Liria, autoriteti dhe polariteti i natyrës njerëzore

    GËZIM TUSHI

    Patologjitë e shumta që kanë përfshirë jetën tonë individuale, por edhe realitetet e rrethanat sociale janë duke u bërë gjithnjë e më shumë shqetësuese e të agravuara. Siuata dhe analiza e komplekse e shfaqjeve të rënduara të egoizmit, dhunës, asocialitetit, krimit tregojnë se niveli social i tyre është deri në kufijtë e sipërm të “anomisë sociale”.

    Ajo ka shumë shkaqe me natyrë historike, ekonomike, politike por edhe faktorë moralë shtesë, të lidhura me konceptimet banale të modernitetit, keqkuptimit, keqtrajtimit dhe keqpërdorimit të hapësirave legale të lirisë individuale e sociale në zgjerim, kuptimet sempliste të të drejtës së njeriut për të patur vullnet dhe sjellje të lire, etj.. E keqja nuk është vetëm këtu.

    Problemi është se tashmë shoqëria shqiptare, ka filluar të inondohet nga prania në rritje e njerëzve arrivistë e asocialë, të cilët mbivlerësojnë në mënyrë të njëanshme të drejtat dhe liritë e tyre (shpesh të deformuara në aspektin konceptual, mënyrat e shfaqjes dhe ndërtimit të sjelljes empirike) duke mos vlerësuar anën tjetër të lirisë dhe funksionimit të ekuacionit social, që ka gjithashtu të nevojshme, të domosdoshme pranimin pa kushte dhe njohjen e imperativit kategorik të respektimit të natyrshëm të “autoritetit social”.

    Pyetja që duhet shtruar është: A e kanë njerëzit tanë botkuptimin e duhur për ekzistencën ultimative të këtij ekuacioni, dhe për vlerën e respektimit human të dimensionit që bashkon vullnetin e lirë të individit me nevojën e respektimit të institucioneve të “autoritetit social”? Ka një debat të gjërë filozofik dhe sociologjik për këtë situatë dhe kohën e shfaqjes së kësaj anomalie të zgjerimit të lirive pa kusht të individit duke nëpërkëmbur institucionet e autoritetit social. Ish- presidenti francez Nikola Sarkozy, mendon se kufirii i shfaqjes së kësaj patologjie është i lidhur me “Lëvizjen studentore” në Francë në ngjarjet e bujshme të majit 1968, në të cilat sipas tij fillo goditja në shkallë të gjërë kundër institucioneve sociale dhe të sigurimit moral sikurse janë familja, shkolla dhe autoriteti i shtetit. Një problem i diskutueshëm i natyrës së zhvillimeve të jetës postmoderne.

    Por le t’i kthehemi kontekstualitetit tonë. Ngjarjet e kohëve të fundit, shfaqjet brutale të dhunës fizike, psikologjike e seksuale, nivelet e larta të krimit në familje për shkaqe banale apo serioze, tonet e ngritura dhe të ekzagjeruara të neurotizmit social, shfaqjet e bujshme të ekzisbicioneve në rrugë e ambiente publike, të gjitha të mara së bashku vërtetojnë një të vërtetë të hidhur, që sipas mendimit tim është shkaku themelor që shpjegon dhe argumenton këtë situatë sociale kaotike e neurotike, thelbi të cilit është moskuptimi apo keqkuptimi midis mbivlerësimit të “vullnetit të lire” të individit dhe shmangies së autoritetit si përgjegjësi morale dhe detyrim komplementar i jetës së përbashkët sociale.

    E thënë akoma më shkoqur, situata në shoqërinë tonë është e tillë, dhe me sa duket vazhdon të përkeqësohet, nga që është krijuar një atmosferë e përgjithshme sociale bazuar në shumë raste shfaqjen e sjelljeve tipike të “njeriut të lirë dhe kaotik”, që e vendos veten në një pozitë të paqartë madje anarkike midis mbivlerësimit të autonomisë dhe nëvlerësimit të institucioneve të autoritetit moral, social e shtetëror. Për fat të keq, mbivlerësimi i autonomisë individuale, është shkaku që disa njerëz mendojnë se liria dhe autonomia, është një e drejtë e pakufizuar, që të lejon të kalosh “kufirin” dhe të prishës e të shkelësh me këmbë rregullat sociale. Nuk është normale jeta e sotme e shoqërisë tonë, përdrerisa po rritet pesha demografike e njerëzve me koncepte eksentrike e sjellje jo humane, që lirinë dhe vullnetin individual e konceptojnë në mënyrë sempliste, si atribut ekskluziv së tij jetës private, pa llogaritur normat morale e determinantët social që janë jashtë tij.

    Kjo është arsyeja pse sociologu i shquar I. Berlin, arrin në konkluzionin se nuk është e lehtë që njeriu postmodern të gjej raportin e duhur e optimal, midis zgjedhjes së lirë dhe moralitetit. Padyshim, nuk është e lehtë beteja, sidomos në kushtet e sotme kur roli, pesha dhe ndikimi i autoritetit dhe institucioneve të jetës shtetërore e sociale, nuk është në nivelin e duhur. Kjo do të thotë që duhet të punojmë për të krijuar konceptin e drejtë tek njerëzit tanë kudo në famile, shkollë, komunitet, për të bërë t’i bërë ata të ndërgjegjshëm, se liri nuk do të thotë të prishësh rregullat sociale. Është e vërtetë që në demokraci të jesh qytetar, do të thotë së pari të jetosh lirshëm. Por kjo tezë me vlerë universale të padyshimtë, është duke u shpërdoruar në jetën tonë të përditshme.

    Për shkaqe që dihen, sikurse janë kaotizmi ideologjik e moral, konceptimi semplist i lirisë dhe të drejtave të njeriut gjatë tranzicionit tonë, shumë të zgjatur atipik, këto raporte thelbësore u shoqëruan me deformime, veprime anarkike e me peshë sociale penguese për konceptimin e drejtë. Të mërzitur nga “kafazi” gjysëm shekullor totalitarist dhe shpresa për të rindërtuar një shoqëri demokratike, kjo gjëndje me paqartësi endemike dhe koncepte sempliste, u shoqërua nga ideja fillestare e konceptit të njeriut të lirë, si njeri i shkëputur nga shoqëria dhe institucionet e autoritetit social, nga konvencionet kulturore e “korseja saj morale” e normave të pranuara të saj. Shumë anomali të sjelljes sociale dhe koncepteve të ndërtimit të raporteve të deformuara midis lirisë individuale, dhe peshës së institucioneve të përbashkëta të autoritetit social, erdhën nga që në mënyrë “revolucionare” shoqëria u përfshi nga entuziazmi i përbashkët për liri të vërtetë individuale dhe braktisen e menjëhershme maskës totalitare të “dialektikës së shoqërisë kolektive”.

    Por kjo u shoqërua me qëndrime eksentrike, kontestatore, arriviste, subjektiviste, anormale e anarkike u bënë “bazamenti konceptual”, që sollën si pasojë, nga njëra anë dhe në mënyrë të vërtetë liri dhe autonomi më të madhe morale dhe shpirtërore, por në të njëjtën kohë, një prishje të relacioneve sociale të njeriut që më shumë u ekspozuar para vetes dhe shoqërisë si “qënie biologjike” me kërkesa ultimative e të paduruara në raport me shoqërinë. Shëmbja e idoleve të dikurshme, morale dhe ekzistenciale, bashkë me sistemin e vjetër të institucioneve klasike të autoritetit social, kanë krijuar një “rrëmujë sociale”, vlerash, besimesh dhe simbolesh, që pengojnë njeriun tonë që të orientohet, për të dalluar, atë që është e trasgëguar dhe që vlen, nga ajo që duhet flakur si e padobishme.

    Sasia e veprime abuzive, destruktive, të dhunshme e kriminale, janë tregues të qartë të ardhjes në shoqërinë shqiptare të njeriut që mendon për vete, pa llogaritur të tjerët dhe nevojën e përshtatjes me sistemin e vlerave dhe determinantët e përbashkët të jetës sociale. Njerëzit që e ndërtojnë jetën të bazuar vetëm në unin e tyre të “kulluar”, apo e mbushin vetëm me anomali sociale, sjellje e pasione të pakontrolluara, janë jo vetëm në zgjerim patologjik, por po tentojnë për t’u bërë shtresë evidente dhe fenomen social bezdisës për shoqërinë tonë.

    Për pasojë gjithnjë e më shumë, ajo po përballet ekzistencialisht ashpër njerëz që shfaqen me devijime të rrezikshme kriminale, mungesë të vetpërmbajtjes urbane, duke neglizhuar nevojën e shfaqjes së domosdoshme të pjekurisë qytetare dhe racionalitet human. Bashkuar këto devijanca edhe me anomali të njerëzve që jetojnë në terrene me frymëzime utopike, pritshmëri sociale të tepërta e jo realiste, shoqëruar me përdorimin e zgjeruar të përdorimit të lëndëve psikotrope.

    Të gjitha këto sjellje individuale, dukuri sociale e pamje të përditshme të jetës urbane, i kanë detyruar sociologët të flasin për ekzistencën e një “epokën e hipermodernitetit”, e cila në shumë aspekte po shfaqet e shëmtuar”, me të cilën pjesa e shëndoshë e shoqërisë po përballet në mënyrën më të ashpër të mundshme me pjesën e njerëzve që shpërdorojnë lirinë sociale dhe kanë ulur në kuta kritike reduktimin, madje asgjësimin e përgjegjësisë personale si qytetarë.

    Situata në të cilën ndodhemi, problemet sociale që ndeshim dhe patologjitë të pranishme, me intensitet përtej konceptimit literal si “metaforë mjekësore”, janë të lidhura ekzistencialisht dhe në mënyrë thelbësore me procesin kontekstual të kalimit të shoqërisë nga nga totalitarizmi në demokraci dhe individit nga “qënie doktrinarisht e bindur” në “hapësirën e lirisë. Në këto kushte, është imperative të kuptojmë se koha që jetojmë, bashkë me problemet e shumta me të cilat është inonduar jeta jonë e përditshme sociale dhe individuale, kërkojnë një optikë dhe vlerësim të ri të shkaqeve ontologjike, fenomenologjisë së ndryshuar, mënyrës së shfaqjes së të anomalive të shumta me të cilat po përballemi dhe që duhen përballuar.

    Kjo do të thotë se na duhet një angazhim i gjërë i forcave intelektuale e profesionale, i institucioneve të edukimit dhe formimit, por edhe atyre të autoritetit social (familje, shkollë, shoqëri, të ligjit). Ndërkaq, duhet të jemi të vërtetë, të pranojmë dhe njohim realitetet, zhvillimet sociale kaotike, prirjet kontroversale të pranishme në jetën tonë, të cilat shfaqen me ndikim të thellë në “binomin” ekzistencial dhe social, si parakusht për konceptimin e drejtë dhe ndërtimin konstruktiv të marrëdhënieve individ-shoqëri. Panorama

    Lajmi Paraprak

    Viti 1941, kur drejtuesit e viseve të Sanxhakut kërkonin mbrojtje nga Tirana

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë