Megalomania dhe realiteti në vijim të një krize

    GENC POLLO

    “Jo! Rusia nuk mund të sulmojë Ukrainën! Ajo është anëtare e OSBE-së, e Këshillit të Europës. Si mund të shkelë statutin e tyre? Nuk ka interes t’a bëjë këtë!” Ky ishte pakashumë arsyetimi i  shumë politikanëve dhe personazheve publikë në Europë  deri në 24 shkurt kur Putini udhëroi nisjen e agresionit ushtarak. Ky grup personalitesh përbëhej jo vetëm nga  pacifistë naivë, optimistë miopë, dashnorë iluzionesh e idiotë të dobishëm. Ndër ta fatkeqsisht kishte edhe agjentë ndikimi të joshur me lloj lloj mënyrash apo edhe të shpërblyer me para nga Kremlini.

    Deklarata e Edi Ramës se përmes nismës “Ballkan Hapu!” do të mund të evitohen kriza e tensione si ato që provokoi Vuçiç në mesnatën e 31 korrikut është e njëjtë në natyrë me bestytninë e mësipërme. Do t’i kurseja lexuesit këtu kategorizimin e Ramës në një nga nëngrupet e mësipërme të “dorëzanëve” për Putinin.

    Por sugjerimi se me kontakte, biseda e shkëmbime arrihet çtensionimi madje edhe një paqe e qëndrueshme meriton të shtjellohet në mënyrë që të mos mund të përdoret për krijimin e mirazheve të rrezikshëm.

    Prej më se një viti e pa shkak serioz Serbia refuzon të nënshkruajë aktin “Liria e Lëvizjes me letërnjoftim në gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor (Freedom of Movement with ID Cards for WB6) në kuadrin e Tregut të Përbashkët Rajonal. Ky i fundit është produkt i Procesit të Berlinit. Nëse Serbia do e nënshkruante dhe do e zbatonte këtë akt gjysma e problemit që shkaktoi krizën e mesnatës së 31 korrikut do të ishte zgjidhur. Poqese Serbia do të nënshkruante dhe do të zbatonte edhe një akt të ngjashëm për targat atëhere problemi do të ishte zgjidhur plotësisht.

    Por problemi i madh është se Serbia edhe pas vitesh të gjata kontakesh, bisedimesh e shkëmbimesh me Kosovën nuk don të bjerë dakord. Edhe pse këto kontake, bisedime e shkëmbime jane ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian i mbështetur nga ShBA. Pse ndodh kështu do të rrekem t’a shpjegoj shkurt më poshtë. Por tashti shihni mirazhin e rrezikshëm të Ramës.

    Atë koncesion Vuçiç nuk ja bëri Kosovës kur palë kërkuese e garantuese ishin shefat e Komisionit Europian por edhe shefat e qeverive si Merkel, Macron etj. Por Edi Rama mejton se Vuçiç do e bëjë mbasi të ulet në tavolinën e “Ballkan Hapu” vetëm me të dhe me Albin Kurtin. A tregon kjo megallomani ekstreme, optimizëm naiv apo diçka tjetër jo të pafajshme? Lezuesit le t’a gjejnë. Por të tilla mufka të thëna publikisht, madje në prani të një kryeministri tjetër, vetëm qesëndi meritojnë.

    Bashkimi Europian e mbështetja amerikane nuk arriti të çonte Prishtinën e Beogradin drejt marrëveshjeve të qëndrueshme sepse nuk kishte bindshëm as shkop as karrotë ndaj Serbisë. BE nuk kishte shkop për vetë natyrën e tij. Kurse karrota e anëtarësisë në Union ishte abstrakte, e paaritshme dhe me gjasë në thelb e padëshiruar nga sundimtarë jodemokratikë si Vuçiçi. Kurse karrota reale e millionave euro ndihmë europiane as nuk u vu ndonjëhere seriozisht në diskutim nga Brukseli. Ka edhe arsye të tjera e kjo çështje komplekse meriton një shënim më vete.

    Me situatën e re pas agresionit të Putinit gjerat mund të ndryshojnë pozitivisht. Vuçiçi është i vetmi kryetar shteti në Europë (veç Lukashenkos në Bjellorusi) që ka refuzuar sanksionet e BE-së ndaj Rusisë. Kjo nuk  tolerohet në kohë lufte. Çuditërisht i vetmi shef qeverie në Europë që tregon mirëkuptim për këtë qëndrim është kryeministri i Tiranës.

    Nga ana tjetër brurimat epike të Vuçiçit për “aksione vdekjeprurëse” kundër Kosovës nuk impresionojnë KFOR-in dhe zor se ndiqen nga veprime ushtarake. Por destabilizimi në Veri (Vuçiç pretendon se është dorëjashtë dhe Rama e konfirmon se janë vetëm serbët e rrëmbyer të Mitrovicës!) dhe në vijim “qetësimi” i situatës është në repertorin permanent të tij. Kështu ai del si “burrë i mirë” dhe përfiton atë gjë që edhe Rama kërkon për të: të zbutet trysnia perëndimore ndaj tij për adoptimin e sanksioneve anti-Putin.

    Përgjigja më e mirë europiane për momentin do të ishte vendosja përfundimtare dhe e përhershme e masave për targat e letërnjoftimet  nga qeveria kosovare në 1 shtator. /Panorama/

    Ish ministër e deputet

    Lajmi Paraprak

    Një beratas i mirë

    Lajmi i rradhës

    Prokuroria kërkon paraburgim për një person nga Gostivari, dyshohet për vrasje

    Lajme tjera

    Provinca

    Monika Stafa Dy mijë vjet më parë, Perandoria Romake jetoi shkëlqimin e fuqisë së saj. Trupi i saj…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë