Komisioni Antikorrupsion zgjeroi lëndën rreth vendimeve të paligjshme për sistematizimin e punonjësve në Ministrinë e Brendshme. Në këtë rast, tashmë është konstatuar se zëvendësministri i Brendshëm në qeverinë teknike, Nazim Bushi, në mënyrë të paligjshme ka miratuar vendime për gjithsej 189 punonjës të Ministrisë gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve parlamentare. Por sipas Antikorrupsionit ky numër është akoma më i madh.
“Nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, u formua një lëndë pas një raporti që pretendonte shkelje të dispozitave ligjore në procesin zgjedhor, gjatë miratimit të gjithsej 189 aktvendimeve për sistematizimin e punëtorëve të punësuar në Ministrinë e Brendshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, gjatë procedurës lënda u zgjerua me 15 shtesë, pra gjithsej 204 vendime të miratuara në periudhën nga dita e publikimit të rezultateve përfundimtare për zgjedhjen e deputetëve”, njoftojnë nga KSHPK –ja.
Për këtë lëndë, anëtarët e Antikorrupsionit miratuan vendimin se pretendimet për shkelje të dispozitave të Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit, janë të bazuara dhe se në të ardhmen do të fillohet një procedurë pranë institucioneve kompetente. Ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski, tha se tani për tani nuk kishte informacion të saktë për shumën e dëmit që i është bërë buxhetit të Ministrisë së Brendshme me këto punë të paligjshme.
“Në periudhën e kaluar, u përcaktua se cili hap procedural do të ndërmerrej, për sa i përket faktit nëse një akt do të duhej të miratohej nga Ministria ose nga Qeveria, patëm konsultime me Sekretariatin e Legjislacionit, dhe ne do të veprojmë në përputhje me mendimin e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, në mënyrë që thjesht të miratojmë vendime legjislative që do të procedojnë më tej atë që duhet të procedojnë”, deklaroi Pançe Toshkovski –Ministër i Brendshëm.
Fenomeni i punësimit ose sistematizimit të paligjshëm të punonjësve gjatë fushatës zgjedhore tashmë është vërejtur në institucione të tjera, siç është shembulli i fundit i punësimit në Drejtorinë e të Ardhurave Publike, që gjithashtu është nën llupën e Antikorrupsionit. /Alsat/