Paulo Freire
Ndonëse problemi i humanizimit ka qenë gjithmonë, nga pikëpamja aksiologjike, problem qendror i njerëzimit, tashmë ai ka marrë karakterin e një shqetësimi të pashmangshëm. Shqetësimi për humanizimin të çon menjëherë te njohja e dehumanizimit jo vetëm si një mundësi ontologjike, por edhe si realitet historik. Ndërsa një individ percepton shtrirjen e dehumanizimit, ai ose ajo mund të pyesë nëse humanizimi është një mundësi e arritshme. Brenda historisë, në kontekste objektive, konkrete, si humanizimi edhe dehumanizimi janë të mundshme për një person si një qenie e parealizuar e ndërgjegjshëm për këtë mosrealizim.
Po ndonëse si humanizimi edhe dehumanizimi janë mundësi reale, vetëm i pari është prirje e njerëzve. Kjo prirje mohohet në mënyrë konstante, e bash pohohet pikërisht nga ky mohim. Ajo pengohet nga padrejtësitë, shfrytëzimi, shtypja dhe dhuna e shtypësve; ajo pohohet nga dëshira e zjarrtë e të shtypurve për liri dhe drejtësi dhe nga beteja e tyre për të rigjetur humanitetin e tyre të humbur.
Dehumanizimi, i cili shënon jo vetëm ata që u është vjedhur humanizmi, por gjithashtu (edhe pse në mënyrë të ndryshme) edhe ata që e kanë vjedhur atë, është një shtrembërim i prirjes për t’u bërë më plotësisht human. Ky shtrembërim ndodh brenda historisë; por nuk është një prirje historike. Në të vërtetë, ta pranosh dehumanizimin si prirje historike do të çonte ose në cinizëm, ose në dëshpërim total. Beteja për humanizimin, për emancipimin e punës, për tejkalimin e tëhuajësimit dhe për pohimin e burrave dhe grave si njerëz do të ishte i pakuptimtë. Kjo betejë është e mundur vetëm sepse dehumanizimi, ndonëse fakt historik konkret, nuk është një fat i përcaktuar, por rrjedhojë e një rendi të padrejtë që sjell dhunën e shtypësve, e cila në anën tjetër dehumanizon të shtypurit.
Për shkak se është shtrembërim i të qenit më plotësisht human, herët a vonë të qenit më pak human i shtyn të shtypurit në beteja kundër atyre që i kanë sjellë në këtë gjendje. Në mënyrë që kjo betejë të ketë kuptim, të shtypurit nuk duhet, në rrugën për të rifituar humanizmin e tyre (e cila është një mënyrë për ta krijuar atë), të kthehen në shtypës të shtypësve, por në rivendosës të humanitetit për të dy.
Kjo, pra, është detyra e madhe humaniste dhe historike e të shtypurve: të çlirojnë veten dhe shtypësit e tyre njëkohësisht. Shtypësit, të cilët shtypin, shfrytëzojnë dhe dhunojnë për shkak të pushtetit të tyre, nuk mund të gjejnë në këtë pushtet forcë për të çliruar të shtypurit apo veten e tyre. Vetëm fuqia që buron nga dobësia e të shtypurve do të jetë mjaftueshëm e fortë për t’i çliruar të dyja palët. Çdo përpjekje për “të zbutur” pushtetin e shtypësve për hir të dobësisë së të shtypurve e manifeston veten thuajse gjithmonë në formën e bujarisë false; në të vërtetë, përpjekja kurrë nuk shkon më larg se kaq. Në mënyrë që të kenë mundësinë e vazhdueshme për të shprehur “bujarinë” e tyre, shtypësit duhet të përjetësojnë padrejtësitë në anën tjetër. Një rend shoqëror i padrejtë është burimi i përhershëm i kësaj “bujarie”, e cila ushqehet nga vdekja, dëshpërimi dhe varfëria. Kjo është arsyeja se përse shpërndarësit e bujarisë false dëshpërohen me kërcënimin më të vogël të burimit të saj.
Bujaria e vërtetë qëndron pikërisht në luftën për të shkatërruar shkaqet të cilat ushqejnë bujarinë false. Bamirësia false i shtrëngon të frikësuarit dhe të nënshtruarit, të “përjashtuarit e jetës”, të shtrijnë duart e tyre që dridhen. Bujaria e vërtetë qëndron në përpjekjen që këto duar – qofshin individësh apo masa njerëzish – duhet të shtrihen pak e më pak në lutje, që gjithnjë e më shumë të bëhen duar njerëzish të cilat punojnë dhe, duke punuar, transformojnë botën.
Ky mësim dhe kjo praktikë mësimi, megjithatë, duhet të vijë nga vetë të shtypurit dhe nga ata që janë vërtet solidarë me ta. Si individë apo si masa njerëzish, duke luftuar për rivendosjen e humanitetit të tyre, ata do të përpiqen për rivendosjen e bujarisë së vërtetë. Kush më mirë se vetë të shtypurit mund ta kuptojnë domethënien e tmerrshme të një shoqërie shtypëse?! Kush i vuan pasojat e shtypjes më tepër sesa të shtypurit?! Kush mund ta kuptojë më mirë domosdoshmërinë e çlirimit?! Ata nuk do ta fitojnë këtë çlirim rastësisht, por me praksisin e tyre gjatë rrugës për t’ia arritur, përmes njohjes së domosdoshmërisë së tyre për të luftuar për të. Dhe kjo luftë, për shkak të qëllimit të vendosur prej të shtypurve, në të vërtetë do të përbëjë një akt dashurie përkundër mungesës së dashurisë që shtrihet në zemrën e dhunës së shtypësve; mungesë dashurie madje edhe kur vishet me petkun e bujarisë false.
Por thuajse gjithmonë, gjatë fazave fillestare të betejës, të shtypurit në vend se të përpiqen për çlirim, priren të kthehen në shtypës, ose “nënshtypës”. Struktura themelore e mendimit të tyre ka qenë e kushtëzuar nga kontradiktat e situatave ekzistenciale konkrete, prej të cilave u formuan. Ideali i tyre është të jesh njeri; por për ta, të jesh njeri do të thotë të jesh shtypës. Ky është modeli i tyre i humanizmit. Ky fenomen rrjedh nga fakti se të shtypurit, në një periudhë të caktuar të përvojës së tyre ekzistenciale, përshtatin një sjellje “të ngjitjes” me shtypësin. Në këto rrethana ata nuk mundet “ta konsiderojnë” mjaftueshëm qartë për ta objektifikuar atë – për ta zbuluar atë “jashtë” vetes së tyre. Kjo nuk do të thotë medoemos se të shtypurit nuk janë të vetëdijshëm që janë të shkelur me këmbë. Por perceptimi i tyre për veten si të shtypur dobësohet me zhytjen e tyre në realitetin e shtypjes. Në këtë nivel, perceptimi i tyre për veten si kundërshtarë të shtypësve ende nuk nënkupton përfshirje në betejë për ta tejkaluar kontradiktën; njeri pol nuk aspiron çlirimin, por identifikimin me polin e tij të kundërt.
Në këtë situatë, të shtypurit nuk e shikojnë “njeriun e ri” si njeriun që do të lindë nga zgjidhja e kontradiktës, ndërkohë që shtypja i hap rrugë çlirimit. Për ta, vetë burri i ri apo gruaja e re bëhen shtypës. Vizioni i tyre për burrin e ri apo gruan e re është individualist; për shkak të identifikimit me shtypësit, ata nuk kanë vetëdije për veten si njerëz apo si pjesëtarë të një klase të shtypur. Ata nuk e kërkojnë reformën agrare për t’u çliruar, por për të zotëruar tokë dhe kësisoj të kthehen në pronarë tokash – ose, më saktë akoma, pronarë karshi punëtorëve. Është e rrallë për një fshatar i cili, një herë që “ngrihet” në detyrën e mbikëqyrësit, të mos kthehet edhe më tiranik se vetë pronari karshi ish-shokëve të tij. Kjo ndodh sepse konteksti i situatës së fshatarit, domethënë shtypja, mbetet e pandryshuar. Në këtë shembull, për të siguruar punën e vet, mbikëqyrësi duhet të jetë po aq i ashpër sa pronari – në mos më tepër. Kësisoj ilustrohet pohimi jonë i mëhershëm se gjatë fazës fillestare të luftës të shtypurit gjejnë te shtypësi modelin e tyre të “njerëzisë”.
Madje edhe revolucioni, i cili transformon një situatë konkrete shtypjeje duke nisur procesin e çlirimit, duhet të përballet me këtë fenomen. Shumë nga të shtypurit që drejtpërdrejt ose jo marrin pjesë në revolucion synojnë – të kushtëzuar nga mitet e rendit të vjetër – ta kthejnë atë në revolucionin e tyre privat. Hija e shtypësve të tyre të dikurshëm ende mjegullon mbi ta.
Është e nevojshme të shqyrtohet “frika prej lirisë” që shqetëson të shtypurit[i], një frikë e cila mundet t’i bëjë të dëshirojnë rolin e shtypësit apo t’i lidhë me rolin e shtypësit. Një ndër elementët themelorë të marrëdhënies mes shtypësit dhe të shtypurit është urdhëresa. Çdo urdhëresë përfaqëson imponimin e zgjedhjes së një individi mbi një tjetër, duke transformuar ndërgjegjen e personit të urdhëruar në atë që pajtohet me ndërgjegjen e urdhëruesit. Kësisoj, sjellja e të shtypurit është një sjellje e urdhëruar, duke zbatuar udhëzuesin e shtypësit.
Pasi kanë brendësuar imazhin e shtypësit dhe ndjekur udhëzuesin e tij, të shtypurit kanë frikë nga liria. Liria do t’u kërkonte ta nxirrnin jashtë këtë imazh dhe ta zëvendësonin me autonomi dhe përgjegjshmëri. Liria fitohet, nuk dhurohet. Ajo duhet të ndiqet në mënyrë konstante dhe me përgjegjësi. Liria nuk është një ideal që gjendet jashtë njeriut; as një ide e cila shndërrohet në mit. Përkundrazi është kushti i nevojshëm gjatë rrugës për përmbushjen e njeriut.
Për të kapërcyer situatën e shtypjes, njerëzit fillimisht duhet të njohin në mënyrë kritike shkaqet e saj, në mënyrë që gjatë veprimit transformues të mund të krijojnë një situatë të re – situatë e cila mundëson ndjekjen e një humanizmi më të plotë. Por beteja për të qenë një njeri më i plotë tashmë ka filluar në betejën autentike për të transformuar situatën. Megjithëse situata e shtypjes është një totalitet i dehumanizuar dhe që dehumanizon, i cili ndikon si shtypësit edhe ata që shtypen, janë këta të fundit të cilët duhet, nga humanizmi i tyre i ndrydhur, të nisin për të dy një luftë për një humanizëm më të plotë; shtypësi, i cili është vetë i dehumanizuar ngaqë dehumanizon të tjerët, është i paaftë ta udhëheqë këtë betejë.
Megjithatë, të shtypurit, të cilët i janë përshtatur strukturës së dominimit në të cilën janë zhytur dhe i janë dorëzuar asaj, pengohen për ta nisur këtë betejë për liri për aq kohë sa ndihen të paaftë për të ndërmarrë rreziqet që kërkon ajo. Për më tepër, beteja e tyre për liri nuk kërcënon vetëm shtypësit, por edhe shokët e tyre të shtypur të cilët i frikësohen një represioni edhe më të madh. Kur zbulojnë brenda vetes dëshirën e zjarrtë për të qenë të lirë, ata e kuptojnë se kjo dëshirë e zjarrtë mund të transformohet në realitet vetëm atëherë kur e njëjta dëshirë lind edhe te shokët e tyre. Por për sa kohë janë të kapluar nga frika prej lirisë, ata refuzojnë t’u thërrasin të tjerëve apo të dëgjojnë thirrjet e të tjerëve, madje edhe thirrjet e vetë ndërgjegjes së tyre. Ata parapëlqejnë të shoqërohen me të ngjashmit e tyre sesa shoqërinë e vërtetë; ata parapëlqejnë sigurinë e rehatisë me gjendjen e tyre të palirisë karshi bashkësisë krijuese të prodhuar nga liria e madje edhe vetë ndjekjes së lirisë.
Të shtypurit vuajnë nga dualiteti i shtënë në thellësi të qenies së tyre. Ata zbulojnë se pa liri nuk mund të ekzistojnë në mënyrë të vërtetë. Megjithatë, edhe pse e dëshirojnë ekzistencën e vërtetë, ata i frikësohen asaj. Ata janë në të njëjtën kohë edhe vetja e tyre, edhe shtypësi, ndërgjegjen e të cilit e kanë brendësuar. Konflikti shtrihet në zgjedhjen mes të qenit tërësisht vetja e tyre apo të qenit të ndarë; mes nxjerrjes jashtë të shtypësit brenda tyre apo mosnxjerrjes së tij; mes solidaritetit njerëzor apo tëhuajësimit; mes ndjekjes së urdhëresave apo të pasurit të mundësisë për të zgjedhur; mes të qenit spektatorë apo aktorë; mes të vepruarit apo pasjes së iluzionit të të vepruarit përmes veprimeve të shtypësve; mes të ngriturit të zërit apo të heshturit, të tredhur në fuqinë për të krijuar dhe rikrijuar, në fuqinë e tyre për të transformuar botën. Kjo është dilema tragjike e të shtypurve që duhet të merret në konsideratë gjatë edukimit të tyre.
E përktheu0
Jani Marka
Marrë nga libri i autorit “Pedagogjia e të shtypurve”, botim në anglisht i vitit 2000 (botimi origjinal në portugalisht është i vitit 1968) fq. 43-48.
[i] Kjo frikë nga liria gjendet edhe te shtypësit, megjithëse, qartësisht, në formë tjetër. Të shtypurit kanë frikë ta përqafojnë lirinë; shtypësit kanë frikë të humbasin “lirinë” për të shtypur.