Zor me uljet e çmimeve në RMV

    Prodhimi i pamjaftueshëm i produkteve bazë ushqimore nga fermerët në vend, dhe vartësia edhe nga importi e tyre bën që Maqedonia vështirë së do të mund të zvogëlojë çmimet e tyre në dyqanet ushqimore.

    Eksperti i kësaj lëmie, Arben Halili në një prononcim për gazetën KOHA, shpjegon se në vend me vite nuk mund të kënaqin nga prodhimi vetanak, lidhur me prodhimet themelore si qumështi dhe përpunimet tij, mishin e llojeve të ndryshme si dhe importojmë edhe mbi një të tretën e nevojave të grurit dhe miellit nga jashtë.

    “Andaj edhe në vija të trasha është mjaft vështirë të kemi një ulje të konsiderueshme të çmimeve të produkteve themelore përkundër masave lehtësuese qeveritare. Bile shton se mungon edhe mbjellja më e madhe e panxhar sheqerit nga fermerët dhe nuk kemi as një fabrikë të përpunimit të sheqerit. Për më tepër, kjo çështje e zbutjes sadopak të çmimeve apo për së paku dhjetë për qind të bukës, qumështit etj nevojitet të jetë një angazhim jo vetëm i qeverisë dhe Ministrisë së Ekonomisë, por mbi të gjitha duhet të imponohet dhe zbatohet nga të gjithë në praktikë”, thotë Halili.

    SHTRENJTOHET GRURI

    Mirëpo në këtë drejtim vështirë se ka hapësirë për ulje më të madhe të çmimeve për shkak kostoja është e madhe dhe në rritje në industrinë e miellit dhe bukës, ku për shembull në vitin 2021 është blerë gruri me 9-10 denarë, ndërsa në vitin 2022 çmimi i grumbullimit është dyfishuar në 20 denarë. Kjo lëvizje normalisht është një bazë që mullisët dhe bukëpjekësit të mos pranojnë me aq lehtësi të ulin çmimet e bukës dhe parorive të bardha, shton Halili. “Edhe tek qumështi dhe përpunimet e tij përkundër faktit se jemi vend bujqësor, pjesa dërmuese e qumështit sigurohet nga importi si rezultat i pakësimit të fondit të bagëtive, keqpërdorimit të pozitës gjysmë monopoliste të qumështoreve në vend si dhe rrezikimit edhe të funksionalitetit të punës së tyre, që fatkeqësisht importojnë qumësht nga rajoni dhe e përpunojnë këtu dhe e dyta që është edhe më pak etike e shfrytëzimit të qumështit pluhur“, thekson Halili. Ai konstaton se aktualisht mund të vërehet vetëm ulje e çmimit të vajit, ndërsa shton se mund të ketë një zbritje të lehtë të çmimit të bukës për shkak se këto kompani kanë shfrytëzuar beneficione edhe përgjatë pandemisë edhe tani si dhe çmimeve të zbutura në bursë, mirëpo vështirë të kemi zbritje të çmimit të mishit që kryesisht e importojmë nga jashtë.

    PRITET ULJE NGA KOMPETENTËT

    Në ndërkohë, ministri i Bujqësisë, Ljupço Nikolovski thotë se nuk mund të komentojë për çmimet e produkteve ushqimore bazë, por pret uljen e tyre sipas mbështetjes për energji elektrike që marrin kompanitë nga industria përpunuese.

    “Nuk mund të komentoj për çmimet, por pres ulja e tyre pas mbështetjes së përgjithshme për energjinë elektrike që marrin kompanitë nga industria ushqimore të mos jetë tetë apo dhjetë për qind. Të gjithë ne si qytetarë presim ulje çmimesh. Industria përpunuese mori privilegje shtesë sa i përket çmimit të energjisë elektrike dhe unë, si të gjithë qytetarët, pres që kjo përfundimisht të shikohet në tregje, veçanërisht në produktet bazë, çmimet e të cilave qytetarët me të vërtetë presin të ulen“, thekson Nikollovski.

    Sipas tij, institucionet kompetente dhe inspektoratet duhet ta përfundojnë atë punë, dhe duhet të ketë kontrolle të duhura. Qytetarët presin produkte më të lira me mbështetje të shtuar në kohë krize, sidomos kur bëhet fjalë për produktet ushqimore bazë, thekson ministri Nikollovski.

    Në ndërkohë, çmimet e ushqimeve kanë arritur nivelin më të ulët që nga shtatori 2021, njoftoi javën e kaluar Organizata Botërore e Ushqimit- FAO. Vlera e indeksit të çmimeve të shportës së produkteve ushqimore bazë në fillim të vitit është 18 për qind më e ulët se vlera e marsit të vitit të kaluar, muaji i parë i pushtimit rus të Ukrainës. Çmimet e ushqimeve pësuan rënie edhe në muajin janar, për të dhjetën muaj radhazi, duke reflektuar uljen e çmimeve për farat vajore dhe qumështin dhe produktet e qumështit, njofton Agjencia e OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO).

    Indeksi i çmimeve të një shporte me produkte ushqimore bazë ra me një pikë muajin e kaluar krahasuar me vlerën e rishikuar në dhjetor, në një mesatare prej 131.2 pikësh, niveli më i ulët që nga shtatori 2021.

    Vlera e këtij indeksi në fillim të vitit është 18 për qind më e ulët se vlera e marsit të vitit të kaluar, në muajin e parë të invadimit në Ukrainë. Më së shumti janë liruar vajrat vegjetale në fillim të vitit, me 2.9 për qind krahasuar me dhjetorin, për shkak të kërkesës së ulët për vaj palme dhe sojë dhe ofertë të bollshme me vaj luledielli dhe vaj rrepe. Çmimet e qumështit dhe produkteve të qumështit kanë rënë me 1.4 për qind, ndërsa sheqeri me 1.1 për qind krahasuar me muajin dhjetor.

    Çmimet e drithërave ishin pak a shumë të pandryshuara në krahasim me dhjetorin, pasi rënia prej 2.4 për qind e çmimeve të grurit nën ndikimin e prodhimit të fortë në Rusi dhe Australi neutralizoi rritjen prej 6.2 për qind të çmimeve të orizit, mbështetur nga një valë e kërkesës në disa vende aziatike. Në raport me janarin e vitit të kaluar, çmimet e drithërave ishin më të larta për 4.8 për qind, ka llogaritur FAO.

    Edhe çmimet e mishit nuk ndryshuan më shumë në krahasim me muajin dhjetor, pasi ulja e çmimit të mishit të shpendëve, derrit dhe deles u balancua nga rritja e çmimit të viçit në valën e rritjes së kërkesës.

    Në vlerësime e ndara, të ofertës dhe kërkesës në tregjet e drithërave, FAO rriti parashikimin e saj për prodhimin global të drithërave në 2022 në 2.765 miliardë ton, nga 2.756 miliardë ton që ishte parashikuar më parë. Agjencia parashikon prodhim rekord global të grurit në vitin 2022 falë vlerësimeve të rishikuara të sipërfaqeve të mbjella në Australi dhe Rusi. Konsumi i drithërave duhet të jetë me një rënie të lehtë në sezonin 2022/23 , prej 0.7 për qind, apo në 2.779 miliardë tonë. Rezervat e drithërave duhet të arrijnë në 844 milionë tonë në fund të sezonit dhe të jenë 1.2 për qind më të ulëta se niveli rekord në fillim, llogariti FAO. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Rreth 70% e fshatrave që ka rajoni komunës së Tetovës, uji nuk është i pastër

    Lajmi i rradhës

    Fëmija juaj është agresiv? Tri mënyra për ta ndihmuar atë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë