A s’mund të mbyllim një çast telefonin dhe të hapim librin?

    Mëhill Tanushi

    Tek ecja në “Victoria Park”, ku pothuajse çdo ditë dal për shëtitje, pashë mes kalimtarëve të tjerë duke ardhur përballë meje, me hap të shpejtë, por të njëtrajtshëm, një vajzë me një libër të hapur që e mbante me të dyja duart. Ecte dhe lexonte. Ajo rrëshqiti aq lehtas anash meje si të ishte një gjethe që era e vjeshtës e zbret ngadalë nga dega e një peme. Ishte zhytur krejtësisht në botën e saj dhe në ngjarjet e librit që lexonte, ndërkohë që ecte me të njëjtin hap të shpejtë e të njëtrajtshëm.

    Nga ritmi i ecjes i valëzoheshin në ajër anët e poshtme të një palltoje të gjatë dhe cepat e shallit që kishte hedhur rreth gushës. Ktheva kokën dhe e pashë me admirim derisa më humbi nga sytë mes njerëzve të tjerë. Një vajzë që lexon në ecje. Një vajzë që shëtiste dhe s’kishte telefon në dorë, por një libër. Me një lloji pengu që nuk e fiksova në foto (prejse m’u shfaq krejt papritur) këtë pamje që s’na takon ta shohim shpesh në këtë kohë që po jetojmë, vazhdova lëvizjen në drejtim të kundërt me atë të vajzës që ecte krejt e qetë dhe lexonte. Parku “Victoria” nuk është larg banesës ku unë jetoj. Ai është parku më i madh në Londrën Lindore dhe unë pothuajse përherë shëtitjen e bëj këtu.

    Konsiderohet parku publik më i vjetër i Londrës, i hapur që në vitin 1845, me një sipërfaqe prej 86 hektarësh dhe një perimetër rreth 5 kilometra. Emrin “Victoria” e mori në vitin 1887 me rastin e Jubileut të Artë të Mbretëreshës Victoria dhe frekuentohet çdo vit prej rreth 9 milionë vizitorësh.

    Shpresën që mund ta shihja përsëri vajzën tek ecte me hap të shpejtë e të njëtrajtshëm duke lexuar si të ishte në një sallë biblioteke, pothuajse e kisha humbur, sepse unë dhe ajo ecnim në drejtime të kundërta në pjesën perëndimore të parkut. Anën lindore me këtë pjesë e ndan rruga “Grove Road”, që i kalon mes përmes parkut. Gjithsesi një rastësi edhe mund të ndodhte nëse vajza do të vazhdonte të rrotullohej duke ecur e duke lexuar në këtë pjesë të parkut. Kështu mundësia për t’u kryqëzuar përsëri me të, ekzistonte. Nxora nga xhepi telefonin që ta kisha gati për ta shkrepur foton, nëse pamja me vajzën që lexonte duke ecur do të shfaqej përsëri. S’di përse mu fiksua aq shumë ajo pamje?

    Në Londër është gjëja më e natyrshme të shohësh njerëz që lexojnë në ambientet e jashtme, në rrugë, në stacione pritjeje, në vagonët e metrosë apo ndenjëset e autobusëve në rrugëtim, në kafene apo stola parqesh. Këto i kisha parë çdo ditë, prej vitesh, në Londër. Po në Londër ama, jo në Tiranë! Tek vazhdoja lëvizjen, ashtu i përhumbur në mendimet e mija, përgjatë pjesës perëndimore të “Victoria Park”, në drejtimin e kundërt me vajzën, që me siguri vazhdonte të ecte mes njerëzve e mbërthyer në ngjarjet e romanit që lexonte, u përpoqa të sjell në kujtesë ndonjë pamje të tillë në Tiranë (jo në ecje sigurisht), por me libër të hapur në ambiente publike.

    Asgjë e tillë nuk më përshfaqej. Në kafene njerëz me kokë në telefona, në stacione autobusësh me telefona nëpër duar, në linja autobusësh me telefona të hapur, kurse në ecje duke marrë e duke çuar mesazhe përsëri me telefona. Po me libra nëpër duar? Po me libra në çantën e krahut apo të dorës? Jo. Jo. Pamje të tilla s’mund t’i gjesh atje, as në Tiranë, as në qytete të tjera. Vendi i vetëm që mund të fiksosh pamje të tilla është ndoshta, salla shkencore e Bibliotekës Kombëtare.

    Kisha ecur rreth 20 minuta, a ndoshta gjysmë ore, kur prej larg dallova përsëri siluetën e vajzës që, duke lexuar me libër në duar e me hap të shpejtë e të njëtrajtshëm, po vinte drejt meje. Hapa shpejt telefonin tek kamera dhe prej larg e me kujdes të mos e shqetësoja në shenjtërinë e saj, fiksova këtë foto. Fiksova këtë pamje, si për rastësi, me 8 dhjetor, ditën e rinisë. Ne kemi shumë ditë që i nderojmë dhe i përkujtojmë. Dhe mirë bëjmë se nëpërmjet tyre sensibilizojmë. Me këtë s’dua të them se mund të kemi edhe një ditë të leximit. Kurrsesi jo. Leximi s’është fushatë, s’bëhet as me urdhër, as me lutje. Leximi është pasion, është nxitje e brendshme, është kulturë e krijuar, do të thotë është një ndër veset e mira të njeriut.

    Nëse do të lexosh, lexon, e gjejnë kohën, mundësinë, vendin. Shfrytëzon çdo mundësi që të krijohet, si kjo vajza për shembull, që njëherazi edhe thithte ajrin e freskët në këtë masiv të gjelbëruar, edhe bënte ushtrime fizike të dobishme për shëndetin, por edhe lexonte dhe ushqente trurin. Por pasionantë të tillë pas leximit fatkeqësisht tani kemi shumë pak. Janë rrudhur kaq shumë edhe për faktin e përdorimit masiv të ‘smart phonëve’. Tani të rinjtë mendojnë se duke lexuar gjithçka nga interneti në atë kuti të vogël xhepi është e mjaftë për formimin e tyre. Për të mos shkuar më tej e për të thënë se ky fenomen është kthyer në një sëmundje të rrezikshme sociale e shoqërore. Mjafton të përmendim vetëm një fakt: Dikur kur takoheshin dy miq në kafe, nxirrnin kutitë e duhanit dhe bënin kuvend, kurse tani, sa ulen, nxjerrin mbi tavolinë celularët dhe zhyten në heshtjen e tyre. Sigurisht është zgjedhja e gjithsecilit, por një gjë duhet thënë: kultura dhe dijet që merren prej librit janë BIO dhe nuk mund të zëvendësohen kurrë as me njohuritë digjitale dhe as me inteligjencën artificiale. Secila prej tyre rri mirë në vendin e vet.

    Tani vajza me libër në duar dhe me hapin e shpejtë dhe të njëtrajtshëm ishte zhdukur pas pemëve të larta të parkut. Sigurisht nuk do ta shoh më kurrë, por imazhi i saj i thjeshtë mbeti si një skulpturë e gdhendur bukur në peizazhin e gjelbër të “Victoria Park”. U fiksua aty si një përgjigje e prerë për të gjithë ata që justifikojnë veten se s’kanë kohë për të lexuar. Jo njerëz. Askujt nuk i duhet një muaj në vit, një javë në muaj, një ditë në javë apo një orë në ditë për të lexuar. Ai që ka etje për të lexuar lexon nga pak e çdo ditë. Të paktën mos të justifikohemi që s’na del koha. Thënë akoma më thjeshtë: A s’mund t’i japim vetes një çast, ku të fikim telefonin dhe të hapim librin?

    Lajmi Paraprak

    Gazeta e parë në tokat shqiptare: ‘Iskodra’ e vitit 1868, ku asnjë fjalë nuk ishte shqip!

    Lajmi i rradhës

    Edukimi mediatik është i rëndësishëm edhe për mësuesit e së ardhmes

    Lajme tjera

    S’ka ma turp

    DR. FABIAN ZHILLA Në vitin 1987, Robert Pat tison “profetizoi” përthyerjen e kulturës nga prurjet e reja kryesisht…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë