Zhan Mitrevi do të duhet të dëshmojë në gjykatë për “Gjakun e papastër”

    Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka ngritur aktakuzë kundër mjekut Zhan Mitrevit dhe klinikës së tij me të njëjtin emër. Sipas aktakuzës bëhet fjalë për veprën penale “mashtrim”, për të cilën është paraparë dënim me burg prej 1 deri në 10 vjet. Kështu u bë e ditur në konferencën e sotme të Prokurorisë Publike, përcjell Nistori.

    Në daljen e mbrëmshme në emisionin “Top Tema” në Telma, Zhan Mitrev tha se është i pafajshëm, se nuk ka mashtruar askënd dhe se pacientët kanë bërë depozita me vetëdije me dëshirën e tyre. Për të gjitha shërbimet e pa kryera, siç tha ai, mjetet u janë kthyer në llogari.

    Në muajin gusht, Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka hapur hetim për mashtrimin e pacientëve në klinikën private “Zhan Mitrev”, ndërsa pronari i klinikës private është thirrur në pyetje në lidhje me trajtimin e pacientëve me metodën e hemofiltrimit. Prokuroria e Shkupit për të penguar daljen e Zhan Mitrevit nga vendi në Gjykatën Themelore Shkup 1 ka paraqitur propozim për konfiskimin e pasaportës.

    Në ndërkohë, një njoftim ka arritur edhe nga klinika “Zhan Mitrev”, të cilin po e përcjellim në tërësi.

    “Shihemi në gjykatë është përgjigja jonë ndaj vendimit të sotëm të Prokurorisë Themelore Publike për ndjekjen penale të Dr. Zhan Mitrevit për “mashtrim”. Kjo llakërdi nga sulme të pabaza do të duhet të provohet në gjykatë dhe do të jetë e vështirë të provohet sepse e vërteta është se asnjë pacient nuk është mashtruar dhe të gjitha trajtimet dhe proceset në spital kanë qenë publike dhe transparente dhe në interes të pacientëve. Me këtë, vetë akuza e PThP-së do të bjerë në gjykatë.

    E përsërisim se edhe në periudhat më të vështira, Klinika ka punuar sipas standardeve më të larta shëndetësore, në mënyrë transparente dhe në përputhje me metodat tashmë të vendosura dhe të lejuara të trajtimit, në vendin tonë dhe në botë. Me këtë do të vërtetojmë të vërtetën dhe gjendjen faktike, për punën tonë, se gjithçka që është bërë në klinikën “Zhan Mitrev”, është bërë për pacientët dhe sipas metodave dhe standardeve të lejuara të trajtimit.

    Ne si klinikë gjatë gjithë këtij procesi kemi bashkëpunuar plotësisht me institucionet dhe kemi dhënë të gjitha kapacitetet materiale dhe njerëzore që e vërteta të dalë në shesh publikisht dhe të dëshmohet në mënyrë transparente se qëllimi dhe funksioni ynë ka qenë gjithmonë shërimi dhe dhënia e kujdesit më të mirë mjekësor, kujdesi për pacientët. Kështu do të mbetet edhe në të ardhmen”, thuhet në reagimin e klinikës private.

    Ndryshe, Zhan Mitrevi e paditi IRL-në, ndërkaq dje njoftoi se e ka tërhequr padinë për dokumentarin “Gjaku i papastër”.

    Lajmi Paraprak

    Çfarë jete bëjnë “nomadët digjitalë”

    Lajmi i rradhës

    DEPUTETËT SOT FILLUAN PUNËN NË KUVEND | Sot në rend dite ratifikimi i Marrëveshjes me Frontex-in

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë