Peripecitë e hegjemonisë

    Ndonëse koncepti i hegjemonisë do ta korrte suksesin më të madh gjetiu, origjina e tij haset në debatet brenda lëvizjes revolucionare të Rusisë cariste në fillim të shekullit të njëzetë. Në këtë traditë themeluese ruse, gegemonia nisi të përdorej në një mënyrë të re për të përkufizuar marrëdhëniet politike jo ndërmjet shteteve, por brenda një shteti. Në një letër drejtuar Struves më 1900, Pavel Akselrodi e përdori këtë koncept për të vijëzuar kufirin midis opozitës specifikisht socialdemokrate dhe asaj më përgjithësisht demokratike ndaj autoritarizmit të Romanovëve. “Kam mendimin se bazuar në fuqinë e pozicionit historik të proletariatit tonë, socialdemokracia ruse mund ta fitojë hegjemoninë në luftë me absolutizmin.”[1] Një vit më vonë, duke kritikuar prirjet ekonomiste brenda lëvizjes punëtore, Plehanovi argumentonte se “partia jonë duhet të marrë iniciativën në betejën kundër absolutizmit për të fituar për socialdemokracinë ruse – pararojën e klasës punëtore ruse – hegjemoninë politike në luftën kundër carizmit”.[2] Forca e kësaj ideje gjendet në mundësinë e përmbysjes së regjimit të vjetër, objektivi i të cilës – për të cilin binin dakord të gjithë marksistët e kohës për shkak të prapambetjes ekonomiko-shoqërore të vendit – mund të ishte vetëm një revolucion borgjez që do të themelonte një republikë demokratike. Borgjezia ruse ishte shumë e dobët për ta kryer me vendosmëri këtë detyrë. Prandaj udhëheqja e luftës kundër rendit të vjetër i mbetej klasës punëtore. Hegjemonia nuk ishte një term i rastësishëm për këtë detyrë. Kjo mund të arrihej vetëm nëse ajo ia dilte të bashkonte të gjithë sektorët e shtypur të popullsisë si aleatë në drejtimin e saj.  

    Si koleg i ri i Akselrodit dhe Plehanovit më 1902, Lenini theksonte se ç’do të thoshte kjo në praktikë:

    “E kemi për detyrë t’i shpjegojmë proletariatit çdo protestë liberale e demokratike, t’i zgjerojmë dhe mbështesim ato, me pjesëmarrjen aktive të punëtorëve, qofshin konflikte midis zemstvos dhe Ministrisë së Brendshme apo midis fisnikërisë dhe regjimit policor të Kishës Ortodokse, midis statisticienëve dhe burokratëve, midis fshatarëve dhe zyrtarëve të ‘zemstvos’, midis sekteve fetare dhe policisë rurale etj. Ata që e largojnë hundën me neveri nga rëndësia e vogël e disa prej këtyre konflikteve ose nga karakteri ‘i pashpresë’ i përpjekjeve për t’i shndërruar ato në acarime të përgjithshme, nuk e kuptojnë se agjitacioni politik i gjithanshëm është një fokus në të cilin interesat vitale të edukimit politik të proletariatit përkojnë me interesat vitale të zhvillimit shoqëror në tërësi, të të gjithë popullit, domethënë të të gjithë elementëve të tij demokratikë.”

    Çdo indiferencë e tillë, paralajmëronte ai, do “t’ua linte drejtimin liberalëve, do t’u dorëzonte atyre edukimin e punëtorëve dhe do t’u falte hegjemoninë.”[3] Ky ishte vizioni që përshkonte veprën “Ç’të bëjmë?”, e cila u botua më vonë gjatë atij viti, dhe bataretë e tij të para te Iskra, numri i parë i së cilës përmbante një sulm të fortë ndaj Ekspeditës së përbashkët imperialiste të Bokserëve në Kinë; numri i dytë përmbante një thirrje plot pasion për të mbështetur studentët në konflikt me qeverinë; i treti kërkesën e ‘valëvitjes së flamurit të emancipimit të fshatarësisë’. Ca muaj më vonë ia behën shprehjet e simpatisë për një çift mareshalësh disidentë brenda fisnikërisë.[4]

    Më 1904 Partia Punëtore Socialdemokrate Ruse u nda dhe krahu i saj menshevik nisi të ndërtonte pikëpamjen e vet mbi ç’kishte qenë shënjuesi i përbashkët i partisë. Njëri prej mendimtarëve të tij udhëheqës, Aleksandër Potresov, tanimë shpjegonte se forma konkrete që duhet të merrte hegjemonia e proletariatit në Rusi ishte e drejta universale e votës, vetëm e cila do të mund të bashkonte rreth vetes të gjithë elementët minimalisht demokratikë të vendit. Duke u tallur me këtë reduktim të idesë si një ‘reaktiv i paefektshëm’, që e hollonte për hir të gjetjes së emëruesit të përbashkët më të ulët, Lenini përgjigjej në vigjilje të Revolucionit të 1905 se, përkundrazi, “nga pikëpamja proletare, hegjemonia në luftë i shkon atij që lufton në mënyrë më energjike, që nuk humb asnjë mundësi për të goditur armikun”. Kur ndodhi shpërthimi revolucionar më 1905, Lenini e shndërroi në një strategji shoqërore tejet të përqendruar atë që deri atëherë kishte mbetur një agjendë e përgjithshme. Fshatarësia ishte aleati themelor që duhej të bënte për vete klasa punëtore, duke i udhëhequr forcat elementare të revoltës në fshat, tanimë në sulm të hapët, drejt një fitoreje të përbashkët ndaj carizmit. Ky do të mbeste një revolucion borgjez që nuk mund ta tejkalonte kapitalizmin, por pushtetin nuk do ta merrte një qeveri borgjezo-liberale. Në perspektivë do të ishte një ‘diktaturë demokratike e proletariatit dhe fshatarësisë’, ku oksimoroni kishte kuptimin e një regjimi politik në të cilin diktatura – sundimi përmes forcës – do të ushtrohej kundër klasave armiqësore, domethënë kundër çifligarëve dhe kapitalistëve borgjezë, ndërsa hegjemonia – sundimi bazuar te pëlqimi – do të qeveriste marrëdhëniet e klasës punëtore me klasat aleate, mbi të gjitha me fshatarësinë e cila përbënte shumicën dërrmuese të popullsisë.  

    Kur monarkia ia doli të shtypte rebelimet e viteve 1905-1907, menshevikët reaguan duke hequr dorë nga një konceptim që Petrosovi e pranonte se kishte qenë një ide origjinale e marksizmit rus dhe kishte luajtur rol pozitiv në fillim të shekullit, përpara se të shtrembërohej në mënyrë blankiste në duart e Leninit, por që tanimë i kishte kaluar koha. Aksioma e hegjemonisë së proletariatit bazohej në pretendimin se borgjezia liberale ishte e paaftë të luftonte në mënyrë revolucionare kundër absolutizmit, por roli luftarak i kadetëve kishte treguar të kundërtën. Në vend se të këmbëngulej në një pretendim tejet ambicioz të cilit i kishte kaluar koha, detyra ishte që këtej e tutje të braktisej veprimtaria ilegale dhe të ndërtohej një parti klasore e hapët, e cila nuk do t’i nënshtrohej tutelës së krahut radikal të inteligjencies.[5]

    Duke u kapur pas një fraze të Akselrodit, përgjigjja bolshevike ishte sulmi i kësaj kthese si likuidim i vetëshpallur i traditës revolucionare të Iskrës. Sipas akuzës së Kamenevit, tani Potresovi po e trajtonte idenë e hegjemonisë së klasës punëtore thjesht si një “aksident dhe zig-zag të përkohshëm në mendimin demokratik”.[6] I nxitur në reflektimin krahasimor më substancial mbi ‘larminë e gjerë të kombinimeve’ që karakterizon revolucionet e ndryshme borgjeze, Lenini i drejtohej Martovit se në Rusi nuk mund të pritej ndonjë përplasje vendimtare midis fisnikërisë së tokës dhe borgjezisë liberale, por vetëm ‘grindje të vogla’. Ta reduktoje horizontin e proletariatit në ndërtimin e një partie klasore do të thoshte të bije në ekonomizëm: të hiqje dorë nga ideja e hegjemonisë ishte ‘forma më e vrazhdë e reformizmit’. Përkundrazi, klasa punëtore duhej të këmbëngulte në edukimin politik të fshatarësisë në luftën e përbashkët kundër carizmit. Kjo qasje nuk nënkuptonte zmbrapsje nga identiteti i saj klasor pasi vetëm përmes kësaj veprimtarie punëtorët do të bëheshin vërtet klasë. Në më goditësen prej deklaratave të tij teorike mbi këtë çështje, ai deklaronte: “Nga pikëpamja marksiste, kur heq dorë nga ideja e hegjemonisë apo nuk e vlerëson atë, klasa nuk është klasë ose nuk është ende klasë, por esnaf ose shuma e të gjitha esnafeve.”[7]

    Lenini iu përmbajt kësaj pikëpamjeje gjatë viteve të reaksionit që pasuan 1907, kur nuk shihej perspektiva e suksesit, deri në vigjilje të Luftës së Parë Botërore. Me rrëzimin e papritur të carizmit më 1917 asaj i erdhi ora. Në tetor njëra prej ideve qendrore të saj u materializua, kur bolshevikët, në krye të shumicës së klasës punëtore në Petrograd e Moskë, morën pushtetin nga Qeveria Provizore, duke e shtypur me forcë pushtetin e çifligarëve dhe kapitalistëve dhe e bashkuan fshatarësinë me kauzën e tyre përmes pëlqimit, duke përdorur parullën kyçe: Paqe Tokë Bukë! Po ndryshe nga një tjetër doktrinë e tij, revolucioni që po shpalosej nuk ishte borgjez dhe i kaloi caqet e kapitalizmit. Këtu mbizotëroi parashikimi i Trockit për kalimin e drejtpërdrejtë në socializëm.[8] Shtetin e ri sovjetik nuk e përkufizonte hegjemonia, por diktatura e proletariatit, sipas konceptimit të Marksit. Me vendosjen e saj, formula tradicionale nuk shfaqet më në shkrimet e Leninit. Ngjarjet e kishin tejkaluar atë.

    II

    Në fillim të viteve 1920, pas fitores së luftës civile dhe daljes së termit nga aktualiteti në Rusi, koncepti bolshevik i hegjemonisë u ndërkombëtarizua në dokumentet themelore të Kominternit, si udhëzim drejtuar partive jashtë BRSS. Në këtë kontekst i bëri mjaft përshtypje Gramsci-t si udhëheqës i ri i komunizmit italian, të cilin partia e tij e kishte dërguar për njëfarë periudhe në Moskë. Sidoqoftë kur u kthye në Romë, në Itali nuk kishte triumfuar revolucioni socialist, por kundërrevolucioni fashist. I arrestuar nga Mussolini, Gramsci e kaloi në burg pjesën tjetër të jetës aktive. Në muajt e fundit përpara burgosjes, duke hequr një paralele të dukshme me Rusinë, ai e vendosi ‘hegjemoninë’ e proletariatit si qëllimin strategjik të partisë italiane për fitimin e shumicës së fshatarësisë në kauzën e klasës punëtore. Në burg ai iu kthye herë pas here idesë së hegjemonisë, por në formë heuristike dhe me një fushëpamje intelektuale që e transformonte atë në një koncept mjaft më qendror nga ç’kishte qenë në debatet ruse, duke i dhënë për herë të parë këtij termi një lloj teorie sistematike.  

    Në Rusi ai kishte shënjuar rolin e klasës punëtore në një revolucion borgjez kundër absolutizmit, të cilin borgjezia ishte e paaftë ta realizonte. Sidoqoftë në Evropën perëndimore agjenti dhe procesi nuk ishin të ndarë, por kishin përkuar me njëri-tjetrin: borgjezitë i kishin kryer revolucionet e tyre dhe sundonin shtetet kapitaliste që kishin lindur prej tyre. Ku mbetej kësisoj logjika e idesë? Përgjigja e Gramsci-t – lëvizja e tij vendimtare – ishte ta përgjithësonte atë përtej strategjisë së klasës punëtore, për të karakterizuar format e qëndrueshme të sundimit nga çdo klasë shoqërore: në rastin e parë dhe më të njohur, klasat pronare, si çifligarët dhe industrialistët, kundër të cilave ishte farkëtuar në zanafillë koncepti në Rusi. Kësisoj në shfaqjen e parë të hegjemonisë në “Fletoret e burgut”, Gramsci i kushtoi vend parësor Partisë së Moderuar Piemonteze të Cavour-it në Italinë e Rimëkëmbjes. Ky koalicion çifligarësh tregtarë dhe manifakturuesish, komentonte ai, e kishte mbisunduar dhe kontrolluar procesin e bashkimit të Italisë në shekullin e nëntëmbëdhjetë, duke mënjanuar Partinë më radikale të Aksionit të Mazzini-t dhe ndjekësve të tij mikroborgjezë, si dhe kishte përjashtuar me vendosmëri çdo formë vërtet popullore – fshatarë e punëtorë – të shprehjes politike.

    Në këtë shtrirje sociologjike, Gramsci e ndryshoi në mënyrë të pashmangshme domethënien e termit rus. Pasi qartazi sundimi kapitalist që vendosën Cavour-i dhe pasardhësit e tij në Itali përfshinte dhunën – me intensitet të lartë, si në rastin e shumë masakrave ushtarake dhe policore – por edhe pëlqimin.[9] Ky ishte njëri prej modifikimeve. Tjetri, jo më pak domethënës, u nënvizua nga krahasimi i Gramsci-t midis Rimëkëmbjes dhe Revolucionit Francez. Në Francë jakobinët e kishin zgjidhur çështjen agrare, ndërkohë që të Moderuarit nuk ia kishin dalë, dhe duke drejtuar shpërndarjen e tokës te fshatarët dhe bashkuar kombin kundër pushtuesve të huaj, kishin hedhur themelet e një forme më organike të hegjemonisë borgjezë ne epokën pasuese, e aftë për t’u mbijetuar pasgoditjeve të revolucionit origjinar gjatë shekullit të nëntëmbëdhjetë. Sipas tij, në Francë “ushtrimi ‘normal’ i hegjemonisë në terrenin tanimë klasik të regjimit parlamentar karakterizohej nga një kombinim i forcës dhe pëlqimit që e drejtpeshonin njëra-tjetrën, në mënyrë të tillë që forca nuk e vinte për fund pëlqimin, por dukej se mbështetej në pëlqimin e shumicës, siç shprehej nga të ashtuquajturat organe të opinionit.”[10]

    Kjo nxori në pah një tjetër lloj pëlqimi nga ç’diskutohej në debatet ruse: jo aderimin e aleatëve në një kauzë të përbashkët, por nënshtrimin e kundërshtarëve në një rend armiqësor me ta. Te “Fletoret…” hegjemonia fitonte kësisoj dy zgjerime kuptimi në tension me njëra-tjetrën. Tashmë përfshinte edhe marrjen e pëlqimit të të sunduarve nga sunduesit, edhe ushtrimin e shtrëngimit për të siguruar sundimin e tyre. Siç bëhet e qartë nga formulimet fillestare të tij, qëllimi i Gramsci-t ishte ndërlidhja e tyre. Mirëpo shënimet e tij në burg nuk ishin të përfunduara dhe kohezive, por fragmentare dhe në hulumtim e sipër, çka prodhonte luhatje dhe mungesa konsistence në shprehje. Në shumë syresh hegjemonia nuk përfshin përdorimin e forcës, por i kundërvihej asaj, në përputhje me burimet ruse të mendimit të tij.[11] Nga pikëpamja sasiore mbizotëronte forca. Kishte arsye të kuptueshme për të. Asnjë komunist i brezit të Gramsci-t nuk kishte nevojë të përsëriste, në shkrime për veten apo për ata që e rrethonin, se në Perëndim kapitalizmi mbështetej jo vetëm në një makineri përfaqësimi, po edhe shtypjeje. Çka duhej shpjeguar ishin mënyrat përmes të cilave, ndryshe nga rasti rus, një rend shfrytëzues ishte i aftë të siguronte pëlqimin moral të të mbisunduarve për çka pësonin. Ky mbisundim ideologjik, argumentonte Gramsci, duhet të propozojë një sërë përshkrimesh të botës, si dhe vlerat që i mbivendosen, të cilat përbrendësohen në një shkallë të gjerë nga ata që ka nën vete.

    Si sigurohej kjo? Ai mendonte se me rëndësi vendimtare ishin dy tipare të shoqërive evropiano-perëndimore që nuk gjendeshin në carizëm. I pari ishte roli i shtresës intelektuale të hershme dhe të mirëpajisur kulturalisht në zhvillimin dhe përhapjen e ideve të rendit sundues drejt klasave të nënrenditura. Këta ishin mirëfilli mundësuesit e hegjemonisë dhe në trajtimin e tyre ai përdori gjithë inteligjencën krahasimore: parësisht në Evropë – Britani, Gjermani, Francë apo Itali – por edhe në Amerikën e Veriut e të Jugut, Indi, Kinë e Japoni (e tillë ishte gjerësia e kureshtjes së tij). Dallimi i dytë qëndronte në dendësinë e shoqatave vullnetare në shoqërinë civile: gazeta, revista, shkolla, klube, parti, kisha, të cilat përftonin në një mënyrë ose një tjetër botëkuptimin e kapitalit. Në mënyrë të nënkuptuar, për shkak të mposhtjes së valës revolucionare në Evropën qendrore pas Luftës së Parë Botërore, në Evropën perëndimore nuk dukej mundësia e marrjes së shtetit me mësymje. Kësisoj komunistët duhet të përqendroheshin së pari në detyrën e goditjes së mbërthimit ideologjik të masave nga kapitali në këtë arenë, ku ata mund të luftonin për hegjemoninë e klasës punëtore siç kuptohej më herët, por në një terren mjaft më kompleks dhe sfidues.

    Nëpër rreshta gjendet arsyeja e dytë e trajtimit të kësaj teme nga Gramsci. Ai kishte këmbëngulur që nga fillimi, që në shfaqjen e parë të termit, se: “Një klasë mund (dhe duhet) të ‘udhëheqë’ përpara se të marrë pushtetin; kur vjen në pushtet, ajo bëhet mbisunduese, por gjithashtu vazhdon të ‘udhëheqë’.” Lenini i kishte udhëhequr bolshevikët drejt fitores më 1917, kur fshatarësia e transheve dhe fshatrave e kishte braktisur Qeverinë Provizore për hir të programit të ofruar nga partia e punëtorëve. Diktatura e proletariatit ishte konsoliduar përmes një lufte civile të egër. Po pas këtij provimi dhune, çfarë do të bëhej me aleancën që kishte bërë të mundur Revolucionin e Tetorit apo me partinë që kishte qenë arkitektja e tij? Në një letër drejtuar Togliatti-t në Moskë pak përpara se ta arrestonin, Gramsci kishte shfaqur mospajtimin e tij të fortë me shtypjen e opozitës së majtë në BRSS, çka kishte shënuar fillimin e autokracisë së Stalinit, dhe shënimet në burg tregojnë frikën e tij se regjimi sovjetik po shkonte në një drejtim represiv që do ta rrezikonte pëlqimin popullor në vend se ta zgjeronte atë, siç kishte përfytyruar Lenini me thirrjen e tij për një ‘revolucion kulturor’ të bazuar në përhapjen e kooperativave në fshat – të cilat ishin e kundërta e kolektivizimit të dhunshëm që do ta shkatërronte fshatarësinë në fund të viteve 1920, duke i dhënë fund çdo ideje të ‘hegjemonisë së proletariatit’. Interesi i hapët i Gramsci-t me elementët specifikë të Perëndimit u la në hije nga ankthi i pashprehur me zhvillimet në Lindje.

    Çështjet e pëlqimit ishin në qendër të të dyjave, duke i kthyer shënimet e tij mbi hegjemoninë drejt fushës kuptimore klasike. Po ai mbeti një revolucionar i Internacionales së Tretë dhe, përtej rrugëve pa krye të kohës, nuk hoqi dorë kurrë nga besimi se për një kuptim më të thelluar të hegjemonisë, shtrëngimi nuk mund të ndahej nga pëlqimi apo epërsia kulturore nga kapaciteti represiv. Shkrimet e tij përshkohen nga terma me origjinë ushtarake – ‘luftë pozicionesh’, ‘luftë lëvizjeje’, ‘luftë nën tokë’ – të cilat duhen marrë edhe metaforikisht, edhe fjalë për fjalë. Sipas tij, “çdo luftë politike ka gjithnjë një nënshtrat ushtarak”.[12] Hegjemonia ishte polivalente: e pamendueshme pa pranimin, e papraktikueshme pa forcën. Në Perëndim asnjëra prej tyre nuk ishte a arritshme nga lëvizja në të cilën bënte pjesë kur vdiq në Romë në prill 1937.

    E përktheu Arlind Qori

    Marrë nga libri i autorit “The H-Word: The Peripeteia of Hegemony”

    Imazhi: Revista de Frente


    [1] Perepiska G. V. Plekhanova i P. B. Aksel’roda. Moscow 1925, pp. 141–2.

    [2] Eshchyo raz sotsializm i politicheskaya borba’, Sochineniya, Vol. XII, Moskë, 1923, ff. 101–2, tekst i cili doli për herë të parë te Zarya, botim i përmuajshëm simotër i Iskrës, në prill 1901. Midis letrës së Akselrodit dhe artikullit të Plehanovit duhet të jenë zhvilluar diskutime intensive mbi këtë koncept në rrethet e vogla marksiste të kohës, përderisa Lenini – që ankohej se mënyra si po shkonin negociatat me Struven mbi botimin e përbashkët rrezikonte t’i jepnin përparësi këtij të fundit – mund t’i shkruante Plehanovit tre muaj më vonë, në janar 1901: “A mos ‘hegjemonia’ e famshme e socialdemokracisë do të rezultojë hipokrizi në rrethanat aktuale?!” Collected Works, Vol. 34, f. 56.

    [3] Political Agitation and “The Class Point of Vieë” ’, Collected Works, Moscow 1972, Vol. V, f. 341.

    [4] Shih: “Lufta në Kinë” – ‘Gazetarët që zvarriten me bark përpara qeverisë dhe pasunarëve po përdorin çdo nerv për të nxitur urrejtjen e popullit ndaj Kinës. Por populli kinez nuk e ka shtypur asnjëherë dhe në asnjë formë popullin rus. Populli kinez vuan nga të njëjtat të këqija si populli rus – ata vuajnë nga një qeveri aziatike që përthith taksa nga fshatarësia e uritur dhe shtyp çdo aspiratë lirie me forcë ushtarake’; “Rekrutimi i 183 studentëve në ushtri” – ‘Punëtori indiferent ndaj faktit që qeveria dërgon trupa ushtarake kundër rinisë studentore, nuk është i denjë për emrin e socialistit. Studentët u kanë ardhur në ndihmë punëtorëve – punëtorët duhet t’u vijnë në ndihmë studentëve’; “Partia e punëtorëve dhe fshatarësia” – ‘Të shpalosim flamurin e emancipimit të fshatarësisë ruse nga të gjitha mbeturinat e bujkrobërisë së turpshme’; “Dy fjalime nga mareshalët e fisnikërisë” – ‘Duke u dhënë lamtumirën dy mareshalëve të fisnikërisë, ne u themi: Au revoir zotërinj, aleatë tanë të së nesërmes!’: Collected Works, Vol. 4, pp. 377, 418, 428; Vol. V, f. 301.

    [5] Deklarata kryesore e kësaj pikëpamjeje erdhi në një koleksion 700-faqësh, Obshchestvenno dvizhenie v Rossii v nachale XX-go veka, të edituar nga Martovi, Maslovi dhe Potresovi në Shën Pjetërburg, në të cilin eseja e gjatë e Potresovit ‘Evoliutsia obshchetvenno-politicheskoi mysli v predrevolutionnuyu epokhu’, ff. 538–639, përbënte pièce de résistance-n.

    [6] Likvidatsiya Gegemonii Proletariata v Menshevistskoi Istorii Russkoi Revoliutsii, Kharkov 1925, rishtypur dy artikuj nga shtator-tetori 1909: f. 12

    [7] Collected Works, Vol. 17, ff. 413, 415, 233, 417, 57.

    [8] Siç do ta vinte në dukje vetë kur nuk binte dakord me perspektivën bolshevike pas 1905, “hegjemonia e proletariatit në revolucionin demokratik dallohej fort nga diktatura e proletariatit dhe ishte në kontrast të fortë me të”: The History of the Russian Revolution, New York 1936, Vol. I, f. 315. Pas vdekjes së Leninit, Stalini do ta përdorte termin hegjemoni më 1927 për të sulmuar Trockin (dhe Zinovievin e Kamenevin që iu bashkuan) për shkak të injorimit të rëndësisë së fshatarësisë në marrjen dhe mbajtjen e pushtetit në Rusi: “Mëkati kryesor i trockizmit është se nuk kupton dhe, në thelb, refuzon të pranojë idenë leniniste të hegjemonisë së proletariatit në çështjen e vendosjes dhe konsolidimit të diktaturës së proletariatit, në çështjen e ndërtimit të socializmit në vende të ndryshme.” Collected Works, Vol. 9, p. 49; Vol. 10, ff. 77–8. Përdorimi i këtij koncepti nga ana e Stalinit ishte tërësisht i anshëm: në veprën “Themelet e leninizmit”, të hartuar më 1924 përpara se të niste spastrimin e çdo opozite ndaj tij, ai kishte shkruar (Vol. 6, f. 131): “Hegjemonia e proletariatit ishte embrioni [zarodysh] dhe faza tranzitore e diktaturës së proletariatit” – domethënë kishte luajtur një rol parapërgatitor në strategjinë bolshevike drejt pushtetit, i cili ishte tejkaluar. Sa për nevojën e vazhdueshme të aleancës me fshatarësinë pas marrjes së pushtetit, me demek e hedhur poshtë nga Opozita e Majtë, brenda një viti nga ky fabrikim Stalini nisi një luftë totale ndaj fshatarësisë me kolektivizimin e detyrueshëm.

    [9] Crispi, i cili kishte marrë pjesë në ekspeditën e Garibaldi-t në Sicili, u bë ‘njeriu i duhur i borgjezisë së re’, kur erdhi në pushtet dy dekada më vonë: për të siguruar unitetin e shtetit, pa zgjidhur çështjen e tokës, ‘ai përdori një kulverinë të vjetër si të ishte artileri moderne’. Quaderni del Carcere, Turin 1975, Vol. I, f. 45.

    [10]Quaderni, I, f. 59.

    [11] Sigurisht që këtu vepronin edhe ndikimet italiane. Centauri i Machiavelli-t, gjysmë kafshë e gjysmë njeri, kishte simbolizuar dy perspektivat që i duheshin politikës, ‘forcën dhe pëlqimin, autoritetin dhe hegjemoninë, dhunën dhe civilizimin’, ndërkohë që Croce-ja kishte dalluar “atë që në politikë quhet ‘hegjemoni’, momentin e pëlqimit apo të drejtimit kulturor” nga “momenti i forcës, i shtrëngimit, të legjislativit shtetëror apo ndërhyrjes policore”. Quaderni, Vol. III, p. 1576; Lettere dal Carcere, Turin 1965, f. 616. ‘Shteti (në kuptimin e vet integral) është diktaturë + hegjemoni.”: Quaderni, II, ff. 810–11.

    [12] Quaderni, Vol. I, ff. 122–3, ku ai vëzhgon luftërat antikoloniale kundër sundimit britanik në Indi dhe Irlandë, nga bojkotet dhe grevat te sulmet e armatosura dhe lufta guerile. Për një diskutim të gjerë të këtyre dimensioneve strategjike të mendimit të tij, shih: “The Antinomies of Antonio Gramsci”, London-New York 2017, passim./Teza11/

    Lajmi Paraprak

    Dhjetë kështjellat më përrallore në botë (FOTO)

    Lajmi i rradhës

    Ç’mund të bëhet për pabarazinë?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë