A po shkojnë marrëdhëniet Turqi – Greqi drejt një përballje ushtarake?

    Genc Çaushi 

    Retorika e acaruar së fundmi mes Greqisë dhe Turqisë, dy vende fqinje dhe anëtare të NATO-s tashmë është zhvendosur nga kryeqytetet respektive, përtej oqeanit në foltoren e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.  Duke folur të martën në sesionin e 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-s në Nju Jork, Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan kritikoi Athinën për politikat e saj të dhunshme ndaj emigrantëve. Ai tha se Greqia po e kthen Detin Egje në një varrezë për refugjatët si rezultat i sjelljes së dhunshme të vazhdueshme nga roja bregdetare greke ndaj emigrantëve dhe refugjatëve.

    I menjëhershme ishte reagimi po nga Nju Jorku, i Ministrit te Jashtëm grek Nikos Dendias ndaj komenteve të presidenti turk. “Vendi që po instrumentalizon çështjen e emigrimit, duke rrezikuar dhjetëra mijëra jetë njerzish, vjen këtu për të akuzuar Greqinë për krime kundër njerëzimit”, tha ministri Dendias. Ai shkoj edhe më tej kur thekson se Turqia ka një “casus belli” në fuqi dhe vë në dyshim sovranitetin grek mbi ishujt e Egjeut.

    Analistë të ndryshëm perëndimor pohojnë se marrëdhëniet e tensionuara mes dy vendeve “aktualisht po përjetonin një nga periudhat e tyre më të këqija për vite me radhë” dhe se njekohesisht rrezikojnë te destabilizojnë rajonin dhe te dobësojnë   NATO-n, ne nje  kohe qe kerkohet unitet kundër Rusisë ndaj agresionit të saj në Ukrainë. “Qëndrimi turk është një faktor destabilizues për unitetin dhe kohezionin e NATO-s, duke dobësuar krahun jugor të Aleancës në një moment krize”, thote Dendias, duke iu refruar konfliktit ne Ukraine. Ekspertët janë të shqetësuar se nëse tensioni përshkallëzohet deri në pikën e armiqësive, Rusia mund të përfitojë.

    Nderkohe Erdogan ka shtuar kritikat ndaj asaj që Turqia e quan një rritje ushtarake greke në ishujt afër vijës së saj bregdetare, si dhe mbështetjen ushtarake perëndimore për Athinën, me të cilën Ankaraja ka mosmarrëveshje të gjata territoriale. “Ata kanë ishuj në zotërim, kanë baza ushtarake në këto ishuj dhe nëse kërcënimet e paligjshme ndaj nesh vazhdojnë, durimi ynë ka një kufi”, tha Erdogan  gjatë një vizite në Ballkan ne fillim të ketij muaji. Greqia thotë se duhet të mbrojë ishujt e saj lindorë – duke përfshirë pikat e nxehta turistike ishujt Rodos dhe Kos, të cilat janë shumë më afër Turqisë sesa me kontinentin grek – kundër fqinjit të saj më të madh dhe më të fortë ushtarakisht. Dendias ka akuzuar Turqinë për kryerjen e 6,100 shkeljeve të hapësirës ajrore greke këtë vit, duke përfshirë 157 fluturime mbi territorin grek.

    Por ky ping pong me akuza mes fqinjësh me armiqësi shekullore  ka edhe anën tjetër të medalies atë që shërben për konsum të brendshëm. Turqia dhe Greqia do të shkojnë të dyja drejt qendrave të votimit për zgjedhje vendimtare vitin e ardhshëm. Presidenti turk Erdogan po përballet me një sfidë të madhe për qeverisjen e tij 20-vjeçare mes problemeve ekonomike të vendit, inflacionit dhe problemeve të imigracionit. Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, i zgjedhur në vitin 2019, pesoi një humbje të popullaritetit në një farë mase për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë, pjesërisht e nxitur nga lufta në Ukrainë apo ne lidhje me skandalin e përgjimeve të telefonave të liderit te opozitës .

    Sic po dëshmojnë zhvillimet e fundit tashmë Turqia dhe Greqia nuk mund të bien dakord as se çfarë të diskutojnë mes tyre, prandaj do të duhet një ndërmjetës i cili ka aftësi dhe fuqi për të qenë në gjendje të propozojë diçka me të cilën këto dy vende fqinje  mund të bien dakord, po qe per momentin ka pak gjasa që diçka e tillë të ndodhi./Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Fuga flet për të dhënat e hakeruara: Prokuroria të sqarojë cilat informacione përbëjnë sekret hetimor!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë