E ardhmja e ekonomisë në kushtet e inflacionit të lartë

    PROF. ASS. DR. ILJAS MEHEMTI

    Bota ka pasur gjithmonë kriza në ekonomi, më e madhja ajo e viteve 1929-1933. Pas vitit 1991 e deri në mars 2022, rrjedha ekonomike botërore ka pasur pak kriza të mëdha, përjashtuar vitin 2008 me krizën e pasurive të paluajtshme, ku preku kryesisht Amerikën, e cila e kapërceu shpejt, por jo pa dhimbje. Ndikimi i krizës ishte në tërë botën. Vendi ynë ishte i paekspozuar në bursa dhe marrëdhënie të tjera, ndaj nuk e ndjeu këtë krizë dukshëm.

    Krizat shoqërohen me inflacion të disa niveleve. Që inflacioni të ndihet sa më pak në ekonominë e një vendi, shkenca ekonomike, për më se 90 vite, ka argumentuar se rritja e çmimeve shoqërohet me inflacion, ndaj duhet të harmonizohen ato me rritje e konsumit të drejtpërdrejtë të popullatës, në nivel më të lartë se rritja e çmimeve dhe inflacionit, krahas politikave makro dhe mikro, që të orienton si, rivlerësimin e monedhës, vlerësimi i punës së gjallë, elementët e investimeve dhe produktivitetit.

    Në kohën e sotme, gati 2 vite nga pandemia e Covid19 dhe tani lufta në Ukrainë, botës dhe vendit tonë (shtuar tërmetin) në zhvillimin ekonomik iu shfaqën ndikime në tërë aspektet e jetën sociale dhe ekonomike. Si vend i vogël dhe në përpjekje për konsolidimin e zhvillimit me sistemin e ekonomisë së tregut me demokraci, patjetër që ndikimi i faktorëve të mësipërm është i ndjeshëm. Vendi u ndodh më një rritje inflacioni dhe çmimesh që ndikojnë në gjithë treguesit ekonomikë, në jetën sociale, në konsum dhe ritmet e zhvillimit.

    Në ekonomitë në zhvillim, apo si në vendet që nuk janë “novatorë”, që nuk zbatojnë progresin, që nuk i përgjigjen inflacionit me metoda ekonomike, rritja e çmimeve dhe inflacioni u sjell goditje të rëndë në gjithë treguesit ekonomikë, sidomos ato të mirëqenies. Njëherazi përvoja e historisë botërore në mendimin shkencor ekonomik ka orientuar, këshillon dhe argumentuar, që si në situata lufte, pandemie, tërmete, krizat që dukshëm çojnë në inflacion të lartë dhe kolaps rritje në çmime, situatat menaxhuese janë përgjegjëse për amortizimin e krizave, inflacionit dhe çmimeve, në sensin e zbulimit të mundësive që gjërat e bëra me vonesë ose gabim të korrigjohen në eliminohen, qoftë me kosto, duke i orientuar për të sjellë progres.

    Në fund të fundit, ekuilibri i tregut dikton dhe kërkon masa tërësore që fazat e krizës të shkurtohen dhe të shoqërohen me masa që të keqes t’i dalësh përballë edhe në ekonomi, për të nxitur rritjen ekonomike me një konsum më të rritur, i cili ul problemet sociale dhe kthen interesin e shoqërisë për progres. Shpresoj që qeveria e zotit Rama, në funksionin rregullator të krizave, do bëjë atë që bën gjithë bota, se ekonomia është shkencë e nuk të “fal” po gabove.

    POST COVID-19 DHE LUFTA NË UKRAINË EFEKTET E COVID-19

    Pandemitë janë përsëritur pothuaj në çdo shekull në botë. Emërtimi i tyre ka qenë i ndryshëm. Pandemia e parafundit që zuri botën ishte ajo e viteve 1918-1920, e njohur si gripi spanjoll. Dëmet, pasojat për njerëzimin dhe ekonominë me aq sa mundet të gjendet informacion i besuar, dalin që kanë qenë jashtëzakonisht të mëdha. Vetëm vdekje kanë qenë mbi 50 milionë njerëz. Shifër jo e vogël, sidomos për Europën, gati një e treta e popullsisë u pakësua. Fatmirësisht ka ende foto që tregojnë për këtë pandemi dhe maskat që përdoreshin. Edhe në atë periudhë shkruhet se mbyllja e lëvizjes dhe e jetës sociale, për rrjedhojë dhe aktiviteti i ekonomisë ka ndodhur.

    Pas gati 100 vitesh, brezi ynë përjetoi mbylljen disamujore të njerëzve në shtëpi, duke pasur edhe kufizimi të tjera të domosdoshme që të parandalohej përhapja e kësaj të keqeje për njerëzimin. Sidoqoftë, pak më shumë se dy vjet, COVID-19 është në zhdukje, si te ne edhe në botë, por kujdesi kërkohet të jetë më i madh, jo vetëm që janë humbur rreth 6,4 milionë jetë njerëzish në botë, por pandemia ka lënë pasoja të pallogaritshme në ekonomi, në buxhetin familjar, në zënien në punë, në frenimin e rritjes së zhvillimit ekonomik dhe social, në të ardhurat buxhetore, në investime dhe mbi të gjitha solli me vete dukshëm rritjen e inflacionit tej normave të prognozuara nga shteti te kompanitë dhe institucionet kombëtare e ndërkombëtare që merren me ekonominë, përfshirë sistemin bankar dhe bursat.

    LUFTA NË UKRAINË

    Në kohën që bota po përballej me fundin e COVID19, lajm tronditës ishte fillimi i luftës në Ukrainë. Europa u ballafaqua pas 77 vitesh me një luftë të pakuptimtë, të pajustifikuar dhe që nuk i sjell të mira, qoftë Rusisë dhe aq më keq Ukrainës. Pamjet televizive, lajmet, etj., informacionet, tregojnë për shkatërrime të ndodhura në një territor që deri para gati 30 vitesh të dy popujt kanë jetuar bashke, të mirat e të këqijat e bolshevizmit i kanë pasur njëlloj në kurriz, gjuha e përafërt, zakonet pothuaj njëlloj, lidhje të pleksjeve familjare nga martesat, fe e njëjtë, më afër nuk ka ku të shkojë më. Dhe përsëri luftë.

    Historianët, politikanët, duhet ta trajtojnë realisht fatkeqësinë e kësaj luftë? Mendimi ekonomik duhet të përsoset, të nxjerrë mësime dhe tregon me realizëm pasojat e kësaj çmendurie, që përbën kolapsin e dytë të madh që i ndodhi botës, kryesisht Europës në ekonomi në shekullin që jetojmë, se është jo vetëm një luftë e pakuptimtë për njerëzit dhe demokracinë, por pasojat e sjella janë të jashtëzakonshme.

    Globalizimi i ekonomisë botërore dhe veçoritë që ka çdo territor në botë, sidomos për vende me territor të madh, si Rusia dhe Ukraina, nuk janë pa pasoja në treguesit e prodhimit të burimeve të lëndëve të para etj., se krijojnë boshllëqe në tregun global e rajonal për madhësinë e peshës së prodhimit në grurë, misër, luledielli, vaj ushqimor etj., në naftë, gaz, qymyr, lëndë druri etj. Pikërisht është kjo luftë që tronditi e frikësoi tregjet, krijoi boshllëqe, që besoj do ndihen për disa vite.

    Mbi të gjitha, kjo luftë rriti inflacionin, për rrjedhojë solli rritjen e çmimeve të mallrave në tërë zinxhirin e pjesëmarrjes së tyre. Njerizimit, politikëbërësve, organizmave ekonomikë ndërkombëtarë i del detyrë të përballen me realitetin që të përballojnë situatën në kohë sa më të shkurtër dhe të parandalojnë të tilla gjëra në të ardhmen, duke kthyer trenin e zhvillimit për një jetë më të mirë të njerëzimit.

    SHQIPTARËT INFLACIONIN NUK E KANË NJOHUR, PA LE TE BËHEJ FJALË PËR TË VEPRUAR?

    Në situatë me COVID-19 dhe me luftën në Ukrainë, përfshirë edhe tërmetin, ekonomia shqiptare, e cila edhe pa këta faktorë, kishte problem në rritjen e saj, për konsolidimin e ekonomisë së tregut në sistemin demokratik, për të eliminuar efektet e zhvillimit të vendit me ekonominë e centralizuar, drejtimi me politikë moniste e me plan zhvillimi. Plan që kishte si bosht orientimi politikën dhe jo me konceptin e tregut të lirë mbi bazën e kërkesë ofertë!

    Situata e trashëguar, me dritëhijet e saj, pozitive dhe negative, në mënyrën e menaxhimit të zhvillimit ekonomik, me çmime të përcaktuar jo nga kërkesë oferta, por nga politika, me paga të ulëta, me menaxhim shpenzimesh nisur nga politika, mbi bazën e ideologjisë marksiste dhe zbatimit qorrazi të rrugës socialiste të Stalinit, lanë pasoja të mëdha në prosperitetin afatgjatë të zhvillimit. Ndaj, brezat e njerëzve që punuan dhe jetuan në periudhën 1944-1990 nuk e njohën, nuk e zbatuan, nuk u kërkohej, nuk i linte politika, nuk reflektuan, nuk menaxhuan me tendencat botërore të zhvillimit, që nga dita e parë e kalimit në sistemin kapitalist, pas vitit 1805. Më e keqja, nuk ia dinin as emrin inflacion, pa le të merrej në konsideratë!

    Realiteti nuk ka qenë pa pasoja në rrugët e zhvillimit ekonomik të vendit nga viti 1991 deri me sot në 2022. Shkurt, është humbur treg, u humbën shumë lloj prodhimesh për eksport, u prish gati 95 % e tërë industrisë së ngritur, u largua nga vendi gati 50 % e popullsisë, 65 % e forcës së aftë për punë dhe mbi 90 % e specialistëve të prodhimit/shërbimit. Pse? Kurrkush nuk mban përgjegjësi! Pse?

    Kështu drejtohet ekonomia e një populli! Kush dhe si do krijohen të ardhurat e qëndrueshme që vijnë vetëm nga puna! Të shpresojmë që gjërat të ndryshojnë, por gjasat e prognozat të çojnë në kolaps ekonomik/social! Shpresoj të mos ndodhë!

    Me gjithë këto, jam optimist, se një brez më i mirë njerëzish të këtij vendi do drejtojnë me parimet e kapitalizmit, ku motori i zhvillimit është punë dhe vetëm puna që krijon vlerë të qëndrueshëm, në kontekstin e parimeve që zbatojnë shtetet më të konsoliduara, që kanë territor dhe popullsi afërsisht sa ne!

    INFLACIONI I LARTË KRIJON HAPSIRA PËR ZHVILLIM!

    Inflacioni është prezent në ekonomie shqiptare. Ai duhet llogaritur saktë, të njihet nga kushdo dhe të përpiqet që secili të japë ndihmesën e tij në reflektimin real në biznesin përkatës, duke zbatuar teorinë ekonomike. Jashtë kësaj, “inflacioni” kthehet në bumerang! Që inflacioni të ndihet sa më pak në ekonominë e një vendi, shkenca ekonomike, pas viteve 1929- 1933, ka argumentuar se rritje e çmimeve, në madhësinë agregat të inflacionit, duhet harmonizohet me rritje e konsumit të drejtpërdrejtë të popullatës, në nivel më të lartë se rritja e çmimeve agregate, krahas politikës makro që orienton rivlerësimin e monedhës dhe vlerës së punës së gjallë.

    NË SOCIALIZËM, VENDI DUKEJ SIKUR NUK PREKEJ NGA KRIZA

    Në botë ka pasur gjithmonë kriza në ekonomi, më e madhja ajo e viteve 1929-1933. Në periudhat 1945-1990 ekonomia shqiptare zhvillohej me planifikim, e centralizuar dhe e mbyllur. Zhvillimi ekonomik u bë jashtë rrjedhës së modelit ekonomik botëror. Edhe në këto kushte, pati rritje ekonomike në tërësi, se shoqëria vinte nga një e kaluara me zhvillim të ulët dhe nuk ishte e ballafaquar direkt me krizat ekonomike. Ideologjia sunduese nuk mendonte që modeli ekonomik i vendosur për zhvillim do ta çonte vendin në krizë? Në të vërtetë, vendi jo vetëm që shkoi në krizë, por kriza shkoqi çdo gjë të mirë të bërë në gati 50 vite!

    Sistemi ekonomik socialist dukej sikur i amortizonte krizat, pasi treguesit ekonomikë ishin ndërtuar të përqendruar për çdo gjë. E vërteta është se, pas prishjes me kinezët, ekonomia pothuaj kaloi në kolaps deri në bllokim total, filloi në vitet 1987- 1980, me pasoja frenuese deri në 1989. Çdo gjë e krijuar me mund e djersë, u shkris si kripa në ujë! Më dukshëm vuajti ekonomikisht fshatarësia me “gërshërën” e famshme të çmimeve!

    Kalimi i vendit në sistemin kapitalist pas vitit 1991, bëri që ekonomia të mos përballojë konkurrencën e tregut. Kolapsi dhe falimentimi u shtri kudo në tërë jetën ekonomike e sociale. Pothuaj, aftësitë prodhuese dhe marrëdhëniet në prodhim u shkatërruan dhe gati një e treta e popullsisë la vendin në pak vite. Tani kjo situatë është shumë më e thelluar! Kjo e keqe ende vazhdon vrullshëm, e nxitur nga defektet në vlerën reale të punës, për një pagë më të mirë! Për një jetë më të sigurt, në një kohë që zgjidhjet dhe mirësia duhen kërkuar në zhvillimin e Shqipërisë dhe jo “argat” në dyert e botës?

    KAPITALIZMI I KA BASHKËSHOQËRUESE KRIZAT!

    Për 30 vjet, pas 1991 e deri sot në fundin e vitit 2021, rrjedha ekonomike botërore ka pasur pak kriza të mëdha, përjashtuar vitin 2008 me krizën e pasurive të paluajtshme, ku preku kryesisht Amerikën, e cila e kapërceu shpejt, por jo pa dhimbje. Ndikimi i krizës ishte në tërë botën. Vendi ynë ishte i paekspozuar në bursa dhe marrëdhënie të tjera, ndaj nuk e ndjeu këtë krizë dukshëm.

    U desh pandemia Covidi-19 që ekonomia botërore të tronditej aq shumë sa u humbën miliona jetë njerëzish, gjunjëzoi botën mbarë dhe nxori në dritë të meta që krijon sistemi kapitalist, në kontekstin e ekuilibrit të tregut, i cili asnjëherë nuk është përputhur, pasi i përshtatet jetës njerëzore, interesave të tyre dhe ballafaqohet me ndryshimin në mentalitet, në teknikë, në teknologji, në inovacion, në menaxhim dhe në drejtimin politik.

    Çekuilibrat në tregun global u shfaqën në mes të vitit 2021, ku u dhanë sinjalet e një frymë të re në zhvillimin ekonomik botëror pas Covid-19, të lidhura me tërë disproporcionet e zhvillimit global, si fillim të mëshiruara në vlerën e mallrave jetësore, si: ushqimet, energjia elektrike, nafta dhe gazi etj. Ky efekt nuk ndalon shpejt!

    Në shkurt, mars të këtij viti, efekti i krizës së mallrave ushqimore dhe të energjisë u pasqyrua në rritje çmimesh dhe në treguesin e inflacionit. Të gjitha vendet synojnë ekuilibër në nivelin e inflacionit, se i dinë mirë pasojat. Për fat të keq, inflacioni pothuaj doli jashtë kontrollit edhe në ekonomitë sunduese të botës.

    Në ekonomitë e dobëta, vendet që nuk janë “novatore”, që nuk zbatojnë progresin, që nuk i përgjigjen inflacionit me metoda ekonomike, rritja e çmimeve dhe inflacioni u sjell goditje të rëndë në tërë treguesit ekonomikë, sidomos ato të mirëqenies. Njëherazi, përvoja botërore e mendimit ekonomik në luftën ndaj krizave ka vërtetuar se kjo situatë, nëse menaxhohet mirë, krijon mundësi që gjërat e bëra me vonesë ose gabim të korrigjohen, qoftë me kosto, sepse vendeve në zhvillim u sjell progres, pasi ka ende kategori ekonomike për t’u konsoliduar dhe shfrytëzuar që nxisin interesin e njërëzve në një lidhje më të mirë të pagës me nivelin e shpenzimeve.

    NFLACIONI DUHET TË ADRESOHET DHE TË PËRBALLET NË RRUGËT QË KA PËRDORUR DHE VEPRON BOTA E ZHVILLUAR

    Në mars-prill 2022, inflacioni në Europë kaloi 5% (ka diferenca midis vendeve) me tendenca rritjeje, me pasoja në zinxhirin e ekonomisë. Zyrtarisht, statistika shqiptare raporton inflacion 2.4 – 3.2%, shifër kjo që nuk paraqet realitetin, pasi importet janë të mëdha, që sjellin mallra me çmime të rritur nga vendet me inflacion! Metodika e matjes së inflacionit nuk i përgjigjet realitetit në ekonomi!

    Mirë do të ishte të përgatitemi si vend, se edhe në kushtet e këtij inflacioni të rritur, niveli i prodhimit dhe i konsumit të mos ulë konsumin, se është shume i vogël. Zbatuesit që menaxhojnë ekonominë në tërë sektorët (publikë dhe privatë), politikëbërësit nuk mundet të përballojnë furtunën e inflacionit, pa e adresuar atë në rrugët që ka përdorur dhe përdor bota. Askush nuk duhet të përfitojë nga kjo situatë!

    Ne nuk jemi Amerika, e cila edhe pse ka hedhur miliarda dollarë për Covid-19, në konsum drejtpërdrejtë te njerëzit, vazhdon të shesë bono thesari etj., rrit vlerën e dollarit duke arritur në dt. 28.04.2022 kuotën në bursë 1.0485 $/Euro (duhej të ishte e kundërta), njëherazi synon të prekë edhe rezervat e energjisë (naftës) pas 50 vjetësh!

    Ne si vend nuk kemi as potencial, as resurse të ndikojnë në tregun botëror, ndaj duhet qasje tjetër për shfryrjen e influencës së inflacionit, që të kthehet në nxitje pozitive për ekonominë. Modele të tilla aplikimi shkenca ekonomike afron, ato duhet të zbatohen, pavarësisht nga interesat politikë të qeverisjes së radhës!

    Mendimi ekonomik parashtron disa rrugë, që janë universale prej vitit 1933, që kanë ndihmuar mbështetje të ekonomisë në kohë krize me inflacion të lartë, si: rritja e çmimet në madhësinë agregate të çmimeve hyrëse (importi), rritja e konsumit të drejtpërdrejtë të popullatës, në nivel më të lartë se rritja e çmimeve agregate, rivlerësimi i punës së gjallë, pagës orare, rillogaritje e fuqisë blerëse të lekut, në raport me inflacionin, krahas rritje së sasisë së monedhës në qarkullim, si masë që e bën më të lira prodhimet vendase, duke krijuar avantazh në rritjen e eksportit.

    Mekanizma të tillë ka përdorur bota dje dhe sot për të përballuar krizat dhe inflacionin, pa krijuar probleme të mëdha sociale dhe njëherazi nxisin rritjen e eksportit dhe prodhimin vendas. Nuk është vonë që burimet natyrore, si: nafta, gazi, mineralet, uji, klima, prodhimi bujqësor etj., duhet t’u kthehet mirë ajo që ka munguar deri sot, gjoja në emër të lirisë së tregut! Kjo politikë ekonomike, ka sjellë humbje në treg për çdo gjë dhe mosstimulim të prodhimit vendas, rrjedhimisht moszënien e njerëzve me punë! Humanizëm në ekonomi nuk ka! Tregun nuk ta jep kurrkush? O e mban tregun ose e humb, duke paguar pasojat! Na mbyt paradoksi! Një popull si yni me pagë mesatare mujore rreth 460 euro, konsumon mallra importi që në çmimin e tyre, e kanë paga të paguara nga 2500-4500 euro. Në gjuhën ekonomike, kjo rrit ndjeshëm varfërinë! Më thjesht! Një hamburger në vendet skandinave ose Europë është disa herë më i lartë se te ne, por njerëzit e blejnë pa u ndier, se kanë pagë të lartë. Pyetja është: A stimulohet konsumi? A blihet më shumë apo më pak, pa harruar që të gjithë duhet të nxjerrin fitimet, prodhuesi, tregtari, qytetari dhe buxheti? Konsumatori te ne në këtë realitet është i “dënuar” të ulë konsumin! Ulja e konsumit përkthehet ulje prodhimi dhe mungesë interesi për punë brenda vendit! Ndaj, njerëzit “mbyllin sytë” dhe ikin nga sytë këmbët!

    EKONOMIKISHT RRITJA E ÇMIMEVE NUK NDALET, KONTROLLOHET, POR ORIENTOHET ME MEKANIZMA EKONOMIKË DHE JO ME POLITIKË!

    Unë shpresoj që qeveria e Zotit Rama, në funksionin rregullator, do të bëjë atë që bën gjithë bota. Nuk duhet të lejojë rritje çmimesh për asnjë artikulli mbi invlerencën që sjell në koston e produktit çmimi i rritur i ardhur nga vendet furnizuese. Liria e tregut nuk presupozon amulli dhe çekuilibrim, që as biznesi, as populli dhe as buxheti i shtetit të mos dalë me humbje nga ky efekt, por të jetë nxitës për të punuar dhe marrë më shumë, që të përballojë drejtpërdrejt rritjen e çmimeve. Ky menaxhim nuk bëhet me borde, të bëhet shpejt dhe në vazhdimësi, sjell pasojat të mëdha, të shfrytëzohen përvojat e popujve me madhësi afërsisht sa ne dhe zbatimi të kryhet nga profesionistë ekonomikë me funksioni koordinues të shtetit. Amullia nuk sjell të mira për askënd!

    Më shumë se kurrë, Shqipëria ka sot nevojë për shpresë dhe besim, që ‘bijtë e këtij vendi të shqiponjave” të kthehen dhe të qëndrojnë në folenë e tyre, ku të jetojnë të qetë dhe të ndërtojnë të ardhmen e sigurt europiane!

    Besoj, shpresoj të zëmë mënd, se ekonomia është shkencë e nuk të fal po gabove! /Panorama/

    * Dekan i Fakultetit të Shkencave Ekonomike dhe Shoqërore në Kolegjin Universitar “Wisdom

    Lajmi Paraprak

    Pavarësi nga gazi rus, Gjermania nis ndërtimin e terminalit të parë të gazit të lëngshëm

    Lajmi i rradhës

    Shqipëria, inflacioni në rritje, por jo stangflacion

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë