S’ka ma turp

    DR. FABIAN ZHILLA

    Në vitin 1987, Robert Pat tison “profetizoi” përthyerjen e kulturës nga prurjet e reja kryesisht muzikore, të cilat sipas tij po sillnin një ridimensionim të moralit publik. Format e reja muzikore, siç ishte Rroku i viteve ‘60-të në ShBA, po orientonin pritshmëritë e shoqërisë në një kulturë pa substancë, pa identitet dhe pa përbërës ndërtues dhe edukues. Jo pa qëllim Pattison e fillon librin e tij me një koment të Barbara Tuchman në vitin 1980 mbi rënien e cilësisë së gazetës “New York Times”. Tuchman do të shprehej “Kjo është epoka e vulgaritetit. Shkolla ka mbaruar përgjithmonë. Ata po kërcejnë në rrugë. Dashuria është zhvendosur në një ndërtesë nën zgjarr. Çfarë po ndodh kështu? Ka triumfuar vulgariteti. Vulgariteti ka triumfuar”.

    Pattison-i nënvizon se ‘triumfi i vulgaritetit nuk nënkupton shfarosjen e kulturës elitare, por ridimensionimin e saj në një format populist… Nëse vulgariteti nuk evidentohet, atëherë qytetërimi humbet, sepse triumfi i vulgaritetit është i sigurt… vulgariteti nuk është gjë tjetër veçse një reflektim i asaj që tani po i mbivendoset kulturës elitare… Pikërisht përfshirja e hiperseksualizmit në programet reality show nuk është gjë tjetër, veçse një ridimensionim i artit duke e zhveshur atë krejtësisht nga sqima, finesa, kumti, mesazhi, estetika dhe edukimi.

    Edhe pas kaq vitesh, teza e Pattison-it duhet lexuar me kujdes në kontekstin e një shoqërie, e cila po a-socializohet nga ndikimi kapilar i teknologjisë dhe mediat sociale. Qasja e Pattison-it rreth vulgaritetit të artit dhe kulturës mund të reflektohet fare mirë në atë se çfarë po ndodh sot me disa programe reality show në Shqipëri.

    Në diskutimet që shoqëruan nismën qytetare ‘SKA MA TURP’ disa zëra kritik e shikonin Nismën si shumë ‘moraliste’ dhe e cila rrezikonte të mos ndërgjegjësonte publikun dhe palët e interesuara. Sipas këtyre zërave, mënyra më efikase për ndalimin e një fenomeni negativë në shoqëri është ajo nëpërmjet instrumenteve ligjorë. Qëndrimi i Nismës ndaj kësaj qasje nuk është kundërshtues, por komplementar duke u nisur nga fakti se morali është standard më i lartë se ligji. Ky i fundit është mjeti i fundit për të rregulluar apo kufizuar një shqetësim apo dëm social.

    Një ndër thëniet më të njohura profetike është se kush “nuk ka turp, mund të bëjë gjithçka”. Është interesante pasi ky postulat nuk përfshin termin ligj apo rregull, duke i dhënë mos pasjes së turpit një karakter shumë më të gjerë sesa shkeljes së ligjit. Në dallim nga ligji, i cili është instrument institucional, që kërkon procedurë dhe institucione për ta interpretuar dhe zbatuar atë, turpi është tërësisht një marrëdhënie personale me vlerat, virtytet dhe parimet. Ndërsa ligji është rregullimi i shoqërisë mbi një normë të gjithë pranuar si kriteri minimal i vendosjes dhe ruajtjes së shtetit ligjor, turpi apo morali, sipas shkollës natyrore të ligjit, është standard më superior i marrëdhënies së njeriut me veten dhe shoqërinë, sipas të cilit individi përfshihet në një cikël ndërgjegjësimi dhe vetëgjykimi përpara se të ndërmarrë një veprim i cili mund të ketë pasoja më pas për të, familjen dhe shoqërinë më gjerë. Nëpërmjet ndjenjës së turpit njeriu ka lirinë të jetë më kritik me veten sipas parimeve, të cilat mund të kenë karakter universal, por dhe thellësisht kontekstual duke pasur kështu më shumë mundësi për të ruajtur kohezionin social qoftë në mënyrë horizontale, po ashtu dhe vertikale.

    Ndërkohë që ligji për vetë natyrën e tij konsesuale kolektive është i limituar në mbrojtjen e mirëqenies së vlerave të përgjithshme, të cilat mundet që shpesh të mbivendosen mbi ndjeshmëritë personale, komunitare dhe shpesh edhe duke mos pasur mundësinë që t’i mbrojë ato. Nga ana tjetër, procesi i të pasurit turp është dinamik dhe e shoqëron individin jo vetëm në finalizimin e veprimit, por në të gjitha proceset e tij duke filluar që në gjenezë me idenë, konceptualizimin, zhvillim dhe më pas në kryerjen e tij. Në ndryshim nga ligjshmëria që më shumë merret me pasojën e aktit, ndjenja e turpit merret edhe me moralin e shfaqjes, dukjes dhe estetikës së kryerjes së një veprimi. Ndërkohë që shqetësimi i ligjit kufizohet vetëm tek rregulli publik, ndjenja e turpit ka si qëllim mbrojtjen e dinjitetit të viktimës dhe më të dobëtit, reflekton mbi pasojat jo vetëm materiale, por mbi të gjitha ato psikologjike, të cilat lidhen kryesisht me vlerat dhe parimet. P.sh., nëse dikush do ta vlerësonte një akt si ligjor ose jo mbi kritere tërësisht racionale, ndjenja e të pasurit turp plotëson mozaikun e vlerësimit të sjelljes njerëzore duke e filluar analizën shumë më herët që tek parimet, vlerat dhe qëllimet e kryerjes së një akti të cilat mund të jenë më të larta sesa qëllimet e ligjit.

    Ndërsa vlerësimi i ligjshmërisë së një akti apo veprimi është pasiv dhe kërkon në mënyrë të detyrueshme shkak dhe pasojë, dhe rreket që të mbrojë individin dhe shoqërinë nga dëmi, pasja e turpit, është më sublime duke tejkaluar efektin shkak pasojë por duke e ruajtur atë në kufijtë reflektimit personal, të vetëgjyqësisë kundrejt vlerave. Turpë-pasja është pasqyra ku individi sheh dhe gjykon veten në raport më parimet pa nevojën e ndërhyrjes së institucioneve apo shoqërisë. Mbrojtja nga turpi është në fakt një paradhomë e mbrojtjes nga shkelja e ligjit.

    Për ta përmbledhur, parandalimi i vulgarizimit të kulturës dhe artit nëpërmjet rritjes së energjitizimit të institucionit të ‘turpit’ do të ishte mjeti më i mirë i mundshëm sepse do të nxiste sensibilizimin nëpërmjet një diskutimi publik që kërkon një cilësi edukimi të caktuar. Duke risjellë në diskutimet publike, debate të argumentuara mbi këtë temë do të rrisnim pritshmëritë e shoqërisë në lidhje me cilësinë e artit dhe kulturës. Si rrjedhim, do të krijonim një audiencë që do ta refuzonte vulgaritetin duke e shtyrë atë në periferi. Fatkeqësisht sot, vulgariteti dominon diskursin politik, artistik dhe atë mbi kulturën. Dhe këtu nuk ka vetëm shkelje ligji por mbi të gjitha kjo është për turp. /Panorama/

    *Përshtatur nga artikulli me të njëjtin titull të marrë nga revista “Medius”

    Lajmi Paraprak

    Gjidhënia mund të ndihmojë në djegien e kalorive

    Lajmi i rradhës

    Kovaçevski: Nuk përjashtohet mundësia që ndonjëri nga funksionarët aktual të përfshihet në listën e zezë të ShBA-së

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë