Serbia, Rusia dhe mësimet nga historia

    Dante Alighieri shkroi dikur: “Vendet më të errëta në Ferr janë të rezervuara për ata që ruajnë neutralitetin e tyre në kohërat e krizave morale”. Dhe paralelja midis viteve 1948 dhe 2023 nuk është e rastësishme

    Nga Orhan Dragas
    “Kyiv Post”

    75 vjet më parë kabineti i presidentit të atëhershëm të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, Josip Broz Tito, ziente nga debatet. Po diskutohej mbi mënyrën se si të reagohej ndaj Vëllait të Madh nga Moska në rast se ai do të bëntë një lëvizje agresive ndaj Beogradit.

    Gjeneralët dhe oficerët e sigurimit e informonin ndoshta çdo ditë marshallin Tito mbi rreziqet e mundshme të një pushtimi sovjetik në kufijtë lindorë dhe veriorë të vendit. Agjentët e shërbimeve të sigurisë KOS dhe UDBA, vëzhgonin me kujdes sjelljen e mijëra “tradhtarëve” që mezi prisnin ardhjen e Ushtrisë së Kuqe në Jugosllavi dhe përmbysjen e revizionistëve.

    Pas pak muajsh, do të përkujtohet 75 vjetori i rezolutës së Informbyro dhe ndarjes së madhe Tito-Stalin. Ne duhet ta rikujtojmë me krenari atë kohë dhe vendimmarrjen e Jugosllavisë dhe të udhëheqësit të saj, si dhe të reflektojmë mbi mësimet e nxjerra. Rezistenca e asaj kohe përcaktoi rrugën e Jugosllavisë së pasluftës.

    Vendimi i Titos nënkuptonte se Jugosllavia kishte vendosur që nuk donte të ishte republika sovjetike e radhës, ngjashëm me shumicën e vendeve të Evropës Lindore. Ai zgjodhi vlerat dhe jo anën ideologjike. Ai zgjodhi një të ardhme të qëndrueshme, dhe jo një aleancë afatshkurtër.

    Vendimi i tij nuk u bazua tek frika, por mbi besimin se çdo komb e ka forcën dhe guximin për të marrë një vendim që e prek atë vetë. Sado e rrezikshme që mund të bëhet një analogji historike me vitin 1948, ndonjëherë duhet të guxojmë të mësojmë nga momente të vështira të historisë sonë.

    Sot Serbia gjendet nën presion për të bërë një zgjedhje, e cila nuk është sekrete. S’ka nevojë të thuhet se ka shumë nga ata që kërkojnë që Serbia të mos bëjë një zgjedhje dhe që të mbetet “diku në mes”. Pas çdo kërkese të tillë, fshihet një inkurajim pak a shumë i hapur për të përqafuar Rusinë si aleaten kryesore apo edhe të vetmen aleate të madhe, dhe për t’i kthyer shpinën Perëndimit.

    Një “pavendosmëri” e tillë është vetëm një maskim tinëzar i nënshtrimit ndaj Moskës, e cila është e ngjashme me “Kolonën e Pestë’ të vitit 1948. Ajo diktohet nga besimi se Perëndimi (BE, SHBA, NATO etj.) dëshiron një lloj shkatërrimi i Serbisë.

    Në fakt ajo përfaqëson kënaqjen e forcave më shkatërruese të shoqërisë serbe, të cilat duan ruajtjen e nacionalizmit, një ekonomi të centralizuar e të korruptuar, dembelizmin e kështu me radhë, në krahasim me reformat, konkurrencën e hapur, thirrjet për punë të palodhur dhe për një progres të ngjashëm me Perëndimin.

    Ashtu si Jugosllavia shtatë dekada e gjysmë më parë, Serbia sot nuk zgjedh midis Rusisë dhe Perëndimit. Ajo zgjedh midis dy sisteme vlerash në shkallë globale. Ajo zgjedh midis një shoqërie të hapur dhe një ekonomie konkurruese nga njëra anë, dhe një interneti të censuruar dhe një bashkëfajësie të manjatëve me regjimin autokratik.

    Ajo zgjedh midis agresionit kundër një vendi fqinj me qëllim pushtimin dhe aneksimin e tij dhe mbrojtjes së lirinë dhe të drejtës e njerëzve për të përcaktuar vetë rrugën e tyre. Të dy sistemet e vlerave janë nën mbrojtjen e fuqive të mëdha ushtarake, ekonomike dhe politike. Por po kështu ishte edhe në vitin 1948, dhe vendimi u mor. Dhe rezultoi të ishte i mirë. Në atë kohë Bashkimi Sovjetik ishte dukshëm më i fortë se sa rrënojat e sotme të Federatës Ruse. Ishte një vendim i vështirë për ata që e morën, por ishte i mirë për njerëzit dhe vendin. Ndonjëherë historia mund të jetë këshilltarja më e mirë. Sot, pyetja themelore është nëse pavendosmëria është një vendim i qëndrueshëm në planin afatgjatë. Përgjigja është e thjeshtë: Pavendosmëria është vetëm një dobësi që nuk përmban asnjë substancë, dhe në ditët e sotme është më shumë një lajthitje boshe sesa një ideologji politike.

    Vendet më të forta se i yni nuk janë të pavendosur; madje as ata që janë ndër më të fortët. Pavendosmëria nuk është një virtyt politik. Ajo është një frazë e sforcuar, plot hipokrizi dhe burracakëri, e cila u duket si një pozicion i lehtë vetëm vendeve pa përvojë.

    Sot, pavendosmëria nuk i referohet aleancave ushtarake (edhe pse ka vetëm një të tillë), por sistemeve të vlerave të ngjashme me ato të identifikuara në fillim të këtij shkrimi. Unë i referohem cilësisë së jetës, arsimit, pagave, pensioneve, ekonomisë dhe të ardhmes. Duke marrë parasysh të gjitha këto, një politikan i përgjegjshëm nuk mund dhe nuk duhet të jetë i pavendosur.

    Dhe së fundmi, le ta shohim njëri-tjetrin në sy. A duam që të jemi si Rusia? Të kemi një ekonomi si ajo e Rusisë, një sistem të atillë politik, atë cilësi jete. A duam të mbështesim pushtimin e saj në Ukrainën e pavarur, të mbështesim shkatërrimin e qyteteve, vrasjen e civilëve dhe zhvendosjen e miliona familjeve?

    Është legjitime dhe e lehtë të refuzosh të gjitha vlerat e qytetërimit perëndimor dhe ta përqafosh Rusinë e presidentit Vladimir Putin. Në rregull, edhe ky është një vendim. Po atëherë pse duhet të mbetemi të pavendosur nëse “Nëna Rusi” është vërtet mikja jonë e vetme dhe gjithçka që na nevojitet?

    Atëherë ne nuk po tregohemi të drejtë me veten apo me Rusinë. Nëse gjithçka është ashtu siç pretendojnë rusofilët tanë, dhe nëse histeria pro-Putinit në Serbi (e cila është më e fortë dhe më e zhurmshme se në Rusi) është qëndrimi i shumicës së qytetarëve, atëherë kjo dilemë e rreme nuk ekziston.

    Atëherë Serbia nuk duhet të jetë e pavendosur. Ajo duhet të qëndrojë qartazi dhe e vendosur në krah Rusinë, duke mbrojtur interesat e Putinit dhe Rusisë. Prandaj, nuk ka nevojë që të flirtojmë me Perëndimin dhe Amerikën e “keqe” apo Britaninë, agjenda kryesore e të cilave (çdo mëngjes sapo nisin punën) është se si ta shkatërrojnë Serbinë dhe popullin serb.

    Është e pakuptueshme pse do të donim të hynim në një familje vlerash siç është BE-ja me vende anëtare që janë “armiqtë” tanë. Pra, ky është në thelb një vendim i lehtë për udhëheqjen tonë. Refuzojeni Perëndimin hipokrit dhe bëhuni përfundimisht dhe formalisht një Rusi e vogël në Ballkan. Çdo gjë është më e mirë sesa pavendosmëria.

    Dante Alighieri shkroi dikur: “Vendet më të errëta në Ferr janë të rezervuara për ata që ruajnë neutralitetin e tyre në kohërat e krizave morale”. Dhe paralelja midis viteve 1948 dhe 2023 nuk është e rastësishme.

    Shënim:Dr.Orhan Dragaš, ekspert serb për sigurinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Është themelues dhe drejtor i Institutit Ndërkombëtar të Sigurisë, me seli në Beograd.

    Lajmi Paraprak

    Deri tani e ka shmangur më të keqen, si po ia del të mbijetojë ekonomia e Ukrainës?

    Lajmi i rradhës

    Vetmia e tiranit | Si e humbin diktatorët kontaktin me realitetin

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë