Amendimet kushtetuese për vetingun përmes prizmit të deçencës

    GENC POLLO

    1-PROPOZIMI DEÇENT: KOMITETI SHQIPTAR I HELSINKIT

    Në 27 tetor Komiteti Shqiptar i Helsinkit në një njoftim për shtyp rekomandoi se zgjatja e mandatit e organeve të nivelit të parë të vetingut (veçanërisht Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ose KPK) siç kishte propozuar zyrtarisht Partia Socialiste, duhej t’i nënshtrohej një konsultimi të gjerë e të thellë ku veç institucioneve zyrtare lipset të dëgjoheshin edhe “ekspertë konstitucionalistë dhe të fushës së drejtësisë, pedagogë të Fakulteteve të Drejtësisë në vendin tonë, organizata të shoqërisë civile që kanë monitoruar zbatimin e reformës në drejtësi.”

    KShH është deri tani i vetmi zë institucional që po apelon me shumë të drejtë që para se të amendohet Kushtetuta duhet të ketë një debat publik ku të përfshihen të tërë ata që kanë njohuri, interes dhe tagër për çështjen në fjalë.

    Në një demokraci funksionale debati ndodh para se të shkruhet amendamenti i cili, si rregull, ngurtëson në kartë një nga alternativat e debatuara. Gjithashtu parimet e një demokracie funksionale përjashtojnë politikën e faktit të kryer; veçanërisht për ndryshimet e Kushtetutës që nuk bëhen dot pa konsensusin e opozitës.

    Rregullorja e Kuvendit parashikon një farë kohe për konsultime e debat sidomos për amendimet kushtetuese; por kur dihej se afati kushtetues po mbaronte dhe se vetingu ishte shumë larg përfundimit palët e interesuara do të duhej të kishin menduar e folur për problemin e për rrugëdaljen optimale. Kjo fatkeqësisht nuk ndodhi megjithëse problematikat e vetingut e në përgjithësi ato të drejtësisë janë me interes të gjerë publik e me impakt në jetën e çdo qytetari.

    Në përfundim  afatit kushtetues pesëvjeçar  vetëm pak më shumë se gjysma e magjistratëve janë vetinguar nga KPK. Në këto rrethana duhet kuptuar pse ndodhi kjo si dhe duhet gjetur rruga optimale për përfundimin e vetingut. Për këtë të fundit ka tre opsione të qarta:

    1. opsioni më i keq: të zgjatet mandati i komisionerëve ekzistues edhe disa vjet:

    Ky propozim në pamje të parë tingëllon i arsyeshëm sikur të mos ishin vërejtur probleme të mëdha në punën e këtij organi. I formuar nga njerëz në shumicë të afërt me PS (PD e neglizhoi proçesin edhe pse formula Hahn-Nuland i mundësonte asaj emërimin e gjysmës së

    komisionerëve) KPK ndërmori shkarkime të magjistratëve të përfolur. Por krahas kësaj shkarkoi edhe magjistratë me emër të mirë e la në ofiq magjistratë që duheshin shkarkuar. Metoda ishte zbatimi i standarteve të dyfishta motivet ishin partiako-personale; aludohet edhe për motive materiale. Operacioni i Monitoruesve Ndërkombëtarë (OMN) nuk mundi t’i pengonte këto raste. Rasti flagrant i prokurores së Tiranës, që u konfirmua nga KPK me porosi të partisë, ishte pika që përmbysi kupën dhe që provokoi protesta publike nga OMN.

    Edhe Delegacioni i BE-së dhe Ambasada e ShBA protestuan me zë të lartë. Madje për t’i dhënë rëndësi deklaratës, i kujtuan publikut se ata flisnin në emër të Brukselit e Washingtonit e jo në kokë të tyre siç mund të mejtonte dikush. Për më tepër pesë komisionerë të KPK-së (nga gjithsej 12) kanë rezultuar se nuk i përmbushin kriteret për emërim; disa syresh janë paditur e kallzuar për këtë.

    Kaq do të mjaftonte e tepronte për të cilësuar këtë opsion si të papranueshëm dhe,  krahasuar me të tjerët,  si opsionin më të keq. Edhe pa qenë nevoja të presim hetimet mbi aludimet për “motivet materiale”.

    b- opsioni i arsyeshëm: të emërohen komisionerë të rinj e të zgjatet mandati edhe disa vjet;

    Sikur përmes një amendimi kushtetues të mundësohej emërimi i komisionerëve të rinj avantazhet do të ishin se: 1) monopoli partiak mbi KPK  do të zëvendësohej me një “check and balance” politike në frymën e formulës Hahn-Nuland; 2) kandidatët për komisionerë do të përzgjidheshin me rigorozitet përsa i përket kritereve të integritetit e profesionalizmit. Gjithashtu ata do të trashëgonin infrastrukturën e përvojën pozitive të deritanishme. Një KPK e rinovuar do e kryente më mirë vetingun e magjistratëve të mbetur . Problem mund të jetë se KPK-ja e vjetër mund të shndërrohet në një KÇK pa frena deri në qershor 2022.

    c-opsioni kushtetues ose të dëgjojmë Venecian;

    Insistimi i Komisionit të Venecias se vetingu, si çdo masë e jashtëzakonshme, nuk duhet të zgjaste shumë ndikoi që konsensusi në këtë pikë të ishte  që mbas pesë vjetësh t’i lihej tagri i vetingut dy këshillave që qeverisin gjyqësorin e prokurorinë (KLGj e KLP). Atëhere nuk e mendoi kush se “rendimenti” i KPK do të ishte sa gjysma e parashikimit. Ky opsion rrezikon të mbingarkojë dy këshillat. Në këtë rast këshillat do të duhej të mbështeteshin me kapacitetet e KPK e  infrastrukturë shtesë të nevojshme. OMN duhet të vazhdojë punën. Mbetet rreziku KÇK!

    d-opsioni i panjohur;

    Këtë opsion ja dedikoj mëndjes njerëzore e cila, përmes kuriozitetit, arsyes dhe argumentit/kundër-argumentit, ka arritur përgjithësisht në konkluzione të mençura. Duke vërejtur se debati publik mbi gjetjen e opsionit më të mirë, veço ndonjë shënim a diskutim, nuk ka ndodhur; dhe se ky debat përmbajtësor duhet të fillojë sa më parë.

    2-Heshtja indeçente: Opozita zyrtare

    Çuditërisht opozita zyrtare ka heshtur për këtë çështje; drejtues të saj fillimisht e quajtën atë “joprioritare” gjë që është absurde. Pastaj thanë se kjo është thjesht “çështje rrogash e komisionerëve” çka është një banalizim i panevojshëm.

    PD në të shkuarën pati kurajon të thoshte të vërtetën e të drejtën për reformën në drejtësi edhe përballë frontit të fuqishëm të profiterve skutha e idiotëve të dobishëm. Pas PD-së edhe shoqëria civile e media filluan të shohin e të diskutojnë problemet jo të pakta.

    Prandaj do të ishte e pafalshme që PD të vazhdojë  si struci me fshehjen e kokës në rërë dhe e pamendueshme që të mbështesë opsione të këqia për drejtësinë shqiptare.

    3-Propozimi indeçent: Balla plus dy

    Siç pritej, Partia Socialiste sinjalizoi gjatë verës mbështetjen e saj për opsionin më të keq. Amendamentin kushtetues që parashikon KPK-në aktuale deri në dhjetor 2024 e dorëzoi  ironikisht deputeti që njihet si menteshë politike e narkobandave në qytetin ku është zgjedhur. Për më tepër e futi në procedurë parlamentare me vrrik e pa konsensus. Gjithësesi PS është konsistente në orvatjet e saj për të formatuar “drejtësinë e re” siç i volit. Por është interesante të qëmtosh arsyetimin në relacionin shpjegues prej tetë faqesh (Po, vetëm 8 faqe relacion për ndryshimin e Kushtetutës!!). Në fakt arsyetimi përmblidhet në më pak se tre faqe (fq. 6,7 e 8) dhe dëshmon për një mjerim intelektual të hartuesve. Jam shpresëplotë që ky nuk është niveli mesatar i Partisë Socialiste. Në vend të të dhënave të plota, analizave shteruese dhe arsyetimit të thellë që do të përputhej me kapacitetin e një partie të madhe, në ato pak paragrafë shpjegohet se vonesa u shkaktua nga hartimi i rregulloreve (e parashikueshme), mungesa e zyrave e laptopave (përgjegjësi e qeverisë që asokohe përgjysmoi pa justifikim buxhetin e vetingut) e nga Covid-19 ( forcë madhore). Me logjikë mjaft  kreative thuhet se po veprohet sipas opinionit të Komisionit të Venecias. Asnjë problematikë tjetër nuk analizohet si dhe nuk argumetohet se përse afati dhjetor 2024 është i mjaftueshëm.

    Ambasadori i BE në fillim të tetorit e Ambasadori i ShBA tre javë më pas apeluan për afat-zgjatje të organeve të vetingut (por pa qartësuar nëse me komisionerët e vjetër apo të rinj). Ata i referohen një opinioni të OMN-së që nuk është bërë publik dhe nuk dihet se me kërkesë të kujt është hartuar (a mos lipset të mendojmë edhe për konfliktin e interesit?).  Por as nuk argumentojnë e as nuk arsyetojnë: thjesht proklamojnë se Shqipëria lipset të ndryshojë Kushtetutën e saj. Edhe në një vend si i yni me përvojë në arrogancën e disa ndëkombëtarëve kjo tingëllon pak si tepër. Fakeqësisht kemi të bëjmë me një kabalë që mbetet model i keq për demokracinë e shtetin ligjor; pikërisht nga përfaqsues të shteteve që janë angazhuar e kanë investuar për këto vlera në Shqipëri. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Bërnabiq: Krivokapiq ka dëgjuar me “zemër të hapur” idenë për “Ballkani i hapur”

    Lajmi i rradhës

    Faton Islami flet rreth platformës “Gley”: Të gjithë filmat shqiptarë dhe ndërkombëtarë në “Gley”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë