Banaliteti në politikë

    PELLUMB NAKO

    I përqendruar në akuza dhe kundërakuza lidhur me korrupsionin, lidhjen me krimin e afera të tjera ligjërisht e moralisht të dëmshme, duket se opinioni i gjerë publik nuk po u kushton rëndësi mangësive të tjera në aksionin politik të të gjithë spektrit partiak. Referime të panumërta kalojnë pa u vënë re, edhe kur dominohen nga mediokriteti e jo rrallë edhe nga banaliteti. Madje, ky i fundit sa vjen e shtohet si domosdoshmëri spontane e mbushjes me propagandë joshëse të vakumit në realizimet konkrete, me rëndësi jetike për vendin. Sikur të vëzhgosh vetëm me pak vëmendje, do të shohësh se sa larg konkretes qëndron diskursi politik. Sa e zakonshme është propaganda e përsëritur tmerrësisht me të njëjtat fjalë moralizuese. Sa të shumtë janë ligjvënësit që flasin dhe sa të njëjta janë gjërat që thonë. Shije që mbetet në fund është banaliteti. Kësaj shfaqjeje nuk po i shpëton për fat të keq edhe opozita. Ta kritikosh këtë të fundit në këto momente është pozitive, nëse do ta shihnim njëlloj si Coluche, aktor francez: “Të kritikosh dikë duhet ta njohësh dhe për ta njohur duhet ta duash.”

    Opozita ka ndërmarrë një aksion politik lidhur me një reformë të thellë territoriale, me rëndësi kapitale për vendin në raport me qeverisjen vendore, me ndarjen e territorit dhe menaxhimin e tij. Por, mbrojtja apo shpjegimi publik që disa figura politike opozitare me uri të madhe për protagonizëm publik, po i bëjnë reformës së pritshme, lë shumë për të dëshiruar. Ato e dëmtojnë nismën që në embrion, ende pa filluar buçitjet denigruese qeveritare, që në një të ardhme të afërt do të mundohen të zhvlerësojnë në sytë e publikut çdo hap të opozitës. Sulmi moralizues në këtë rast, i ndërtuar mbi një koncept steriotip kundër pozitës qeverisëse, mbetet po aq i dëmshëm sa dhe premtimet në kufijtë e parajsës. Mungon tmerrësisht diskutimi me këmbë në tokë. Ajo që ka ndryshuar është teknologjia e informimit dhe jo e politikëbërjes.

    Ilustrimi më i qartë mbetet deklarimi publik i një deputeteje opozitare lidhur me reformën territoriale. Ndër të tjera, ajo thotë: “Qëllimi i vërtetë i Edi Ramës nuk ishte vetëqeverisja vendore, por, krijimi i zonave elektorale, ashtu siç i interesonin atij. Pasi për të, çdo vendim është përfitim monetar dhe kalkulim votash, dhe normalisht qytetarët janë të fundit”. Tipike e një propagande mediokre. Imazh satanik i Kryeministrit kundër popullit, pamje engjëllore e opozitës për popullin. Mjafton përsëritja e pyetjeve se përse opozita u largua nga komisioni që katranosi këtë ndarje territoriale, përse braktisi zgjedhjet lokale dhe kjo lloj retorike moralizuese asgjësohet njëlloj si serioziteti i nismës së opozitës që është duke punuar për të mirën e komunitetit. Për këtë arsye, opozita duhet të ketë një strategji të mirëmenduar të komunikimit publik. Diçka të re në koncept, të ndershme, të shoqëruar nga një “ mea culpa” të ndjerë, që të bindë njerëzit e të kenë besim në seriozitetin e reformës dhe jo të bazohet thjesht në pakënaqësitë e popullatës apo broçkulla si më lart. Rindarja territoriale, ridimensionimi i kompetencave të pushtetit vendor do të sjellë risi, por nuk e sjellin ndryshimin të plotë pa reformuar sidomos institucionet qendrore me shtrirje në territor si siguria, shkollimi, mjekësia. Dhe në fund, vendimtare mbetet gjithmonë oferta njerëzore e opozitës për të drejtuar e menaxhuar pushtetin vendor.

    Nga ana tjetër, edhe pozita qeverisëse nuk qëndron pas. Madje, ajo më keq. Mungesën e arritjeve e mbulon me një lloj batakçillëku duke shitur dy herë të njëjtin mall. Një herë kur e fillon, herën e dytë me përurime kur vijnë zgjedhjet apo për ndonjë përfitim politik të rastit për të treguar se “ jemi këtu në krye të punëve”. Rasti më i freskët mbetet ai me ministrin e Brendshëm. Në shtator 2021, ai deklaroi: “Nga sot, shtetasit e huaj që kanë leje qëndrimi të vlefshme në Republikën e Shqipërisë, mund të aplikojnë për t’u pajisur me Kartë Identiteti. Kjo kartë ka karakteristikat e kartës së identitetit shqiptar. Bli kupon të Policia Kufitare, paraqitu tek ‘Aleat”’, ja ku ke marrë lejen e qëndrimit.”

    Cili është lajmi i vlefshëm për publikun në këto rreshta të deklaruara nga ministri i Brendshëm? Qeveria do t’u lëshojë të huajve që punojnë, studiojnë apo thjesht banojnë në vendin tonë, leje qëndrimi elektronike të ngjashme me dokumentin e identifikimit të shtetasve shqiptarë dhe procedura e lëshimit të tyre, do të jetë më e thjeshtë se më parë. Veprime këto të parashikuara nga rishikimi i ligjit të mëparshëm. Ky kalim nga copa e letrës aspak dokument i sigurt, në një kartë elektronike më se e sigurt, pa dyshim mbetet pozitiv, por për hir të së vërtetës, me rëndësi periferike në raport me problematikën që shqetëson vendin. Ndërkohë, ende pa u mbushur viti nga ky haber, këto ditë të shkurtit 2022, nën shoqërinë e gëzueshme të dy të rinjve nga Kosova, ministri na jep përsëri një sihariq: “Pas marrëveshjes së nënshkruar mes dy qeverive, në mbledhjen e 26 nëntorit, Shqipëria ka nisur të lëshojë lejet biometrike të qëndrimit për shtetasit e Kosovës që duan të punojnë, jetojnë apo studiojnë në vendin tonë”

    Cili është sihariqi në këtë arritje të re për kosovarët? Që edhe shtetasit nga ky vend, si shtetasit e tjerë të huaj, do të marrin leje qëndrimi elektronike dhe ata shqiptarë në Kosovë, po ashtu, do të marrin leje qëndrimi elektronike dhe me më pak pengesa burokratike. Në fakt, këtu nuk duket se ka ndonjë gjë të re për ta ndarë lumturisht me publikun sepse edhe kosovarët kanë të njëjtin status me shtetasit e tjerë të huaj, për të cilët haberi i madh u dha një vit më parë. Lajmi do të ishte nëse ministri do të njoftonte ndonjë status të veçantë të shtetasve të Kosovës në vendin tonë e anasjelltas dhe jo të njëjtën gjë si për të tjerët, përfshi edhe serbët. Pra, asgjë e rëndësishme, por thjesht propagandë që aktin e dokumentit elektronik për të huajt e kthen në një njoftim banal. Dhe të mendosh sikur i njëjti njoftim të bëhet, kohë më vonë, edhe për shtetasit nga Bangladeshi që janë punësuar në vendin tonë. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Kosova, Srebrenica dhe NATO si “test” për opozitën në Serbi

    Lajmi i rradhës

    Luftë brezash, luftë kulturash, fiton klasikja…

    Lajme tjera

    Qeni i lekut

    EDISON YPI  E di për çfarë do më pysësh. S’je i pari që habitesh me mua dhe punën…
    Më tepër

    JOKER

    Arlind Farizi Ndoshta ai për një çast qesh, ashtu lyer buzëve me të kuqtë e lirë, me zgjatime…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë