Autor: Emir Kurtishi, Këshilltar, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut & Semran Murtezani, Magjistre e të drejtës ndërkombëtare
Pse Ballkani ende beson te Bashkimi Evropian?
Pas shpërbërjes së ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, shtetet e sapokrijuara të Ballkanit u përballën me sfida të shumta politike, ekonomike dhe institucionale, si dhe me nevojën për të përcaktuar orientimin e tyre strategjik. Gjatë tre dekadave të fundit, pavarësisht ndryshimeve politike dhe zhvillimeve gjeopolitike, shumica e vendeve të rajonit kanë mbështetur fuqishëm integrimin në Bashkimin Evropian, duke e konsideruar atë si rrugën më të besueshme drejt stabilitetit, zhvillimit ekonomik dhe konsolidimit demokratik.
Bashkimi Evropian, si një organizatë supranacionale me karakter unik juridik dhe politik, posedon një strukturë institucionale, ligjore dhe funksionale të ndërtuar mbi rregulla dhe standarde të detajuara. Çdo shtet që synon anëtarësimin duhet të përmbushë kriteret e Kopenhagës, përkatësisht kriteret politike dhe ekonomike, të adoptojë acquis communautaire dhe të sigurojë kapacitetin administrativ për zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga anëtarësimi. Kriteri politik kërkon institucione demokratike të qëndrueshme, sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut, ndërsa kriteri ekonomik nënkupton një ekonomi funksionale të tregut, e aftë për t’u përballur me konkurrencën në tregun e brendshëm të BE-së. Për më tepër, acquis communautaire kërkon harmonizimin e legjislacionit kombëtar me të drejtën e Bashkimit Evropian, një proces që shkon përtej ndryshimeve formale ligjore dhe përfshin një transformim të thellë institucional dhe administrativ.
Për këtë arsye, procesi i integrimit evropian nuk mund të reduktohet vetëm në një procedurë politike të anëtarësimit. Ai përfaqëson një proces gjithëpërfshirës të transformimit të shtetit, nëpërmjet të cilit vendet kandidate duhet të përshtatin institucionet, politikat publike dhe sistemet e tyre juridike me standardet evropiane. Për vendet e Ballkanit Perëndimor, ky proces ka qenë shpesh i gjatë, kompleks dhe i shoqëruar me sfida të shumta.
Maqedonia e Veriut mori statusin e vendit kandidat në vitin 2005 dhe, që atëherë, rruga e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian është karakterizuar nga periudha përparimi, por edhe nga bllokime politike dhe mosmarrëveshje. Kjo dinamikë ka krijuar në mënyrë të pashmangshme një shkallë të caktuar të “lodhjes nga zgjerimi”, si te qytetarët ashtu edhe te aktorët politikë. Megjithatë, pavarësisht pritjes së gjatë dhe pasigurive që kanë shoqëruar procesin, mbështetja për integrimin evropian mbetet e konsiderueshme.
Kjo ngre një pyetje legjitime: pse Ballkani ende beson te Bashkimi Evropian? Përgjigjja qëndron në faktin se anëtarësimi në BE vazhdon të perceptohet si e vetmja alternativë strategjike e qëndrueshme për vendet e rajonit, jo vetëm në aspektin gjeografik dhe politik, por edhe për sa i përket standardit të jetesës, zhvillimit ekonomik, sundimit të ligjit dhe funksionimit të institucioneve demokratike. Në këtë drejtim, anketa e fundit e Institutit për Demokraci Societas Civilis IDSCS, tregon se rreth 71% e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut vazhdojnë ta mbështesin anëtarësimin në Bashkimin Evropian, madje duke shënuar një rritje krahasuar me matjen e mëparshme. Ky nivel mbështetjeje dëshmon se, pavarësisht sfidave dhe zhgënjimeve të herëpashershme, perspektiva evropiane mbetet projekti më i besueshëm politik dhe shoqëror për të ardhmen e vendit dhe të rajonit.
Sovraniteti kushtetues i negociuar: Marrëveshja e Prespës dhe çmimi i parë kushtetues i ëndrrës evropiane
Perspektiva evropiane ka mbetur, pra, një objektiv i fuqishëm politik për Maqedoninë e Veriut dhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, ndjekja e integrimit evropian nuk është pa pasoja kushtetuese. Procesi i anëtarësimit shpesh kërkon që vendet kandidate të ndërmarrin reforma të thella juridike dhe institucionale, e në disa raste edhe ndryshime kushtetuese. Kjo ngre një pyetje të rëndësishme: ku qëndron ekuilibri ndërmjet kërkesave të integrimit ndërkombëtar dhe ruajtjes së sovranitetit shtetëror? Përvoja e Maqedonisë së Veriut, veçanërisht në kontekstin e Marrëveshjes së Prespës, ofron një shembull ilustrues të kësaj dileme më të gjerë kushtetuese. Për ta kuptuar këtë dilemë, fillimisht duhet shqyrtuar mënyra se si ka evoluar koncepti i sovranitetit shtetëror në të drejtën ndërkombëtare bashkëkohore.
Koncepti i sovranitetit shtetëror ka pësuar një transformim të rëndësishëm me zhvillimin e së drejtës ndërkombëtare dhe rritjen e ndikimit të organizatave ndërkombëtare. Tradicionalisht, sovraniteti kuptohej si autoriteti suprem dhe i pavarur i një shteti brenda territorit të tij, i lirë nga ndërhyrjet e jashtme. Megjithatë, shfaqja e një rendi juridik ndërkombëtar gjithëpërfshirës ka ndryshuar këtë kuptim klasik, duke vendosur detyrime që shtetet pritet t’i respektojnë pavarësisht rregullimeve të tyre të brendshme juridike.
Një shembull rajonal nga Ballkani është Republika e Maqedonisë së Veriut dhe ndryshimet kushtetuese që pasuan Marrëveshjen e Prespës të lidhur me Greqinë. Marrëveshja përfaqësonte një rast unik, ku një mosmarrëveshje shumëvjeçare dypalëshe u zgjidh përmes ndryshimeve kushtetuese të miratuara si parakusht për avancimin e integrimit euroatlantik të vendit. Për shkak të anëtarësimit të Greqisë në NATO dhe Bashkimin Evropian, si dhe mundësisë së saj për të bllokuar proceset integruese të Maqedonisë së Veriut përmes të drejtës së vetos, negociatat u zhvilluan në një kuadër politik asimetrik. Si rezultat, ndryshimi kushtetues u bë kusht për heqjen e pengesave të jashtme drejt integrimit.
Nga perspektiva formale juridike, Marrëveshja e Prespës mund të konsiderohet si një shembull i sovranitetit kushtetues të negociuar. Formalisht, ndryshimet kushtetuese u miratuan sipas procedurave të parashikuara nga Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut dhe, për këtë arsye, pasqyronin vullnetin sovran të shtetit. Në aspektin substancial, megjithatë, ato ishin të lidhura ngushtë me konsiderata politike të jashtme dhe të së drejtës ndërkombëtare. Ky rast demonstron se sovraniteti bashkëkohor ushtrohet gjithnjë e më shumë përmes negociatave, kompromisit dhe zgjedhjeve strategjike, sesa përmes autonomisë absolute kushtetuese.
Përvoja e Maqedonisë së Veriut ngre një pyetje të rëndësishme kushtetuese: deri në çfarë mase një shtet mund të modifikojë elemente të identitetit të tij kushtetues për të arritur integrimin ndërkombëtar, pa cenuar legjitimitetin demokratik dhe besimin publik në rendin kushtetues? Megjithëse nuk ekziston një përgjigje e thjeshtë, ky rast ilustron tensionin më të gjerë ndërmjet sovranitetit kushtetues dhe integrimit ndërkombëtar. Ai tregon se pjesëmarrja në organizatat ndërkombëtare bashkëkohore mund të kërkojë përshtatje kushtetuese që, në rrethana të tjera, do të ishte e vështirë të justifikoheshin vetëm mbi baza të brendshme.
Ndryshimet kushtetuese: vetoja bullgare, kërkesat e reja kushtetuese dhe çështja e besimit në projektin evropian
Marrëdhënia ndërmjet sovranitetit kushtetues dhe integrimit ndërkombëtar bëhet veçanërisht e rëndësishme kur ndryshimet kushtetuese kërkohen si kusht për avancimin e procesit të anëtarësimit. Në këtë kontekst, shtetet e Ballkanit shpesh kritikohen se këmbëngulin për anëtarësim në Bashkimin Evropian pa i përmbushur plotësisht kushtet e kërkuara nga ky subjekt ndërkombëtar. Nga ana tjetër, kërkesa që shpesh perceptohen si të paarsyeshme kanë kontribuar në rritjen e euroskepticizmit jo vetëm në Ballkan, por edhe brenda vetë shteteve anëtare të BE-së.
Një shembull i njohur është Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanović, i cili gjatë një ligjërate në Universitetin Veri në Koprivnicë deklaroi se ndoshta asnjë vend, madje as Mali i Zi, nuk do të anëtarësohet në BE, sepse shtetet janë mashtruar me premtime të rreme për anëtarësim, vetëm për t’u detyruar të bëjnë lëshime të vazhdueshme. Nga kjo perspektivë, mund të argumentohet se një nga viktimat e këtyre premtimeve ishte edhe Republika e Maqedonisë së Veriut, veçanërisht në lidhje me mosmarrëveshjen njëzetvjeçare për çështjen e emrit.
Mesazhi dhe premtimi i vazhdueshëm që vinte nga BE ishte: “Zgjidhni kontestin për emrin dhe do të pranoheni në Bashkimin Evropian.” Duke vepruar mbi bazën e kësaj pritshmërie, kryeministri Zoran Zaev tregoi vullnet politik për të nënshkruar Marrëveshjen e Prespës, vetëm për t’u përballur me realitetin e ftohtë në vitin 2019, kur Holanda bllokoi hapjen e negociatave për Maqedoninë e Veriut. Më pas pasuan kundërshtimet e Francës dhe, sot, vetoja e Bullgarisë, e cila ngre çështje historike dhe identitare që nuk lidhen drejtpërdrejt me kuadrin juridik të Bashkimit Evropian, funksionimi i të cilit bazohet në kritere të tjera, veçanërisht kriteret e Kopenhagës dhe Madridit. Nga perspektiva kushtetuese, çështja qëndrore nuk është vetëm nëse duhen miratuar ndryshime kushtetuese, por nëse përshtatjet e përsëritura kushtetuese mund të pajtohen me parimin e stabilitetit kushtetues dhe ruajtjen e vendimmarrjes sovrane. Kjo gjithashtu mbështet qëndrimin e Maqedonisë së Veriut, e cila ka kërkuar garanci nga Bashkimi Evropian se, pas Bullgarisë, nuk do të shfaqen shtete të tjera anëtare me veto të reja që mund të krijojnë pengesa shtesë në procesin e integrimit.
Në këtë drejtim, Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos nga Sllovenia, ka deklaruar vazhdimisht: “Askush nuk mund t’i garantojë Maqedonisë së Veriut se, edhe nëse e ndryshon Kushtetutën, nuk do të ketë pengesa të tjera në rrugën e saj evropiane.”
Vetoja bullgare dhe kërkesa për ndryshime të reja kushtetuese kanë rihapur një dilemë themelore kushtetuese në Maqedoninë e Veriut. Ndryshe nga ndryshimet kushtetuese të miratuara në kuadër të Marrëveshjes së Prespës, të cilat u paraqitën si pengesa e fundit drejt integrimit euroatlantik, kërkesat aktuale krijojnë perceptimin se lëshimet kushtetuese mund të shndërrohen në një kusht të vazhdueshëm të procesit të anëtarësimit. Kjo ngre shqetësime legjitime lidhur me kufijtë e fleksibilitetit kushtetues dhe me shkallën në të cilën një shtet mund të ndryshojë vazhdimisht rendin e tij kushtetues si përgjigje ndaj kërkesave politike që burojnë jashtë rendit të tij juridik. Përtej çështjes së ndryshimeve kushtetuese, vetoja bullgare ngre një pyetje më të gjerë lidhur me besueshmërinë e procesit të integrimit evropian. Lëshimet e përsëritura kushtetuese pa garanci të qarta për përparim, mund të dobësojnë besimin publik si në procesin e anëtarësimit, ashtu edhe në vetë projektin evropian.
Në thelb, kjo do të thotë: Vazhdoni të besoni në ëndrrën evropiane…
Përfundim
Në përfundim, duke marrë parasysh perspektivën e përgjithshme të integrimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, si dhe të pothuajse të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, mund të thuhet se ky proces kërkon përpjekje të gjera dhe të vështira në aspektin e harmonizimit juridik, reformave legjislative dhe ndryshimeve kushtetuese.
Ndryshimet kushtetuese të miratuara në bazë të Marrëveshjes së Prespës patën një kosto të konsiderueshme politike brenda Maqedonisë së Veriut. Megjithëse Marrëveshja konsiderohet gjerësisht si një arritje historike diplomatike që zgjidhi një mosmarrëveshje shumëvjeçare dhe mundësoi anëtarësimin e vendit në NATO, ajo solli edhe pasoja të rëndësishme në skenën e brendshme politike. Partia politike që udhëhoqi procesin dhe mori përgjegjësinë për zbatimin e Marrëveshjes humbi mbështetjen e një pjese të konsiderueshme të elektoratit dhe kaloi në opozitë, ndërsa skepticizmi dhe zhgënjimi u thelluan tek popullata lidhur me kompromiset e bëra. Kjo dëshmon se kompromiset kushtetuese të ndërmarra në funksion të objektivave strategjike ndërkombëtare rrallëherë kalojnë pa kosto politike të brendshme.
Megjithatë, pasi kapërceu mosmarrëveshjen me Greqinë, Maqedonia e Veriut u përball me një pengesë tjetër në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian: veton bullgare dhe kërkesën për ndryshime të reja kushtetuese. Ndryshe nga periudha e Marrëveshjes së Prespës, mjedisi aktual politik karakterizohet me më shumë kujdes dhe përmbajtje. Edhe pse pothuajse të gjithë aktorët kryesorë politikë vazhdojnë të shprehin mbështetje të fortë për integrimin evropian, vihet re një hezitim i dukshëm për të mbështetur ndryshime të tjera kushtetuese. Ky hezitim buron kryesisht nga shqetësimet për pasojat elektorale dhe nga kujtesa politike mbi kostot e kompromisit të mëparshëm kushtetues.
Në këtë kontekst, nuk mund të përjashtohet mundësia që aktorët politikë, veçanërisht partia që fitoi numrin më të madh të mandateve parlamentare në zgjedhjet e fundit dhe që aktualisht udhëheq qeverinë, të tregojnë në të ardhmen gatishmëri për të ndërmarrë një hap tjetër kushtetues. Megjithatë, një gatishmëri e tillë duket se kushtëzohet nga garanci më të forta politike dhe institucionale nga Bashkimi Evropian se kërkesa aktuale kushtetuese do të jetë pengesa e fundit madhore në procesin e anëtarësimit dhe se nuk do të shfaqen kushte të reja dypalëshe apo kërcënime të tjera me veto nga shtetet anëtare.
Pikërisht këtu qëndron sfida kryesore e procesit të zgjerimit. Çështja nuk është më vetëm nëse Maqedonia e Veriut është e gatshme të bëjë kompromiset e nevojshme për anëtarësim, por nëse Bashkimi Evropian është në gjendje të ofrojë një proces të besueshëm, të parashikueshëm dhe të drejtë të anëtarësimit. Në fund të fundit, qëndrueshmëria e projektit evropian në Maqedoninë e Veriut dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor do të varet jo vetëm nga gatishmëria e vendeve kandidate për të ndërmarrë reforma dhe sakrifica kushtetuese, por edhe nga aftësia e Bashkimit Evropian për të ruajtur besimin se këto sakrifica do të shpërblehen me një perspektivë reale dhe të arritshme të anëtarësimit. Përndryshe, ekziston rreziku që çmimi kushtetues i ëndrrës evropiane të mos perceptohet më si një investim për të ardhmen, por si një sakrificë e vazhdueshme me përfitime gjithnjë e më të pasigurta.
*Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.





