E majta luksoze shqiptare, si shprehje e hipokrizisë sociale

    PELLUMB NAKO

    Nëse ka një arritje reale nga kjo qeverisje, nëse.Kryeministri aktual i saj do të hyjë vërtet në historinë e këtij vendi, e vetmja vepër me përmasa për në piedestal mbetet krijimi në Shqipëri i një shtrese sociale që për besnikëri të asaj që prezanton, do ta quanim “e majta luksoze shqiptare”. Ekzistenca e saj i dedikohet deformimit të qeverisjes nga ana e borgjezisë së majtë, krijuar pas rënies së diktaturës, ku në vazhdim të ideologjisë majtiste, për model u përqafua statusi social i Byrosë Politike. Koncepti marksist do të tmerrohej me këtë term. Kurse aktualiteti social e koncepton borgjezin e majtë si një individ pa pasuri të madhe, përgjithësisht të diplomuar që përfiton nga mundësitë kulturore dhe voton majtas. Për të parë qartë shkarjen nga “borgjez i majtë” në “të majtën luksoze”, mjafton të sillet ndërmend fotoja ikonë e ministres para dhe pas hipjes në pushtet.

    Natyrshëm, qeverisja e së majtës luksoze bazohet mbi vlera sociale që vetë ajo emeton. PPP-të e famshme, aferat e inceneratorëve, nuk janë gjë tjetër veçse operacione ekonomike të mishëruara me saktësi në profesionin strep-tease. Profesioni në fjalë funksionon i pranueshme si moralisht dhe ligjërisht, por në të njëjtën kohë ai tundon me intensitet të tillë saqë në prapaskenë bien lehtësisht në mëkat dhe me shumicë gjithë arrivistët politikë e socialë, të vetofruar e të pështirë për të fituar me çdo mjet. Rënia në mëkat, është e barabartë me rënien në burg nëse kapja kryhet nga opinioni publik. Përgjegjësia penale në të tilla raste mbetet personale, megjithëse të gjithë janë njëlloj. Në një këtë kontekst të tillë mjaftojnë disa idiotë të vlefshëm siç janë të burgosurit e aferës së inceneratorëve që qeverisja e së majtës luksoze të shpallë triumfalisht suksesin e drejtësisë sociale që predikon se po ndërton për të gjithë.

    E majta luksoze njeh vetëm fajin penal të provuar nga ligji. Ai moral nuk ekziston. Kjo, sepse ajo nuk orientohet nga vlerat e shtresës që përfaqëson, por krijon vlera karakteristike të saj, dhe që më pas kthehen në trend social, sidomos për rininë. Konsumizmi luksoz në kufijtë e ligjit, mungesa e frikshme e solidaritetit social, stili faraonik i të jetuarit, paga me diferenca katastrofike, pasurimi i rrufeshëm pa skrupuj moralë, dukja, dëfrimi pa fre në vende ekzotike, orientimi për të marrë gjithçka dhe për të mos dhënë asgjë, shkelja e çdo norme morale para dëshirës për arritje, janë në trendin e kohëve që po jetojmë. Nëse një borgjez i majtë do të dëshironte të kishte për vete një automjet të shtrenjtë, për një përfaqësues të së majtës luksoze kjo gjë do të ishte e pamjaftueshme në rast se derën e tij nuk do ta hapte një shoqërues apo shofer, madje të mbajë edhe çadrën kur bie shi. Kur për sportivitet dikush nga e majta luksoze e hap vetë çadrën, lajmi bën bujë dhe mbarë shoqëria shqiptare vihet menjëherë në dijeni. Dhe moda nuk vonon të hapet as në krahun tjetër politik.

    Por pyetja duhet bërë: A ka borgjezi të majtë? Nëse ka, ku është e keqja?

    Debatet janë të shumta. Historia botërore është e mbushur bollshëm me raste të pasurish që përqafuan dhe milituan për të majtën sociale. Të tillë ka edhe sot të shumtë, edhe në botën e zhvilluar perëndimore. Përfaqësuesit e saj me profesione nga më të ndryshmet janë realisht të majtë. Ata të brezave të shkuar kanë luftuar fashizmin kurse të sotmit mbeten të vendosur për të luftuar edhe fashizmin bashkëkohor. Po ashtu, pa përjashtim brezat e rinj të së majtës borgjeze frymëzohen dhe nderojnë luftën heroike antifashiste. I njëjti fenomen edhe në Shqipëri, ku përveç sa më sipër, brezat aktualë kanë rrënjët në këtë ideologji, ku spikat trashëgimia byroiste. Duket se termi “socialist” ka mbetur pa mbështetje. Madje, në vendin tonë kemi edhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Në prani të veteranëve tiranas, energjikisht të motivuar, ai theksoi faktin se ndërtesa e Teatrit Kombëtar ishte arkitekturë fashiste e duhej rrafshuar. Kurse Kryeministri tha se ati i tij ishte në anën e duhur të historisë kur firmosi varjen e një poeti. Pra, përgjigjja është pozitive, sepse nuk është e thënë që të përfaqësosh vegjëlinë, duhet të jesh i varfër. Por ka edhe kufizime.

    Kur borgjezi i majtë është vërtet i majtë? Ku është kufiri?

    Përgjigjen për këtë e ka dhënë Jean Luc Melenchon, kryetar i frontit të së majtës franceze: “Një borgjez quhet i majtë kur këndvështrimi i tij ka qenë i majtë edhe në kohën kur është pasuruar”.

    Borgjez që voton majtas dhe bën evazion fiskal në Shqipëri ka me shumicë. “E majta luksoze shqiptare” mbetet konkretizim i formës më të spikatur të hipokrizisë sociale në nivelin e “Tartufit” të Molierit. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Kosova dhe Shqipëria akuzojnë Rusinë për krime lufte

    Lajmi i rradhës

    Kufoma për incineratorë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë