Kriptomonedhat, zhvillim apo manipulim e mashtrim?

    AKADEMIK ANASTAS ANGJELI

    Që në kohën kur monedhat dixhitale (kriptomonedhat) “dolën në dritë”, në vitin 2008, periudhë kjo që përkon me atë të krizës financiare të kësaj kohe e kur një person (apo grup personash) nën emrin anonim Satoshi Nakamato, publikuan një shkrim shkencor me titullin “BitcoinNjë sistem elektronik për shkëmbimin palë-më-palë të parasë”, bashkë me rreth 15 vitet që kaluan, ngjarjet dhe zhvillimet kanë qenë të shumta dhe të mëdha. Vetë kriptomonedhat pasuan njëra-tjetrën, nga Bitcoin te Litecoin, nga Ethereum në ZEC, nga DASH, në Monero, NEO etj. Bashkë me to edhe platformat dixhitale në funksion të tyre. Ato u bënë pjesë e sistemit të pagesave monetare dhe pse jo e investimeve në tregje. Kjo, ndërkohë që ekonomia globale dhe bota financiare u goditën gjatë kësaj periudhe nga tronditjet e krizës dhe recensionit ekonomik të shkaktuar nga Pandemia e Covid-19 dhe pasojat e kërcënimet e krizës energjetike dhe asaj ushqimore, inflacionit të lartë dhe rritjes “së çmendur të çmimeve”, rrjedhojë e luftës së Rusisë në Ukrainë dhe gjithë pasojat e tjera të kësaj lufte. Po ç’ndodhi me paranë elektronike, kriptomonedhat “Bitcoin” si babai i tyre?

    KRIPTOMONEDHAT SI ZHVILLIM

    15 vitet e jetës së kriptomonedhave janë shoqëruar jo vetëm me faktin e shndërrimit të tyre nga një ide në një realitet, duke u zhvilluar dhe krijuar platforma elektronike nga më të mëdhatë për tregtimin e këtyre kriptovalutave, por edhe me debate e dilema, teorike e praktike për to, rolin dhe të ardhmen e tyre. A janë ato një zhvillim apo mashtrim dhe spekulim?

    Pa dyshim që nga pikëpamja e formës, mënyrës së përdorimit të monedhave dixhitale në transaksionet monetare përmes platformave elektronike, ato janë produkt dhe pjesë e zhvillimit të paimagjinueshëm të teknologjisë dixhitale, e cila tashmë është bërë pjese e gjithanshme e “jetës së re” të këtij shekulli.

    Cilat janë të rejat që solli lindja, zhvillimi dhe përdorimi i kriptomonedhave?

    Nga pikëpamja monetare solli futjen në qarkullim, për efekt pagesash-transaksionesh dhe investimi, një monedhë të re, e cila synon të bëhet monedhë ndërkombëtare.

    Por, siç është e njohur, zhvillimet kryesore të sistemit dhe monedhës ndërkombëtare janë të lidhura me krijimin e sistemit monetar ndërkombëtar, atij të Bretton Woods-it (1944). Ky ishte sistemi i parë i përdorur pas Luftës së Dytë Botërore, për të kontrolluar vlerën e parasë midis vendeve të ndryshme e që do të thoshte se çdo vend duhej të kishte një politikë monetare, që mbante kursin e këmbimit të monedhës së tij brenda një vlere fikse – plus ose minus një për qind – në terma të arit (at US$35 per troy ounce of fine gold, or 0.88867 gram fine gold per dollar). Por siç është e njohur, ishte presidenca Nixon që shkaktoi kolapsin e sistemit Bretton Woods, duke pezulluar zyrtarisht konvertueshmërinë e dollarit në ar më 15 gusht 1971 dhe mori vendimin e SHBA për të pezulluar konvertueshmërinë e arit. Kjo i dha fund një aspekti kyç të sistemit Bretton Woods. Pjesa e mbetur e sistemit, kunja e rregullueshme, u zhduk në mars 1973. (Një arsye kryesore për kolapsin e Bretton Woods ishte politika monetare inflacioniste që ishte e papërshtatshme për vendin e monedhës kryesore të sistemit). Edhe pse dollari amerikan vazhdon të jetë monedha më e fuqishme ndërkombëtare dhe mbas “shembjes” së këtij sistemi, lindja, futja në tregun monetar në vitin 1999 e monedhës së përbashkët europiane Euro për vendet e eurozonës përbënte zhvillimin historik në fushën monetare, në sistemin monetar ndërkombëtar. Dhe më pas, monedhat dixhitale pas vitit 2008 u konsideruan si një përpjekje madhore për t’u futur drejt një roli ndërkombëtar si monedhë (edhe pse janë ende shumë larg këtij synimi).

    -Nga pikëpamja e zhvillimit të legjislacionit dhe akteve rregullative është ende në filizat e veta pasi janë të pakta vendet që kanë ndërmarrë akte ligjore që rregullojnë veprimtarinë e këtyre monedhave, edhe pse shumë autoritete rregullatore apo Banka Qendrore kanë nxjerrë akte më tepër për ta kontrolluar dhe për të qenë vigjilentë ndaj kësaj risie sesa për ta motivuar atë.

    Në këndvështrimin teknologjik, platformat dixhitale që perdoren janë zhvilluar e përsosur vazhdimisht dhe me shpejtësi, duke mundësuar lehtësimin e përdorimit të tyre në një kohë shume të shpejtë dhe shtimin e garancive të sigurisë së tyre.

    -Njëhershmi, ky zhvillim i përdorimit të kriptomonedhave, jo vetëm që ndryshoi shumë kulturën, teknikat dhe mënyrën e punës në përdorimin e tyre, veçanërisht në transaksione, por progresoi kulturën financiare e monetare dhe pasuroi fjalorin, terminologjinë e botës monetare me atë teknologjikë të papërdorur më parë për përdoruesit dhe tregjet financiare, analistët e këtyre tregjeve dhe vetë ekonomistëve dhe financiarëve.

    -Më në fund, një çështje e rëndësishme është se lindja e fenomenit të monedhave dixhitale dhe e krijimit të tregut të tyre shënoi një epokë të re në fushën monetare duke u shoqëruar (që po vazhdon dhe sot) me debate për këtë fenomen, të ardhmen e tij, çfarë roli dhe funksioni do të ketë në të ardhmen në krahasim me rolin dhe funksionet tashmë të konsoliduara dhe klasike të parasë. Dhe më tej:

    -Ajo që përbën edhe thelbin e debatit, mbulimin në ar apo në ç’formë tjetër nga Bankat Qendrore të kësaj monedhe. Dhe nëse ky zhvillim do të shkojë drejt synimit të plotë të vet, për më tepër në kushtet e zhvillimeve globale post-Covid dhe të luftës në Ukrainë, për t’u shndërruar në monedhë ndërkombëtare. A do t’i duhet botës financiare t’i drejtohet një Bretton Woods-it të Ri? Po cili është realiteti?

    Çfarë po ndodh?

    JANE KRIPTOMONEDHAT NJE MANIPULIM APO MASHTRIM?

    Kur investitorët e parë “nxituan” të investonin në kriptomonedha dhe filluan përdorimin e platformave dixhitale për transfertat e para të pagesave, duket se “u buzëqeshi fati”. Kështu që Bitcoin, “zemra” e kriptomonedhës, jetoi lulëzimin e vet me ulje-ngritjet e pritshme të tregut. Me fillimin e luftës në Ukrainë dhe krizën që pason u shfaq ideja dhe u duk se kjo monedhë do të ishte edhe “shkopi magjik” i shpëtimit nga kriza ekonomike, financiare që po kërcënon ekonominë globale dhe inflacioni i lartë. Por zhgënjimi ishte i shpejtë. Jo vetëm që kjo nuk ndodhi, por përkundrazi, tronditja e kriptomonedhave kryesore ishte shumë e fuqishme. Ky tërmet, rrethet e të cilit vazhdojnë e zgjerohen, tronditën thellë besimin e investitorëve humbjet e të cilëve po shkojnë në miliarda e miliarda dollarë dhe numri i të “viktimizuarve “nga ky fenomen po bëhet tronditës. Sipas njoftimeve të fundit, tronditjet e këtij tregu vazhdojnë dhe humbjet janë të mëdha. Por, si erdhi kjo situatë? Përse tashmë analistët e ekonomisë e vlerësojnë këtë situatë si tepër negative? Është kjo për vetë pikëpyetjet që kjo monedhë (kriptomonedhat) mbart që nga krijimi i tyre? Është kjo për shkak të qëndrimeve dhe përplasjeve të gjigantëve multimiliarderë të kundërta për këto monedha dhe efektit psikologjik i saj? Apo lufta në Ukrainë dhe kriza ekonomike, ajo energjetike, e çmimeve dhe inflacioni i lartë dhe sasia e investimeve në këto monedha dixhitale nga investitorët e mëdhenj e të vegjël në këta sektorë te goditur nga kriza? Apo të gjitha së bashku? Le t’u referohemi disa informacioneve më të fundit:

    Ndërsa lufta në Ukrainë nuk po ndalet dhe kërcënimi i krizës energjetike, recensionit ekonomik, rritjes së çmimeve dhe staglacionit vazhdon e rritet, njoftimet dhe nga tregjet e kriptovalutave janë negative dhe mjaft dëshpëruese.

    -Dy ditë më parë njoftimet janë se një kolaps i Bitcoin-it kërcënon San Salvadorin, të parin shtet ku kjo monedhë u ligjërua dhe u fut ne përdorim.

    -Një lajm tjetër tronditës vjen nga bota e monedhave dixhitale: Manipuluan çmimin e Dogecoin në një “skemë kriptopiramidale”: Elon Musk, SpaceX dhe Tesla paditet për 258 miliardë dollarë përvetësime në gjykatën federale me pretendimet se Musk “manipuloi” drejtpërdrejt çmimin e Dogecoin në një “skemë kriptopiramidale” të qëllimshme të kryer përmes “Twitter”. Padia pretendon se kriptomonedha- Dogecoin, që u lançua në vitin 2013, është një “ndërmarrje e paligjshme mashtrimi” e nxitur nga promovimi dhe manipulimi në “Twitter”.

    -Këto lajme vijnë në një kohë që tronditja në tregjet e kriptomonedhave po shtohet, çka dëshmohet edhe nga fakti se Binance, platforma më e madhe në botë dixhitale për tregtimin e kriptovalutave, ndërpreu përkohësisht pagesat në Bitcoin dhe vlera e Bitcoin ka rënë për më shumë se 10 për qind, ose nën 24 mijë dollarë për copë, që është niveli më i ulët që nga dhjetori i vitit 2020. Kjo tregon se kriptovalutën më të madhe e kanë goditur problemet makroekonomike, përfshirë edhe inflacionin e madh. Kështu, sipas analistëve, kjo tronditje vazhdon të thellohet me shpejtësi negativisht. Tashmë, çmimi i Bitcoin është ulur 28% nga një javë më parë dhe tani është -67% nga nivelet më të larta që nga nëntori, duke pësuar një rënie të madhe drejt nën 21 mijë dollarë. Kapitali i tregut është ulur në 430 miliardë dollarë dhe dominimi i tij është zvogëluar me 2% brenda një dite.

    -Ndërkaq, vijnë edhe shpërthimet me deklarime të miliarderit Bill Gate, i cili e përshkruan fenomenin që po ndodh si “100 % të bazuar në budallallëkun më të madh teorik”

    Ndërsa bilioneri Warren Buffett deklaroi se nuk do të ofrojë as 25 dollarë për gjithë sasinë e Bitcoin-it që qarkullon në botë. “Nëse ju më thoni, -theksoi ai,- që unë të bëhem zotërues i gjithë sasisë së Bitcoin-it që qarkullon në botë dhe ju ma ofroni atë për 25 dollarë, unë nuk do t’i blija ato, sepse çfarë mund të bëja me to? Në një mënyrë apo tjetrën do të më duhet t’jua shisja përsëri juve. Por me to ju nuk mund të bëni asgjë (ato s’kanë vlerë)”.

    Pa dyshim që këto deklarime nuk janë thjesht kundërvënie ndaj Pronarit të “Amazon” (që këto kohë po anancon monedhën e vet dixhitale- Amazon) apo Elon Musk (tashmë i paditur për skemë mashtruese me kriptomonedha), por janë edhe një thirrje për “vigjilencë” për të gjithë investitorët, të mëdhenj e të vegjël, që kanë dhe po investojnë në tregun e kriptomonedhave. Dhe efekti psikologjik, pa dyshim, nuk mund të jetë i pakonsiderueshëm.

    Kjo situatë dëshmon se dilemat dhe pikëpyetjet për të ardhmen e kriptomonedhave janë ende të pazgjidhura. Kush do të fitojë? Zhvillimi teknologjik i ndershëm apo manipulimi dhe mashtrimi? Le të presim dhe të shikojmë. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Takohen Kovaçevski-Marin | Anëtarësimi i Finlandës në NATO, rajoni euroatlantik është më i sigurtë

    Lajmi i rradhës

    Çfarë po e shkakton ndryshimin e strukturës së popullsisë në Kosovë?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë