Dështimi i “feminizmit të bardhë”

    Nada Dosti

    Nada Dosti

    Në librin “Feminizmi i Bardhë” Koa Beck, gazetare dhe autore, sqaron se ideologjia dhe strategjia e “feminizmit të bardhë“ përqendrohet më shumë në akumulimin individual, kapitalin privat dhe individualizmin.

    Sfidat e kohës që po jetojmë, duke nisur nga fatkeqësitë natyrore, krizat ekonomike dhe politike, dhe sidomos pandemia e Covid 19, janë një shuplakë e fuqishme që duhet të zgjojë njerëzimin nga iluzioni i progresit të feminizmit të bardhë, për të sjellur në shesh një realitet rrëqethës: pavarësisht dekadave të lobit feminist, gratë ende po zhyten nën vobullën e pabarazisë në vendet e punës dhe në ambientin familjar.

    Për të qenë të sigurt se jemi në të njëjtën faqe dhe në të njëjtin kapitull, le të sqarojmë pak se çfarë është “feminizmi i bardhë”:
    Përsëri sipas Beck, feminizmi i bardhë është një ideologji që predikon rëndësinë e suksesit individual dhe e koncepton barazinë si diçka që gratë mund ta arrijnë kryesisht përmes përpjekjeve karrieriste duke injoruar gratë e tjera nga komunitete të margjinalizuar. Qëllimi i feminizmit të bardhë nuk është të ndryshojë sistemin që shtypi gratë, si patriarkalizmi, kapitalizmi dhe imperializmi, por të korrurit sukses brenda tyre.

    Kjo ideologji është thelbësisht përjashtuese, thotë ajo, pasi përpiqet t’i mbajë gratë e tjera larg të shijuarit të përfitimeve dhe privilegjeve që gratë e bardha kanë, ose duke i ofruar iluzionin e barazisë me homologet e tyre të bardha, si për shembull duke kryer punën të dorës së dytë që u lejon grave të bardha të kenë akoma më shumë sukses në kurriz të këtyre tjerave. Nga ana tjetër këto të fundit, bien pre e këtij iluzioni duke besuar se nëse punojnë mjaftueshëm, mund të jenë në gjendje të korrin shpërblimet e supozuara.

    Si ta përkthejmë gjithë këtë në realitetin tonë shqiptar?

    Në kontekstin tonë, feminizmi i bardhë dhe gratë e bardha mund të përfaqësojnë jo domosdoshmërishtë gra kontekstualisht të bardha në lëkurë me tipare bionde dhe sy të çelur, por atë lloj kategorie grashë të privilegjuara në kuptimin e aksesit në shumë sfera të jetës. Pra, gra të cila nuk vijnë nga komunitetet të tjera të cilat margjinalizohen apo të cilave iu mvishen stereotipe për shkak të identitetit apo ndërlidhshmërisë e identiteve të tyre (intersectionality).

    Po marr si shembull fushën e medias, meqenëse është dhe fusha ime e interesit dhe e veprimit. Cila kategori e grave ka qasje më të lartë në programet televizive? A keni parë ndonjëherë ndonjë drejtuese lajmesh apo debatesh politike një grua që përfaqëson ndonjë identitet fetar apo racor? Edhe kur vetë gratë janë gazetare apo moderatore programesh cila është përqindja më e lartë e të ftuarave në studiot e tyre? Po në rrjetet sociale imazhi i cilës kategori të grave promovohet më së shumti dhe iu amplifikohet më së shumti?

    Sa e sinqertë është shprehja “Ne përkrahim të drejtat e të gjitha grave”? A i përkrahim vërtetë? A ngrejmë ne zë kur cënohet, fjala bie, e drejta e vajzave muslimane për t’u shkolluar, për t’u punësuar në çilindo sektor? Nëse cënohet dinjiteti dhe krenaria e grave me aftësi të kufizuara apo me ngjyrë, dhe grave të tjera me identitete të posaçme apo të shumëfishta?
    është e vërtetë që kohët e fundit përfaqësimi i grave me hixhab në hapësirat televizive është shtuar, por numri nuk tregon domosdoshmërisht cilësi, dhe prej një monitorimi të thjeshtë mund të shihet qartë se portretizimi në përqindjen më të lartë të rasteve është denigrues, targetues ose përjashtues, por mbi të gjitha i mveshur plot stereotipe dhe paragjykime.

    Nga eksperienca personale, çdo përpjekje e imja individuale për t’u përfshirë në nisma, plarforma apo organizata jashtë komunitetit musliman ka shkuar deri aty sa t’i shërbejë interasve dhe suksesit të disave që proklamojnë diversitetin dhe gjithëpërfshirjen e nismës së tyre. Pra, edhe pse mund të kem qenë ndër vullnetaret apo aktivistet më të angazhuar se gjithë të tjerat, e cila mund të ketë bërë punën më të madhe dhe të ketë dhënë kontributin më madhor prapa skene dhe pas perdeve, kur ka ardhur puna për të pasur ndonjë privilegj, për t’u mbështetur publikisht, për t’iu amplifikuar zëri, qëllimisht jam lënë nën hije dhe reflektorët janë drejtuar për të ndriçuar gratë e privilegjuara.

    Feminizmi ose motërsia e vërtetë beson dhe praktikon Teorinë e Ndriçimit (Shine Theory)

    Sipas së cilës, nëse në ndihmojmë gratë e tjera të ndriçojnë drita e tyre do të reflektojë tek të gjitha ne, pra nëse i përkrahim gratë e tjera të rriten, të korrin sukses atëherë të gjitha ne do të përfitojmë nga ky sukses për rritjen personale.

    Siç dhe Beck thekson: nëse arritjet individuale dhe suksesi i disa grave vazhdon të maskohet si barazi gjinore, atëherë çështjet strukturore të vetë sistemit do të vazhdojnë të thellohen pambarimisht dhe derisa të miratohet një ideologji alternative feministe, pabarazia gjinore, e rrënjosur në struktura dhe sisteme, do të vazhdojë.

    Si përfundim, duhet ta pranojmë se feminizmi i bardhë ka dështuar me gjithë hipokrizinë e saj, dhe si rrjedhojë duhet të advokojmë për një qasje gjithëpërfshirëse feministe që përqendrohet tek mbijetesa kolektive dhe që amplifikon zërat e të gjitha grave, në vend që të promovojë ekskluzivisht vetëm suksesin e disave.

    Thënë me fjalë të tjera, në realitetin shqiptar, për sa kohë feminizmi do të kufizohet vetëm si agjendë e OJF-ve do vazhdojë të mbetet feminizëm i bardhë i agjendës liberale dhe nuk do të përqëndrohet tek identitetet dhe për më tepër nuk do të ketë reflektim mbi veprimin politik apo social.

    Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    Bota proteston kundër luftës në Ukrainë

    Lajmi i rradhës

    Çfarë do të thotë pushtimi i Ukrainës për faturat e energjisë?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë