A i lexon Ministria e Brendshme raportet e organizatave ndërkombëtare?

    PËLLUMB NAKO

    Sa herë që dikush nga opozita lëshon me të drejtë apo edhe pa të drejtë akuza ndaj Ministrisë së Brendshme apo dhe Policisë publikisht, këto të fundit nuk vonojnë të përgjigjen, aty për aty, po publikisht.

    Ndërkohë ka jo pak organizma joqeveritarë të huaj apo edhe vendorë, të cilët bëjnë publikë në raportet e tyre, statistika të ndryshme lidhur me probleme të mprehta sociale të vendit tonë (siç është rasti që do të trajtojmë lidhur me trafikimin e qenieve njerëzore) dhe të dyja institucionet e mësipërme, lidere të mekanizmit referues të viktimave të trafikut, heshtin. As miratojnë e as kundërshtojnë.

    Pavarësisht se, përveç reputacionit të Policisë, vihet në lojë edhe ai i vendit (aq sa i ka ngelur). Shifrat e dhëna në këto raporte ushqejnë jo vetëm median, por edhe kancelaritë e vendeve të huaja dashamirëse ose jo të vendit, duke ndikuar fort në prodhimin e imazhit tonë ndërkombëtar. Dhe ky fakt ka rëndësi të madhe, sepse aktualisht pranueshmëria apo jo e një vendi varet nga emri i mirë apo i keq që ai krijon në raport me krimin, sidomos me trafiqet, pasi lufta e ftohtë, së bashku me përplasjet ideologjike, ka dekada që nuk ekziston më.

    Reputacioni ndërkombëtar i vendit tonë, për fat të keq, sot është thuajse i barabartë me perceptimin që është krijuar lidhur me kriminalitetin e shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit. Ndaj dhe kjo temë duhet trajtuar me përgjegjshmëri, as duke gënjyer e as duke shpifur. Sidomos duke mos nënvleftësuar dëmin apo edhe avantazhet që sjellin raportet e organizatave joqeveritare ndërkombëtare dhe vendore.

    Policia, Ministria e Brendshme dhe institucionet e tjera, pjesë përbërëse të zinxhirit antitrafik, duket se nuk kanë gjetur ende mjetet e duhura për të bërë publikisht, oponencën ndaj këtyre raporteve. Shifra për të cilën do flasim më poshtë është e frikshme. UNICEF Albania, organizatë e Kombeve të Bashkuara me qendër në Tiranë, ka bërë publike ditët e fundit disa të dhëna lidhur me trafikimin e qenieve njerëzore në vendin tonë në këtë periudhë.

    Sipas këtij organizmi, aktualisht “në vendin tonë janë evidentuar 13 mijë persona të trafikuar ose në rrezik për t’u trafikuar”. Një shifër e tillë duket më shumë se alarmante. Duke mos mbajtur asnjë qëndrim emocional ndaj saj, normalisht do të lindte pyetja: E ka parë këtë shifër Ministria e Brendshme, Policia apo gjithë institucionet e zinxhirit antitrafik? Të paktën deri më sot, nuk është bërë prezent ndonjë qëndrim publik i tyre.

    Ndërkohë, për këtë hulumtim të UNICEF Albania kanë folur edhe kanale televizive prestigjioze ndërkombëtare. Do të ishte në të mirë të punës së Ministrisë së Brendshme dhe Policisë, të së vërtetës dhe sidomos në të mirë të vendit që kjo shifër të analizohej edhe më pas të gjendej një mënyrë veprimi se si duhen rakorduar statistikat ndërmjet institucioneve shtetërore dhe organizatave ndërkombëtare.

    Nuk është normale që çdo organizatë joqeveritare vendore apo edhe ndërkombëtare të punojë secila për hesap të vet, duke bërë publike secila shifrat e saj për kriminalitetin apo trafikimin në Shqipëri. Nëse për rastin konkret shifra do të rezultonte e saktë, gjithë zinxhiri i institucioneve shtetërore antitrafik duhet të mbledhë forcat dhe të marrë masat e duhura për të eliminuar këtë problem apo për ta minimizuar, si dhe ta pranojë publikisht faktin e hidhur duke i dhënë atij një karakter zyrtar.

    Në të kundërtën, atyre u duhet të koordinojnë me organizatën në fjalë për të verifikuar realitetin në raport me shifrën e dhënë e më pas të mbajnë qëndrim publik zyrtar, nëse aktualisht në Shqipëri janë 13 mijë individë të trafikuar ose në rrezik për trafikim. Duke qenë se çështja e trafikimit të qenieve njerëzore përbën një fenomen më shumë se të rëndë kriminal, janë të shumta organizatat botërore (si OKB) apo europiane si (Këshilli i Europës), të cilat kanë punuar për unifikimin e konceptit ligjor të trafikimit, madje edhe të praktikave gjyqësore lidhur me dënimet e autorëve për këtë veprimtari kriminale.

    Kjo ka bërë që koncepti ligjor në fjalë të jetë aktualisht në bazë edhe të legjislacionit kombëtar të mbarë vendeve që kanë aderuar në organizatat e OKB-se. Dihet që vendi ynë bën pjesë në to, si dhe në Këshillin e Europës. Koncepti në thelb madje është i njëjtë dhe me atë të vendeve të Bashkimit Europian.

    Po ashtu, edhe në të drejtën e vendit tonë. Përse është i rëndë ky fakt i bërë publik nga UNICEF?

    Të konkludohet për 13 mijë persona të trafikuar apo në rrezik trafikimi, sipas konceptit të organizatës tjetër të OKB-së, UNODC, do të thotë se nga vendi ynë 13 mijë persona “do të rekrutohen, transportohen, transferohen në ndonjë banesë, në ndonjë qendër strehimi nëpërmjet kërcënimit se do të përdoret forcë apo nëpërmjet përdorimit të saj, apo të formave të tjera të shtrëngimit, si dhe nëpërmjet mashtrimit, rrëmbimit, abuzimit me autoritetin, apo me një situatë dobësie, me qëllim marrjen e pëlqimit të një personi me autoritet mbi një person tjetër, me synim shfrytëzimin.

    Shfrytëzimi nënkupton minimalisht shfrytëzimin e prostitucionit të dikujt tjetër ose forma të tjera të shfrytëzimit seksual, punë apo shërbime të detyruara, skllavërim apo praktika të ngjashme, nënshtrim apo heqje të organeve”.

    Janë në Shqipëri 13 mijë persona viktima apo viktima të mundshme përballë një rreziku të tillë sipas përkufizimit të UNODC dhe të shumë organizmave të tjerë të cituar më sipër? Autoritetet zyrtare nuk duhet të rrinë në heshtje apo të shprehen zyrtarisht për gjëra të tjera, më periferike dhe që nuk janë të kësaj rëndësie.

    Ndaj dhe në këtë kontekst, pa gjykuar as paragjykuar UNICEF-in, i takon Ministrisë së Brendshme si lidere e Mekanizmit Referues te Viktimave të Trafikut, të verifikojë statistikën dhe shprehet zyrtarisht nëse 13 mijë shtetas shqiptarë janë tashmë të trafikuar ose rrezikohen të trafikohen, sipas konceptit ligjor të shprehur pak më sipër, apo kemi të bëjmë me një realitet tjetër? I takon Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme të analizojnë nëse këta 13 mijë persona janë apo rrezikojnë të trafikohen, siç thotë UNICEF apo do të kontrabandohen siç ndodh rëndom. Kjo sepse dihet se ka një diferencë të madhe ndërmjet trafikimit dhe kontrabandimit. Sipas një tjetër organizate ndërkombëtare si OSBE, ndodh shpesh që “trafikimi” të ngatërrohet me “kontrabandimin”.

    Gjithmonë sipas UNICEF Albania, rezulton se “pjesa më e rrezikuar për trafikim janë fëmijët, një pjesë e tyre trafikohen drejt Anglisë apo vendeve të tjera të BE-së nga vetë prindërit”. Një konkluzion i tillë është i rëndë.

    Që fëmijët të trafikohen nga prindërit e tyre, edhe disa dhjetëra raste do të ishin shumë (dhe për fat të keq, disa raste të tilla janë provuar), por kur thuhet “një pjesë e tyre” është e frikshme. Kjo sepse tashmë është fakt i ditur që shumë fëmijë kondrabandohen (jo trafikohen) nga prindërit e tyre për të shkuar në këto vende, me qëllim që të fitojnë statusin “e fëmijës së pashoqëruar” e më pas të merren në mbrojtje nga autoritetet publike të vendeve në fjalë.

    Pra, për të miturit nuk ekziston koncepti “azil”, por “marrje në mbrojtje e të miturit të pashoqëruar”. Kjo do të thotë se të miturit me një status të tillë nuk janë të trafikuar. Megjithatë, nëse u referohemi koncepteve të fundit lidhur me sigurinë, do të shihnim se ajo ofrohet nga një kostelacion institucionesh publike, private, shoqërore, të cilat punojnë në mënyrë të integruar me njeri-tjetrin, edhe Ministria e Brendshme duhet të integrojë në të njëjtën logjikë organizmat vendorë dhe ndërkombëtarë lidhur me trafikimin e qenieve njerëzore. Jo vetëm formalisht në dokumente strategjike. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Dështimi i radhës për të ndërtuar një sistem shëndetësor shqiptar

    Lajmi i rradhës

    Sa të shqetësuar duhet të jemi për emergjencën shëndetësore nga lia e majmunëve?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë