Çka është dita e mirë?

    Lindita Kadriu

    Dita e mirë është kur zgjohem herët. Nëse posa hap sytë je në disponim të ngrihesh me hap të lehtë, ashtu do ngjyrosësh pastaj raportin me vetveten, me të tjerët si edhe ajrin përreth. Mëngjeset janë indikatorë.

    Dita ime nis me ecje deri në çarshi. Ecja u bën mire shëndetit fizik dhe mendor. Qysh në antikë është theksuar që shetitja e qetëson shpirtin dhe e aktivizon mendjen. Më vonë djetarë si Kanti, Kjerkegori, Ajnshtajni… kanë qenë të njohur për ritualin e shëtitjes si mënyrë përqëndrimi dhe kontemplimi. Ecja të bën t’i njohësh më mirë qytetin dhe shoqërinë, të kundrosh nga afër zhvillimin, stagnimin, mentalitetin dominant, virtytet dhe veset. Jo gjithçka mësohet nga mediat. Duke ecur bëhesh medium në vete. Dhe, nuk ka mendim negativ që nuk davaritet gjatë shëtitjes.

    Dita e mirë vazhdon me kafe në ndonjërën nga vendet e preferuara. As në kohë pandemie nuk i kam ndalur kafetë, ndërsa të paktën një më pëlqen ta pi në vetmi: ashtu rregulloj mendimet, sjell vendime, imagjinoj…lexoj apo shkruaj. Dhe i vështroj njerëzit përreth si një lloj teatri.

    Dita e mirë don të thotë të takosh miqtë, ose një mik. Ata e hijeshojnë dhe lehtësojnë jetën; flasin pafjalë për ne pasi janë zgjedhja jonë, ndryshe nga familja që na është e dhënë e për të cilën s’kemi as faj as meritë. Jeta më ka mësuar që dikë mund ta njohim shkurt e mirë, ose gjatë dhe pamjaftueshëm. Me kohë mësohemi t’i lexojmë më mirë njerëzit dhe t’i filtrojmë, pra rrjedhimisht ta çmojmë më tepër kohën tonë, atë resurs që nuk përtrihet.  

    Dita e mirë kalohet me njerëz me sens humori pasi e humbur është dita kur nuk qeshesh qoftë dhe njëherë. Aftësia për të gjetur anën qesharake dëshmon për situatën mentale. Bile edhe situatat dhe pohimet serioze më gjatë mbahen mend kur kanë diçka anegdotike. Nëse arrijmë të zbulojmë pak humor në sfidat, më kollaj përballemi dhe më shpejt gjejmë dalje nga problemet. Të qeshurit, si edhe çdo shprehi tjetër e mirë, mund të trajnohet. Fillimisht mjafton të zgjedhim shoqërinë e atyre që energjetikisht na konvenojnë dhe të anashkalojmë, sa herë të jetë e mundur, fytyrat namqore.

    Dita e mirë është kur i ndihmon dikujt, ia përmirëson disponimin dhe ia kthen besimin në njerëz. Edhe shkencërisht e dëshmuar se hormoni i kënaqësisë tajohet më shumë kur japim, shpirtërisht ose materialisht, se sa kur marrim. Edhe Zoti e do më tepër dorën që jep se sa dorën që merr.

    Dita e mirë është kur i përkushtohesh punës që e ke pasion, të cilën do e bëje edhe pa u paguar. Gjeje një punë që e do dhe do të kesh ndjesinë që nuk je duke punuar. Atëherë vendi i punës të duket si hobi.

    Dita e mirë është kur ëndërron syhapur dhe e ruan fëmijën brenda teje, atë ishull virgjërie. Çdo gjë e madhe e bukur ka nis nga një ëndërr. Shoqërinë e ndryshojnë ata që rendin pas ëndërrave.

    Pra, dita e mirë nuk lyp shumë për të qenë e tillë. Dhe kjo, për fat të mirë, më së shumti varet prej teje.

    *Lindita Kadriu është kolumniste e rregullt e Nistorit. Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Për mirëkuptim, nëse dikush vendos të marrë tekstin, është i detyruar ta citojë portalin. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    Grante për bujqit e rinj të Maqedonisë

    Lajmi i rradhës

    Danielle Steel: Për disa gjëra në jetë, ia vlen pritja

    Lajme tjera

    I duam fëmijët

    LEONARD DEMI Aktiviteti i plogët strategjik i ushtrisë ruse i prishi planet Presidentit të Rusisë dhe kjo e…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë