“Analistë e mendimtarë”, flisni e mos u dredhoni nën ritmet e politikës!

    Emad Mehmeti

    Edhe pse jam i ri në moshë, këtë vit i bëj 13 vite që jam pjesë e gazetarisë. Këtë fakt nuk e tregoj për ndonjë arsye konkrete, sepse fundja mund të mos thotë asgjë për askënd (edhe pse për mua shumëçka), por dua të them që kam fituar përvojën e nevojshme për t’i diktuar hajdutët e gazetarisë dhe punëtorët e vërtetë. Pra, këtë gjë që ndodh në çdo zanat, e kemi pjesë përbërëse edhe në zanatin e gazetarisë.

    Hyrjen e këtij komenti që shkrova më lartë e bëra për një arsye të vetme: ngase jemi të një zanati, asnjëherë nuk jam marrë me kolegët tjerë gazetarë “mendimtarë”. Konsideroj se boll luftëra tjera kemi si profesion, e më duket luks i panevojshëm që t’i futemi edhe këtij muhabeti. Pra, kësaj teme i kam ikur si prej “djallit” për mos të ngjallur keqkuptime mes nesh. Por ama nuk mundemi deri në pafundësi të heshtim, e mos i themi disa çështje që na përkasin. Se atëherë bëhemi si këta që i përqeshim në vazhdimësi, ndërsa i ruajmë fshehtësitë, të cilat mund t’i sjellin keq shoqërisë nëse nuk i publikojmë. E di se edhe ne duhet të jetojmë, e duam një jetë më të mirë, por gjithçka shkon me karar, se nëse e tepron të bën zarar.

    E kur jemi këtu, mos mendoni se ne të tjerët nuk dimë të heshtim, të bëjmë se nuk shohim, të shtiremi “pasherr” duke arsyetuar edhe kriminelët e pushteteve, edhe fajësinë e tyre për degradimin e shumë segmenteve institucionale në shoqëri, dhe më pas ashtu me buzagaz se ia “hodhëm” publikut: hem të mirë me milet, hem me pushtet, e hem me opozitë – që të rrëmbejmë diçka nga pushteti i hajdutëve, por edhe nga pushteti i të tjerëve rrugës që dalin. Edhe ne si ju, nuk është se nuk dimë t’i luajmë këto lojëra “intelektuale” si përdredhimet e këngëtareve në kafene, por në kurriz e në dëm të opinionit publik, e që shkojnë në favor të politikës apo dhe rrymave tjera, me qëllim që ta kemi mirë terezinë për vete, pa marë parasysh se të tjerëve u bëjmë keq. Pra, “kolegë”, le të bëhemi të sinqertë njëherë e mirë. Secili din të luajë lojërat politike, si ju që jeni nën brezin e politikës e shiteni si të “pavarur” duke mos e thënë të vërtetën asnjëherë me arsyetimin se shprehni “mendimin e lirë” e nuk “cënoni fjalën e lirë”, por i thoni gjithmonë rrenat e kulluara për të fituar shpërblimin e shefave, tani më dukeni sheshazi se kush jeni. Mirëpo, parashtrohet pyetja sesa mund ta quajmë veten gazetarë, nëse bëjmë lojëra të njëjta si tuajat.

    Mos mendoni se ka naivë që mashtrohen e besojnë në rolin e “budallait” që luani kur flitni për çështje të ndjeshme e bëhi kinse gjithçka vjen nga Zoti, ndërsa pohoni paturpësisht se këtu i kemi pushtetarët melaqe të tokës “hyjnore” pa gabime. Ku ka më keq edhe madhështinë e Zotit ta keqpërdorni për t’u bë qejfin secilit që ka një copë pushtet.

    Ndoshta e keni veshtirë ta dalloni të mirën dhe të keqen, sepse njihni vetëm vlerat monetare. Është problemi juaj. Por së paku pos u mundoni si “derdimena” të plasoni ide për vlera shoqërore. Kundërmoni kur doni të aktroni këtë rol, këtë asnjëherë mos e harroni!

    Mos e vazhdoni më këtë rrugë. Ata që e bëjnë nga halli i mirëkuptoj me thellësinë e zemrës, por ata që kanë bërë miliona dhe rrinë në tavolina, e ndër tavolina me politikanë që t’i rritin edhe pak më shumë euro – dollarët, t’u themi ngadalë se nuk do ju tolerojmë tash e tutje të na shisni mend. Sepse lëre që shisni interesin publik për prapanicën tuaj, por mandej edhe na shiteni si patriotë e “mendimtarë” – këtu s’ka arsyetim. Ju jeni siç thotë populli, “i/e dashur pushkë e plumb për një përdorim të pushtetit”, biznesit, apo çfardo interesit që mbroni. Disa norma nuk duhet të shkelen në emër të fjalës së lirë.

    Se për këtë arsye mund të bëhemi shoqëri ku edhe ai që “dhien” në rrugë ne e arsyetojmë e themi “hajt se mirë ja ka bërë”. Kjo sjell deri te humbja e sensit, të ndjenjës ndaj tjetrit, ndaj gjithë asaj “intelektuale” që i themi kolektive, ama është e kotë ngase ju shikimin e keni të drejtuar ndaj “prapanicës” tuaj të stërmbushur nga paratë e pista të politikës apo bizneseve të ndyra. Kjo tregon se edhe disa media kanë degraduar gjithçka dhe kanë ndikuar që shoqëria të bëhet e pandjeshme ndaj fatit të vetë, ndërsa të vetmin shpëtim ta sheh mërgimin. Ama juve as që ju a ndien për këtë, bile thoni si disa pushtetarë: le të shkojnë sa më shumë në kurbet, se në këtu i gëzojmë paratë e pronat tona, pa na pyetur kush shumë e shumë se do mbesim pak!

    Është e drejta e tyre të zgjedhin si më tutje, megjithatë këto do “analistë” për të cilët e kemi fjalën, kur dalin nëpër TV – a i keni parë si bëjnë: lako e lako gjuhën, duke mos e ditur kujt me ja mbajtë zhagin, e në fund aq ngatërrohen me veten, saqë dalin qesharak. Ata mendojnë se e manipulojnë opinionin publik, e në fakt është e kundërta: publiku i përçmon se ua lexon “sytë e pisit” menjëherë sapo ta hapin gojën, ku shihet e ngrëna e madhe e mishit – nëpër e ndër tavolinat e eurove të pushtetit apo edhe rrymave tjera që i dinë ata. E shumica e shikuesve nga tjetër nepër dhëmb pëshpërisin të mllefosur: “Po folni more burra e mos dredhoni, ose rrini e heshtni! Ashtu dukeni më të ndershëm.“

    Pajtohem plotësisht me këtë konstatim të nderuar “analistë” që edhe kur bie shi e çoni kokën lartë në qiell dhe thoni: Faleminderit Ali Ahmeti! Kapni kockat, por ruani një troshkë të fytyrës nëse ju ka ngelur!

    Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori.

    Lajmi Paraprak

    Kontrollet e shtuara mbi autobusët shkaktojnë rrëmuja në trafik, qytetarët detyrohen të presin gjatë për udhëtim

    Lajmi i rradhës

    Grubi: BDI do të jetë në qeveri edhe në Zaevi tërhiqet nga posti i kryeministrit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë