Redi Muçi
Situata e pandemisë duket se ka risjellë në vëmendje probleme të vjetra të arsimit në Shqipëri, por që tashmë rishfaqen me një formë të re – të ashtuquajturën “privatësia” e procesit të mësimdhënies. Në shumicën e rasteve, siç dëshmojnë vetë studentët, pedagogët refuzojnë të regjistrojnë orën e mësimit, edhe pse tashmë teknologjia e mundëson diçka të tillë, duke aluduar se kështu u shkelet privatësia. Është interesante të kridhemi në thellësitë e kësaj ideje gjeniale të shpikur pikërisht nga shkencëtarët vendas.
Pa dyshim se vetë nocioni i privatësisë është shoqëruar ngushtë me një debat që lëvrohet prej shumë vitesh nëpër botë: atij lidhur me lirinë e individit dhe grupeve sociale për të vepruar në privatësi përkundrejt survejimit që imponon pushteti. Nga njëra anë e debatit janë ata që lartësojnë mbi gjithçka sigurinë dhe parandalimin e krimit dhe nga ana tjetër ata që e përkufizojnë demokracinë edhe si lirinë për të vepruar në mënyrë subversive dhe në fshehtësi ndaj një sistemi autoritar. Ky debat, i nisur që me instalimin e kamerave nëpër rrugët e kryeqyteteve botërore, ka marrë tashmë trajta globale me denoncimet e Edward Snowden-it mbi sistemet e sofistikuara të survejimit të qeverisë amerikane ndaj çdo subjekti të saj. Diçka e tillë tashmë bëhet e mundur përmes pajisjeve elektronike të përdorimit vetjak, si p.sh. telefonit, apo shfrytëzimit të rrjetit për të ndjekur gjurmët që lënë përdoruesit, duke grumbulluar të dhëna mbi individët – që nga orientimi seksual e deri te preferencat në libra.
Do të ishte e tepërt të vihej në dukje se debati në rastin në fjalë nuk ka lidhje me sa më sipër.
Argumenti kryesor i pedagogëve të universiteteve shqiptare është se duke regjistruar dhe shpërndarë në rrjet një orë mësimi, i jepet mundësia edhe një pale të tretë – përveç auditorit të studentëve që përmban grupi – për t’u iluminuar nga dijet e tyre. Kjo palë, që do mund të vëzhgojë procesin e mësimit, shkel privatësinë e pedagogut. Madje argumenti shkon më larg se kaq: ora e leksionit matet me një vlerë monetare të caktuar – që është paga e pedagogut – dhe “kapja” e saj përmes regjistrimit bën të mundur shumëfishimin e kësaj dijeje pa kompensimin e duhur të pronarit legjitim të saj. Piratët, në këtë rast, janë shpura përfituese e atyre të cilët nuk kanë paguar tarifën përkatëse për këtë produkt që ofron “tregu”.
Të pretendosh se në një orë mësimi të shkelet privatësia do të thotë se e konsideron atë si një event privat. Por ama de facto ai është një event publik ku ngjet pikërisht ndarja e dijes (së supozuar) me të tjerë. Shkelja e privatësisë nga dikush do të pretendohej vetëm në rastin kur subjektet e tjera nuk do të konsideroheshin si të tilla – pra si subjekte të lira dhe të barabarta me të parin, që janë aty për të mundësuar transferimin e dijes – por si subjekte të nënrenditura, pa sy e veshë, po sidomos pa gojë për të dëshmuar cilësinë e dijeve të marra. Për të qenë më të saktë, studentëve nuk u ka munguar goja, por janë përballur tradicionalisht me shurdhërinë institucionale që pedagogun e ka lënë në “lirinë e vet akademike”, e cila rëndom përkthehet në paaftësi e në raste të tjera në abuzim. Për ta thënë troç, regjistrimi i orës së leksionit përbën dëshmi.
Gjithçka që ka të bëjë me shkencën është publike, ose s’është fare. Të mos harrojmë se të gjitha ato doktorata që rezultuan jo thjesht plagjiatura, por thagma, janë miratuar nga një bord “shkencëtarësh” që i bëjnë qoka njëri-tjetrit dhe politikanëve që doktoratën e kanë blerë më lirë se varësen e floririt. Është vetëm në saje të vendimit për publikimin e tyre që ne jemi në dijeni të cilësisë së tyre. Jo vetëm kaq; komunitetet përnjëmend shkencore organizojnë konferenca ku çdo kërkues prezanton publikisht punimet e veta dhe pret kritikat dhe komentet e kolegëve. Të njëjtët pedagogë shqiptarë që supozohet të ndajnë “zbulimet” e tyre në shkencë me mbarë botën, e quajnë shkelje të privatësisë nëse një kolegu i jepet mundësia të ndjekë një orë leksioni të tyre.
Pretendimi i rentës kapitaliste të dijes nuk është thjesht absurd, por qesharak – megjithëse shkon dorë për dore me frymën dhe germën e ligjit në arsimin e lartë. Pa i hyrë fare debatit se sa vlen ky Graal i Shenjtë i kyçur brenda mendjesh të ndritura të cilave iu duhet ruajtur privatësia, mjafton të përmendet fakti se auditorët universitarë në të gjithë botën janë të hapur për çdo të interesuar që nga rruga mund të ulet në bankat e tyre. Por në kontekstin e 30 viteve të fundit, kontributi i shkencës shqiptare ka qenë kryesisht publikimi gradual i arkivave të punës së brezave paraardhës. Kështu ka qenë mbyllja nëpër dollapë që u ka dhënë “mbajtësve të çelësave” monopolin e dijes që deri dje ka qenë publike për komunitetin shkencor shqiptar, por ama jo për botën jashtë.
Nga një këndvështrim personal, do të thosha se po të mos kish qenë për arkivin e sci-hub.do – themeluar nga shkencëtarja kazake Alexandra Elbakyan – nga ku mund të shkarkohen në mënyrë pirate mbi 51 milionë artikuj shkencorë, nuk do të kisha bërë kurrë doktoratë.
Siç thoshte profesori im i logjikës matematike në universitet, shkencën e shtyn përpara krijimi i një ambienti shkencor ku dija jo vetëm aksesohet lirisht, por çdokush nxitet që të kontribuojë dhe të analizojë punimin e tjetrit. Mbyllja në zhguallin e marrëdhënies brenda klasës, me tekste të vjetruara e shpesh të përkthyera keq, ka sjellë degradimin e produktit shkencor të universiteteve shqiptare. Në botën e sotme ku informacioni ndodhet vetëm një klikim larg, pedagogët shqiptarë kanë zgjedhur të bëhen pronarë të dijes së përftuar mes arkivash të mykura nga koha dhe harresa.