Dështuam në ngritjen e zërit kundër nënçmimeve!

    Besim Dogani

    Jam i bindur që ndër hallet më të mëdha të shqiptarëve në Maqedoni e më gjerë janë partitë politike e ndërsa problemi i partive tona politike qëndron në paqëndrueshmërinë e tyre, në mungesën e ideve dhe punëve konkrete.

    Nga ana tjetër në mesin tonë fatkeqësisht frymojnë individ dhe grupe të caktuara që merren me përbaltje, përbuzje, nëpërkëmbje të vlerave tradicionale dhe fetare të shqiptarëve, me sulm dhe përbaltje të gjithë atyre kategorive dhe grupeve të ndryshme individësh dhe intelektualësh të cilët nuk kanë mendje “partizane”. Kjo në heshtje përjashton mendimin ndryshe në jetën politiko-shoqërore të shqiptarëve në Maqedoni.

    Do t’u kisha dhënë rëndësi dy çështjeve të cilat sipas meje janë më parësore:

    1. Shqiptarët, sidomos përfaqësuesit e tyre politik duhet ta kenë shumë të qartë se maqedonasit, respektivisht përfaqësuesit e tyre politik me krenari të plotë dhe haptazi sot e çdo ditë na e përsërisin dhe e ri konfirmojnë mosgatishmërinë e tyre për të ndarë shtetin politikisht dhe ekonomikisht me shqiptarët. Ata ende janë të mendimit se shqiptarët paraqesin faktor destabilizues, kërcënues për unitarizmin e Maqedonisë. Por në të vërtetë ne jemi popull paqësor që s’prekim të huajën por dhe nuk heqim dorë nga ajo që na takon.
    2. Përfaqësuesit politik të Shqiptarëve në Maqedoni pa lënë hapësirë për mëdyshje, haptazi ti kumtojnë popullit shqiptar se cili është qëndrimi i tyre. A janë ata për shtet dy etnik, për Maqedoninë e Ohrit apo për ndonjë zgjedhje tjetër juridiko-politike dhe njëherësh të tregojnë afatin dhe mënyrën se si do të arrijnë deri te realizimi i qëndrimeve të tyre. Shqiptarët janë të ngopur nga ofertat shterpe, të fryra dhe të pasqaruara. Ata duan të dinë se çfarë drejtimi të marrin.

    Periudha dhe ngjarjet e fundit flasin qartë për humbjen e durimit tek të rinjtë, protestat e tyre në rrjetet sociale dhe dalja e tyre në mbrojtje të vlerave shqiptare tregojnë qartë mosbesimin ndaj përfaqësuesve politik dhe aparatit shtetëror. Kjo dukuri mund të sjell deri në situata të padëshirueshme. Ikja e rinisë dhe trurit po bëhet përditshmëria jonë. Dhënia pas bixhozit, pijeve dhe substancave dehëse është shndërruar gati se në praktikë e natyrshme në mesin e të rinjve tanë.

    Duhet të pranojmë pa e fshehur, pa turp dhe me krenari që jemi shqiptar me gjak e mysliman me bindje. Edhe si shqiptarë, edhe si mysliman jemi frymëzuar me parimin të falim njëri – tjetrin. Mendoj që është koha e fundit që përfaqësuesit tonë ti lënë dallimet anësh, të ndalojnë përbaltjet dhe fyerjet, nënçmimet, qofshin ato të bazuara apo të pabazë. Nëse nuk munden atëherë së paku mos ua zënë hapësirën atyre që dëshirojnë unitet, që dëshirojnë të punojnë pa hile dhe të kontribuojnë për një të ardhme më të mirë. Të gjithë ata së bashku me ne duhet të pranojnë që dikush më pak e dikush më shumë, së bashku dështuam për gati se tridhjetë vite.

    Dështuam në ngritjen e zërit kundër nënçmimeve, kundër heqjes së perspektivës nga viset shqiptare, kundër ekonomisë së shkatërruar përmes buxheteve të cunguara. Të ulemi gjithë së bashku politikanë e votues, mendonjës dhe biznesmen dhe të vendosim se cilat janë prioritet tona dhe cila është vija jonë e kuqe. Mjaft dëgjuam për vijat e kuqe të të tjerëve, mjaft harxhuam kohë për të mbrojtur kauzat e të tjerëve.

    Përndryshe le të mos kërkojmë faj te politikanët tanë, sepse ne i kemi zgjedhur dhe do të vazhdojmë t’i zgjedhim me shpresë që ndryshimi të vijë vetvetiu, ndërsa ata që posedojnë potencialin, dergjen për të rikthyer shoqërinë e shëndoshë sërish do të mbeten të heshtur, të nënçmuar dhe të vegjël në hijen e “madhërisë”. Çdo “pakënaqësi” që na e kanë shkaktuar, ua kemi lejuar vetë ne.

    Andaj, le ta kërkojmë fajin te vetja jonë sepse ne kemi përjashtuar nga përditshmëritë tona besën, tiparet dhe traditat e shqiptarit; trimërinë, besnikërinë, fisnikërinë, drejtësinë, njerëzinë e moralin. Duhet të reflektojmë në vete, të flasim me shpirtin tonë dhe ta pranojmë që më tepër na pëlqejnë shtigjet e lehta e të paqarta sesa ato të mundimshmet, të lodhshmet por të drejtat e të qartat. Gjithnjë e më të mëdha janë radhët e atyre që harrojnë njerëzinë dhe përfitimet me nderë në favor të plotësimit të nevojave tona (në të shumtën e rasteve materiale).

    Le t’i kthehemi rrugës që e ndoqën dhe na e lanë të parit, të rikthejmë shqiptarinë dhe qytetarinë në vete, të përmirësojmë shoqërinë tonë, për të përmirësuar paritë tona, për ta përmirësuar gjendjen tonë. /Nistori/

    Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    “Top i Artë më lehtë fitohet te Barcelona se sa te Bayern Munich”

    Lajmi i rradhës

    Yuri Kim komentoi sulmet kibernetike në Shqipëri

    Lajme tjera

    Porosia e fundit

    MONIKA STAFA Historikisht bota është dominuar prej ëndrrave dhe projekteve për sundim global. Dikur flitej për dy kampe…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë