Beteja e fundit e Bashës… përballë egomanisë

    BEN ANDONI

    Ashtu si pritej, Lulzim Basha me një kalkulim të qartë është zgjedhur në krye të Partisë Demokratike (Legale). Në pak orët në vazhdim, i duhet të nisi të merret pak e nga pak me ngritjen e strukturave të partisë, të përmirësojë forumet dhe, ashtu si ka mëtuar: të kthejë normalitetin aspak normal të këtij organizmi tashmë krejt anemik. Është një sfidë e vërtetë, por edhe përpjekja e fundit personale në krye të një formacioni politik për t’i dhënë forcën e duhur në kushtet e një vendi, që po përballet me një korrupsion të madh dhe ku partia në fuqi po ia ndjen dihatjen organeve të Drejtësisë nga fare afër.

    Asambleja me dyer të mbyllura e PS-së, megjithëse e pazbardhur, ka dhënë mesazhet që ky formacion duhet shkundur (Lexo: Duhet t’i mbijetojë sfidave!), paçka se ata e kanë bërë garën deri tani me veten. Megjithatë edhe me qesëndinë e tyre ndaj PD-së, Basha duket se i ka trandur pakëz, kur u ka kujtuar vetingun politik. Kauzë e madhe, e mirëpritshme, por që duket se do të sabotohet, e nuk është çudi mbase dhe nga vetë Basha. Vetë, Basha, më shumë, i ka habitur njerëzit me formën e veshjes “T-shirt”, që ruan një aludim të largët me personazhin Zelinski, presidentin karizmatik ukrainas, i cili po përball luftën hibride të fuqisë së dytë më të madhe në Botë.

    Ka një egomani gjithsesi në të gjithë lëvizjen e tij, kur mendon se tek e fundit, detyra që i ka vendosur vetes është të jetë në politikë, pastaj vinë për zbatim premtimet për kthimin e shpresës dhe mbi të gjitha rikthimin e të Djathtës. Mungesën e të cilës e justifikon e nuk e fsheh, ashtu si nga ana tjetër e tregon se, po futet sërish në një moçal, ku ka kontribuar jo pak edhe vetë. Të paktën, me humbjet e tij dhe sidomos me dualizmin e tij me Berishën, që në formën e një “Mea Culpa” të sinqertë e ka pranuar në takimin e fundit parazgjedhor në Tiranë. Ashtu, si është i vetmi që i ka dhënë penalitetin më të madh Berishës deri më sot, përkundrejt kolegëve të tij politikanë. E megjithatë, sërish nuk mjafton. Edhe, këtë ai e di më mirë se cilido. Tashmë te PD-ja flasin për poshtërim dhe ky është caku i fundit i të keqes.

    Le të kthehemi pak te termi egomania. Identifikohet si term psikiatrik për të përshkruar preokupimin e tepruar me egon, identitetin ose Unin e një individi, i cili e aplikon të njëjtin preokupim për këdo që ndjek impulset e tij të paadministruara. Shtohet edhe ai që është i pushtuar nga iluzionet e egos dhe madhështisë personale dhe ndjen mungesë vlerësimi.

    A mund të themi pas këtij përcaktimi se: Basha rrezikohet nga egomania? Kur dëgjon një pjesë të ithtarëve të tij patetikë, atëherë bindesh se duhet të ketë kujdes, por më shumë vizion, sesi do të administrojë egon e tij për shqiptarët e zakonshëm. Pasi për të rritur besimin, në një vend pa besim, duhet të dijë si të urdhërojë dhe të ngjallë besimin te PD-ja e tkurrur frikshëm. Shuma që solli në zgjedhje ishte sërish zhgënjyese, paçka se u vlerësua për procesin e 29 Korrikut. Ashtu, si mbijetesa e gjatë në një politikë humbëse është sfida më e madhe e tij, por edhe një rast studimi për demokracitë post-komunizëm. “Ai që dëshiron t’i binden duhet të dijë të urdhërojë”, shkruan Makiavelli tek Bibla e qeverisjes “Princi”. Dhe, të mendosh se një pjesë e njerëzve që arriti i vuri në lista dhe i filtroi në Parlament dhe, që dje nuk iu përgjigjën do të jetë një sfidë e madhe, mbi të gjitha për frikën e tij të revanshit. Egoja do t’i kujtojë se ka pasur dhe e presin edhe shumë sfida: As dhjetë deputetë nuk ishin në zgjedhje!

    Larg të tjerave, detyra më e vështirë e zotit Basha është perceptimi real i situatës ku ndodhet. Në një farë mënyre nuk duhet të përdorë revanshin, ashtu si është katandisur edhe pjesa që po administron. Paçka se egoja do e drejtojë natyrshëm për revansh duke filluar nga zoti Bardhi dhe grupin e tij. Mënyra si do ta projektojë Partinë Demokratike (Legale) do të thotë shumë. Objektivi kryesor i zotit Basha është kthimi i shpresës dhe qartësimi ideor për demokratët, që do t’i ringjisë në pushtet.

    E Djathta shqiptare duhet të mendojë krejt ndryshe, e për këtë askush nuk e vë bastin sesi do ta kapi kohën zotit Basha.

    E para, duhet të dëgjojë dhe të përshtatet me hullitë e Partive të Qendrës së Djathtë që janë vitale dhe kanë tashmë forcën në Parlamentin Evropian, por edhe përthithjen e fizionomisë e tyre. Kundërshtari i tij i vërtetë Berisha i sikterisi pak kur iu drejtua pa asnjë këshillim frymës konservatore. Në të gjithë këtë herë, që gjithsesi do mbetet e fundit për Bashën, do ketë sërish qesëndinë e njerëzve të tij. Paradoksalisht, te deputetët e PD-së ka aq qetësi, saqë bëhet dhe humor dhe flitet me metafora. Po ashtu, do t’i duhet të përballë zjarrin e njerëzve të Berishës dhe vetë Liderin historik suprem Berisha, që nuk do t’ia falë skizmën.

    Paçka se është e kundërta. Mbi të gjitha, Basha duhet të rikrijojë një Bashë tjetër, që nuk është zgjatim i Ramës (akuza në kor ndaj tij) apo një figurë e mëtejshme humbëse. Nuk duhet ta teprojë dhe me formën. Kjo e fundit është arma e Ramës, që e ka kthyer me sukses dhe në përmbajtje.

    “Gjetja” me “T-shirt” do të ishte e besueshme, nëse do të vazhdonte “ta mbante” dhe në parlament e kudo, qoftë dhe në takime ndërkombëtare, fakt që do e bënte pak qesharak, sepse është gjetja i një personazhi në kushte të tjera. Për të bashkuar PD-në do t’i duhet të presë dhe verdiktin e Gjykatës, ku duket tashmë se PD-ja përfundimisht do të ndahet. Nga ana tjetër, nuk duhet ta bëje qesharake situatën me leximet e ndryshme të statutit dhe të krijojë një strukturë të tillë, që të respektohet. Dhe, e fundit, nuk duhet t’i falet fatit. Pak njerëz në historinë politike shqiptare kanë pasur fatin e tij, për t’iu blatuar mundësitë që ai ka marrë.

    A do mundet sërish t’i largohet mirënjohjes për Berishën, njeriun që e ngriti aq shumë? Edhe kjo është në ekuacionin e tij. Për shumë kohë do t’i kujtohet Kuvendi që shpalli dyfishin e numrave në një sallë me gjysmën e tyre faktike. Nga ana tjetër, Bardhi dhe të tjerët kishin kohë, mundësi dhe logjistikë që t’i tregonin vendin Bashës, por edhe të frymëzonin bazën, duke qenë më të qartë.

    Në fakt, zgjodhën ambiguitetin, fakt që tashmë nuk i ndih në projeksionet e ardhshme personale te PD-ja. Do jetë dhimbje dhe një lloj pabesie e re, për ata mijëra demokratë që morën kurajën dhe votuan, ndërkohë që duket se po ravijëzohen zgjedhjet e parakohshme, që betejën e parë dhe më të madhe reale për zgjedhjet e pritshme Basha ta bëjë i mekur dhe me justifikime.

    Që do të thotë i paplotë dhe jo me kredibilitet. Personalisht, mendoj se kjo PD e ka mbyllur misionin e saj, por Basha po mëton të kundërtën! Në mënyrën sesi ka kalkuluar me kujdes që letrën e largimit (që nuk ishte dorëheqje), por edhe atë që do të bënin bashkëpunëtorët e tij, ai është treguar realisht vizionar në egon e tij. Edhe njëherë, PD-ja e vitit 1990 e ka mbyllur misionin e saj. Ky fillim i tij i fundit është kontribut i të gjithëve, qoftë edhe i Berishës (aludojnë dhe për Ramën) por më shumë i egos së pandalshme të Bashës, që ndryshe nga çfarë besojnë njerëzit, nuk i dhimbset askush veç udhës së tij.

    Elementët e egomanisë i duhen për t’i treguar një shoqërie se çfarë mund të bëj një njeri me kapacitete si ai. Ka kuptuar mirë nga historia: se shqiptarët i ke pas vete kur ke pushtet. Por është edhe pak filozofike, ai di të mbledhë ende vota: “Në politikë ne supozojmë se kushdo që di të marrë vota, atëherë di të administrojë një qytet apo një shtet.

    Jo më kot, kur jemi të sëmurë… nuk kërkojmë mjekun më të bukur, as mjekun më fjalë- ëmbël”, shprehej Platoni. Që do të thotë nëse do të bashkojë PD, do di të mbledhë vota, atëherë do bëjë diferencën. Fakt, për të cilin edhe hamendësia në këto momente, duket pak surreale. (Homo Albanicus) /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Si mund të shohë bebja qartë dhe kthjelltë?

    Lajmi i rradhës

    Tri shpërpjesëtimet e Shqipërisë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë