Zgjedhjet si zgjidhje? Kutitë e votimit sërish në horizont

    Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, konsideron se zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të ishin zgjidhja më e mirë për vendin, me qëllim ndryshimin e atmosferës politike dhe parandalimin e përkeqësimit të mëtejshëm të gjendjes. Në një intervistë për emisionin “Click Plus” në TV21, Ahmeti vlerësoi se zgjedhje të parakohshme parlamentare me shumë gjasë nuk do të ketë deri në fund të këtij viti, por vitin e ardhshëm. Megjithatë, ai theksoi se BDI-ja është e gatshme për zgjedhje në çdo moment.

    “Duhet të ndryshohet klima, me siguri më duket se edhe partia më e madhe maqedonase e ka kuptuar se gjërat nuk po shkojnë mirë. Duhet të kihet kujdes gjatë zgjedhjes dhe të respektohet shumica shqiptare, ndërsa zgjidhja më e mirë do të ishin zgjedhjet e parakohshme. Nëse do të mbaheshin nesër, ne jemi të gatshëm”, deklaroi Ahmeti.

    Sipas tij, është e nevojshme të krijohet një atmosferë e re politike dhe të ndërmerren me kohë hapa për të parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm të situatës në vend. Ahmeti vlerëson se zgjedhjet do të mundësonin një ndryshim të klimës politike dhe një rikonfigurim të raporteve politike në vend. Në të njëjtën intervistë, lideri i BDI-së foli edhe për të ardhmen e tij politike, duke pranuar se gjithnjë e më shpesh po mendon për tërheqjen nga politika aktive. Pas më shumë se dy dekadash në skenën politike, Ahmeti tha se po mendon për pensionimin politik. “Sinqerisht, personalisht po mendoj për këtë, sepse pas meje janë 25 vite politikë dhe histori. Jeta me aktivitete të vazhdueshme dhe me takime sjell ngarkesën e vet”, tha Ahmeti.

    Megjithatë, ai shtoi se bashkëpartiakët dhe bashkëpunëtorët e tij konsiderojnë se ende nuk është koha për tërheqjen e tij dhe se prania e tij në politikë mbetet e nevojshme. Ahmeti foli edhe për ndryshimet në drejtimin e BDI-së, duke theksuar se partia tashmë ka bërë një freskim të konsiderueshëm kadrovik. Sipas tij, më shumë se 83 për qind e strukturave drejtuese të partisë tani përbëhen nga persona të rinj dhe më të rinj në moshë.

    Por, ndryshe nga BDI-ja, në VLEN nuk shohin nevojë për zgjedhje të parakohshme. Nga kjo parti thonë se janë të gatshëm të dalin para qytetarëve në çdo moment nëse vendoset për zgjedhje të reja, por theksojnë se qëllimi i tyre është që mandatin ta çojnë deri në fund dhe të realizojnë premtimet e dhëna.

    Driton Sulejmani nga VLEN-i thotë se koalicioni është i bindur se do të marrë sërish besimin e qytetarëve, por vlerëson se aktualisht është më e rëndësishme puna e institucioneve dhe realizimi i projekteve të premtuara. “Ne jemi të gatshëm, kurdo që mbahen zgjedhjet e parakohshme, të dalim në ato zgjedhje, të kërkojmë besimin e qytetarëve dhe mendoj që do ta marrim besimin e qytetarëve, për arsye se kemi kontribuar në zgjidhjen e shumë problemeve që kanë të bëjnë me qytetarët”, deklaroi Sulejmani.

    Megjithatë, ai theksoi se zgjedhjet e parakohshme nuk janë në interes të VLEN-it në këtë fazë, pasi koalicioni synon të përmbushë zotimet e marra gjatë fushatës dhe ta përfundojë mandatin. “Vlerësojmë se nuk janë të nevojshme zgjedhjet e parakohshme. Qëllimi ynë është ta çojmë mandatin tonë deri në fund, për arsye se kemi dhënë shumë premtime, të cilat presim që deri në fund të mandatit t’i realizojmë dhe vlerësojmë se është shumë më e rëndësishme zgjidhja e këtyre problemeve për qytetarët sesa pjesëmarrja në zgjedhje”, tha Sulejmani.

    Nga VLEN-i shprehen gjithashtu të bindur për rezultatin eventual të zgjedhjeve, duke vlerësuar se koalicioni do të ishte fitues edhe nëse zgjedhjet do të mbaheshin së shpejti. Kështu, ndërsa BDI-ja e sheh votën e qytetarëve si një mënyrë për ndryshimin e klimës politike dhe krijimin e një realiteti të ri politik, VLEN-i insiston se prioritet duhet të jetë përmbushja e mandatit dhe realizimi i premtimeve. Për momentin, zgjedhjet e parakohshme mbeten më shumë pjesë e debatit politik sesa një skenar konkret, ndërsa përballë qëndrimit të Ahmetit, VLEN-i thotë se preferon vazhdimin e mandatit aktual. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Buka drejt shtrenjtimit, furrtarët në RMV paralajmërojnë rritje çmimesh për shkak të kostove

    Lajmi i rradhës

    45 deputetë “pa zë”! Gjysmë viti në Parlament pa fjalë, pa pyetje dhe pa propozime (Tabela)

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë