“Zgjedhjet në Tajvan të dominuara nga Kina”

    APF dhe Reuters

    Në Tajvan, të shtunën më 13 janar, do të mbahen zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, votime që do të vëzhgohen nga afër nga e mbarë bota, pasi që presidenti i ri do të vendosë kursin që do të marrë ishulli vetëqeverisës, që po përballet me agresion në rritje nga Kina.

    Ishulli që ka demokracia vibrante dhe ka 23 milionë banorë, ndahet nga një ngushticë prej 180 kilometrash nga Kina komuniste, e cila pretendon se Tajvani është pjesë e territorit të saj.

    Presidenti kinez, Xi Jinping, asnjëherë nuk ka përjashtuar përdorimin e forcës për të marrë nën kontroll Tajvanin, dhe kërcënimi që paraqet Pekini ka dominuar garën zgjedhore dhe sondazhet.

    Kandidati kryesor për president është nënpresidenti aktual, Lai Ching-te, nga subjekti në pushtet, Partia Progresive Demokratike (DPP) – parti që e paraqet veten si mbrojtëse të sovranitetit të ishullit – dhe ai u ka bërë thirrje votuesve që të zgjedhin “rrugën e drejtë” në mënyrë që Tajvani të vazhdojë të ketë një demokraci të fuqishme.

    Kundërkandidati i tij kryesor është Hou Yu-ih, ish-shef policie dhe kryetar qyteti. Ai ka thënë se Lai përbën rrezik për raportet mes Tajvanit dhe Kinës, duke pretenduar se partia e tij Kuomintang (KMT), është i vetmi subjekt që mund të ruajë paqen me Kinën.

    Partia Popullore e Tajvanit (TPP) ka ngjallur ndjenjat antiestablishment dhe udhëheqësi i saj Ko Wen-je e ka portretizuar veten si rrugëdaljen e vetme nga ngërçi mes dy partive të para, shkruan AFP.

    Këto tri parti po ashtu janë kryesoret në garën parlamentare. DPP aktualisht ka shumicën në Parlamentin me 63 ulëse. KMT-ja ka 38 dhe TPP-ja pesë.

    DPP-ja mbështet idenë që Tajvani të ketë identitet të ndarë nga Kina dhe hedh poshtë pretendimet territoriale të Pekinit, duke thënë se vetëm populli tajvanez mund të vendosë për të ardhmen e tij.

    KMT-ja, që ka udhëhequr me Kinën para se anëtarët e saj të largoheshin në Tajvan pasi humbën luftën civile ndaj komunistëve më 1949, është për lidhje të ngushta me Kinën, por mohon fuqishëm se është pro-Pekin. Kjo parti mbështet qëndrimin se Tajvani dhe Kina janë pjesë e politikës Një Kinë, por secila palë mund të interpretojë vetë se çfarë nënkupton kjo politikë. Ky qëndrim është mirëpritur nga Pekini.

    Edhe TTP-ja dëshiron të riangazhohet me Kinën.

    Janë edhe disa parti të tjera më të vogla që garojnë në zgjedhjet e së shtunës, sikurse partia pro-pavarësisë, Partia për shtetëndërtim dhe partia pro-Kinës, Partia e Re, por që ka pak gjasa të fitojë ndonjë ulëse në Parlament.

    Në zgjedhjet tajvaneze, të cilat bota do t’i vëzhgojë me kujdes, 19.5 milionë banorë kanë të drejtë vote.

    Për zgjedhjen e presidentit, kandidati duhet të fitojë shumicën e thjeshtë të votave dhe nuk ka rund të balotazhit.

    Ndërkaq, për Parlament çdo votues do të ketë dy fletëvotime, një për kandidatin lokal të qarkut dhe një tjetër për të votuar për një parti.

    Në Parlament janë 113 ulëse, dhe 73 e ligjvënësve do të zgjidhen nga shumica e thjeshtë nga zonat zgjedhore. Votuesit në këtë rast votojnë për kandidatin.

    Ndërkaq, 34 ulëse i shpërndahen në mënyrë proporcionale të gjitha partive. Votuesit në këtë rast votojnë për partinë.

    Gjashtë ulëse të Parlamentit janë të rezervuara për popullsinë indigjene tajvaneze, ndërkaq pragu zgjedhor për partitë është 5 për qind.

    Diskursi politik gjatë fushatës në Tajvan ka variuar duke nisur nga pagat e deri te programet sociale të banimit, por Kina mbetet si tema kryesore në mendjen e votuesve.

    Ishulli, që u nda nga Kina më 1949 pasi Partia Komuniste mori pushtetin në Pekin, ishte nën sundimin ushtarak deri në vitin 1987 dhe mbajti zgjedhjet e para presidenciale më 1996, një kulmim i përpjekjeve me dekada për demokraci dhe për dhënien fund të sundimit autoritar.

    “Ne vetëm duam të ruajmë mënyrën tonë të jetesës dhe parimet”, tha Chen, 65 vjeç, teksa po merrte pjesë në një tubim të DPP-së të mbajtur në jug të Tajvanit.

    Tensionet me Kinën

    Për dekada të tëra, tensionet me Kinën e kanë shndërruar Tajvanin në shqetësim global, si një vend ku ka rrezik të ketë një konflikt ushtarak.

    Uashingtoni ka shpenzuara miliarda dollarë në armatosjen e ishullit, i cili gjendet në një rrugë detare që lidh Detin e Kinës Jugore dhe Oqeanit Paqësor.

    Përderisa aftësitë dhe apetitet ushtarake të Kinës janë rritur, po ashtu janë shpeshtuar edhe manovrat e saj rreth Tajvanit.

    Avionët luftarakë kinezë, dronët vëzhgues dhe luftanijet janë detektuar pothuajse në baza ditore dhe Pekini së fundi ka zhvilluar stërvitje ushtarake që simulonin një bllokadë dhe kanë dërguar raketa në ujërat e saj përreth ishullit.

    “Të gjitha këto kërcënime sigurisht që reflektojnë dëshirën e Kinës për të lëvizur drejt ‘ribashkimit’”, tha për AFP-në, Francoise Mengin, eksperte për Kinën në universitetin Sciences Po në Paris.

    Por, me ndërprerjen e komunikimit të nivelit të lartë nga Pekini, po ashtu ka frikë se mund të ndodhë ndonjë “konflikt aksidental”, tha ajo.

    Të enjten, Kina bëri kërcënime të reja, duke thënë një fitore eventuale në zgjedhjet presidenciale nga Lai do të përbënte “kërcënim të madh” për raportet mes dy palëve.

    Një fitore e Lait do të përbënte mandatin e tretë radhazi për partinë e tij në epokën e demokracisë.

    Fitorja e Lait po ashtu “do të ishte përcaktuese për dinamikat në Pekin dhe Tajpei për katër vjetët e ardhshme, që do të kishin ndikim në stabilitetin e Ngushticës së Tajvanit dhe të rajonit”, tha Ivy Kwek nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave.

    “Rritja e tensioneve potencialisht mund të rezultojë në një konflikt direkt midis dy fuqive të mëdha: SHBA-së dhe Kinës”.

    Presidenti amerikan, Joe Biden, vitin e kaluar gjatë një takimi me homologun kinez Xi, tha se Kina duhet “të respektojë” proceset demokratike të Tajvanit, ndërkaq udhëheqësi kinez kërkoi që Uashingtoni “të ndalojë së armatosuri” Tajpein.

    Tajvani po ashtu ka një industri të fuqishme të gjysmëpërçuesve, duke prodhuar 90 për qind të miroçipave më të avancuar në botë. Këta gjysmëpërçues janë të nevojshëm për shumë pajisje, nga makinat e kafesë, celularët e deri te lëshimi i raketave.

    Kjo industri e bën Tajvanin shtet kyç në ekonominë botërore, sidomos duke pasur parasysh përplasjen mes SHBA-së dhe Kinës lidhur me eksportet e teknologjisë të lidhura me gjysmëpërçuesit.

    Çdo konflikt “do të shkaktonte ndërlikime të mëdha në ekonominë botërore”, tha Kwek.

    Ndërkaq, një bllokadë e ishullit do të kishte po ashtu ndikim, duke prekur transportin e 50 për qind të kontejnerëve në botë dhe do t’i kushtonte botës të paktën 2 trilionë dollarë, sipas grupit Rhodium.

    Në mes të presionit ushtarak kinez dhe paralajmërimeve të Pekinit se një ditë do të marrë nën kontroll ishullin, sot më pas se 3 për qind e popullatës në Tajvan janë deklaruar se ndihen kinez, që përbën një ndryshim në identitet nga viti 1992, kur çereku i popullsisë deklarohej se ishte kinez.

    Sarah Liu nga Universiteti i Edinburgut tha se e gjithë bota e ka interes që ta ruajë Tajvanin si “një prej demokracive më të forta në Azi”.

    “Bota e ka njohur rëndësinë e parandalimit të rritjes të një regjimi autoritar, pasi kjo ka ndikime në sigurinë e botës dhe demokracinë”, tha ajo.

    Thellimi i shtypjes së Kinës në Hong Kong po ashtu ka alarmuar publikun tajvanez.
    “Është më mirë të ruajmë status quo-n, për paqen e të gjithëve”, tha Huang Shi-Chang, 67 vjeç, mbështetës i partisë KMT.

    “Lëreni Partinë Komuniste Kineze të jetojë jetën e saj, e ne të jetojmë tonën”. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Një vorbull dyshimesh rreth peticionit për shkarkimin e kryetarëve në veri të Kosovës

    Lajmi i rradhës

    Geer: korrupsioni minon ekonominë dhe është burim padrejtësie në RMV

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë