A po troket një krizë e re borxhesh publike në vendet e BE?

    AKADEMIK. PROF ANASTAS ANGJELI  

    Ajo që pritej po jep sinjale se mund të ndodhë “Shkopi magjik” që u përdor si “Litar shpëtimi” për të zgjidhur krizën financiare gjatë pandemisë së COVID-19 duket se po rikthehet në shqetësim për financat publike të shumicës së vendeve të BE-së. Kur ish-guvernatori i Bankës Qendrore Europiane dhe më pas ish-kryeministri i Italisë, Dragi, “theu tabutë” e Traktatit të Mastrihtit dhe lejoi vendet e BE të tejkalonin masën e borxhit publik mbi 60% të GDP (gjë që s’kishte ndodhur më parë) të gjithë e mirëpritën dhe e pranuan se ishte i vetmi instrument financiar për të përballuar këtë krizë.

    Por njëherësh të gjithë ishin të ndërgjegjshëm se nuk mund të vazhdonte të përdorej pa kufi në kohë ky instrument dhe përveç “shpëtimit të momentit të krizës së COVID-it”, a do të kishte pasoja kjo? Padyshim që debatet dhe dilemat për këtë çështje nuk munguan që në fillim. Një sërë pyetjesh kërkonin përgjigje. Kështu që ekspertët dhe vetë institucionet financiare i “mundonte” çështja nëse “A po a arrinte borxhi publik i disa vende të zhvilluara në nivele të pa financueshme”? “Si do të rifinancohej borxhi pas pandemisë”? “Ku do t’i gjejnë shtetet paratë për të mbuluar deficitin, por edhe për të paguar borxhet e prapambetura që skadojnë”?

    Dhe më tej: “Sa të larta ishin dhe mbeten rreziqet për ‘cenimin’ e stabilitetit financiar për shkak të borxheve të larta”? “A po troket një krizë e re borxhesh publike në dyert e vendeve të BE”? Edhe pse debatet dhe diskutimet nuk munguan dhe vazhdojnë dhe sot që pasojave të krizës së pandemisë iu shtuan edhe ato të luftës në Ukrainë, edhe pse teorikisht disa përgjigje pyetjeve të mësipërme në këtë debat, iu dha, gjetja e një recete konkrete, praktike, ende nuk “po del” për t’u përballur me pasojat dhe rreziqet e një krize të re të borxheve publike, sinjalet e së cilës sot duket se po forcohen. Por, çfarë ka ndodhur dhe si paraqitet situata?

    NIVELI I BORXHEVE I LARTË SI KURRË MË PARË

    Me gjithë përpjekjet e BQE-së dhe vetë organizmave të BE-së, duket se borxhet publike të vendeve anëtare të BE mbeten shumë të larta dhe po shndërrohen në një problem shqetësues. BQE pret këtë vit një nivel borxhesh prej 89% të vëllimit ekonomik, vetëm rreth 2% më pak se viti 2022, ndërsa për vitin 2024 tentohet një ulje vetëm për 0,4%.

    Ndërkohë, pavarësisht thyerjes së “tabusë”, rregullit të traktatit të Mastrihtit, pra të kufirit të borxhit publik prej 60% të GDP, që u lejua gjatë pandemisë, ky rregull nuk ka ndryshuar dhe niveli i borxheve është shumë më i lartë se ky kufi. Për vendet e eurozonës, ky pakt ishte dhe mbetet ende shumë i rëndësishëm. Kjo sepse, në fund të fundit, ky qëndrim ka qenë dhe është garanti i stabilitetit financiar dhe i vetë monedhës europiane.

    Por, për sa kohë do të vazhdojë të konsiderohet i tillë përderisa që prej katër vitesh që nga koha e krizës së Koronës dhe për shkak të krizës së çmimeve të larta dhe të inflacionit si pasojë e sulmit rus në Ukrainë, de facto, pakti i vjetër i stabilitetit me rregullat strikte për këtë çështje “është ngrirë”?

    Komisioni Europian nuk ka hapur ndonjë procedurë dhe nuk marrë ndonjë masë ndëshkuese për borxhet e larta ndaj ndonjë vendi anëtar të BE, 22 vende të BE e janë mbi kufirin 60% të borxhit publik ndaj GDP. Vendi me më shumë borxhe është Greqia me 171% të Produktit të Brendshëm Bruto dhe më pas Italia me 144%, e kështu me radhë Spanja, Franca, Portugalia, Qipro etj.. Ndërkaq, financimi i borxheve gjermane këtë vit do të përbëjë 40 miliardë euro nga 4 miliardë euro që ishte një vit më parë, pra 10 herë më shumë.

    Kurse Italisë rifinancimi i borxheve i kushton 100 miliardë euro. A nuk është kjo “një thirrje për kujdes” që të mos rikthehet situatë e krizës greke të borxheve të vitit 2008 dhe efekti domino i saj? Prandaj thirrjet për një plan për reduktimin e borxheve kanë dalë në rend të ditës. Ekonomisti, profesor emeritus, në Danimarkë, pjesë e “European Fiscal Board”, Niels Thygesen, u bën thirrje shteteve që të kenë një plan afatgjatë për uljen e borxheve, para se ky problem të dalë jashtë kontrollit, si para 9 vitesh në rastin e Greqisë.

    MINISTRA TË FINANCAVE TË BE, NË PËRPJEKJE PËR NJË PLAN PËR REDUKTIMIN E BORXHEVE

    Ka kohë tashmë që problemi i zgjidhjes së borxheve publike në vendet e BE është në qendër të vëmendjes së ekspertëve, institucioneve të specializuara ekonomike e financiare, duke u rikthyer edhe ne tryezën e diskutimit për zgjidhje të ministrave të Financave të BE. Në këtë përpjekje për të gjetur një zgjidhje është konverguar në dy mendime themelore, që janë vënë përballë njëri-tjetrit.

    Nga njëra anë është grupi që drejtohet nga Gjermania, të cilët kërkojnë vendosjen e kritereve buxhetore të qarta, që të vlejnë për të gjitha vendet me synim uljen e shpejtë të borxheve. Gjithashtu sipas tyre, kërkohen më shumë masa për konsolidimin e buxheteve publike me pikë rëndese investime në digjitalizim dhe modernizim.

    “Këtë po bëjmë në Gjermani. Kemi një politikë të moderuar të kufizimit fiskal. Më pak borxhe e më shumë investime, kjo mund të bëhet, nëse vendosen prioritete”. “Kërkohet guxim, por edhe të thuash se çfarë nuk bëhet”, – theksohet prej këtij grupi. Në anën tjetër qëndrojnë vende si Franca dhe Italia që kërkojnë rrugë individuale të reduktimit të borxheve, duke marrë në konsideratë rrethanat e veçanta në Paris, Romë dhe Athinë pa vendosur masa ndëshkuese.

    Sipas tyre, predominon mendimi dhe qëndrimi se investimet si ato në energjinë e gjelbër apo mbrojtjen duhet të hiqen nga llogaritjet e buxheteve. Ndërkaq, nga koha e miratimit të kritereve të Mastrihtit kanë ndodhur shumë zhvillime e ndryshime. Për më tepër pas krizës së Koronës dhe luftës në Ukrainë, ndryshime kanë ndodhur edhe në shpenzimet buxhetore të këtyre vendeve. Por, edhe prioritetet europiane janë shtuar. Në drejtim të shpenzimeve për ndryshimet klimaterike, ekonomisë green, ekonomisë blu, ekonomisë qarkulluese, apo shpenzimet ushtarake.

    Prandaj, “Shpenzimet që lidhen me prioritete europiane, që u shërbejnë qëllimeve strategjike politike nuk mund të lihen thjesht jashtë vëmendjes te rregullat fiskale”, -theksojnë dhe kërkojnë përfaqësues të këtij grupimi. Duket se kjo fryme u përcoll edhe në takimin e kësaj jave te Ministrat e Financave të vendeve të BE-së, që u zhvillua në 8-9 nëntor. Ky takim bashkoi dy prej konfigurimeve më të rëndësishme të Bashkimit Evropian dhe më specifikisht Ecofin dhe Eurogroup. Ecofin është një prej trupave më të vjetër të Këshillit të Bashkimit Evropian, i përbërë prej ministrave të Ekonomisë dhe Financave të Bashkimit Evropian, kurse Eurogroup është termi i përdorur për takimet e ministrave të Financave të Eurozonës.

    Në këtë takim, që kish në qendër të diskutimit çështjet e rëndësishme që lidhen me situatën e inflacionit, rolin e Bankave Qendrore në përpjekjet për kthimin në objektiv të tij dhe çështjet e konkurrencës së ekonomisë së BE në raport me ekonominë globale, u diskutua gjithashtu edhe për situatën e borxheve publike, edhe pse një rregull i ri përfundimtar për këtë çështje nuk u vendos definitivisht edhe këtë herë. Por, për këtë çështje, ministrat e Ekonomisë dhe Financave në takimin e Ecofin ranë dakord për takime emergjente në fund të muajit nëntor në lidhje me rregullat e reja fiskale përpara vitit 2024.

    Pra, do të nevojiten dy takime të tjera në mënyrë që të arrihet një marrëveshje për kuadrin e ri fiskal përpara vitit 2024. Valdis Dombrovskis vuri në dukje përparimin e bërë në bisedimet nën presidencën spanjolle, duke theksuar se rregullat fiskale kërkojnë qartësi, në mënyrë që të garantojnë qëndrueshmërinë e financave publike të vendeve anëtare, duke lënë më shumë hapësirë për investime.

    Ai vuri në dukje se një traktat kalimtar midis Paktit të Stabilitetit të vjetër dhe atij të ri, ruan frymën e propozimit të Komisionit, për memorandume “a la carte” me vendet që tejkalojnë kufirin e borxhit prej 60%. Këto memorandume do të zgjasin 5 deri në 7 vjet dhe gjatë kësaj periudhe do të bëhen përpjekje për të ulur borxhin, në varësi të situatës në çdo vend. Edhe ministrja spanjolle e Financave, Nadia Calvino, përmendi këtë propozim duke thënë se ai lidhet me planet afatgjata të shpenzimeve të çdo vendi, ndërsa do të ketë masa mbrojtëse për një ekuilibër mes uljes së borxhit/ deficitit dhe rritjes dhe investimeve.

    Kjo dëshmoi për faktin se vëmendja e shtuar për borxhet publike mbetet, edhe pse treguesit e tjerë ekonomikë e financiarë dëshmojnë për atë që deklaroi në fund të këtij takimi presidenti i Eurogrupit, Pascal Donahue, kur tha se: “Të dhënat që ministrat po marrin, tregojnë se inflacioni është në rënie dhe se tregu i punës vazhdon të mbetet elastik”.

    Megjithatë, theksoi se vihet re njëfarë humbjeje e momentumit në ekonominë evropiane dhe se Eurogroup pret nga Komisioni Evropian një përditësim për treguesit ekonomikë. Sidoqoftë, deklaroi se Eurozona vazhdon të mbetet elastike dhe se nuk ka asnjë arsye të flitet për një recesion të thellë ose të zgjatur. Lidhur me çështjen e konkurrencës, ministrat e Financave kërkuan të kenë një zë në debat dhe se pikëpamjet e tyre në lidhje me atë që duhet bërë në të ardhmen të dëgjohen. Sa i përket diskutimit në lidhje me sfidat e sektorit bankar dhe se si synohet të trajtohen ato, ministrat në përgjithësi pranuan “shëndetin e mirë që gëzon sistemi bankar dhe financiar evropian, sistem i cili ka dëshmuar qëndrueshmërinë e tij përballë goditjeve”.

    Në këtë kuadër, vlerësimi i komisionerit Gentiloni ishte: “Komisioni vlerëson se koordinimi i politikës ekonomike dhe fiskale është edhe më i rëndësishëm dhe Komisioni do të prezantojë më 21 nëntor konkluzionet e tij, duke vlerësuar në detaje projektbuxhetet në lidhje me rekomandimet e miratuara nga Këshilli në korrik, bazuar në tri shtylla. Së pari, rritja e shpenzimeve primare neto. Së dyti, tërheqja e masave për mbështetjen e energjisë dhe së treti, nëse zbatohen investimet publike të financuara në nivel kombëtar.

    PO SHQIPËRIA?

    Falë politikës monetare të drejtë dhe të matur që Banka e Shqipërisë ka ndërmarre në këtë periudhe inflacioniste pas COVID-19 dhe veçanërisht me fillimin e luftës së Rusisë në Ukrainë, transmetimit të suksesshëm të saj në tregun e brendshëm financiar, harmonizimit të saj me politiken ekonomike e sidomos me atë fiskale e buxhetore, qëndrimit në pozita të forta të monedhës kombëtare, Lekut, në raport me monedhat kryesore të huaja, arritjes së objektivave në rritjen ekonomike, zhvillimit “bum” të turizmit, fillimin e zbatimit të politikave të reja sociale, menaxhimi i borxhit publik ka qenë pozitiv në raport me objektivin, duke pritur që në fund vitit të jetë në kufijtë 61-62% të GDP.

    Të gjitha këto dhe treguesit e tjerë dëshmojnë për një stabilitet financiar në vend, me një tregues të rezistencës me elasticitet të lartë, çka e bën ekonominë tonë dhe financat publike më rezistente ndaj goditjeve të jashtme. Vazhdimi i harmonizimit të politikës monetare (me një stabilitet të monedhës sonë kombëtare dhe inflacion drejt objektivit) me atë ekonomike, fiskale e buxhetore, sidomos mbajtja e ekuilibrave të nevojshëm dhe të kujdesshme të shpenzimeve sipas prioriteteve, në projektbuxhetin e vitit 2024 që po diskutohet dhe më pas, me miratimin e tij, zbatimi më me eficiencë i tyre, ruajtja e kufijve të deficitit buxhetor dhe borxhit publik dhe një kujdes i shtuar në politikat e reja fiskale që propozohen (duke bërë më të domosdoshmet) dhe duke ruajtur një raport më të drejtë midis rritjes së të ardhurave nga puna e administratës fiskale apo vendosjes së taksave të reja është një garanci më shumë për forcimin e mëtejshëm të stabilitetit financiar të vendit dhe përballjes ndaj goditjeve të jashtme dhe presioneve të një krize në tentativë të borxheve publike të vendeve të BE-së. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Dhunoi 3-vjeçaren në kopshtin privat, Gjykata e Tiranës vendos masën “arrest në burg” për edukatoren

    Lajmi i rradhës

    Javën e ardhshme do të nisin bisedimet për datën e zgjedhjeve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë