Maj 68, C’est la revolution! (i)

    Jonah Birch

    Më 10 maj, në “Natën e barrikadave”, socialisti belg Ernest Mandel gjendej në Paris, duke iu drejtuar protestës studentore në vigjilje të përplasjes me forcat policore në Lagjen Latine. Mandel-i e përfundoi fjalimin dhe u nis drejt makinës, veç sa për ta gjetur të përfshirë nga flakët. Reagimi i tij? U kacavirr në barrikadën më të afërt dhe brohoriti me sa kish fuqi “Ah! Comme c’est beau! C’est la revolution!” (Ah! Sa bukur! Është revolucioni!”)

    Sigurisht Mandeli nuk po dëshmonte vërtet një revolucion, dhe sot historia e tij mund të shndërrohet në një reklamë të zgjuar për siguracionet e makinave. Por në ngazëllimin e tij të çuditshëm mund të gjendet shpirti i Majit 68. Revolta, e cila u shpërnda nga kampusi periferik i universitetit së Nanterre-s në çdo cep të Francës, prodhoi një të majtë të re e cila do të gëzonte mbështetje të madhe. Në fund të tij Maji nuk do t’u përkiste më veç studentëve.

    Sot përfytyrimi ynë mbi Francën e 68-s përqendrohet rreth grumbullimeve në Sorbonë ose në teatrin e zaptuar “Odeon”, ku studentë revolucionarë dhe intelektualë të majtë si Sartre-i denonconin kapitalizmin, burokracinë dhe forcat e rendit ekzistues. Maji 68 kujtohet për shkrimet e situacionistëve, posterat gjigandë të studentëve të artit, sloganet popullore të shkruara në mure përgjatë Parisit: “Nën sipërfaqen e gurtë gjendet plazhi!”,”Vrapo shok, bota e vjetër është pas teje!”,”Tregohu realist, kërko të pamundurën!”.

    Megjithatë një pasqyrim i tillë është i paplotë. Përfshirja e punëtorëve në lëvizje gjatë mesit të muajit përfundoi në zaptime fabrikash, gjë që nxiti një grevë të përgjithshme disajavore të më shumë se 10 milionë punëtorëve (më e madhja e regjistruar në historinë evropiane). Në vitin 1960 totali i ditëve të humbura të punës në greva ishte 1 milion. Në 1967 arriti në 4.2 milionë. Një vit më pas shifrat arritën 150 milionë. Shpesh të tilla ndalime të punës udhëhiqeshin nga Partia e fuqishme Komuniste e Francës (PCF) dhe konfederatat aleate të sindikatave , si Konfederata e Përgjithshme e Transportit (CGT) dhe rivalja e saj Konfederata Demokratike Franceze e transportit (CFDT), një sindikatë ish-katolike, asokohe e përkushtuar në vetadministrimin e vendit të punës nga punëtorët.

    Në fund të majit situata po dilte jashtë kontrollit të qeverisë. Në datën 29 presidenti francez Charles De Gaulle, i tronditur nga paaftësia për të kufizuar lëvizjen, në një përpjekje për të përforcuar pozitat e tij me ushtrinë, u largua nga vendi për t’u takuar fshehurazi me udhëheqësinë ushtarake në Gjermaninë Perëndimore.

    Me kalimin e kohës, De Gaulle-i arriti të rikthente “rendin”, ndërsa lëvizja preku fundin e papritur. Disfata e saj u përkeqësua nga rezultatet e zgjedhjeve të organizuara nga qeveria në fund të qershorit, gjatë së cilave golistët mundën të përfitonin nga konfuzioni dhe mosmarrëveshjet brenda së majtës për të korrur një fitore vendimtare. Megjithatë edhe sot Maji 68‘ mbetet simbol i fuqishëm politik, përfaqësues i aspiratave të së majtës për një lëvizje masive popullore që sfidon kapitalizmin. Askund tjetër në botën perëndimore përgjatë shekulli të shkuar nuk gjendet një kërcënim i ngjashëm ndaj kapitalizmit.

    30 vite të lavdishme

    Origjinat e lëvizjes së Majit gjenden në rindërtimin e ekonomisë dhe administratës shtetërore të rrënuar franceze në vitet e pasluftës. Në vitet që i paraprijnë 1968-s, Franca përjetoi rritje të shpejtë ekonomike, duke trupëzuar klimën e kënaqshme të Les Trente Glorieuses (30 viteve të lavdishme). Megjithatë në përfundim të 1968-s shoqëria franceze mbetej thellësisht jodemokratike dhe e pabarabartë. Përgjatë viteve 1950 dhe në fillim të 1960-s orët e punës rriteshin si pasojë e nevojës për të përmbushur kërkesat e rritjes së shpejtë ekonomike. Në mesin e viteve 60‘ pjesa më e madhe e punëtorëve punonin më shumë se 50 orë në javë. Ngjashëm, për gratë brenda dhe jashtë vendit të punës, Franca e De Gaulle-it ishte një shoqëri tejet represive: kushtëzimi i ngurtë i normave tradicionale mbi gjininë dhe seksualitetin e pamundësonin punësimin e grave deri më vitin 1965, gjithnjë me lejen e bashkëshortëve.

    Politikisht Franca ishte shtet thellësisht i centralizuar, i përfshirë në një lloj modernizimi konservator i cili cenonte të drejtat demokratike. Ekonomikisht kapitalizmi i drejtuar nga shteti kishte prodhuar rritje të jashtëzakonshme ekonomike dhe industriale. Një sistem i tillë ishte mbi të gjitha krijesë e gjeneralit De Gaulle, heroit të “Çlirimit“, që kishte udhëhequr lëvizjen kundër regjimit të Vishisë të mbështetur nga nazistët.

    Gjatë viteve 1950 De Gaulle-i ishte jashtë qendrës së vëmendjes kombëtare për shkak të regjimit parlamentar të Republikës së Katërt, gjatë së cilës qeverisnin koalicione të njëpasnjëshme, ndërkohë që vendi u përfshi në dy luftëra të përgjakshme koloniale, së pari në Vietnam dhe më pas në Algjeri. Në fund të dekadës kriza politike e krijuar si pasojë e disfatës së Francës në Algjeri, kështjella e fundit e një perandorie në rrënim e sipër, e detyroi de Gaulle-in të rikthehej në politikë. Me mbështetjen e ushtrisë dhe shumicës të së djathtës, de Gaulle-i u kthye në pallatin Elysee në vitin 1959.

    De Gaulle-i u fut në zyrë si hero i grupimit prokolonial në Francë. Rikthimi i tij erdhi pas një grushti të dështuar shteti në Algjeri, të nxitur nga segmente të ushtrisë dhe të udhëhequr nga gjenerali Jacques Massu, i cili ishte famëkeq për shkak të përdorimit të torturës si mjet politik. Për oficerët e djathtë të përfshirë në grushtin e shtetit, puçi kishte si qëllim kryesor të bllokonte bisedimet me Frontin Nacional të Çlirimit (FLN). Megjithatë, sapo erdhi në pushtet, de Gaulle-i i zhgënjeu mbështetësit e tij të djathtë me gatishmërinë për të zhvilluar bisedime mbi pavarësinë e Algjerisë.

    Me nënshkrimin e marrëveshjes së Evianit më 1962, De Gaulle-i u shënjestrua nga urrejtja e francezëve të shpërngulur në Algjeri, të cilët zgjodhën të riktheheshin në atdhe më mirë se të jetonin në një Algjeri të pavarur. Në vitin 1961 kundërshtarët e ekstremit të djathtë të pavarësisë algjeriane kishin formuar një grup terrorist (OAS), më qëllim përmbysjen e De Gaulle-it, i cili në raste të shumta u shpëtoi për mrekulli tentativave të tyre për ta vrarë.

    Megjithatë, pavarësisht përplasjeve të shumta të de Gaulle-it me të djathtën, armiku i tij i vërtetë ishte e majta. Presidenti kishte qenë gjithnjë haptazi dhe bindshëm antikomunist, ndërsa nacionalizmi i tij nuk lejonte hapësirë për një të majtë të pavarur dhe një lëvizje punëtore që sfidonte autoritetin shtetëror. Pas rikthimit të tij në pushtet në përfundim të grushtit të dështuar të shtetit në Algjeri, shumë prej së majtës e kishin denoncuar si përfaqësuesin e elementit të së djathtës ekstreme brenda ushtrisë franceze. Në fillim të viteve 1960 CRS-ja (policia nacionale paramilitare) udhëhiqej nga figura të mbetura në pushtet që prej regjimit të Vishisë. Duke marrë parasysh këtë fakt, nuk të habisin aktet e tyre të dhunës ndaj të majtëve, emigrantëve dhe armiqve të tjerë, ku shquhet masakra kundrejt demonstruesve algjerianë në vitin 1961 në të cilën vdiqën qindra vetë. Ky incident dhe një tjetër sulm i ngjashëm vdekjeprurës nga policia vitin pasardhës bënë që qeveria dhe policia të etiketoheshin prej së majtës si kriptofashistë.

    Megjithatë De Gaulle-i nuk ishte thjesht arketipi i një të djathi autoritar. Pavarësisht antikomunizmit të theksuar, ai u përpoq të minonte hegjemoninë amerikane duke farkëtuar një politikë të jashtme të pavarur. Sa i përket ekonomisë politike, nuk ishte ithtar i tregut të lirë, por luftonte për shtetëzimin muskuloz që karakterizon kapitalizmin e pasluftës në Francë. Një qasje e tillë reflektonte përkushtimin e De Gaulle-it kundrejt rilindjes nacionale në Francë, njëkohësisht dhe dëshirën e tij për të kufizuar influencën e së majtës.

    Gjatë viteve të lavdishme të pasluftës qeveria franceze drejtonte prodhimin dhe investimet, si dhe vendoste objektivat për importet, çmimet, punësimin dhe rritjen e pagave. Ajo kontrollonte një pjesë të madhe të ndërmarrjeve ku shteti ishte aksionar kryesor dhe e përdorte influencën për të ndjekur një strategji të planifikimit në të mirën afatgjatë të industrisë. Fillimi i Republikës së Pestë dëshmoi një zgjerim të regjimit planifikues, të cilin De Gaulle-i e quante “domosdoshmëri jetike”. Në Francë planifikimi shtetëror nuk ishte mjet për të kufizuar pushtetin e kapitalistëve privatë, por për t’i mbështetur këta të fundit. Kjo është e vërtetë veçanërisht për De Gaulle-in qeveria e së cilit komunikonte për së afërmi me industrialistët më madhorë dhe përfaqësuesit e biznesit. Marrëdhënia midis interesit privat dhe publik ishte aq e përafërt, sa një studiues e përshkroi regjimin e planifikimit në Francë si “konspiracion midis biznesit të madh dhe shtetit”.

    Ky sistem ngjalli kundërshti të mëdha nga organizimet punëtore dhe e majta. Gjatë dekadave të pasluftës opozita udhëhiqej nga komunistët dhe sindikatat aleate me ta. Të lartësuar prej rolit në rezistencë, Partia Komuniste doli prej Luftës së Dytë Botërore si partia më popullore, dukë fituar më shumë se çerekun e votave në zgjedhjet e Asamblesë Kombëtare. Në fund të viteve 40‘ dhe në fillimin e viteve 50‘ partia Komuniste deklaronte 200,000 anëtarë, ndërkohë që kishte në kontroll edhe federatën kryesore të sindikatave (CGT), e cila në fund të luftës numëronte 4 milionë anëtarë.

    Por në vitin 1956 lëvizja komuniste u zhyt në krizë nga kombinimi i “fjalimit sekret“ të Hrushovit, i cili detajonte represionin e viteve të Stalinit, dhe pushtimi sovjetik i Hungarisë. Në Francë figura të shquara denoncuan pushtimin dhe u distancuan nga PCF-ja. Partia e kishte të pamundur të bindte shumë prej militantëve të shpërndanin trakte në mbështetje të qeverisë sovjetike dhe humbi me mijëra anëtarë. Prapëseprapë Partia Komuniste do t’i mbijetonte krizës dhe gjatë viteve 60’ u shfaq si përfaqësuesja kryesore e ortodoksisë komuniste në Evropën perëndimore, në kundërshti me revizionizmin e Partisë Komuniste Italiane (dhe disidentëve të brendshëm që ndryshe quheshin “Les Italiens”). Në të njëjtën kohë PCF-ja po kritikohej nga forca në të majtë të saj për kundërshtimin e brishtë ndaj kolonializmit francez në Algjeri. Komunizmi francez kishte mbetur me fare pak aleatë. Ndasitë e Luftës së Ftohtë dhe antikomunizmi zyrtar bënë të mundur që edhe pse PCF-ja gëzonte mbështetje dhe anëtarësi të gjerë, të mbetej e izoluar elektoralisht dhe të mos fitonte shumicën. Hegjemonia e partisë mbi të majtën do të ndikonte edhe ngjarjet e Majit 68’.

    Qëndrimi i PCF-së kundrejt lëvizjes reflektonte armiqësinë e saj ndaj radikalëve të rinj të cilët udhëhiqnin protestat studentore, duke i vështruar si të paqëndrueshëm, provokatorë të klasës së mesme dhe fillimisht distancohej nga protestat e tyre. Për shembull në fillim të Majit Sekretari i Përgjithshëm i CGT-së famshme iu përgjigj një pyetjeje në lidhje me protestën duke thënë: “Cohn-Bendit? Kush është ky? Pa dyshim po i referoheni kësaj lëvizjeje tepër të reklamuar në të cilën, sipas pikëpamjeve tona, mungon objektivi, përveçse tërheqjes së klasës punëtore në aventura të pakuptimta studentore.” Udhëheqësi i PCF-së George Marchais më vonë do të shkruante një artikull në“L’Humanité“ ku denonconte “anarkistin gjerman Cohn-Bendit… agjitacioni i të cilit është kundër masës studentore dhe favorizon provokimet fashiste.” Si përfundim Marchais-ja shkruante, “këtyre revolucionarë të rrejshëm u duhet çjerrë maska sepse objektivisht u shërbejnë interesave të pushtetit golist dhe monopoleve të mëdha kapitaliste”.

    Njëkohësisht influenca komuniste brenda lëvizjes punëtore i politizonte punëtorët në mënyra që e ashpërsonin përballjen e tyre me shefat. Duke u mbështetur mbi trashëgiminë e grevës së qershorit 1936, anëtarët e PCF-së dhe CGT-së ndihmuan në përhapjen e taktikës së grevave me bllokimin e punës. Në shumë raste veprimtaria e tyre binte ndesh me qëndrimet e zyrtarëve të Partisë Komuniste. Po pavarësisht këtyre mosmarrëveshjeve, punëtorët i bashkoheshin në përmasa të mëdha partisë dhe sindikatës gjatë grevës së majit-qershorit.

    Gjatë krizës PCF-ja dhe të tjera rryma të së majtës jokomuniste u përpoqën që De Gaulle-i të zëvendësohej nga një që qeveri e majtë e udhëhequr nga Pierre Mendes France-i, një ish-zyrtar i Partisë Radikale, tanimë i përfshirë me një grup të vogël socialist të quajtur Partia e Bashkuar Socialiste; ose nga François Mitterrand-i, ish-kandidati për president kundër De Gaulle-it më 65’, i cili përfaqësonte Federatën Demokratike të së Majtës Socialiste (FGDS). Sërishmi mosmarrëveshjet brenda së majtës nuk u shuan dhe do të kishin pasoja thelbësore për fatin e lëvizjes me kalimin e kohës.

    Të tilla dinamika paralele brenda lëvizjes punëtore, ku dallohen ndasitë mes komunistëve dhe socialistëve, të ashpërsuara nga Lufta e Ftohtë, u kishin dhënë formë edhe organizimeve të sindikatave në Francë. Tradicionalisht sindikatat ishin të ndara në grupime konkurruese konferederatash. Më e madhja ishte sindikata e udhëhequr nga komunistët, CGT-ja, e ndjekur nga gjithnjë e më shumë radikalja, por jokomunistja CFDT, dhe më apolitikja Force Ouvriere (FO), e shkëputur gjatë Luftës së Ftohtë nga sindikata komuniste.

    Për punëtorët Franca e De Gaulle-it nuk ishte vend mikpritës. Nëpërmjet një sistemi të tregtisë industriale, sindikatat franceze mund të negocionin veç sa i takonte çështjeve si paga minimale, por kishin fare pak kontroll mbi vendin e punës dhe ishin gjithnjë të nënshtruara ndaj shtetit. Dendësia e ulët sindikale ecte paralelisht me mungesën e ndikimit të punëtorëve brenda shtetit.

    Ky sistem kontribuonte në konfliktet e përhershme mes punëtorëve dhe administratorëve, gjë që i bënte marrëdhëniet industriale në Francë tepër të lëkundura. Për shembull gjatë 1960-s kapitalizmi francez u pushtua nga përqindje të larta të grevave. Në mungesë të rrugëve institucionale për të arritur kompromisin me punëdhënësin, punëtorët prireshin drejt grevave të paautorizuara, braktisjes së vendit të punës dhe të tjerave akteve sabotuese. Mospajtimet shpesh zgjidheshin nëpërmjet ndalimit të punës, të cilat rrallë organizoheshin nga sindikatat, që shpesh u bashkoheshin vetëm pasi kishin nisur.

    Kjo kishte pasoja të rëndësishme. Në pamundësi për të kufizuar militantizimin e punëtorit të zakonshëm dhe kërkesat e punës mbi pagës nëpërmjet dialogut konsensual, zyrtarët e kompanive zgjodhën të provokonin ngadalësimin e aktivitetit ekonomik për të kufizuar rritjen e pagave dhe kësisoj të inflacionit. Rezultati ishte një linjë e të vepruar “Ndalo-Vazhdo“ që e lëkundte ekonominë franceze midis periudhave të zgjerimit të shpejtë dhe recensionit të ideuar nga qeveria. Në shtator 1963 ministri i Financave Giscard d’Estaing shpalli një plan për stabilizimin, i hartuar me qëllim kundërshtimin e presionit të inflacionit duke reduktuar financimin për industrinë, rritur taksat, reduktuar shpenzimet buxhetore dhe duke vendosur çmime fikse për produkte të caktuara – një qasje e cila në të vërtetë ndikoi në një tjetër periudhë ngadalësimi ekonomik.

    Ky sistem ekonomik prodhoi rritje të madhe pas luftës, por njëkohësisht gjeneronte paqëndrueshmëri, çka do të ndikonte në ngjarjet e revoltës së Majit 68. Në gjysmën e dytë të viteve 1960 Franca kishte kaluar në faza të përsëritura të amullisë ekonomike, më e fundit prej tyre pikërisht para ngjarjeve të 68-s. Midis pranverës 67‘ dhe fundit të po atij viti numri i punëtorëve të mbetur pa punë u rrit më shumë se me 25%, dhe thuajse 500,000 ishin të papunë në fillim të 68-s, një shifër e paprecedent për periudhën e pasluftës, kur Franca gëzonte punësim thuajse të plotë.

    Studentët në revoltë

    Megjithatë nuk ishte veç ngërçi ekonomik, por gjithashtu tensionet në rritje brenda universiteteve që do të shërbenin si detonator për shpërthimin e Majit. Pika e vlimit ishte një mosmarrëveshje disi e paqartë ndërmjet studentëve dhe zyrtarëve të universitetit të Nanterre-s, në dalje të Parisit. Ankesat e studentëve mbi vendosjen e dhunshme të rregullit mbi ndarjen e dhomave të fjetjes midis djemve dhe vajzave krijuan inat dhe pakënaqësi. Një vizitë nga ministri i Rinisë dhe Sporteve u shndërrua në rast për përplasjen me udhëheqësin e studentëve Daniel Cohn-Bendit, debat i cili përfundoi me ministrin që e këshillonte të riun “në rast të problemeve seksuale, të zhytej në ujë të ftohtë!“. Më pas në 22 mars qindra studentë të Nanterre-s organizuan një tubim në solidaritet me studentët e arrestuar gjatë një proteste kundër luftës në Vietnam dhe zaptuan ndërtesën e administratës, ku mbajtën një diskutim mbi pabarazinë klasore dhe burokratizimin e universitetit, për ta mbyllur me mbulimin e mureve me slogane radikale si “I themi JO universitetit borgjez!“.

    Akumulimi i tensioneve të tilla shpërtheu në fund të prillit. Më 2 Maj, pas protestave të vazhdueshme, administrata deklaroi se Universiteti i Nanterre-s do të mbyllej pa afat. Si kundërpërgjigje studentë të grupimeve të majta organizuan një takim masiv në Sorbonne, në Lagjen Latine të Parisit – lagje që do të shndërroheshin në pikëgrumbullim për studentët – Amfiteatri në skenë për takime masive, rrugët dhe korridoret përqark tij në pika strategjike për përplasjet midis studentëve dhe policisë. Natën tjetër frika e shpërndarjes së dhunshme të takimit studentor bëri të mundur grumbullimin e një turme ende më të madhe. Në mbrëmje policia tentoi të futej në ndërtesë, duke rrahur dhe arrestuar studentët që përpiqeshin të largoheshin, ndërkohë që turma filloi të gjuante gurë dhe shishe në drejtim të policisë. Pasoi ishte një natë e dhunshme përplasjesh, me 100 të lënduar dhe 596 të arrestuar. Ditën tjetër, u mbyll edhe Sorbona dhe studentët vendosën të thërrisnin grevë pa afat.

    Ndërsa konfrontimet ndërmjet studentëve dhe qeverisë përshkallëzuan, zyrtarët vendosën të ndalonin demonstratat në Parisin qendror. Si reagim, në 6 Maj mijëra protestues të udhëhequr nga Unioni Kombëtar Studentor (UNEF) dhe unione të tjera radikale u mblodhën në Lagjen Latine. Të gjetur nën sulmin e policisë, të cilët po synonin të shpërndanin turmën me gaz lotsjellës dhe shkopinj gome, studentët filluan të ngrinin barrikada, për të përfunduar në beteja rruge me 442 të arrestuar dhe rreth 1000 të plagosur. Shpejt protesta u shpërnda edhe në universitete dhe gjimnaze të tjera, me studentë që kërkonin nga qeveria tërheqjen e forcave policore prej ambienteve universitare, hapjen e kampuseve të mbyllura dhe lirimin e protestuesve të arrestuar.

    Përballë kësaj lëvizjeje gjithnjë e më shumë në rritje, qeveria mbeti e palëkundur. Pas disa ditësh negociatash të dështuara, më 9 maj Ministria e Arsimit ripohoi vendimin për të mbajtur mbyllur universitet, duke i hapur rrugë ngjarjeve të 10-11 Majit, kur studentët zaptuan rrugët përqark Sorbonës, duke kundërshtuar mijëra forca policore gjatë “Natës së barrikadave”. Protestuesit ngritën barrikada të shumta, duke përdorur kalldrëme të shkëputura nga rrugët mesjetare në Lagjen Latine dhe gjithçka tjetër që u vinte dorësh. Duke u përballur me numra të shumtë forcash policore, studentët u armatosën me helmeta, shkopinj dhe tymuese artizanale. Kur filloi sulmi në orën 2 të mëngjesit, studentët u kundërpërgjigjën duke brohoritur “De Gaulle, VRARËS”, përpara së të shpërndaheshin nga policia.

    Represioni qeveritar që pasoi ishte aq intensiv, sa edhe mbështetësit e policisë u detyruan të distancoheshin nga taktikat e dhunshme. Në fund të natës, Lagjja Latine ishin skenë shkatërrimi, me qindra makina të djegura, thuajse 900 të lënduar dhe 469 të arrestuar. Megjithatë qeveria u detyrua të dorëzohej përpara kërkesave kryesore të studentëve: kryeministri Pompidou pranoi të hapeshin universitetet dhe të liroheshin të arrestuarit gjatë protestave.

    Ky kombinim i shtypjes dhe lëshimeve nuk ja doli të ndalonte përhapjen e lëvizjes, dhe me rihapjen e Sorbonës në 13 maj, aktivistët e zaptuan menjëherë, duke themeluar një komitet që drejtonte veprimtarinë në të sapoçliruarin “universitet popullor”. Ditët në vijim u themeluan thuajse 400 komitete të veprimtarisë popullore në kampuse dhe lagje të ndryshme përgjatë Parisit, ndërkohë që universitetet në të gjithë vendin u zaptuan nga protestuesit.  

    Në të njëjtën kohë sindikatat, përfshirë dhe komunisten CGT, nën trysninë e lëvizjes studentore, shpallën mbështetjen e tyre për një ditë kombëtare solidariteti më 13 Maj – ku përfshihej ndalimi i përgjithshëm i punës dhe demonstratat masive në Paris – me qëllim dhënien fund të represionit shtetëror, “reformimin demokratik të sistemit arsimor” dhe “transformimin e ekonomisë nga dhe për popullin”. Atë ditë ekonomia franceze ngriu teksa më shumë se 1 milion njerëz u bashkuan me demonstratën në kryeqytet, duke kërkuar fundin e regjimit të De Gaulle-it me parullën “10 vite janë boll!”/Teza11/

    Vijon

    Lajmi Paraprak

    Borissov: Atë që Bullgaria po i’a bën Maqedonisë së Veriut është kaos

    Lajmi i rradhës

    Amerika e ringjall gjithmonë Sali Berishën!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë