JOKER

    Arlind Farizi

    Ndoshta ai për një çast qesh, ashtu lyer buzëve me të kuqtë e lirë, me zgjatime buzëqeshjesh vetëm për vizatuar atë smajlin e Jokerit, njeriut argëtues fëmijësh e të mëdhenj…

    Ndoshta, them ndoshta ai qesh, kur del skenës, para shumë shikimesh shigjetë, është kllouni juaj, është vegla juaj, ka rol të paracaktuar që t’ju bëj të qeshini.

    Vjet në skenën e madhe të jetës, qe rrëzuar keq, diku, për diçka, e ata qeshën, me zë të naltë, qeshën gjatë, qeshi dhe profesori i letërsisë të cilin e dikur e kishte qerasur lehtësisht me një vendpune në një vend të iluminuem.

    Qeshi dhe korri brektocave të Aristofanit, dobësinat e shkencës, gugutë e tyre i dëgjoj dhe Zeusi, dhe uli kokën në shenjë pafuqie e mosndihme.

    Qeshi dhe gjykatësi, veshur në të zi, qeshi kur lexonte referate në emër qytetarëve, referate fatprerësh.

    Qeshi dhe një njeri të cilin kur se kishte besuar dhe një Joker, klloun do e bëjë atë të qeshte, ai njihej për seriozitet, për vertikale dhe moral. Kurrë e pa dhe këtë njeri, mik, e miku është mit e institucion për të, thash me vetë, bota qenka përmbys, o prapësi e o dreq, klithi… Hamlet ku je?. Sa që tha me vetë të rroj a po të mos rrojë?! Bëri dhe një provë të fundit të të qeshurit, po këtij njeriut, i rra këputaqafas, i rra duke e lutur mu para këmbëve tij, këpucës së tij plot shkëlqim pushteti, bau pllau, para këmbëve, tha do i dhimbsem, e ai nuk pa asgjë, por një grumbull copëzash qelqi…

    Ndoshta për çast ai qesh, këtë e ka rol, e roli është këmishë për aktorin, e aktori është njëri si unë, si ti, si ne, që ka pranuar psikologjinë e teatrit e të jetës, dhe si tillë vazhdon reprizat.

    Joker, që u duhet saherë që duhet shpëtuar dikush, diçka. I dashur vetëm kur u duhesh. Joker, për të zëvendësuar një të paduhur, të panevojshëm, dhe të padobishëm, përkohësisht.

    Joker, guralec, shpëtues, rezervë. Joker, rol, aktor. Joker si smajl. Jokerin si njeri. Njeriun Joker e njihni? Atë prej mishi e frymë. Prej kujtimesh dhe stresi. Prej dhimbjeje. Ky qesh, po qeshja është sëmundja e tij, e vret keq atë, aty diku ndër brinjë. Aty ku banon një dashuri e këputur në mes. Ky qesh, po në fakt qanë, me lotët që fshihen përbrendësisë, e s’di n’det zhgënjimi derdhen, mbase në ndonjë gotë vere. Njeriu Joker, është ai që e shihni teksa poston foto pas 12 tës, natën, territ, të zezës së mërzisë së tij, ku ai flet me muzat, e kërkon shpëtim nga yjet.

    Njeriu Joker, ecën vetmueshëm e kuturu, trotuarit, ku dikur ecte më vertikalisht…, po mirë është, besomëni se ai është mirë, vetëm pakëz është i ngarkuar nga qesja e madhe e stresit, lukthit i vijnë sms të trishtueshëm, por shpresën e ruan në të nesërmen, në idenë e madhe se dielli e di rrugën e vet…

    Njeriu Joker, tipologji e rrallë njeriu e aktori. Jeton dhe luan nën role të paracaktuara nga skenarë të cilat për hir të publikut, luajti mirë, saktë, e kurrë nuk shkeli n ‘mina, luajti aq sa regjisori kishte nevojë për të. Qeshën të gjithë. Perdja ra. Shfaqja mbaroi. Me fytyrë para pasqyrës, teksa fshinte, buzëkuqtë, i dha një qeshur për veten e tij. Qeshi si rrallë herë. Iu kujtuar profesori i cili ia kishte mësuar aktrimin, mësuesi, idoli tij, dora qortuese e tij, kalemi kuq I hartimeve, skenarëve, lojës, mori guximin dhe e takoi… Pjesa tjetër ishte funeral. /Nistori/

    *Arlind Farizi është kolumnist i rregullt i Nistori.com. Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    “Më mirë për Tetovën” apo më keq për Tetovën! / Komuna e Tetovës ende nuk e ka pranuar donacionin e 50 shportave për mbeturina nga nisma qytetare

    Lajmi i rradhës

    Ish-imami Drilon Gashi rrahu gruan pas një konflikti familjar – gjykata i shqiptoi “Vërejtje Gjyqësore”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë