Dinakëria e Vuçiç, konfuzioni i Perëndimit dhe sharlatanët e tjerë të Ballkanit

    AGIM NESHO

    Samiti i radhës i Ballkanit të Hapur në Beograd u shit si një ngjarje e madhe e unitetit të vendeve ballkanike, të cilat kanë gjetur rrugën e tyre të bashkëpunimit për t’i dhënë rajonit një perspektivë të re.

    Por në fakt, projekti i Ballkanit të Hapur jo vetëm nuk ka ecur përpara, por janë rritur zërat kritikë ndaj tij, në Europë dhe SHBA. Për t’i dhënë dimensionin e një samiti që ka përkrahjen e shumë shteteve, Vuçiç ftoi në sofrën e Ballkanit të Hapur protagonistët europianë, si Turqia dhe Hungaria, të cilët me kohë kanë rezerva për BE-në, por mendojnë që koha e demokracisë liberale ka mbaruar. Autokratët e Ballkanit gjetën me sukses sivëllezërit e tyre nëpër Europë për t’i treguar botës dhe Ballkanit se janë të fortë dhe kanë përkrahje.

    Por kësaj radhe Bashkimi Europian u tregua i ftohtë dhe së bashku me SHBA nuk bënë asnjë deklaratë zyrtare për një projekt që gjithmonë e më tepër po shihet si anti-europian dhe me nota të theksuara antiperëndimore. Ai që mungonte në këtë samit ishin rusët, aleatët e zemrës së Vuçiç, por që shumë shpejt do të zënë vendin e tyre së bashku me kinezët, të cilët po shikojnë se filozofia e putinizmit ka hedhur rrënjë në Ballkan. Po të vlerësojmë karakteristikat e kësaj iniciative deri në këtë fazë të zhvillimit të saj, do të vërejmë tri dukuri të dukshme: dinakërinë e Vuçiç, konfuzionin e perëndimorëve dhe rronxhoponxhot e tjerë të Ballkanit që shërbejnë si garniturë.

    I. DINAKËRIA E VUÇIÇ

    Vuçiç është nacionalisti i ri, i zgjuar dhe dinak, që do të kthejë lavdinë dhe interesat e Serbisë në qendër të Ballkanit Perëndimor. I skalitur me ideologjinë supremaciste të Miloshevicit, si ministër i propagandës së tij, Vuçiç e kuptoi shpejt që Perëndimin nuk mund ta kundërshtonte hapur, por duhej që strategjia e tij t’i përshtatej dinakërisë, të shtirur si viktimë dhe respektonte ‘në limit’ sjelljen dhe normat europiane. Diktator në shpirt dhe formim, ai ka kapur shtetin duke shkatërruar opozitën dhe blerë median e lirë; rusofil në lindje, por demagog me Perëndimin, duke shitur me sukses strategjinë e tij si pro-perëndimore dhe europiane.

    Kështu ai fitoi përkrahjen perëndimore duke marrë investime të rëndësishme financiare dhe ekonomike, por edhe duke u ulur në tryezën e Brukselit për procesin e integrimit, por edhe të zgjidhjes së çështjes së Kosovës në një mënyrë konsensuale. Ndërsa Perëndimi dhe BE mendonin se Vuçiç dhe Serbia po afroheshin drejt Perëndimit, Vuçiç filloi të shkëputej prej tij duke zhvilluar lidhjet tradicionale me Rusinë, që po rikthehej në skenën botërore, dhe me Kinën si një superfuqi në ngjitje. Frika se mos kishte kaluar shumë kohë në anën tjetër e bën atë të ndalojë në strategjinë e një vendi të paangazhuar, të baraslarguar nga Lindja dhe Perëndimi.

    Lëvizjet e tij të ardhme do të kushtëzoheshin nga Rusia dhe sa e fortë do të dalë ajo nga konflikti në Ukrainë, apo ecuria e Kinës si një fuqi sfiduese e Perëndimit. Për të arritur këto objektiva, ai punon për të gjetur një zgjidhje të re gjeopolitike për Ballkanin për të rikthyer Serbinë e Madhe, apo të realizojë dominimin ekonomik të Serbisë ndërmjet vendeve të vogla ballkanike, për të rikthyer rolin e Jugosllavisë së re në rajon. Të dyja iniciativat serbe të dhjetëvjeçarëve të fundit, ndryshimi i kufijve dhe Ballkani i Hapur i shërbenin këtij qëllimi.

    Për të realizuar këtë skenar dhe që Perëndimi të mos dyshonte që po lindte një nacionalizëm i ri në Ballkan, atij i duhej një aktor kozmopolit, protagonist dhe mendjelehtë që të shiste projektet e tij si projekte paqeje dhe stabiliteti. Dhe ky aktor duhet të ishte shqiptar, si kombi më i fuqishëm në Ballkan dhe i shpërndarë në katër shtete të tjera ballkanike.

    Duke kapur aktorin e kompromentuar shqiptar, ai realizonte jo vetëm mosnjohjen e Kosovës dhe të drejtën e saj sovrane si shtet i pavarur, por edhe fshinte dhe ndjenjat e tij gjenocidiste për të shkatërruar kombin shqiptar. Historia do të tregojë se çfarë e lidhi Ramën me Vuçiç, por duket qartë se nuk janë vetëm interesat e tyre për pushtet të pakufizuar. Janë pikërisht takimet dhe bisedimet e tyre të fshehta që do të mundësonin mbajtjen e pushtetit.

    II. KONFUZIONI I PERËNDIMIT

    Perëndimi gjithnjë e më shumë ka qenë i vëmendshëm për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor për vetë problematikën që ky rajon ka prodhuar në histori. Pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë duket se vëmendja e tij u largua nga Ballkani për vetë besimin e fituar që ky rajon nuk rrezikohej nga ndeshja e interesave të fuqive botërore. Pas Luftës së Ftohtë jetonim në një rend botëror të përcaktuar dhe udhëhequr vetëm nga Perëndimi dhe SHBA.

    Me ardhjen e administratës Trump në vitin 2016 dhe doktrinës së tij ‘Amerika e Para’, shumë shtete mendonin se do të kishte një rikalibrim të rendit ndërkombëtar botëror dhe shumë çështje do të ridiskutoheshin. Ky ishte edhe momenti i shpërthimit të ambicieve të Rusisë, por edhe i satelitëve të saj, si Serbia, e cila kërkonte të ridiskutonte çështjen e Kosovës në një skenar të ri, ku të gjitha palët të dilnin fituese.

    Por ambiciet e Serbisë u ndalën nga Gjermania, e cila kuptoi që politikat revizioniste të Serbisë do të destabilizonin Ballkanin dhe do të sillnin një konflikt të ri. Si rezultat i rezistencës europiane, SHBA nuk e prekën Ballkanin, por diplomatët e saj me zgjuarsi e përdorën Ballkanin për një fitore të brendshme të diplomacisë amerikane duke ofruar Akordet Abraham për Lindjen e Mesme, si një zgjidhje edhe për konfliktin Kosovë-Serbi. Por Ballkani nuk ishte Lindje e Mesme dhe Kosova nuk ishte Palestinë. Zgjidhjen historike për Kosovën e kishin dhënë fuqitë botërore pas vitit 2000, dhe ky konsensus ishte i vështirë që të thyhej.

    Administrata Biden ktheu qëndrimet e mëparshme dhe vuri theksin në një bashkëpunim të ngushtë me BE-në, por pa zgjidhur se çfarë qëndrimi do të mbanin ndaj kërkesave ndaj Serbisë dhe rrezikut ndaj nacionalizmit të ri serb, që në thelb ishte një reflektim i politikave revizioniste ruse në Ballkan. Nevoja për të ruajtur një politikë realiste në Ballkan binte në kontradiktë me dëshirën që kishte Perëndimi për të mbajtur Serbinë nga ana e saj. Kjo politikë për të favorizuar Serbinë dhe bërë lëshime ndaj saj kishte kohë që po formulohej në Uashington nga grupet lobiste ose grupet e interesit dhe organizata të fuqishme si ‘Shoqëria e Hapur’, të cilat në mungesë të vëmendjes dhe një strategjie të qartë kishin shtyrë projektet e tyre alternative.

    Dhe në mungesë të një strategjie të mirëpërcaktuar projektet alternative që shtyhen nga lobingjet dhe grupet e interesit përkrahen nga shtresat burokratike të administratës, si një mundësi e shtuar për të çuar përpara karrierën e tyre, duke krijuar lidhje dhe përkrahje të reja. Kjo po ndodh edhe me Ballkanin e Hapur, ku perëndimi është i dyzuar dhe i ndarë.

    Ndërsa Europa gjithmonë e më tepër po e kupton që projekti Ballkani i Hapur është një projekt anti-europian dhe as Varhelyi nuk shkoi, por vuri tri kushte të panegociueshme për iniciativën e Ballkanit të Ballkanit të Hapur: – Të jetë një hap përpara për integrimet europiane të vendeve ballkanike, siç janë qëllimet e Tregut të Përbashkët Rajonal – Të jetë e hapur për të gjitha shtetet e Ballkanit, në linjë me standardet europiane dhe në përputhje me politikat tona rajonale dhe detyrimet ndërkombëtare – Standardet europiane të jenë në zemër të iniciativës dhe çdo marrëveshje e Ballkanit të Hapur të respektojë politikat europiane.

    SHBA e lidh qëndrimin me çështjet që mbahen nga Serbia për Rusinë, por gjithmonë kritike dhe me kushtet që zoti Eskobar tashmë i ka bërë të qarta: Pjesëmarrje e barabartë e 6 shteteve dhe vetëm një iniciativë ekonomike. Qëndrimet e gjithë aktorëve të tjerë diplomatikë janë qëndrime në funksion të misioneve të tyre diplomatike dhe interesave të punës së tyre, siç ishte prononcimi i ambasadorit Hill në intervistë për “Euronews Albania”. Dhe mesazhi i tij nuk mund të ishte ndryshe, kur simbolika në xhaketën e tij ishte flamujt e SHBA dhe Serbisë dhe misioni i tij është si të ngrejë këto marrëdhënie në një shkallë më të lartë dhe jo të kritikojë politikat revizioniste dhe anti-europianiste të Serbisë në këto momente.

    Ballkani i Hapur sot është një projekt i diskretituar në Europë dhe mbahet me patericat e shteteve dhe regjimet putineske për të forcuar pozicionet e tyre. Vuçiç dhe Serbia do ta çojnë Ballkanin e Hapur në një projekt që do ta largojë nga BE dhe do ta bëjë një zonë të hapur për të gjitha fuqitë botërore. Rishikimi i politikave të mosangazhimit të J. B. Titos është strategjia e tij. Si një nga udhëheqësit e lëvizjes së të paangazhuarve, lëvizje e cila u riaktivizua nga takimi i Beogradit vitin e shkuar dhe do të marrë formë në samitin e ardhshëm të Indonezisë në nëntor 2022, ku kjo lëvizje ka ftuar edhe Presidentin kinez Xi dhe Putinin e Rusisë të marrë pjesë.

    Vazhdimësia e politikave të Vuçiç që nis me asociacionin me Euro-Azinë, mosvënia e sanksioneve kundër Rusisë si dhe politikat e tij të vendeve të paangazhuara do ta bindin shumë shpejt Perëndimin se shpresat e tyre janë të kota dhe një politikë realiste duhet të zbatohet sa më shpejt në Ballkan. Ajo që sjell konfuzion në SHBA dhe Perëndim në këtë kohë të krizës botërore është raporti efektiv midis pragmatizmit dhe nevojës për kompromise me regjimet autoritare dhe zbatimit të doktrinës së promovimit të demokracisë kudo në botë, pa kushte dhe kompromise të panevojshme.

    III. SHARLATANËT E BALLKANIT

    Iniciativat si Ballkani i Hapur nuk do të kishin sukses në qoftë se nuk mbështeteshin nga regjime të kapura dhe sharlatanë politikë që gjejnë mundësinë në raste të tilla të shpëtojnë regjimet e tyre të korruptuara dhe të krijojnë një agjendë personale. Si Shqipëria, ashtu edhe Maqedonia e Veriut, nuk kanë asnjë arsye të përkrahin një iniciativë si Ballkani i Hapur, kur kanë statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave me BE dhe Procesi i Berlinit është prezent në rajon dhe po riaktivizohet. Këto vende po mbeten të varura nga protagonizmi i dëmshëm i qeveritarëve të korruptuar, për të cilët vlerat europiane janë të papranueshme për filozofinë e tyre qeverisëse.

    Lëshimet që ka bërë BE ndaj fenomeneve të klientelizmit dhe korrupsionit, mbajtjes në pushtet të regjimeve të lidhura me krimin e organizuar, drogën po veprojnë sot si bumerang për interesat e perëndimit në rajon. Paradoksi më i madh sot në Ballkan është që liderët e korruptuar dhe të blerë të Ballkanit flasin kundër politikave europiane si të turpshme dhe një BE jo-efektive. Sharlatanizmi i tyre nuk tregon gjë tjetër veçse stadin e demokracisë në këto vende dhe krijimin e minimodeleve të shteteve putineske në Ballkanin Perëndimor. Perëndimi duhet të heqë sa më parë iluzionet se liderët e korruptuar ballkanikë dhe klientët e tyre mund të jenë partnerë të besueshëm të tyre. Ata janë dhe do të mbeten autokratë në kërkim të pushtetit të tyre të pakufizuar. /Panorama./

    Lajmi Paraprak

    A do të hapet lëndë për Besmira Ejupin?!

    Lajmi i rradhës

    Çfarë duhet të dini përpara se të filloni një dietë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë