Partitë politike në RMV frikësohen nga të pavarurit?

    Kutia e votimit. Një qytetar i RMV duke votuar / Fotografia: Nistori

    Përfaqësues të iniciativave qytetare dhe kandidatëve të pavarur kërkojnë sqarime të menjëhershme dhe veprim konkret nga institucionet kompetente, pas shfuqizimit të neneve të Kodit Zgjedhor që rrisnin ndjeshëm pragun e nënshkrimeve për kandidim të pavarur në zgjedhjet lokale, raporton Nistori.

    “Në mungesë të kushteve dhe kritereve, duhet të hapet e jo të mbyllet mundësia për lista të pavarura që të mund të kandidohen në zgjedhjet e ardhshme lokale. Tani fatkeqësisht kjo varet nga interpretimi i ligjit nga ana e Kuvendit dhe KShZ, të cilët në fund mund të tregojnë, ne ndryshe e interpretojmë dhe thjesht nuk do t’i pranojmë parashtresat tuaja për zgjedhjet lokale”, deklaroi Gorjan Jovanovski nga iniciativa Qyteti Human i Gjelbër.

    Nga nisma Më Mirë Për Tetovën (MMPT) rikujtojnë se më 20 maj 2025, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi nenet 17 dhe 18 të Kodit Zgjedhor, të miratuara në mars 2024, me të cilat kërkohej mbledhja e nënshkrimeve në masën 1% të trupit zgjedhor për kandidaturat e pavarura. Megjithatë, pasi dispozitat e mëparshme nuk janë rikthyer, kandidatët e pavarur ndodhen përballë një paqartësie të plotë ligjore.

    “Kërkesat tona kanë të bëjnë me zbrazëtinë ligjore të krijuar nga shfuqizimi i nenit nga Kodi Zgjedhor që e rriti pragun për mbledhjen e nënshkrimeve për listat e pavarura në 1%, që Gjykata Kushtetuese e vlerësoi jokushtetues. Kërkesa jonë thotë se ne kërkojmë 50 nënshkrime për të dalë me listën e kandidatëve”, tha Jana Bellçeva nga organizata Shansë për Qendrën.

    Nismat e pavarura theksojnë se situata aktuale përbën një shkelje të rëndë të të drejtave të tyre kushtetuese për pjesëmarrje në jetën publike dhe politike.

    Në këtë kontekst, ata kërkojnë përgjigje urgjente për mundësinë e dorëzimit të listave të kandidatëve të pavarur dhe apeluan për plotësimin e zbrazëtirës juridike të krijuar. Ata i bëjnë thirrje Ministrisë së Drejtësisë dhe Kuvendit të ndërmarrin hapa konkretë për të rregulluar çështjen.

    Kërkesat specifike të MMPT:

    1. Ministria e Drejtësisë dhe Kuvendi të përfshijnë edhe kandidatët e pavarur gjatë formulimit të dispozitave që i prekin drejtpërdrejt ata, përkatësisht që përfaqësues nga rradhët e kandidatëve të pavarur/organizatave qytetare të përfshihen që nga fillimi në Grupin e Punës që do t’i formulojë ndryshimet dhe plotësimet në Kodin Zgjedhor;

    2. Që në ndryshimet dhe plotësimet e propozuara të Kodit Zgjedhor:

    ● Të vendoset si kusht maksimumi 50 nënshkrime për listat e kandidatëve të pavarur;

    ● Të lejohet mbledhja e nënshkrimeve në terren dhe jashtë zyrave të KSHZ-së, si në vendet evropiane;

    ● Të zgjatet periudha për mbledhjen e nënshkrimeve në 30 ditë;

    ● Të lejohet që emri i listave të këshilltarëve të pavarur të jetë i plotë në fletën e votimit, dhe jo vetëm emri i bartësit të listës si deri më tani;

    ● Të sigurohet barazi mes të gjithë subjekteve politike në përcaktimin e renditjes në listën e vetme të kandidatëve për zgjedhjet për president, deputetë, anëtarë të këshillit apo kryetar komune, përmes shortit;

    ● Të zbatohet detyrimi ligjor për qasje në listën zgjedhore për të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje, përfshirë edhe kandidatët e pavarur; dhe

    ● Të ndryshohet dispozita për qasjen në hapësirën mediatike dhe financimin e fushatës zgjedhore.

    Përfaqësuesit paralajmërojnë se çdo mosveprim i institucioneve do të përbënte jo vetëm shkelje të mëtejshme të të drejtave kushtetuese dhe ligjore, por edhe një cënim të konventave ndërkombëtare dhe legjitimitetit të zgjedhjeve që do të pasojnë. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Shteti “i lejeve” tregon dhëmbët në Nerovë

    Lajmi i rradhës

    EShS: deri në vitin 2070, RMV rrezikon të mbetet me vetëm 500 mijë banorë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë