Çudia shqiptare: Turizmi rritet, konsumi i energjisë elektrike bie

    GJERGJ EREBARA

    Të dhënat e Institutit të Statistikave në dy raporte, Raporti i Strukturave Akomoduese, e cila pasqyron vlerësimin për ecurinë e sektorit të turizmit, dhe Bilanci i Energjisë Elektrike, shfaqin një kontradiktë të pazakontë për gjashtëmujorin e parë të këtij viti. Në raportin e parë, shënohet një rritje e jashtëzakonshme në numrin e turistëve vendës e të huaj, si dhe të netëqëndrimeve në krahasim me vitin 2022. Por në raportin tjetër, atë të bilancit të energjisë elektrike, këtij malli kyç, pa të cilin nuk funksionojnë kondicionerët dhe as nuk ndizen dritat e hoteleve dhe as nuk u shërbehet dot turistëve një kafe, ka pësuar rënie.

    Raporti i Strukturave Akomoduese përgatitet nga INSTAT përmes një anketimi të kryer me operatorët e tregut dhe në vlerësim përfshihen vetëm operatorët e regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Sipas raportit të fundit për gjashtëmujorin e parë janë shënuar 1.1 milionë netë turistike nga shtetas të huaj dhe gati 600 mijë nga shtetas shqiptarë. Sektori i turizmit formal ka pësuar rritje prej 44%, sipas shifrave të INSTAT, ku netët turistike të kaluara nga të huajt janë rritur me 51%, ndërsa ato të shqiptarëve me 33%. Rritja e vizitorëve, e matur nga numri i hyrjeve dhe daljeve në kufi të shtetasve të huaj, sugjeron një rritje gjithashtu të lartë prej 33% në periudhën janar-qershor. Sipas të dhënave të INSTAT, gjashtëmujorin e parë të këtij viti në Shqipëri hynë 3.97 milionë shtetas të huaj, nga 2.55 milionë në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

    Në raportin e strukturave akomoduese, INSTAT thekson se shifrat e tij mbartin të dhëna vetëm për sektorin formal, ndërsa turistët që akomodohen në struktura të paregjistruara në tatime, nuk përfshihen. Ky numër mundet vetëm të hamendësohet, për shkak se tregu joformal është vështirë të matet saktë. Por ekonomistët përdorin një mënyrë indirekte për të matur ekonominë informale dhe rritjen ekonomike reale, në kushtet kur një pjesë e aktivitetit kryhet jashtë regjistrave tatimorë. Kjo metodë llogarit intensitetin energjetik të ekonomisë (energji e konsumuar për çdo dollar vlerë të shtuar të krijuar në ekonomi) si dhe ndjek ecurinë e konsumit energjetik në kohë.

    Rritja në turizmin zyrtar të vlerësuar nga anketa e INSTAT dhe rritja e supozuar në tregun informal, llogaritet në këtë mënyrë duke parë energjinë e konsumuar, pasi asgjë nuk realizohet dot pa lënë gjurmë në konsumin energjetik. Vetëm se në këtë pikë, llogaria ngec. Të dhënat e INSTAT mbi konsumin e energjisë elektrike tregojnë një situatë krejt të kundërt. Sipas tyre Shqipëria konsumoi 3.97 milionë kWh energji elektrike në gjashtëmujorin e parë 2023, me rënie 6.7% me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Të dhënat tregojnë gjithashtu se rënia më e madhe shënohet në konsumatorët e kategorisë jofamiljare, ku përfshihen kompanitë private dhe njësitë e qeverisjes. Në këtë segment, konsumi ka rënë me plot 10%.

    Rritja e supozuar e konsumit të shkaktuar nga bumi i turizmit në fakt nuk vërehet as në të dhëna të tjera indirekte. Për shembull, sipas të dhënave të volumit të tregtisë së jashtme, importet dhe eksportet kanë pësuar rënie, ndërsa të dhënat e importit të mallrave kyçë, të tillë si nafta, kafeja apo duhani, nuk shënojnë bumin që duhej të shoqëronte shifrat e raportuara në turizëm. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    37 vite pas Çernobilit, zbuloni se për sa kancere është përgjegjës ky aksident

    Lajmi i rradhës

    Gjermania miraton uljen e taksave të sipërmarrjeve

    Lajme tjera

    Unë dhe gjuha shqipe

    ANETA WOLTER  Para disa viteve, një mikja ime në Gjermani me origjinë nga Lituania dhe pedagoge e gjermanishtes,…
    Më tepër

    Ka edhe më keq…

    Lutfi Dervishi Mund të kesh përballë një mijë e një probleme, mund të kenë rënë mbi kurriz të…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë