Edhe semafor, edhe polic?!

    PROF. DR. ELMAS LECI 

    Një çudi e madhe organi zative e “çorganizuar” vihet re te ne ndër vite veçanërisht në trafikun e kryeqytetit tonë, në Tiranë. Në çdo kryqëzim rrugësh gjen edhe policin dhe sheh edhe semaforin. Të dy bëjnë të njëjtën punë, rregullojnë vijimësinë e trafikut të makinave. Plus të këtyre dy “qenieve”, një njerëzore dhe një elektronike, është edhe një tjetër që shpesh dihet apo nuk dihet, janë kamerat në kryqëzime, pra bëhen tri qenie për të njëjtën punë, dy inteligjente artificiale dhe një njerëzore e gjallë dhe e ndërgjegjshme. Megjithatë, trafiku i pazgjidhur se i pazgjidhur. Përse ndodh kështu? Deri para pak kohësh e kam justifikuar policin në kryqëzimet e trafikut me disiplinimin e njerëzve, që ende i shkelin me dashje apo nuk i respektojnë rregullat e qarkullimit.

    Të tillë presupozohet se ende ka dhe padyshim edhe do të ketë, por kjo nuk do të thotë të dublojmë kryqëzimet e rrugëve me policë dhe semaforë e kamera. Mirëpo nuk mund të presupozohet një polic, që lëviz në ajër për “koti” atë pallaskën e rrumbullakët me mbishkrimin “Policia rrugore”, që shpesh e shohim edhe pas xhamit të disa makinave “ordinere”, që e mban në dorë e i bie fort e kot edhe një bilbili dhe semaforin që bën punën e tij të pavarur më mirë se 20 policë po të jenë në atë vend kryqëzimi. Dikur, më duket se për këtë çështje (në mos gabohem) foli edhe Kryeministri, e pas në dy-tri ditë nuk pati policë në kryqëzime dhe çdo gjë thënë troç e thonë se shkoi për mrekulli, mirëpo përsëri ridoli në kryqëzim polici në dublim të semaforit, plus edhe kamera vëzhguese në shtyllën më të afërt lart te kryqëzimi, që filmon për Qendrën Operacionale të Policisë. Ajo që më nxiti më shumë për çështjen jo vetëm që e kam edhe në opsionin e Institutit të Sigurisë që drejtoj ishte se një qytetar më tërhoqi mua dhe dhjetëra kalimtareve me gërthitjen e tij me sa fuqi kishte: “O qeveri, vendosni jo një, por 4 policë këtu në qarkullim, një në çdo rrugë kryqe dhe 4 semaforë i keni, se paguajmë ne populli fukara”! Bëhej fjalë për rrugët e kryqëzuara tek ura, Rruga e Elbasanit. Njerëzit rrotull kthyen kokat dhe panë si personin normal dhe joanormal që thërriste, panë policin me pallaskën e qarkullimit në dorë dhe me bilbilin që i binte fort e kot dhe semaforin që vijonte punën e tij të pavarur e korrekte. Qeshën shumë njerëz dhe ikën në drejtime të ndryshme, pasi dha sinjalin e kalimit si semafori, por edhe polici. Ngjarje për të qeshur e për të qarë, njëlloj si në vitet ‘50-të me policin në mes të sheshit “Skënderbej”.

    Po përse vetëm në Tiranë kjo situatë komike?! Po përse vetëm këtu ka makina e trafik?! Po a ka ndonjë statistikë se sa aksidente kanë parandaluar këta policë që rrinë në kryqëzime dhe veç kërcasin bilbilat, që në botë nuk ekzistojnë? A mos polici në kryqëzime ndalon aksidentet, kur pohoj me kompetencë se në të tilla kryqëzime, një herë në njëqind mund të ketë ndodhur ndonjë aksident. Po ç’fuqi ka polici në kryqëzim për të parandaluar aksidentet?! Këtë vetëm policia jonë mund ta shpjegojë. Do ta shpreh një mendim dhe besoj se nuk do merret për keq. Polic rrugor ishte ai në kohën e largqoftit, që futej me kompetencë nën makinë pa pyetur se bëhej me llucë e baltë, por që njihte çdo gjë xhenerike e elektrike se dinte se si funksiononte makina dhe për të metat teknike merrte masat e plota me bllokim automjeti dhe gjobëvënie. Polici ynë ka vetëm atë “pallaskën” e rrumbullakët të qarkullimit dhe një bilbil kalamajsh fshati. Nëse polici ynë në kryqëzime, i dubluar me semaforë e kamera ndihmoka në evitimin e aksidenteve, po në qytetet e tjera, ku nuk ka polic fare në kryqëzime, madje në të shumtat e kryqëzimeve, nuk ka as semaforë?! Pra andej, nuk ke as semaforë, as edhe policë. Ka ndonjë mendim, se “kryeqyteti ka qarkullim të madh, makina plot të shtuara e që shtohen dita-ditës”. Kjo, njëlloj si në botë. Veçse me një ndryshim që në Bruksel, Paris etj., etj., ku makinat shkojnë lumë, nuk ke të dubluar semaforë e policë. Jo! As që bëhet fjalë.

    Për arsye pune e shërbimi kam qenë në të gjitha vendet e NATO-s, por asgjëkund nuk kam parë edhe semafor, edhe polic, ose më mirë nuk ka fare polici. Policia atje, rri në Stacionin Policor ose në patrullime me makina, por ama policin e ke kudo. Shiheni dhe studiojeni ju të policisë atë eksperiencë e mos na e aplikoni edhe ne për të mos qenë polici për “gogol”. Le pastaj që në trafiqe të thonë masivisht ngarësit e makinave se “ku ka trafik të renduar apo ‘bllokim’ të trafikut të thonë se në rrugë përpara duhet të ketë polic” dhe vërtet pas pak ti ndeshesh në shikim me policin, që më shumë e ka “ngatërruar” trafikun se sa e ka zgjidhur.

    Kam parë edhe kronika që të ngrenë “nervat”, që bazuar te raportimet e policisë, thonë se “policia e qarkullimit rrugor ka arritur këtë e atë rezultat pozitiv”. Dhe kush na quhen rezultate e fitore? Janë mburrjet me sasinë e madhe të gjobave mujore e tremujore. Po aksidentet?! Për ato heshtet dhe policia bën vetëm “autopsinë”. Jo! Policia duhet të jetë në veprim në terren, duke inspektuar të metat teknike të automjeteve e të drejtuesve. Kjo duhet të jetë puna dhe kështu minimizohen aksidentet. Jo shumë kohë më parë, policët rrugorë i shihje në rrugë edhe pas ferrave që të “zinin” në befasi e gabime drejtuesit e makinave, aspekt edhe ky (falë ndërhyrjes së Kryeministrit) tashmë pothuajse i tejkaluar. Kanë ende ndonjë që rri pas ndonjë peme, por nuk u a mban më siç rrinin dikur nëpër kaçube për turpin e dynjasë e te dilnin me vrap që të mos e thëntë Zoti të krijonin edhe ndonjë aksident me pasoja vdekje. Nëse atëherë t’i merrnin lekët se polici të dilnin nga skutat, tashmë në kryeqytet lekët të merren hapur (jo direkt nga polici si dikur), por se ai polici merr pagën nga taksat tona, siç harxhon edhe semafori që ne e paguajmë po ne, pra na merren lekët, gjë për të cilën bërtiti ai i “çarturi” në semafor. Duhet o njeri, o tjetri, o polic, o semafori! Te dy, jo!

    Semaforin nuk besoj se e heqim, pasi koha është e semaforit e elektronikës, e kamerës se vëzhgimit dhe për shkeljen që mund të bëhen nga ngarësit e makinave, polici të qëndroi te stacioni policor e që atje të ndëshkojë shkelësit me gjobitje e gjobitja duhet të njoftohet e argumentohet dhe ekzekutohet si në të gjitha vendet e zhvilluara. Policët e qarkullimit rrugor, në të gjithë botën kanë tjetër detyrë parësore, që është siguracioni teknik i mjeteve në rrugë, që do të thotë që polici i qarkullimit patrullim i rrugëve, të futet poshtë makinave dhe brenda tyre, duke kontrolluar teknikën dhe ngarësin e saj. Po marr një vend të zhvilluar që e njoh mirë, Australinë e largët. Nuk kishte si te ne, që një herë në vit a dy vjet, që makina kalon kontroll teknik. Jo! Atje përgjegjësia teknike ishte e garazhistëve ku dilte makina e kolauduar, ndërsa kontrollin teknik e ushtronin patrullat rrugore të policisë, fillimisht sapo e ndalonin mjetin, fillimisht shikonin dokumentacionin e lëshuar nga e riparimi teknik dhe mandej nisnin kontrollin teknik poshtë e lart makinës dhe vendosnin. Kështu po.

    Kjo është polici qarkullimi. Por që të bëhet kjo te ne, kërkon mposhtjen e shumë koncepteve e praktikave, e mbi të gjitha kërkon nxjerrjen jashtë qarkullimi të këtyre lloj policëve, të cilët pa dyshim që nuk marrin vesh nga teknika. Si përfundim, kjo e objeksionit të opinionit, dy “veta” dy qenie për një punë nuk mund të paguhen, edhe semafori edhe polici. Të lemë njërin, padyshim që semaforin. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Një prezantues radioje në Australi ishte nga Inteligjenca artificiale – kaloi pa u vënë re për muaj të tërë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë