Dhimbja e fjalës është më e rëndë se dhimbja e humbjes

    GELANDA SHKURTAJ

    Alternativa e zgjidhjes së konflikteve Serbi-Kosovë, që prej mesjetës, njeh vetëm një formë dialogu nga ana serbe, vrasje dhe reprezalje në kurriz të popullatës shqiptare. Ulërimat e krimeve ndaj Kosovës së brishtë kishin mbërritur gjithmonë në veshë të shurdhër e gojë të mbyllura. Askush nuk donte të dinte se, diku në një cep të Europës së trazuar jeton edhe një komb i lashtë e i bërë një thelë, sepse kafshohet nga fqinjët dhe hahet me vetveten. Fati solli që Ballkani i mbrapshtë të ftonte përveç shkëndijave të dy luftërave botërore në shekullin XX, edhe një nga tragjeditë më të mëdha që njeriu i bëri njeriut, në prag të shekullit XXI. Kjo ndodhi atëherë kur për ironi të fatit, Bosnja nën protektoratin e kaskave blu holandeze jetoi një nga tragjeditë më therëse: mbi tetë mijë boshnjakë të vrarë nga serbët në Sebrenicë, të gjithë të copëtuar.

    Nëse do të kërkohej ndonjë arsye për të kuptuar sadopak këtë horror human, përgjigjja mund t’i vijë vetëm nga fjala me peshë e Alija Izetbegovicit, ish-Presidenti Boshnjak: “Kafsha godet kur është e uritur, njeriu kur është i ngopur”. Në këtë mani për të vënë njëherazi ish-Jugosllavinë nën këmbë, u pa ndërkombëtarisht se edhe Kosova kishte të drejtën e saj për të qenë një shtet i pavarur. Është vënë shpesh në dyshim, në tryeza bisedimesh legjitimiteti i bombardimeve të NATOs në Kosovë, dhe përtej teknikaliteteve të së drejtës ndërkombëtare, këta të fundit justifikuan ndërhyrjen vetëm mbi parimin universal të të drejtave të njeriut. Krimet e vonshme dhe ndëretnike në Ballkan njihnin vetëm një dorë: atë vrastare të Millosheviçit dhe një ideologji: pansllavizmin e trumbetuar nga akademia trushpëlarëse e Çubrilloviçit.

    Në këtë rrugëtim, Kosovës iu gjenden pranë aleanca Euroatlantike dhe njëzëri duhet të shkojë mirënjohja se pa ata, e drejta për një shtet kosovar të lirë e të pavarur nuk kishte marrë ndonjëherë vëmendje, të paktën në këta gjashtë shekujt e fundit pas Krishtit.

    SOVRANITETI PËRBALLË PAVARËSISË

    Raporti i krijuar në këtë mënyrë midis Kosovës dhe ndërkombëtarëve është një raport partneriteti dhe ndihme, ku linja e demarkacionit që ndan pavarësinë e njohur të shtetit Kosovar nga mbështetja e tyre, është e qartë dhe e përcaktuar. Ky fakt është i mirëpranuar edhe në Kushtetutën e Kosovës, aty ku thotë se, për çështje të caktuara mund të kalojë kompetenca shtetërore organizatave ndërkombëtare. Rasti i Kosovës mbetet sui generis (i veçantë) në konceptualitetin modern të shtetit dhe të autonomisë, sepse fati e solli që ekzistenca e saj të vendosej midis luftës autoktone dhe ndikimit gjeopolitik. Plani Ahtisari dhe marrëveshjet në zbatim të tij, të 2013- ës e 2015-ës në lidhje me AKS (Asociacionin e Komunave Serbe) janë tregues i qartë i misionit se partnerët euroatlantikë kanë mbetur negociatorët e marrëdhënieve Serbi-Kosovë.

    Qëndrimi i qeverisë Kosovare ka qenë i qartë, për aq kohë sa është ulur në tavolinë bisedimesh dhe ka pranuar kushte të përbashkëta. Ajo që shfaqet e mjegullt është fakti, nëse lidershipi kosovar kishte punuar me popullin për brendinë e këtyre marrëveshjeve, duke qenë se ato u kundërshtuan nga elektorati dhe po nga Gjykata e saj Kushtetuese.

    Bazuar mbi dokumente, Beogradi sot kërkon zbatimin e këtyre marrëveshjeve, gjë të cilën Prishtina e kundërshton fort. Lidershipi kosovar, në vend që të merret me faktin nëse reflektoi fort apo pak në lidhje me asociacionet, ku edhe ato janë tregues të maturitetit të tij politik, duhej të mendonte negocimin e interesave të tij kombëtare. Këto marrëveshje mund edhe të mbartnin në anën tjetër të medaljes interesin e ndërkombëtarëve për të dalë me një tezë kundërpeshe për njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë. Po pikërisht këtu nis i gjithë diskursi, që ka shoqëruar konfliktet në veri dhe për të cilat nuk ka ende një tryezë ku palët të negociojnë. Drejtuesit e shtetit kosovar në këtë moment kritik kanë zgjedhur të kundërshtojnë mundësinë e zbritjes në kompromis politik, duke ndezur idenë e cenimit të sovranitetit.

    Pyetjes se cili do të ishte fundi i kompromisit, nuk i përgjigjet dot askush, por ajo që duhet të dijë mirë gjithkush është se, në fund të ditës Kosova dhe shumë shtete në rruzull janë sot, për hir të një pakti ndërkombëtar. E ky i fundit është një tren që nuk duhet humbur, së pari sepse kalon një herë në shekull për kombe të tjera e për fatin e Kosovës, një herë në gjashtë. E dyta sepse, nëse kombi shqiptar do të kishte qenë i zoti i vetes dhe me fqinjësi të mirë, nuk do ishim këtu për të diskutuar për kufij dhe territore. A mos iu duhet kujtuar vallë: Ulqini, Plava, Gucia, Hoti dhe Gruda, apo Çamëria?. A e mendon ndonjëherë lidershipi kosovar se kush i është vënë në krahë në tmerret e luftërave që ka përjetuar. Motra Shqipëri?, ajo hap dyert për të bujtur, por jo gjithmonë ka treguar se është në kahun e saj, si në 1945. Ajo akoma nuk di të bëjë llogaritë me të shkuarën e saj e jo më të Kosovës, ndaj mos dëgjoni shumë politikanë që ju prekin sedrën e identitetit kombëtar.

    Retorika të ekspansionit serb në Kosovë nëpërmjet AKS-ve, nuk i vijnë në ndihmë paqes që duhet të vihet midis këtyre dy vendeve. Lufta aty është dhe për hir të së vërtetës aty ka qenë, mjafton një shkrepëse dhe të ndizet. Rrëmbimi i policëve kosovarë është emblema më e dukshme e raportit me Serbinë, ku ajo e panginjur në padrejtësi tregoi se kur i do qejfi të ulet këmbëkryq dhe të ulë nderin shtetëror. Problem është si të gjejmë paqen e të shihen gjërat me largpamësi. Narrativa politike se pas kësaj marrëveshje qëndron synimi Serb për të krijuar një Republikë të dytë në Kosovë, nuk është prapë një kartë për negociata paqeje dhe bashkëpunimi. Mendoni vallë se ndërkombëtarët nuk e dinë? Mendoni vallë se ndërkombëtarët do duan të sjellin në pushtet ata që vetë bombarduan për të drejtën e Kosovës njëzetë vite më parë? Por edhe në mos qoftë kështu, gjeopolitikë hesapi është (!), sot është në këtë kah e nesër mund të jetë ndryshe.

    Qeveria e Kosovës pati njëzetë vite kohë, ku lufta e saj në diplomaci duhet të kishte qenë e pagjumë për arritjen e njohjes si shtet nga Serbia. Nëse nuk është kjo, të paktën të mos bëjë karshillëk euroatlantikëve, duke ndezur dogmën e sovranitetit, por të shfrytëzonte paqen për të realizuar bisedat e njohjes reciproke, duke konsideruar se kjo nuk është po aq e lehtë edhe për lidershipin serb, nëse do donim të pranonim për një moment një lider, i cili do të ishte përkrah kësaj ideje.

    NJË RRUGËDALJE

    Ardhur në këtë fillimshekulli, Kosova dhe klasa e saj udhëheqëse duhet të bëjnë një pakt me veten dhe me idenë e pavarësisë për vendin e tyre. Duke qenë se vizioni paqedashës me serbët ka kaluar gjithmonë nëpërmes pushkës, le të marrin në dorë fatet e tyre, duke pranuar kompromisin politik, i cili mbështetur nga ndërkombëtarët, sot vijon të jetë në kahun e mbështetjes së Kosovës. Nëse lidershipi kosovar kërkon që t’i vërë kufirin te thana partnerëve ndërkombëtare, do fitojë izolimin e vetes dhe serbin te pragu i shtëpisë. Nëse kjo mënyrë u serviret kosovarëve, si karta e vetme e sovranitetit, ata duhet të dinë të distancohen nga kjo tezë. Historia flet shumë, e mjafton vetëm kujtesa si arsye për të cilën ata sot duhet të zgjedhin alternativën e dialogut dhe klasën politike që e mbështet atë. Përpjekja për dialog dhe njohja e shtetit Kosovar nga Serbia, janë një “duhet” dhe janë fitorja më e madhe që Kosovarët mund të marrin, për të krijuar atë pavarësi dhe për të ndenjur larg “midesë” së ndërkombëtarëve, nëse duan edhe këtë.

    Por nëse sot prania dhe interesi i këtyre të fundit duhet konsideruar ende si një fat, Kosova duhet të kuptojë se lidershipi i kujtdo krahu, i cili flet në këto momente për autonomi ndaj ndërkombëtarëve, pastaj i thërret ata për ndihmë e në kahun tjetër përdor teza nacionaliste, retushuar me ngjyra sovraniste, po çon ujin nga kahu i kundërt i interesave të Kosovës. Një nga burimet e të drejtës ndërkombëtare është edhe e drejta zakonore, e cila mëson se ai që fal gjakun është më i nderuar se ai që e vret gjakësin. Është një thënie e Kanunit shqiptar, e cila vërtet nuk gëlltitet aq kollaj, sepse nuk ka ngushëllim njerëzor për të justifikuar jetët e humbura, vrarë pa asnjë faj, për shovinizëm dhe ekspansion. Por, Kanuni mëson dhe kërkon të ndalojë gjakderdhjen dhe gjen një mënyrë për t’u futur në mendësinë e malësorit të fisëm, i cili jeton me nder e për nder.

    Përtej moralizmave, çështja e luftës është një çengel i varur në sheshin e Kosovës, e cila sot për sot duhet shmangur. Boll gjak ka derdhur Kosova, e nëse do të duhet një moment për të shmangur tjetër gjakderdhje, le të gjehet dialogu, i cili nuk duhet askurrë të kuptohet si harresë. Nëse dialogu Serbi-Kosovë njeh të vetmen alternativë luftë-paqe, Kosova duhet të jetë për paqen, por duke qenë e ndërgjegjshme se dhimbja e faljes është më e rëndë se dhimbja e humbjes. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Kurti: Serbia duhet të njohë Kosovën

    Lajmi i rradhës

    Raportimet mediatike përplot me stereotipa dhe paragjykime gjinore 

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë