, BDI – 10 mandate, Lëvizja BESA – 5 mandate, Aleanca për Shqiptarët – 3 mandate, PDSH – 2 mandate.
Menjëherë pas zgjedhjeve pati bisedime intensive mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, e më pas edhe mes LSDM-së dhe BDI-së. Kuvendi e votoi qeverinë e re të koalicionit të udhëhequr nga LSDM me 62 vota pro, 44 kundër dhe 5 abstenime.
Zgjedhjet Parlamentare 2020
Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut në vitin 2020, garuan 15 parti politike që kanë nënshkruar Kodin për zgjedhje të drejta dhe demokratike në vend. Situata ishte shumë më e komplikuar për shkak të situatës së Covid-19. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare tashmë ishin caktuar për 15 korrik 2020.
Në Kuvend u përfshinë: 46 deputetë nga LSDM dhe Koalicioni “Mozheme”, 44 deputetë nga VMRO-DPMNE dhe Koalicioni “Rindërtimi për Maqedoninë”, 15 deputetë nga BDI, 12 deputetë nga Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, 2 deputetë nga “Levica”, 1 deputet nga PDSH. Pas zgjedhjeve, Kuvendi votoi për koalicionin e ri të qeverisë së udhëhequr nga LSDM.
Ndërsa sot 8 maj 2024 mbahen zgjedhjet e 11-ta parlamentare në Maqedoninë e Veriut. Që nga shpallja e pavarësisë së vendit, në vend janë mbajtur dhjetë zgjedhje parlamentare, ndërsa qytetarët sot votojnë për të shtatën herë presidentin e vendit.
Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale u mbajt më 24 prill, ndërsa raundi i dytë më 8 maj së bashku me zgjedhjet parlamentare./Nistori/