A flet dikush nga Brukseli, Berlini apo Parisi për 30% të shqiptarëve në RMV?

    Enver Robelli / Fotografia është marrë profili i tij në Facebook

    Enver Robelli
    Publicist

    Shumë mirë që ndërmjetësi i BE-së Sorensen u angazhua që jeta e qytetarëve serbë të Kosovës të lehtësohet sa më shumë që të jetë e mundur dhe ligji për të huajt të mos bëhet pengesë në jetën e përditshme të komunitetit serb në Kosovë.

    Shumë mirë që ambasadori i Francës Guerot e përshëndeti angazhimin e BE-së për të drejtat e komunitetit serb.

    Shumë mirë që ambasadori i Gjermanisë Rudolph po tregon kujdes për të drejtat e pakicës serbe në Kosovë.

    Shumë mirë që edhe kryediplomatja e BE-së Kallas po tregohet e vëmendshme mbi të drejtat e minoritetit serb në Kosovë.

    Dallim i madh me heshtjen e BE-së sa i përket tendencave për ta përjashtuar gjuhën shqipe nga përdorimi institucional në Maqedoninë e Veriut. Në këtë shtet 30 për qind e banorëve janë shqiptarë, por bosi i Gjykatës Kushtetuese thotë se gjobat që lëshon policia për shkak të shkeljeve në trafik do të jenë vetëm në maqedonisht dhe anglisht, jo në shqip.

    Për 3 për qind serbë në Kosovë kemi një mobilizim të madh të krejt diplomacisë europiane dhe kjo tregon se BE dhe vendet si Gjermania e Franca angazhohen për barazi mes qytetarëve të Kosovës. Fantastike!

    Por për 30 për qind shqiptarë në Maqedoninë e Veriut a flet ndokush nga Brukseli, Berlini, Parisi apo Shkupi?

    A flet zonja Kaja Kallas? Jo. Hesht.

    A flet zonja Petra Drexler? Jo. (Kjo është ambasadore e Gjermanisë në Shkup).

    A flet zoti Christophe Le Rigoleur? Jo. (Ky është ambasador i Francës në Shkup).

    A flet Zyra e BE-së në Shkup?

    (Shefi i kësaj zyreje quhet: Michalis Rokas).

    A flasin Ministritë e Jashtme në Berlin a Paris? Jo.

    (E saktë është po ashtu: nuk flet as qeveria në Prishtinë. As ajo në Tiranë).

    BE mund të jetë kredibile vetëm nëse angazhohet pa dallime për të drejtat e të gjitha komuniteteve joshumicë në Ballkan. Nëse bën përjashtime, atëherë besueshmëria i afrohet zeros.

    Lajmi Paraprak

    Burimi Rashçe në rrezik? “Uji në Shkup mund të ndotet me krom kancerogjen”

    Lajmi i rradhës

    Klinikat në RMV kanë mungesë të aparateve për gastroskopi dhe kolonoskopi

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë