“Apple Macintosh 128K”, pas 40 vitesh histori në Shqipëri

    Mentor Petrela

    Historia e kompjuterit fillon me Enigmen gjatë LIIB në dezinformimin midis inteligjencës britanike dhe naziste në betejë navale, por më 24 janar të 1984 “i quajturi” Steve Jobs vuri në vëmendjen e “Apple” realizimin e idesë së kompjuterit personal quajtur “Macintosh” për rrjedhojë të fjalës së shfaqur në ekran.

    Në Shqipëri të viteve 1980-‘90 në dekadën e fundit të autarkisë ky zbulim nuk kaloi siç mund të mendohet, pavarësisht izolimit të paparë të vendit. Henry Bergson, dualist që ndan kujtesën e përditshme të zakonshme nga ajo rekolektive na mëson të analizojmë si arriti në të njëjtin vit kompjuteri personal i Steve Jobs në Shqipëri. Inxhinieri Esat Ferra, mjaft inteligjent që punonte për llogari të Makinaimportit, ndërmarrjes së vetme shtetërore, që vepronte në futjen e pajisjeve në Shqipëri informacioni i kompjuterit personal nuk i kishte shpëtuar.

    Me intuitën e tij dhe një farë guximi e raporton si makinën e inteligjencës, të informacionit dhe procesimit të të mësuarit. Pjesë të informacionit e ndau një ditë, kur fillonim punën jo në spital, por në 7.30 tek kafeja e Makinaimportit, përballë Kishës Orthodhokse ‘Ringjallja e Krishtit’. Ishte ritual i përditshëm bashkë me dr.Tritan Shehun, dr.Adnan Kastratin e të tjerë për të pritur telexet nëse firmat perëndimore që prodhonin pajisjet e materialet e specialiteteve tona kishin kthyer ndonjë përgjigje. Çështje ekzistencializmi për specialitetet tona neurokirurgji, kardiokirurgji, reanimacion, anestezi, kardiologji, që nuk plotësoheshin me pajisjet nga vendet lindore të blera gjithnjë me klering në atë kohë.

    Nga kafeja në rast përgjigjeje pozitive me ofertë çmimesh nga se paku tri firma, ndalonim në stacionin e dytë, Banka e Shqipërisë, sektori i valutës, te Shkëlqim Cami. Ai na ndihmonte kur kishte ndonjë mbetje të valutës, duke kuptuar ndjeshmërinë e humanizmin për të cilin përpiqeshim. Ing. Esati thoshte që kishte bërë një raport për më lart për domosdoshmërinë e blerjes së kompjuterëve duke përmendur inteligjencën artificiale në atë kohë. Duket ky raport kishte ngacmuar deri në politburo, që duheshin blerë pajisjet. Deluzion mbase në mendjen e tyre se Winston Smith i 1984 të Orwellit nëpërmjet kompjuterit mund t’i shërbente Ministrisë së të Vërtetës për propagandë, që të dashuronim të gjithë “Big Brother”? Ndoqa më pas si po shkonte blerja, ku vlera e çdo kompjuteri ishte 3000$ po ta kthesh në vlerën aktuale 15000-20000$.

    U porositën pesë “Macintosh”, që erdhën, por mbeti një kohë që duket u sorollatën nëpër dyert e shërbimeve të inteligjencës për t’u përthithur ose verifikuar mbase edhe si makina infernale dhe si duket nuk gjeten aplikacionin e pritshëm. Një ditë të bukur ing. Esati më thotë ne se kisha interes për kompjuterin së cilës iu përgjigja pozitivisht. Më rekomandoi të bisedoja me Shane Korbecin dhe Ali Zajmin drejtorët e Makinaimportit, të cilët ishin mjaft dashamirës ndaj sektorit të mjekësisë dhe pa hezitim tre “Apple Macintosh” të parët na u dorëzuan për secilin dr.Adnan Kastrati e dr.Tritan Shehu.

    Kompjuteri me një libër konsistent shpjegimesh dhe pesë disketa katrore fillimisht dukej i frikshëm kur shtypja çdo key bords, një figurë, një algoritëm për t’u deshifruar më dukej një qorrsokak nga nuk do të dilja kurrë si e përshkruan nobelistja Annie Ernaux tek Les Annees. Vitet. Gradualisht dedalusi bëhej rutinë si minjtë në laboratorët e testimit të inteligjencës. Më shërbeu në fillim për database të të dhënave të pacientëve, më pas për renditjen e bibliografisë, që pa kompjuter në atë kohë ishte si miti i Sizifit.

    Shfletonim periodikun tek Biblioteka Kombëtare në Rrugën Elbasanit çdo pasdite 2-3 orë dhe duhej të mbanim shënim burimet me blloqe. Ndërsa kolegu, im dr. Adnan Kastrati, e përdori në përpunime statistikore, që i vlejtën më tej si bazë për karrierën e tij botërore në mjekësi për të cilën ai mbetet figurë kombëtare. Çështje fluksesh, pacientet kardiakë janë të shumtë dhe aplikimi aty ka shtrirje më të gjerë në krahasim me neurokirurgjinë. Zhvillimet, ndryshimi i sistemit, evolucioni e beri “Macintoshin 128K vintage”, që fatkeqësisht nuk e kam ruajtur, megjithëse nuk ishte ‘Enigma’ e Alan Turing, histori tjetër e inteligjencës artificiale.

    Lajmi Paraprak

    A do ta vrasin podkastet dhe audio-librat, radion që ne njohim?

    Lajmi i rradhës

    Truku që ju tregon nëse dikush po hyn fshehurazi në llogarinë tuaj në Facebook

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë