Zjarr dhe të shtëna pranë Kuvendit të Serbisë, një i plagosur

    Një person është plagosur si pasojë e të shtënave të mërkurën pranë Kuvendit të Serbisë në Beograd gjatë një incidenti ku shpërtheu edhe zjarri në një tendë aty pranë.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka cilësuar këtë incident si “akt terrorist”.

    Duke folur në një ceremoni për nënshkrimin e një kontrate për ndarjen e fondeve për blerjen e shtëpive rurale, Vuçiq tha se i duhej të largohej nga kjo ngjarje për shkak të “aktit terrorist para Kuvendi të Serbisë”.

    Ndërkohë, zjarri në tendë u shua rreth mesditës pasi ndërhynë zjarrfikësit dhe tymi që dilte nga tenda u zhduk pothuajse plotësisht, raportoi një gazetar i Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

    Policia ende nuk ka njoftuar zyrtarisht se çfarë ka ndodhur dhe çfarë e shkaktoi zjarrin që shpërtheu në tendat e vendosura në zonën që ruhet vazhdimisht nga policia.

    Radio Televizioni i Serbisë raportoi se policia e arrestoi një burrë para Kuvendit, nën dyshimin se e ka plagosur me armë zjarri një burrë tjetër.

    Shërbimi i ambulancës e konfirmoi më parë se një person është transportuar në Qendrën e Emergjencës.

    Tenda – një nga disa që u vendosën këtë vit nga mbështetësit e Vuçiqit gjatë protestave kundër Qeverisë – u dogj plotësisht nga zjarri, i cili u shoqërua me tym të dendur.

    Oficerët e policisë, anëtarët e ekipit të mjekësisë ligjore dhe zjarrfikësit ndodhen në vendngjarje.

    Policia bllokoi hyrjen dhe nuk lejoi kalimin para Kuvendit.

    Këto tenda u vendosën nga studentë që e përshkruanin veten si “studentët që duan të studiojnë”, të cilët e kundërshtojnë bllokimin e fakulteteve nga grupe studentësh që kërkojnë përgjegjësi për aksidentin në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, në vitin 2024, kur vdiqën 16 njerëz.

    Ato u ngritën në “Parkun e Pionierëve” – pranë ndërtesës së Presidencës Serbe, ku ndodhet vendi i punës i kreut të shtetit dhe ish-presidentit të Partisë Progresive Serbe, Vuçiq – tri ditë para një proteste të madhe studentore në Beograd më 15 mars.

    Zona e këtij parku prej atëherë ka qenë e paarritshme për përdorim publik, e rrethuar nga një gardh metalik dhe e ruajtur vazhdimisht nga policia. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Deep Fakes rrezikojnë gratë dhe demokracinë

    Lajmi i rradhës

    Akuza të ndërsjella Kosovë Serbi në KS të OKB-së

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë