Bermuda në Kuvend

     EDMOND TUPE

    E pabesueshme, por e vërtetë! Të enjten e shkuar, një tërmet i llahtarshëm tronditi rruzullin tokësor, si pasojë e të cilit arkipelagu apo trekëndëshi  i Bermudës u zhvendos nga oqeani Atlantik për të ardhur në Kuvendin e Shqipërisë në çastin kur baballarët e kombit tonë gjendeshin në seancë plenare për t’u ndërkafshuar shqiptarisht.

    Sigurisht – si mund të ndodhte ndryshe ! – tri këndet e tij ishin pagëzuar me emra shqiptarë : Rama, Berisha, Meta! Tash e tutje, ky transformim i arkipelagut në fjalë do të frymëzojë me shumë gjasë kompozitorët, shkrimtarët e kineastët tanë, të cilët, ashtu siç ka ndodhur historikisht me trekëndëshin zanafillor të Bermudës ku zhdukeshin mistershëm anije e balona, do të krijojnë legjendën e lavdishme të trekëndëshit shqiptar të Bermudës ku zhduken ëndrrat e shpresat e shqiptarëve.

    Në këtë kuadër, ata do të bënin mirë të lexonin romanin e francezit Zhyl Vern të botuar në vitin 1894, ku bëhet fjalë për një grup piratësh që e kishin bazën e tyre në zemër të Bermudës ; këta piratë arritën ta rrëmbenin shpikësin e një arme të frikshme që nisën ta përdornin për t’u marrë haraç anijeve, të cilat kalonin atypari.

    Gjithsesi, ky roman i botuar para më se një shekulli mund të konsiderohet si një parashikim ogurzi për shqiptarët e sotëm, të cilët, sidomos këtë dekadën e fundit, po u paguajnë një haraç përherë e më të rëndë qeveritarëve të tyre të pajisur me armën e frikshme të quajtur korrupsion (Ah, me që ra fjala tek korrupsioni, a e dinë qeveritarët në fjalë se aktualisht ekonomia e arkipelagut të Bermudës, të paktën sipas zotit Internet, mbështetet në pjesën më të madhe tek financat pikërisht për shkak të statusit të saj si parajsë fiskale?)

    Nga ana tjetër, fjala “bermuda” ka marrë që nga viti 1958, fillimisht në SHBA, edhe kuptimin “rroba banje mashkullore të gjata deri mbi gju”. Pikërisht për këtë arsye do t’u lutesha lexueseve dhe lexuesve të kësaj rubrike të përjavshme që, sa herë ndjekin në televizor apo në smartfon seancën plenare në Kuvendin tonë, t’i përfytyrojnë zotërinjtë deputetë vetëm me bermuda, sepse kështu, ku i dihet, e vërteta mund të dalë thuajse lakuriqe nga gojët e tyre; gjithashtu, për të respektuar barazinë gjinore, duhet që lexueset dhe lexuesit e mi t’i përfytyrojnë edhe zonjat deputete me rroba banje, por topless (sigurisht me tingullin “s” në fund, aspak me ndonjë tingull tjetër të ngjashëm)!

    Tani më duhet veçanërisht t’i paralajmëroj lexueset e lexuesit e mi tejet të moralshëm se fjala “bermuda” në gojën apo nën penën e paturpshme të atyre që luajnë rrezikshëm me fjalët, si, për shembull, zotërinjtë Françesk Armadhi, Namik Arvogli, Rakip Içka dhe Petraq Irsi, pra, fjala “bermuda”, mund të shtrembërohet duke u shqiptuar apo duke u shkruar “brekmuta”, çka do të thotë se një gabim i tillë – sigurisht pa dashje – në gojën e deputeteve apo të deputetëve tanë të nderuar, do të përhapte në sallën e Kuvendit tonë po aq të nderuar një erë kutërbuese, për shkak të së cilës shumëkujt do t’i binte të fikët, çka do ta trondiste zonjën Kryetare të Kuvendit deri në atë pikë sa ajo do të shtrëngohej të thërriste ambulancat e të gjitha spitaleve publike e private  për të evakuuar të lënduarat e të lënduarit.

    Së fundi, por jo më së paku, të enjten e shkuar në seancën plenare të Kuvendit, një syri  të vëmendshëm nuk do t’i kishte shpëtuar kurrsesi një lëvizje e dorë së majtë të kryeministrit tonë përjetësisht të përhershëm, e cila dorë, teksa i  zoti i saj fliste, u ngrit dy a tri herë dhe kruajti kokën, gjest ky që shpreh ngurrim, mëdyshje dhe pavendosmëri, të paktën sipas psikologut francez Joseph Messinger në librin e tij “Ces gestes qui vous trahissent” (Këto gjeste që ju tradhtojnë), çka më shtyn detyrimisht të shtroj pyetjen: Po sikur kryeministri ynë të kishte qenë i veshur thjesht me bermudë e kravatë, çfarë do të kishte kruar apo ngurruar për të kruar përveç kokës? Oh, sa do t’u isha mirënjohës veçanërisht lexueseve dhe sidomos lexuesve të mi sikur t’i përgjigjeshin qoftë edhe pa zë kësaj pyetjeje krejt të padjallëzuar para se të kruanin me ëndje cilëndo pjesë të trupit të tyre. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Takimi me dyer të mbyllura | Biden: SHBA dhe Turqia të shmangin krizat

    Lajmi i rradhës

    Kumari, problem serioz për Ohrin

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë