Brezi i ëndrrës për republikë…

    Vjollcë Berisha

    Ne jemi brezi i ëndrrës për republikë. Brezi që kemi parë helmimet e moshatarëve në shkolla. Dridhjet e trupave të tyre na e kanë prishur gjumin. Ne jemi brezi i fëmijëve që u rritëm me rrëfime të trishta vrasjesh në ushtri të djemve njomëcakë, brezi që e dinim se qepa bën mirë për sytë e ënjtur nga lotsjellësit e demonstratave.

    Jemi brezi që e mbushnim me qirinj kryeqytetin, brezi që e kemi parë si pushtohet një televizion, si mbyllen shkollat, universitetet, si botohen libra shkollorë emergjentë podrumeve të mëhallave… Ne jemi brezi që kemi parë si na kanë ikur kushërinjtë, shokët e klasës e fqinjët në Londër, Kanada a në katër anët e botës. Ne jemi brezi që pamë si na i nxorën prindërit nga puna dhe si ata s’kishin asnjë rrugëdalje në kokat që i mbanin midis grushtash. Ne jemi brezi që Kosovën e patëm mbi gjithçka. Që thoshim “Kosova Republikë” kur binte një yll në qiell, apo kur u fryenim qirinjve të ditëlindjes. Për ne Kosova e kalonte disafish atdheun në kuptimin që e kishin për të moshatarët tanë në mbarë rruzullin.

    Për ne Kosova ishte diçka tjetër. Për Kosovën e lirë vdisej, bihej në burg. Jetohej për Kosovën.
    Ne jemi brezi që netëve ëndërronim për ushtrinë. Trupat e tyre qenë gjigantët që do të na shpëtonin. Ne s’kishim parë çlirimtarë me sy, por e dinim që ata kishin pushkë dhe jetonin e vdisnin për Lirinë. Ata do të na e sillnin ditën e bardhë.

    Ne jemi brezi që pamë si u dëbuan qytete të tëra nga shtëpitë e tyre. Jemi brezi që numëruam gëzueshëm aeroplanët që po e dënonin armikun e që do ta zmbrapsin pas pak.

    Ne jemi brezi i Republikës. Brezi që jetonim për Kosovën e mund të vdisnim për të në çdo thirrje. Ne jemi brezi që me pëllëmbë të djersitura dhe shumë turbull e ndoqëm leximin e Aktit të Pavarsësisë, se sytë i kishim me lot.

    Ne jemi fëmijët e Kosovës, dëshmitarët e vuajtjes, qëndresës së pashembullt të saj. Të luftës për liri dhe shpresës. Gëzuar me plot krenari!

    Lajmi Paraprak

    Fillon debati në komision për pagën minimale

    Lajmi i rradhës

    Shtetasit shqiptarë nuk duan të largohen nga Ukraina

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë