Requiem për fjalosjen

    ÇAPAJEV GJOKUTAJ

    Një pjesë e mirë e miqve të mi virtualë janë emigrantë të moshuar, e kanë lënë vendin dekada më parë dhe tani, edhe pse në pension, nuk u është bërë mbarë të kthehen. Parë me sy të lirë më ngjan se janë ndër miqtë më aktivë, në kuptimin që jo vetëm shkruajnë e komentojnë shpesh, por edhe e njohin aktualitetin (afërmendsh dhe historinë) po aq mirë sa ne “të këtushmit”

    Mërzitem e bëhem derr, më shkruan një i tillë, që sa ka dalë në pension. Edhe në metro, mes lumit të njerëzve, ndihem i vetmuar, si të isha në Patagoni. Vetëm kur hap fejsbukun më ngjan vetja sikur jam në Fier. Lexoj statuse e komente, kthej ndonjë përgjigje, të gjitha shqip, dhe më duket se jam atje, mes miqsh e të njohurish. Me njërin përshëndetem, me tjetrin bëj ndonjë batutë nga larg, me të tretin shkoqitem në muhabet. Gjë e madhe fejsbuku, po ke parë ti që shpesh e më shpesh e gjithë kjo më duket pesë me hiç e më kujtohet plaka e Belul Gjonomadhit të Kadaresë që, kur ndjeu zërin e të shoqit në telefon ia pat: Belul, të keqen ç’është ky zë, sikur flet nga sosmëja, aman se po më merr të qarët. Nuk di ta them pse, vazhdon miku, po më ngjan se shkëmbimet në fejsbuk, sado të shpeshta e të lehta qofshin, nuk i vijnë as te maja e thembrës një bisede symësy në kafe a në stolin e parkut.

    Në fakt, biseda ballëpërballë, me praninë e të dy bashkbiseduesve, nuk mund të zëvendësohet nga ca rreshta tekst, të shkruara shpejt e shpejt e shkel e shko, gjithë gabime e shkurtime. Specialistët e komunikimit thonë se tekstet e përcjella nga “chat”-et e nga rrjetet sociale janë tejet të mangëta krahasuar me bisedat e bashkëpranishme se u mungojnë elementë të tillë si intonacioni, mimika, gjuha e trupit etj. Të gjitha këto nuk shtojnë ndonjë gjë të madhe në mesazhet që bashkëbiseduesit i përcjellin njeri tjetrit, pra nuk shtojnë kushediçë në rrafshin e informacionit, por i japin jetë ligjërimit në kuptimin që shtojnë emocione, ndjenja, ngjyrime dhe bëjnë që biseda jo vetëm të kuptohet, por edhe të përjetohet, jo si tekst inert po si krijesë e gjallë.

    Biseda më shumë se shkëmbim informacioni mes dy miqsh a të njohurish është në radhë të parë mjet për të ndërtuar marrëdhenie njerëzore si dhe për t’i ‘vajisur’ e mirëmbajtur këto marrëdhenie. Kështu duket se ka qenë kurdoherë, por sot kur gazetat, radiot, televizionet e rrjetet sociale përmbushin e tejmbushin nevojat tona për informacion, biseda priret të forcojë shumë më tepër funksionin afrues me bashkëbiseduesin dhe të kthehet kështu nga bisedë në një fjalosje pa axhendë a plane paraprake.

    Bisedat a fjalosjet ballë për ballë e forcojnë ndjesinë e intimitetit edhe me faktin që bëhen në privat, pa prani spektatorësh. Shkëmbimet dhe ndërveprimi në rrjetet sociale presupozojnë kurdoherë se shihen e lexohen edhe nga të tjerë. Prania e të tjerëve si spektatorë, qoftë dhe potencialë, jo vetëm që zbeh intimitetin, por edhe i shton bisedës në rrjet një element të dukshëm aktrimi. I vetdijshëm për praninë e të tjerëve bashkëbiseduesi thotë/shkruan, jo atë që i vjen në gjuhë vetvetiu dhe pa e vrarë fort mendjen, por atë që dëshiron të dëgjojë komuniteti i lexuesve. Kjo ikje nga spontaniteti e sinqeriteti i vetvetishëm, ky largim nga vetja për të vajtur te parimet, për të marrë poza e për të aktruar jo vetëm që synohet por edhe realizohet lehtësisht në rrjet, ku në një pjesë të mirë të rasteve shfaqesh jo si person konkret po si emër, si shenjë boshe që e mbush si të duash dhe si të të interesojë.

    Do tingëllonte tejet patetike e larg së vërtetës nëse do thoshje që teknologjitë e informimit po e vrasin bisedën e lirë e spontane. Parë më thellë këto teknologji, duke plotësuar nevojat për informacion, krijojnë mundësi që biseda sy më sy të synojnë me përparësi ndërtimin dhe mirëmbajtjen e marrdhënieve njerëzore. Ajo që po e dëmton dhe po e bën të rrallë këtë lloj bisede nuk është teknologjia si e tillë, po modelet e ligjërimeve që zgjedhim të përcjellim me përparësi nëpërmjet televizioneve, radiove, portaleve dhe rrjeteve të tjera sociale.

    Kur publiku, veçanërisht adoleshentët dhe të rinjtë, “ushqehen” thuajse gjithë kohën me ligjërime të tipit “Big Brother” apo “Përputhen”, ku privatja dhe intimja – përfshi dhe dashurinë, madje edhe seksin- nxirren në pazar e bëhen shfaqje, atëherë lind vetiu rreziku që këto ligjërime të kthehen në model dhe si të tilla të dalin nga ekrani e të hyjnë në jetën e përditshme. Për të mos hyrë më thellë e për të mos përmendur programet e tipit “talkshow” që, të etura për ritëm e klikime përhapin modele ligjërimi ku mbizotrojnë zënkat, ofendimet, cektësia dhe shumë gjëra të tjera, të gjitha larg mirëkuptimit dhe bukurisë së komunikimit human.

    Këto modele që ofrohen me shumicë nga rrjetet sociale, por edhe nga mediat tradicionale, rrezikojnë të bëhen ngjitëse e të marrin trajtë viroze në kushtet kur shoqëria përjeton krizë vlerash, kur marrëdheniet intime e njerëzore janë të kërcënuara nga komercializmi ekstrem.

    Rreziqet që i kanosen bisedës sy më sy, fjalosjes së lirë pa spektatorë e pa agjenda paraprake, më kujtojnë një akademik suedez që vizioti Shqipërinë në fillim të viteve 1990. U ndie pak i surprizuar kur i thanë se në anët tona nuk praktikoheshin seancat te psikanalisti, ku pacienti nxitet të flasë e të tregojë lirshëm. Si u mendua një grimë herë, me prirjen e njeriut konstruktiv që të shohë gjysmën plot të gotës, bëri me dorë nga restoranti që gumëzhinte dhe tha: Pse të shkoni te psikanalisti kur flisni e ndërveproni kaq lirshëm?!

    Lajmi Paraprak

    Ndihmoni fëmijët të adaptojnë shprehi të shëndetshme ushqyese

    Lajmi i rradhës

    Forumi i Davosit dhe Inteligjenca Artificiale

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë