SHPENDI TOPOLLAJ
Atdheu ynë ka dalë në ankand. Por ky ankand nuk është si gjithë të tjerët. Ai ka një specifikë: i jepet atij që paguan më pak ose që nuk paguan fare. Mjaft që të jetë i fortë dhe të garantojë qëndrimin në pushtet të politikanëve tanë. Apo thjeshtë, t‘i mbështesë ata. Dhe ata betohen e stërbetohen gjoja për dashuri e besnikëri ndaj perëndimorëve. Se ata dhe vetëm ata do të na ndihmojnë. Edhe çështjen kombëtare, pra bashkimin e trojeve tona, ata do ta bëjnë. Por duroni. Andej nga fundi i mijëvjeçarit të tretë a të katërt. Tani për tani, na kanë thënë të bëjmë detyrat e shtëpisë. Mirëpo, ato nuk mbarojnë kurrë. Le pastaj që na ngatërruan aq keq e na bënë lesh arapi, sa duket se po kënaqen ngaqë sherri këtu është ulur këmbëkryq.
Na mësojnë për gjithçka, dhe me forma mjaft të rafinuara, si fjala vjen koncesione apo biznese strategjike, pasuritë tona po u kalojnë atyre. Dhe nuk e kanë për gjë të lëshojnë urdhra, deri dhe ultimatume si këtu, si në Kosovë, ku me kërkesa absurde për t’i bërë qejfin Serbisë filo ruse, po e dëmtojë atë. Me pak fjalë, të huajt na janë bërë zot në shtëpinë tonë. Kjo është tragjike. Winston Churchill dikur thoshte qartazi se “Diplomacia është arti përmes të cilit mund t‘u thuash njerëzve të shkojnë në djall në mënyrë të tillë që ata të të kërkojnë udhëzime”. Dhe shqiptarët po i paguajnë shtrenjtë udhëzimet e tyre. E pamë se do të krijohet një komision për luftë kundër korrupsionit. Njësoj si ai komisioni te Shvejku.
Afërmendsh që edhe ata do të paguhen mirë. Por nuk e kuptoj; çfarë do të na mësojnë neve, apo do të marrin mësime nga përvoja jonë sesi mund të bësh zullume dhe të dalësh pa u lagur. E ndershme do të ishte që të huajt t‘ua thoshin troç politikanëve tanë: U këshillojmë që po qe se nuk dini të drejtoni vendin tuaj, largohuni dhe të vinë ata që mund ta bëjnë këtë punë pa ndërhyrjen e të tjerëve. Mirëpo, janë po ata që po na reformojnë drejtësinë, pra po e bëjnë atë të pavarur, por duke u varur nga vetë ata. Dhe shihni se ç‘po ngjet; merren vendime rreptësisht politike, se kështu duan ata…
Mjafton të kujtojmë se për një vulë po bëhen dy vjet dhe nuk jepet vendimi që mund të merret për pesë minuta, se kështu duan ata. Në vendin kampion për vjedhje votash, qëndron në arrest prej një viti, ai që mund të dënohej qysh të nesërmen se faktet aty ishin. Ose, për t’i mbyllur gojën dikujt me influencë, jo vetëm e izolojnë edhe pse e dinë se nuk vjen prej tij asnjë lloj rreziku, por edhe i thonë se ke shkelur masën e sigurisë, pasi ke pranuar vizitorë, kur të tillët shkojnë nëpër burgje dhe intervistojnë kriminelët më të rrezikshëm të botës, etj. etj. Po ngre kokë dhe një fenomen i çuditshëm: dalin turli hajdutësh të kalibrit të madh, me poste shumë të larta dhe ai që i ka zgjedhur e vendosur atje, nuk mban asnjë lloj përgjegjësie.
Njësoj sikur komandantit t‘i dezertonte reparti dhe ai të thoshte se përgjegjësia është e ushtarëve dhe e oficerëve vartës. Na thuhet se me këto punë merret prokuroria, ajo i zbulon dhe ia çon gjykatës. Por shteti pse është? Ose, po shteti ku është? Si i funksionojnë mekanizmat dhe kush i vë në lëvizje ato? Qenka kollaj kështu, po të zbuloi prokuroria mirë, në mos po… vazhdo vidh. Tjetër: ne nuk e kemi detyrë të gjejmë tradhtarët dhe ata që zgjasin duart për fiq, rrush e kumbulla. Po çfarë detyre paskeni atëherë? Të kapardiseni nëpër presidiume ku turma u brohoret me ovacione? Apo mendoni se mund të jemi pak syleshë, por përderisa të huajt nuk thonë gjë, ne jemi në rregull. Në rregull se edhe votat i kemi të sigurta. Të gjithë e shohin këtë realitet vajtues, por askush nuk e hap gojën. Flasin vetëm ata llafazanët e përhershëm që i dinë të gjitha. Ata shërbëtorët e shërbëtorëve të të huajve. Ata që duan të na bindin se bota ka ndryshuar. Se sot kuptimi i pavarësisë dhe i sovranitetit nuk është ai i dikurshmi.
Ai, ku na ka ngelur ora ne “patriotëve”. Se patriotizmi, pra atdhedashuria, na qenka streha e fundit e horrave. E paska thënë dikush. Një i mençur, natyrisht. Ndaj më mirë të mos pipëtish, sesa të të quajnë horr. Por sido që të jetë, te njeriu, duam apo nuk duam, shtresohet një psikologji. Dhe psikologjia jonë sot është “Ç‘më duhet mua”, “Këtë realitet nuk e ndryshoj unë” apo “E gjejnë mënyrën për t‘u hakmarrë këta”. Ca të tjerë e thonë më popullorçe: “Nga gomarin tat”. Dhe ndofta kanë të drejtë, se këtu liderët as që duan t’ia dinë për mendimin apo dëshirat e popullit. Ata sillen me këtë vend si në mall të babait. Paçka se përsërisin shpesh fjalën demokraci. Dhe po krijohet bindja se ata janë të gjithë njësoj. Që janë të tillë e tregon sjellja e njëjtë kur ndërrojnë rolet, si në pushtet ashtu edhe në opozitë. E tregon lufta e egër për karrige e shumë të tjera.
Por le të qëndrojmë tek ankandi, duke iu referuar historisë. Shtatë vjet më parë, diplomati ynë Mal Berisha, botoi librin kushtuar “Herman Bernstein, ambasador i ShBA – ve në Mbretërinë Shqiptare 1930 – 1933”. Dashamirës ndaj popullit tonë, korrekt në detyrë dhe mik personal i Ahmet Zogut, ai përpiqej ndershmërisht të tërhiqte vëmendjen e vendit të tij për ta ndihmuar Shqipërinë e vogël dhe të varfër. Për këtë flasin si kujtimet e tij ashtu edhe raportet që ai i dërgonte Departamentit të Shtetit. Ja çfarë i kishte thënë Zogu atij: “…e vetmja gjë që kërkon Shqipëria prej tyre është ta bëjmë Pavarësinë tonë të sigurt”. Dhe për sa i takon marrjes së ndihmave nga të huajt, ai kishte mendimin se: “Nëse cilado nga këto vende është gati të na ndihmojë … kjo është krejt e pranueshme. Por nga ana tjetër, ne nuk ua kërkojmë këtë, pasi nuk duam të biem nën trysninë e detyrimeve të fqinjëve që rrjedhin prej kërkesave tona”.
Bernsteini kujton një rast mjaft domethënës për qëndrimin prej burri shteti atdhetar të Ahmet Zogut në rastin e Traktatit Kellogg – Briand që u quajt edhe Pakti i Parisit i 27 gushtit të 1928, për gjoja masat që do të merreshin për të parandaluar Luftën e Dytë Botërore. Po e jap këtë largpamësi të tij në ligjeratë të drejtë: Kur biseda u kthye te propozimi Briand dhe përgjigja e Shqipërisë ndaj tij… Mbreti tha: Pa dyshim, ajo që po ju them është në mirëbesim. Propozimi i Briandit për një formacion të një bashkimi shtetesh europiane, vështirë se mund të merret si çështje serioze. Për një kohë të gjatë kjo do të mbetet veçse një ëndërr, një ideal i largët, një gjest fisnik i Francës, për të impresionuar botën, sikur ajo po punon për paqen. Unë nuk besoj në seriozitetin e atij propozimi të bërë nga një vend, i cili është duke ndërtuar anije luftarake dhe duke i rritur forcat e armatosura, ndërkohë që i fton vendet europiane të bëjnë një Bashkim Federalist për të ruajtur paqen. Ka aq shumë kufij artificialë, disa prej të cilëve janë sanksionuar që prej Luftës së Madhe, si për shembull ato të Polonisë, Jugosllavisë, Greqisë, Shqipërisë. Është e pamundur të zbusësh dhimbjen e kombeve thjesht, se u ofron atyre të gjenden së bashku nëpër konferenca, veçanërisht, kur shohin se brengat më të mëdha as që konsiderohen fare.
Unë kam vënë re se në këto konferenca problemet më të vështira janë ato që mbeten për t‘u zgjidhur në mbledhjen e ardhshme e kështu me radhë dhe pastaj fillon akumulimi i problemeve dhe brengave më të vështira, të cilat nuk mund të zgjidhen dhe as rregullohen, pasi vërtetë që aty nuk ka dëshira për t‘i zgjidhur ato dhe për shkak se secili prej burrështetasve që shkojnë në ato konferenca është i përkushtuar t‘i zgjidhë këto probleme sipas interesave të tij dhe jo nga pozicioni i mbarëvajtjes së përgjithshme. Kjo është arsyeja përse unë mendoj se Shtetet e Bashkuara të Europës, siç i propozon Briandi, do të mbeten vetëm një ëndërr boshe, një gjest madhështor, i ndërmarrë me qëllim që Franca, kur të vijë ajo ditë, të realizojë përpjekjet e saj për të bashkuar Europën, me qëllim që të sjellë paqen”.
Po sot çfarë duhet më shumë se luftërat, krimet e deri gjenocidi në Ukrainë e Palestinë për të vërtetuar falsitetin dhe demagogjinë e diplomacisë perëndimore. Dyshoj se ata e dëshirojnë këtë situatë. Përse? E dinë ata! Ajo që di unë është se kushdo që udhëheq këtë vend, duhet ta tundë vetë këmborën së bashku me shokë të mençur, të aftë, të drejtë, të ndershëm dhe patjetër, atdhetarë të cilët asnjëherë nuk i kanë munguar Shqipërisë. Dhe sidomos të jetë fanatik në mbrojtjen e nderit dhe dinjitetit të Atdheut tonë. /Panorama/